Drago Shehu: 1949, si e vendosëm centralin e parë elektrik në Tepelenë

441
Sigal

 

  • -Si vendosëm centralin e parë elektrik në Tepelenë në vitin 1949!
  • -Për elektrifikimin ndihmuan shumë të interrnuar dhe nxënësit e shkollave.
  • -Unë isha 17 vjeç dhe më dhanë si ndihmës dy elektriçistë të interrnuar në kampin e Tepelenës.
  • – Vejsel Cervoi dhe Fahri Jasini, ishin dy elektriçistë të interrnuar që nëna ime i trajtonte si fëmijët e saj.
  • – Në qytetin e Tepelenës kanë mbaruar klasën e 7 në vitin 1952, disa vajza të internuara me mbiemrin Mirakaj, Markagjonaj, Merlikaj.
  • -Dëshmitar i shkollimit të të interrnuarve ka qenë dhe Tomor Dosti i cili më vonë u burgos

Albert Z. ZHOLI

Drago është banor autokton nga Kalaja e Tepelenës. Babai Reshat Shehu, ishte nga familjet e pasura të qytetit, me  tokë, në fushë për rreth gazermave të kampit të interrnimit, me dhjetëra kokë bagëti, dhe me mulli bloje etj. që i punonin me të tjerë. Të gjitha, këto 29 ha.  tokë brenda vijës së  verdhë i mori Reforma dhe sot nuk kanë  marrë asgjë !              Babai i tij para çlirimit të vendit, ishte kryetar komune, në Sevaster, Prongji dhe së fundi në vitin 1942 në Labovën e Zhapës. I lidhur me LANÇIN, babai ishte delegat në Kongresin e Përmetit. Pas çlirimit Shef  i Seksionit te Financës në Gjiokastër  dhe  Tepelenë.

-Në çfarë shkolle shkuat pas çlirimit të vendit dhe çfarë pune bëtë pas shkollës?

– Unë kam qenë banor në Tepelenë nga viti 1949 deri në vitin1956.

Në dhjetor 1949, mbarova dy vjet të shkollës teknike, dega elektrike. Në dhjetor 1949,  Tepelenës do t’i bëhej elektrifikimi i qytetit. Në atë kohë  unë isha 17 vjeç dhe do isha pjesë e elektrifikimit.

Për të më ndihmuar në vendosjen e shtyllave elektrike në qytet, Dega e Brendshme më dha të punoja dy të interrnuar, Vejsel Cervoi, nga  Durrësi me profesion elektriçist dhe Fahri Jasini pat qenë shofer nga Konispoli. Të dy njerëz shumë të mirë dhe të edukuar, rreth moshës 30 vjeç. Vejseli ish i internuar, se një vëlla i tij në moshën 16 vjeç me shokë me një varkë ishte arratisur nga deti. Kurse për Fahriun nuk e mbaj mend arsyen. Me të dy krijova një shoqëri të madhe dhe një afinitet, sidomos me Vejselin, që më ndihmonte në profesion. U njohën dhe me familjen time, që nëna shpesh ju jepte miell, vezë vaj e tjera për të gatuar në kamp. Në atë kohë, edhe unë isha me rrogë dhe i ndihmoja. Në çdo mëngjez, të dy këta dhe punëtorë të tjerë, vinin në vargan në fronte pune të ndryshme dhe në fund nxënësit e shkollës. Të gjithë i shoqëronte një polic. Dhe më pas polici do t’i mblidhte. Vejseli dhe Fahriu  shpesh qëndronin në Çentralin Elektrik, që në atë kohë ishte te rrapi, busti i Selam Musait, në hyrje të Tepelenës nga rruga e Vlorës, ata prisnin kur të veja unë ose centralisti Mehdi Hamiti në orën 8.00.

-Është folur dhe shkruar se fëmijët e kampit nuk venin në shkollë në Tepelenë, a është e vërtetë?

Jo! Kjo s’është e vërtetë, sa filloi kampi, filloi dhe shkolla. Unë kam dhe një fotografi të majit 1952 ku aty duken të interrnuarat dhe një vajzë me shigjetë, 14 vjeçe që më vonë do të bëhej bashkëshortja ime. Në qytetin e Tepelenës kanë mbaruar klasën e 7 në vitin 1952,  disa vajza të internuara me mbiemrin Mirakaj, Markagjonaj, Merlikaj etj, që emrat, nuk i di . Në klasat më të ulta kam pasur tre vëllezërit e mi Fizionin, Isakun, Maksin, motrën Burbuqe Çela, në klasë ka qenë dhe Kurt Kola, po për këte s’jam i sigurt. Le të publikohet kjo foto me këto vajza dhe të dalë në shesh e vërteta. Në shkollë në atë kohë, mësues ka qenë një djalë i mikut të babait tonë Tomor Dosti, që i njihte të internuarat dhe mundet të pyetet. Më vonë dhe Tomor Dosti u burgos. Në të gjitha gazetat dhe në debat flitet pa përgjegjësi, çfarë shkruan njeri i kopjon tjetri.

-Si do ta përshkruani kampin e internimit në Tepelenë?

Kampi nuk ngrihej rrëzë kalasë, po më në perëndim, në afërsi të urës së lumit të Bençës. Gazermat dhe ambientet përrreth u ngritën në trojet e Shehajve, në pronat e Luto Bektashit, Kaso Bonaj etj.

-Në shumë gazeta thuhej se gratë keqtrajtoheshin?

Po kam lexuar shumë nga gazetat. Kam lexuar se gratë ngarkoheshin me dru zjarri dhe driza nga 7- 12 km larg kampit! Po pse kaq larg kur atëhere Pallçia Majkoshi, Veliqoti kanë  qenë mbushur me dru e driza ? Thuhet  se drutë përdoreshin nga Drejtoria e burgut dhe të tjerat nga banorët e qytetit. Kjo e fundit s’është fare e vërtetë! Qytetarët i blinin nga fshatarët tradicionalisht drutë ngarkuar në kuaj, si në çdo qytet. Nuk e di si ka mundësi të flitet pa asnjë bazë se një skuadër me vajza të mitura ngarkoheshin dy herë në ditë me driza kur ato shkonin në shkollë rregullisht?! Dhe pse duhej të merreshin drizat aq larg në Dragot? Ç‘duheshin kaq shumë driza ?

-Ju duke qenë se kishit lidhje vazhdimisht me të interrnuarit a e dini sa ishte numri i tyre në kamp?

 

Kampi i të internuarve, nuk ka një shifër të saktë. S’ka pasur arkivë Ministria e Punëve të Brendshme? Diku tek Bunkart -2 thuhet se kanë qenë 1600, ndërsa tek dy gazeta kam lexuar se ishin 2000 apo 3600.

Në një rrëfim diku kam lexuar se ushqimi servirej me krimba?

 

Ajo që se kam dëgjuar as në përralla ishte kazani mbushur me krimba…për të ngrenë !?…  Më e besuar do të ishte ngrënia e mishit të ngordhur, por për krimba kurrë nuk është folur.


Eshtë folur dhe shkruar në shtyp se në kamp punohesh jo 8 orë po 16 ?

Këtë se besojnë dhe ata vetë që e thonë. Po ku punohej në ato vite në Tepelenë kaq orë? Ku kishte fronte pune veçse për dru a driza! Në Tepelenë atë kohë nuk kishte hekurudhë, hidrocentrale, rrugë, fabrika, kantjere ndërtimi. Ku? Tepelena ishte mëse e varfër. Sigurisht buka ishte me racion dhe jo vetëm për të internuarit, por edhe për qytetarët. Të gjithë me racion. Ende varfëria ishte e madhe. Më vjen keq që kam lexuar se Prof. Sam Repishti njeri i nderuar thoshte: Se e ndjera nanë më pat tregu për tmerret në këtë kamp. Ndër të tjera tregon se motra e tij 14 vjeçe tërhiqte karrocën nëpër rrugët e Tepelenës ngarkuar me ushqime të Kampit dhe ne, njerëzia e shifnim atë vajzë me dhimbje! Në atë kohë Tepelena ishte shumë, shumë e vogël! Atëhere Tepelena  s’kishte rrugë, por rrugica të shtruara me gurë e plloça, nuk ecje dot në këmbë,  nuk kishte as karrocë, as dhe vend për të marrë ushqime. Këte ndodhi se kam parë, as e kam dëgjuar. Se së paku do ma thoshte Vejseli! Ne tepelenasit jemi të pafajshëm, për të mbajtur një akuzë të tillë në krahët tona. Varrezat e Kampit kanë qenë në anë të gazermave në pjesën perëndimore, dhe jo në zall të lumit të Bënçës. Aty kishim kanalin nga furnizohesh mulliri me ujë dhe më vonë Hidrocentrali, që u ndërtua po në mullinjt e Shehajve. Më poshtë siç thashË ishin moçalet, kopshtet   dhe   arat e qytetarëve.

-Flitet për shumë pushkatime në kampin e internimit?

Në Kampin e Tepelenës nuk kam parë, as nuk kam dëgjuar të pushkatohesh ndonjë i internuar, vdekje të natyrshme ka patur, po si kanë vdekur me tortura ose pa tortura edhe këtë nuk e di! Varrezat  kanë qenë jo në Moçale ose në zall të lumit, po siç e thashë më lartë, në krahun perëndimor të Gazermave.

-Ju futeshit në kamp?

 

Me leje të kapterit të shoqërimit e si elektriçist jam futur në kamp. Jam futur shumë herë. Sigurisht që kushtet ishin të këqija…Kur i vdiq nëna e një punëtori nga kampi që kishim në central, me leje të kapterit shkova në varrim, ku me kujdesin e nënës time i përballova një pjesë të ushqimeve.

 

Kampi i interrnimit në Tepelenë

Kampi i Internimit i Tepelenës apo Kampi i Tepelenës ka qenë një strukturë internimi në përngjasim me kolkozet sovjetike pranë kalasë së qytetit me të njëjtin emër, në Republikën Popullore të Shqipërisë, ku u mbajtën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. U mbajtën dhe një numër i madh fëmijësh dhe nga kushtet pati një vdekshmëri të lartë foshnjore. Kampi identifikohej me dy numra, 4 dhe 6, dhe qëndroi aktiv prej prillit 1949 deri në mars 1954. Fillimisht u ngritën dy kampe: në Berat për banorët e veriut dhe në Krujë për ata nga jugu. Këto dy kampe funksionuan deri në vitin 1949. Këtë vit u bënë disa riorganizime të kampeve. Të internuarit e Beratit u zhvendosën në Tepelenë dhe Porto Palermo. Kazermat ushtarake nga koha e Italisë u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Sipas udhëzimeve aty do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionarë, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar dhe agjentë të huaj. Më 1952 i hoqën të gjithë të aftit për punë, afro njëmijë vetë dhe i shpërndanë në punime ndërtimi, kryesisht Dega të Brendshme e burgje. Për një kohë i grumbulluan në fabrikën e Tullave në Tiranë. Vendin e tyre e zunë të internuarit nga jugu, që ishin në kampet e Valiasit e të Krujës. U krijua sipas shembullit të kampeve të Bashkimit Sovjetik, si Siberia, por në përmasa te reduktuara me shkallën 1:10.000, përmasa 25 x 14 ku qëndronin 600 veta, sepse kishte shumë familje me fëmijë të vegjël. Kur filluan internimet e para në 1945 aludohej se qeveria komuniste shqiptare kishte vendosur t’i grumbullonte të internuarit dhe t’i niste për në Siberi me anije ruse. Kampi i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë në Lushnje të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës 29 Nëntori, që u krijua në sajë të të internuarve. Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e kampit.

Memoriali dhe muzealizimi

Më 2018 kampi u përzgjodh nga AIDSSH si shenjë kujtese dhe nderimi ndaj viktimave të diktaturës. Projekti u inicua nga AIDSSH në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës si edhe familjarët e atyre, që vuajtën në atë kamp. Projekt-ideja u konceptua nga Gjon Radovani. Ideja e plotë u prezantua në Tepelenë më 30 gusht 2017, në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë dhe Muzeun Historik Kombëtar. Synohet në transformimin e tij në një qendër muzeale kujtese dhe respekti për viktimat e diktaturës. Kompleksi muzeal parashikon në koncept:

  • rinkonstruksionin e kazermave të fjetjes së të internuarve;
  • rindërtimin e zyrave të oficerëve të kampit dhe të personelit;
  • rindërtimin e zonës sanitare;
  • transformimin e një prej ndërtesave ekzistente në një salle multimediale dhe muzeale për ekspozimin e artefakteve në rindërtimin e memories së viteve të diktaturës;
  • krijimin e një ambienti për studime dhe për kërkime historike;
  • krijimin e ambienteve ndihmëse të strukturës, si hyrje, bileteri, dyqan suveniresh, tualete.
  • rindërtimin e rrethimit me tela me gjemba i kampit.