Prof. Dr. Spriro Mëhilli: Harkovi i Ukrainës, vendi ku shkëlqeu dhe ra miti i ushtrisë gjermane, nga betejat te realiteti i sotëm

595
Sigal

Harkovi i Ukrainës, vendi ku shkëlqeu dhe ra miti i ushtrisë gjermane

  • -Më 20 tetor 1941 trupat gjermane vërshuan drejt qytetit të Harkovit
  • – Qyteti, në shtator 1941 kishte 1.500.000 banorë
  • – Në Harkov prodhoheshin  avionë, edhe mortaja 82 mm e municione
  • – Kundërmësymja sovjetike në Harkov, me 765.000 trupa, 1176-1200 tanke, 1154 topa, 300 topa gjysmë të lehtë, 1700 mortaja dhe 926-1000 avionë

Harkovi ishte një nga qytetet e mëdhenj të BS me rëndësi strategjike për lidhjet hekurudhore dhe ajrore që ai kishte jo vetëm me pjesët lindje-perëndim dhe veri-jug me Ukrainën, por edhe me pjesët qendrore të BRSS-s, si me Krimenë, me Kaukazin, me rajonet e Dnieprit dhe të Donbasit. Në Harkov, ndodhej fabrika e traktorëve ku prodhoheshin tanket “T-34”, pra Harkovi konsiderohej si një qytet i rëndësishëm ku prodhoheshin tanke në BS. Në Harkov prodhoheshin edhe avionë, edhe mortaja 82 mm e municione. Qyteti, në maj të vitit 1941 kishte 901.000 banorë, për të shkuar në  muajin shtator afërsisht 1.500.000 banorë, për llogari të tërheqjes së ushtrisë sovjetike nga sulmet e ushtrisë gjermane. Më 21 në të gdhirë të 22 qershorit të vitit 1941 mbi BS, me shpejtësi rrufe deri më 20 tetor, në Harkov u çmontuan 70 fabrika të mëdha, kryesisht të karakterit ushtarak dhe bashkë me personelin përkatës me anë të 320 trenave u transportuan drejt Lindjes.

Betaja e Parë e Harkovit

Më 20 tetor 1941 trupat gjermane vërshuan drejt qytetit të Harkovit. Ato komandoheshin nga Gerd fon Rundstedt, Valter fon Reichenau dhe Anton Dosler duke pasur përballë trupat sovjetike të komanduara nga Semion Konstandin Timoshenko, Vladimir Çiganov dhe Rodion Malinovski. Divizioni 100 i lehtë gjerman në sektorin jugor të qytetit të Harkovit hasi në rezistencën e brigadës 57 të NKVD-s, ndërsa në harkun e Harkovit arriti sukses Divizioni 101 i lehtë i gjeneralit fon Haydringen, duke arritur urën Kuzinskij në veri të stacionit kryesor hekurudhor dhe pasi kaloi linjën hekurudhore, arriti bregun perëndimor të lumit Lopan, që i shoqëruar me zjarrin e artilerisë dhe me ndërhyrjen nga ajri, tentoi të merrte urat duke arritur të eliminonte mbrojtjen e fortifikuar sovjetike pranë kodrës së universitetit. Për të kaluar vijën mbrojtëse të qytetit drejt rrugës Belgorod, trupat gjermane e patën të pamundur, sepse e gjetën të bllokuar nga milicia sovjetike. Trupat sovjetike për mungesë të mjeteve të komunikacionit dhe të ndërlidhjes, humbën kontrollin e vijës së parë. Në fund të ditës së parë të betejës, gjermanët kapën lagjet perëndimore të qytetit dhe arritën tek hekurudha që kalonte nga veriu në jug. Mëngjesin e 24 tetorit, duke përfituar nga shumë ura që nuk u arrit të minoheshin nga ushtria sovjetike, trupat gjermane të Divizionit të Vermahtit nën zjarrin e artilerisë dhe të aviacionit, kaluan lumin nga jugu dhe arritën në stacionet Balashovka dhe Levada si dhe në zonën industriale. Komandanti i Divizionit 216 sovjetik, koloneli Maksanov, u detyrua t’i tërhiqte trupat në lindje të lumit Lopan për t’u pozicionuar në vijën e dytë mbrojtëse. Komandanti i Armatës 38 sovjetike vendosi t’i sulmonte gjermanët  në perëndim të Harkovit, por  duke parë përparimin e pandalshëm të trupave gjermane nga periferia dhe  nga rrugët urbane drejt qendrës së qytetit, trupat sovjetike humbën kontrollin. Trupat gjermane u futën në qytet. Nuk jepet numuri i të vrarëve nga të dy ushtritë. Kështu përfundoi beteja  e parë e Harkovit.

Gjermanët, me t’u futur në qytet, filluan të vrisnin komunistët dhe të terrorizonin popullatën civile, që mbeti pas betejës. Shumë trupa të komandantëve sovjetikë hidheshin nga ballkonet e shtëpive, ndërsa njerëzit vraponin si të çmendur rrugëve të qytetit. Më 14 dhjetor, në fabrikën e traktorëve u grumbulluan mbi 20.000 hebrenj dhe një autokolonë  kamionësh filloi të qarkullonte në qytet, ku çdo kamjon mbante nga 50 veta, kryesisht hebrenj, të cilët mbyteshin me monoksid karboni. Barbarët, në qytetin e pushtuar, filluan të grabisnin sasira të mëdha produktesh ushqimore për të furnizuar trupat e tyre. Në janar të vitit 1942, 300.000 banorët e mbetur në qytet filluan të ndjenin pasojat e  mungesës së ushqimeve dhe shumë prej tyre vdiqën nga uria dhe nga të ftohtit. U shaktërruan vepra monumentale arkitektonike si dhe u grabitën dhe u rrëmbyen shumë vepra artistike. Harkovi ishte qyteti i dytë pas Stalingradit, që pothuaj se u rrafshua me tokën dhe dukej si një varr i vërtetë gjigant.

Beteja e Dytë e Harkovit

Në maj të vitit 1942, Ushtria e Kuqe vendosi të sulmonte në pjesën jugore me objektiv që ta rimerte Harkovin ndaj trupave të Vermahtit që po organizoheshin në këtë sektor për ofensivën verore “Operacioni blu”. Përballë njëri-tjetrit kemi: nga pala sovjetike mareshallët Semion Timoshenko me Rodion Malinovskin si dhe gjeneralët Fjodor Kostenko e Andrei Gorodianski me 765.000 trupa, 1176-1200 tanke, 1154 topa, 300 topa gjysmë të lehtë, 1700 mortaja dhe 926-1000 avionë; kurse nga pala gjermane: mareshallët Fedor fon Bock me Evald fon Kleist si dhe gjeneralin Frederik Paulus të shoqëruar nga trupa hungareze, italiane, rumune, kroate dhe sllovene me 500.000 trupa, 1000 tanke dhe 1500 avionë. Më 12 maj 1942, forcat sovjetike në orën 630, me Armatat 21, 28, 38, 6 dhe Korpusin 21 tankist, shpërthyen mësymjen e parë të madhe në rajonin e Harkovit ndaj forcave gjermane duke i goditur nga rajoni Vollçanskut dhe dalja e Barvenskut në të ashtuquajturën Beteja e Dytë e Harkovit ose Beteja e Izjumit, e cila vazhdoi 16 ditë, 12-28 maj 1942. Megjithatë, trupat gjermane arritën të kapnin linjën hekurudhore për në Stalino duke përparuar rreth 100 km në drejtim të Krasnodarit. Mëngjesin e 17 majit, 11 divizione gjermane nga Gruparmata e Kleisit, në sektorin jugor të lumit Izjum, me trupat e Armatës parë të koracuar  dhe me Armatën 17 me 8 divizione këmbësorie, dy divizione të koracuara  dhe një division këmbësorie të motorizuar, bashkë me divizionet rumune, kaluan në mësymje në rajonin Sllavjansk-Kramatorsk kundër Armatave 9 dhe 47 sovjetike të Frontit të Jugut. Trupat gjermane atë ditë avancuan 50 km dhe dolën në rajonin e Petrovskut. Në sektorin ku komandonte mareshalli fon Bock, Armata e  mareshallit fon Klestit, Armata 6 e fon Paulusit, një armatë rumune me disa divizione të komanduara nga gjenerali Kornelio Dragalina, një repart hungarez, një repart italian dhe një repart kroat, luftuan së bashku. Fluturimet ajrore i komanduan gjeneralët Leer dhe  Beil.

Më 23 maj,  Armatat 6, 57, një pjesë e Armatës 9 dhe grupi operativ i gjeneralit L.V.Bobkin, me afërsisht 20 divizione këmbësorie, 7 kalorësie dhe 14 të koracuara, ranë plotësisht në rrethim dhe u shkatërruan. Këtu gjeti vdekjen komandanti i Armatës 6 sovjetike gjenerali Goroviansk. Në këtë betejë, humbjet ishin të tilla: nga pala gjermane pati 20.000-30.000 të vrarë, 108 tanke, 49 avionë me 12 aviatorë të vrarë dhe 98 të humbur; nga pala sovjetike pati 277.300 trupa të vrarë, 170.958 të humbur ose të kapur robër, 106.232 të plagosur, 652 tanke të prishur, 1648-2086 topa dhe mortaja, 542 avionë dhe 57.000 kuaj. Kjo ishte goditja më e rëndë që kishin pësuar sovjetikët. Ishte e vetmja betejë e drejtuar nga Stalini, që çoi në një humbje turpi. Sikundër shprehej Zhukovi, këtu hyri në gabim kryekomandanti Stalin, që nuk e vlerësoi rrezikun serioz, që fshihte në vetvete drejtimi strategjik jugperëndimor dhe nuk mori masa për përqëndrimin e rezervave të mëdha strategjike në jug të vendit. Pas humbjes së betejës në urën e Barvenkovos dhe sidomos pas tërheqjes së trupave sovjetike, në duar të gjermanëve ranë rajonet e Donit dhe të Donbasit dhe u krijua rreziku i daljes së tyre në Vollgë. Në trupat e Ushtrisë Kuqe u shfaq gjendja e panikut dhe shkelja e disiplinës ushtarake. Kjo ishte beteja e Izjumit në jug të Harkovit. Përgjegjës politik për Frontin jug-perëndimor ishte Nikita Hrushovi.

Beteja e Tretë e Harkovit

Më 16 shkurt 1943, pas një ofensive të fuqishme, trupat sovjetike arritën ta merrnin përkohësisht qytetin e Harkovit. Më 19 shkurt, të alarmuar nga afrimi i pararojës së  Korpusit të koracuar sovjetik i shtabit të përgjithshëm të Zaparozhes, Hitleri u largua nga Zaparozha për në Rastenburg, për më tepër që përparimi i formacioneve të motorizuara gjermane ishte i pamundur  për shkak të terrenit të vështirë nga balta e lluca që mbizotëronte kudo. Megjithatë, trupat gjermane sulmuan për të tretën herë në të ashtuquajturin “Operacioni Galop”, ose “Fushata e Donecit”, ndërsa sovjetikët “Operacioni Donbas-Harkov”. Trupat gjermane komandoheshin nga Erik fon Menshtein, Paul Hansser, Herman Horth, Eberhard fon Mekensen dhe Teodor Eiko, ndërsa trupat sovjetike nga Nikolai Fjodoroviç Vatutin, Filip Golikov, Konstantin Rokosovski dhe Vasili Kaptsov. Përballë do të ishin 300.000 trupa dhe 600 tanke gjermane ndaj 500.000 trupave dhe 1200 tankeve nga pala sovjetike.

Më 20 shkurt, grupi i tretë gjerman i përbërë nga Panzerkorpusi 40 i gjeneralit Zigfrid Henrik dhe Panzerkorpusi-SS i generalit Paul Hausser, goditën me dy divizione të mekanizuara “Vafen-SS në drejtim të Pavllovgradit dhe të Lozovajës, ndërsa më 23 shkurti u fut në veprim edhe Panzerkorpusi 45 me dy Panzerdivizione të gjeneralit Otto fon Knobelsdorf, që  sulmoi nga jugu Pavllovgradin dhe Lozovajën. Situata për sovjetikët u agravua ditët e mëpasme kur Panzerkorpusi 2-SS “Das Reich” dhe ai 48, u ballafaquan me Korpusin I tankist të Gardës, që përpiqej të rezistonte dhe u drejtuan për në Lozovaja dhe Donec. Luftvaffe   në atë betejë me kundërgoditjet e saj mori supremacinë ajrore duke bërë 1000-1500 goditje në ditë, që i detyruan trupat sovjetike të kishin vështirësi në kthim.

Me 20 dhe 21 shkurt Panzeridivizioni 2-SS “Das Reich” pasi u bashkua me Divizionin 15 të këmbësorisë, avancuan drejt juglindjes në drejtim të Pavllovgradit. Divizioni 35 pushkatar i Gardës dhe Divizioni 267 pushkatar, i goditën trupat gjermane brinjazi në prapavijë duke u prerë rrugët e transportit dhe vazhduan drejt perëndimit duke kërkuar të kapnin rrugët e komunikacionit. Gjenerali Vatutin vendosi të avanconte në drejtim të urës mbi Dniepër me Korpusin 25 të tankeve. Gjatë betejës së tretë për Harkovin u vra dhe gjenerali Vasili Koptsov. Urdhëri parashikonte që Armata 6 të krijonte një kryeurë në Dniepër natën e 21-22 shkurtit dhe “grupi mekanizuar Popov” të çlironte Zaparozhën dhe të drejtohej për nga Melitopoli, ndërsa Polltavën mendonin ta merrnin më 23 shkurt. Por, më 21 shkurt, trupat e mekanizuara sovjetike që avanconin me shpejtësi drejt perëndimit u sulmuan nga krahët. Më 22 -23 shkurt, ndërsa filloi sulmi i Panzerdivizionit gjerman në drejtim të Pavlovgradit, shumë km. përtej perëndimit, tanket e Korpusit 25 të gjeneralit Pavllov që kishin vazhduar të përparonin drejt Dnieprit, tashmë ishin tërësisht të izoluar nga forcat sovjetike si dhe nga bazat e furnizimit që ndodheshin disa km.larg. Pavarësisht mungesave në karburant, municione dhe ushqime, Korpusi 25 arriti në Sllavogorod dhe më 23 shkurt avancoi disa km. nga Zaporozhe dhe pothuaj se kishte arritur disa km. nga objektivi, tashmë i izoluar dhe me mungesa të mëdha. Situata në Korpusin 25 tankist tashmë tërësisht i izoluar dhe praktikisht me mungesa të mëdha në municione dhe karburant, ishte i pashpresë dhe ushtarët pasi braktisë mjetet e motorizuara, filluan të tërhiqeshin në këmbë drejt verilindjes për t’iu larguar kolonave të blinduara gjermane, në  kërkim të forcave sovjetike. Vija mbrojtëse në Bavarenko në Donec që mbrohej nga forcat e Popovit ishte dobësuar nga mungesa e forcave, ndërsa stepa ishte mbushur me të vrarë dhe me mjetet të braktisura nga ushtria sovjetike. Më në fund, më 24 shkurt, gjenerali Vatutin dha urdhërin, që trupat të tërhiqeshin drejt verilindjes dhe më 25 shkurt i kërkoi ndihmë Stavkës, sepse rezervat e tij ishin ezauruar dhe trupat gjermane vazhdonin të përparonin. Megjithatë komanda sovjetike vendosi të bënte një modifikim radikal për zëvendësimin e rezervave dhe të planifikonte një ofensivë në frontin e Rokosovskit.

Duke filluar nga 6 marsi, ndërsa  forcat gjermane përparonin me temp të shpejtë dhe të sigurtë drejt qytetit të Harkovit, filluan kundërofensivës me objektiv që ta ripushtonin qytetin dhe të thyenin frontin e Golikovit, forcat e Vatutint përfunduan tërheqien mbi Donec duke arritur të stabilizonin  një vijë të re mbrojtjeje në bregun lindor të lumit. Mbrojtja ruse ishte shumë e dobët dhe e paaftë të përballonte sulmin në jug të qytetit. Armata 4 gjermane e koracuar sulmoi me tre divizione të Panzerkorpusit 2–ss të mbështetur  nga e djathta nga Panzerkorpusi 48 me dy Divizionet 11, 6 dhe Fronti sovjetik u ça më 7 mars, midis Armatës 69 dhe Armatës 3 të koracuar,  ndërsa Grossdeutschland nga perëndimi, goditi Armatën 40 sovjetike që u detyrua të sprapsej. Vaffen-ss  manovroi me shpejtësi për të rrethuar Harkovin nga veriu dhe brenda qytetit mbeturinat e Armatës 3 të koracuar. Ndërsa Das Reich përparonte përgjatë rrugës kryesore jugore, Leibestandarte dhe Totenkopfi vazhdonin në jug  dhe më tej në juglindje për të arritur në Donec dhe ta izolonin tërësisht qytetin. Më 11 mars 1943, Stalini  dhe komanda e lartë sovjetike duke parë rrezikun e trupave sovjetike para një disfate në frontet e Vatutinit dhe të Golikovit, morën një vendim thelbësor për të bllokuar kundërofensivën gjermane dhe të ndalonte keqësimin e situatës. Më 13 mars Totencorpfi arriti në Cuhiv mbi Donec, sprapsi Korpusin I të kavalerisë të Gardës duke plotësuar manovrën e rrethimit, Leibstandarte marshoi mbi Rozan, ndërsa Das Reich hyri në jug të qytetit të Harkovit, duke hasur qëndresë dhe luftime brenda qytetit rrugë më rrugë e  shtëpi më shtëpi me  forcat e Armatës 3 të koracuar, që kishin mbetur të bllokuar midis rrënojave të qytetit të destinuara të luftonin deri në fund. Edhe trupat e Leibstandarte “Adolf Hitler” pasi rrethuan Harkovin, u desh të luftonin kundër trupave sovjetike që ndodheshin në qendër të qytetit. U deshën tri ditë luftime që kushtoi shumë humbje jetësh nga të dyja palët dhe më 15 mars, gjithçka përfundoi me fitoren e Panzervaffen-ss të Hitlerit. Forcat ruse që mbetën të blokuara u shpartalluan dhe vetëm një grup rezistoi. Armata Riballko u largua ditët pasuese dhe e mbajti frymën në veri të Donecit. Në mbrojtje të Harkovit përkrahë trupave sovjetike luftuan edhe 1000 ushtarë çekosllovakë, ku 400 ishin çekë, që kishin kaluar nga Polonia në mars të vitit 1939 dhe 600 hebrenj nga Çekosllovakia që kishin kërkuar strehim në BS më 1939, të dërguar në kampet e punës dhe të liruan më 1942 për t’u bashkuar me divizionin çekosllovak. Në fund të betejës, 140 ushtarë hebrenj ishin vrarë. Mbi qytetin e Harkovit 1214 avionë gjermanë bënin 1000 inkursione në ditë. Në përfundim gjermanët patën 11.500 të vrarë, të  plagosur, robë dhe të humbur nga Korpusi Panzer-ss, ndaj sovjetikëve që patën 45.219 të vrarë dhe 41.250 të plagosur, në total 86.469 veta dhe 615 tanke të shkatërruar. Kjo ishte fitoria e fundit e madhe spetakolare  e ushtrisë gjermane, ndërsa forcat ruse u lëshuan dhe u shpartalluan. Nga ai moment, gjermanët nuk patën më fitore në frontin rus dhe pas shpartallimit në betejën e tankeve më 5 korrik-22 gusht në Kursk, trupat gjermane vetëm tërhiqeshin nga tokat e Rusisë, Ukrainës, Moldavisë, Bjelorusisë, Priballtike dhe ato Kaukaziane, pra, për ata do të fillonte tërheqia ose zbythja e turpshme. Dështimi i betejës së tretë ishte një gabim i Stalinit dhe pothuaj i të gjithë gjeneralëve sovjetikë, sepse në realitet, kolonat sovjetike që marshonin përpara pa pushim, mbeteshin  tërësisht të braktisura, për më tepër kur logjistika ishte pothuaj tërsisht jashtë shërbimit dhe mungesa e furnizimeve filloi të rritesh. Kolonat e trupave shtyheshin drejt stepës të mbuluar me dëborë. Mjetet e koracuara sa vinin e pakësoheshin nga humbjet, nga mungesa e pjesëve të këmbimit dhe nga mungesa e ofiçinave të lëvizëshme, sidomos në frontin e Vatutinit.(Grupi i mekanizuar i Popovit u reduktua në 53 tanke të ndarë midis katër grupeve të koracuar; ndërsa Korpusi 2-të i koracuar i Gardës dhe i 25 i tankeve, kishin gjithsej 150 tanke, Armata 3 e tankeven e frontit të Golikovit pas fitores mbi Harkov, më 18 shkurt mbeti me 110 tanke.)

Nesër do lexoni:

– Ukraina dje dhe realiteti i sotëm në prag lufte

  Harkovi ishte qyteti i dytë pas Stalingradit  që u shkatërrua më shumë nga të gjithë qytetet e mëdhenj të BS  dhe mbeti  me 180.000-190.000 banorë

– Beteja  përfundoi me marrjen e Harkovit nga sovjetikët me këtë bilanc: nga ana e sovjetikëvë pati 255.000 të vrarë,