Prof. Dr. Shahin Leka/ Prita e Pojskës, heroizmi partizan dhe analiza e një gabimi

1703
Sigal

Aksioni i Pojskës, i zhvilluar më 16 korrik, vetëm gjashtë ditë pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH

 Pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm në 10 korrik të vitit 1943 lufta partizane po merrte përmasa të reja në të katër anët e vendit. Veçanërisht kishin marrë hov goditjet kundër kolonave të armikut gjatë lëvizjeve në rrugët e komunikacionit. Një ndër goditjet që pati jehonë të madhe ishte dhe aksioni i Pojskës, i zhvilluar më 16 korrik, vetëm gjashtë ditë pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.

Vendi i pritës u zgjodh në Pojskë, në krahun perëndimor të Liqenit të Ohrit, ndërmjet Pogradecit dhe Qafë- Thanës, në një largësi nga të dy krahët rreth 12 km. Në aksion morën pjesë 120 partizanë nga tre batalione: të Mokrës, të Dumresë dhe të Bërzeshtës. Aksionin do ta drejtonte komandanti i batalionit të Mokrës, Reshit Çollaku.

Terreni i zgjedhur përfaqësonte një hapësirë fushore në anë të rrugës, e cila nga krahët dhe në thellësi qarkohej nga kodra. Në kushtet e këtij terreni, komandanti zgjodhi vendndodhjen më të mirë të mundshme. Në secilin krah u vendos nga një grup. Ndërsa në pjerrësitë e qendrës u vendosën grupet e tjera me një efektiv prej 70 vetësh. Ideja ishte e qartë: dy grupet e qendrës do të hapnin zjarr të befasishëm, kur kolona armike të futej në zonën e pritës, ndërsa grupet e tjera do të mbronin secila krahët nga forcat e armikut që mund të vinin nga Pogradeci e Qafa e Thanës, si dhe do të godisnin me zjarr armikun e futur në kurth. Një grup i vogël partizanësh të vendosur në lartësitë mbas grupeve të qendrës, morën detyrë të mbulonin forcat kryesore nga një sulm i mundshëm nga shpina.

Në mëngjesin e 16 korrikut, në zonën e pritës futen fillimisht tre makina që vinin nga Pogradeci. Nga zjarri i befasishëm i forcave partizane të grupeve të qendrës, pati mjaft italian të vrarë e të plagosur. Luftimet vijuan me ashpërsi nga të dy palët. Ndërkohë mbërrin në hyrje të pritës edhe një veturë e shoqëruar nga dy autoblinda, të cilat u detyruan të ndalen nga zjarri i befasishëm i partizanëve të grupit të djathtë, duke lënë të plagosur rëndë gjeneral Trikolin, komandant i artilerisë të Korpusit XXV. Forcat partizane u hodhën në sulm të fuqishëm të drejtuara nga vetë komandanti Reshit Çollaku. Ndërkohë që sulmi zhvillohej me sukses në vendin e betejës mbërritën forca të freskëta italiane nga Qafa e Thanës dhe nga Pogradeci. Nga liqeni po hapte zjarr një motoskaf i blinduar armik, ndërsa nga ajri po mitralonin dy aeroplanë italianë gjuajtës. Përballë kësaj gjendje të re, tepër të rëndë, ku raporti i forcave kishte ndryshuar me një epërsi të thellë për italianët, komandant Reshiti orientohet me shpejtësi dhe merr të vetmin vendim të drejtë, tërheqjen e forcave partizane.

Drejtimi i mundshëm i tërheqjes ishte gjatë fushës së zbuluar që rrihej nga zjarri i rreptë i topave dhe mitralozave të armikut dhe të kalimit të forcave italiane në kundërsulm. Kërkohej gjakftohtësi, trimëri dhe disiplinë e rreptë, cilësi këto që partizanët i shpalosën në shkallën më të lartë. Duke mbuluar tërheqjen e shokëve, bie fillimisht në fushën e betejës komandanti trim Reshit Çollaku. Tërheqja vijon duke luftuar e me rregull të plotë. Në luftime e sipër për tërheqje nga prita, bien heroikisht Siri Kodra, Spiro Gjiknuri e mandej Ptoleme Xhuvani, plotë dhjetë partizanë. Ndërkohë forcat partizane mundën të kalojnë lartësitë e kodrave e të mblidhen në rajonin e grumbullimit.

Aksioni pati jehonë të gjerë, ai ishte shembull i lartë i heroizmit partizan, qëndresës së guximshme dhe dashurisë për shokun deri në vetësakrifikim. Humbjet e italianëve arrinin në 29 të vrarë e të plagosur, por edhe nga forcat partizane dhanë jetën në këtë pritë, komandanti i batalionit të Mokrës Reshit Çollaku. Heroizmi dhe vetësakrifica e tyre, si dhe heroizmi masiv i të gjithë efektivit, mundësoi dështimin e planeve të armikut. Por, rënia në fushën e betejës e 10 trimave ishte humbje e madhe për forcat partizane.

Pse ndodhi kjo? A mund të shmangej? Për këtë duhet analizuar rrethanat në të cilat u morr vendimi për organizimin e pritës, rajoni në të cilën u organizua prita. A i plotësonte kushtet për efektivitetin e saj, etj?

Përvoja e luftimeve në prita tregonte se ato ziheshin në afërsi të rrugëve ose të objektit të goditjes rreth 20-50 m, çka siguronte zjarr të fuqishëm e të befasishëm, si dhe sulm të njëkohshëm dhe të shpejtë, për të mos i dhënë mundësi armikut për t’u orientuar e për të kundërvepruar. Forcat vendoseshin në terren të thyer e kodrinor në mënyrë që të siguronin ruajtjen e krahëve e të shpinës, e sidomos të mundësi të tërheqjes së maskuar në se situata e kërkonte.

Nga sa thamë më sipër duket qartë se prita e Pojskës pati një mangësi të madhe. Grupet kryesore që do të sulmonin, u vendosën më tepër se 100 m larg rrugës me një hapësirë fushore përpara, që edhe në gjerësi ishte rreth 200 m. Duke pasur parasysh mundësinë e afrimit të forcave armike nga Pogradeci dhe Qafë Thana për një kohë të shkurtër, sikurse dhe ndodhi, rreziku ishte mëse i dukshëm.

A duhej bërë atëherë prita në Pojskë? A mund të zgjidhej një rajon tjetër gjatë rrugës Pogradec-Qafë Thanë që t’i plotësonte më mirë kërkesat për një pritë të suksesshme? Për këtë u diskutua në komandën e batalionit. Reshiti mendonte se vendi më i përshtatshëm për zhvillimin e saj do të ishte në afërsi të fshatit Piskupat, disa kilometra në Jug të Qafës së Thanës. Por komisari i batalionit, Pilo Peristeri e kundërshton dhe shfaq mendimin për zhvillimin e saj në Pojskë. Këtu fillon edhe konflikti. Reshiti, oficer i arsimuar e me njohuri të thella në fushën e artit ushtarak, si dhe me përvojë në luftën partizane, duke e njohur mirë terrenin, jep argumente të forta për mangësitë që kishte zhvillimi i pritës në Pojskë, rreziqet që ajo paraqiste. Por, Pilo këmbëngul në variantin e tij. Konflikti thellohet, debatet vijojnë me nervozizëm nga të dy palët deri në atë shkallë sa, Pilo e akuzon për mungesë trimërie. Ishte kjo një goditje e rëndë, një tronditje e thellë për Reshitin. Është me interes të njihemi shkurtimisht me jetëshkrimin e tij. Cila ishte jeta e Reshitit dhe ç’përfaqëson ajo?

Reshiti ishte një fëmijë dhe djalosh i zgjuar dhe energjik, i brumosur me ndjenjat më të mira njerëzore, revoltohej ndaj padrejtësive. Moshatarët e admironin dhe e respektonin atë. Në vitin 1929, në moshën 15 vjeç fillon mësimet në shkollën Ushtarake Mbretërore në Tiranë. Me mbarimin e saj në vitin 1933 e dërgojnë në Itali, në Kolegjin Ushtarak në Romë, e mandej në Akademinë Ushtarake në Modenë. Me mbarimin e Akademisë në vitin 1938 gradohet nëntoger dhe vijon Aplikacionin në Parma.

Në mëngjesin e 7 prillit 1939 së bashku me shokët dëgjojnë në radio lajmin e zbarkimit të ushtrisë pushtuese italiane në Shqipëri. Oficerët shqiptarë tepër të revoltuar u përfshinë në debate të zjarrta. Pas pak ditësh, në një mbledhje të organizuar nga Komanda e Shkollës, ju kërkua oficerëve shqiptarë të bënin betimin për besnikëri ndaj fashizmit para flamurit kombëtar. Reshiti i indinjuar ja ndërpreu fjalën kolonelit dhe i tha: “…më ndjeni zotëri, por ky flamur nuk është flamuri ynë, ne s’kemi pse të betohemi para një cope beze të kuqe, që ka aq vlerë sa copat e bezeve me të cilat mbështjellim këmbët”. Pas kësaj komanda italiane e çoi Reshitin së bashku me shumë oficerë të tjerë në një kamp përqendrimi në Veri të Italisë. Pas tri muajsh Reshiti mundi të marrë një leje shtatë ditore për në Shqipëri me pretekstin se kishte nënë sëmurë. Kjo i dha mundësi që në shtator të vitit 1939 të arratisej në Jugosllavi, ku qëndroi si emigrant në kushte tepër të vështira për afër dy vjet. Vite këto që e kalitën me vështirësitë e jetës, por edhe i qartësuan rrugën që do të ndiqte atë të luftës të vendosur për çlirimin e atdheut.

Në maj të vitit 1941 kthehet në Shqipëri. Fillimisht strehohet në ilegalitet, në fshatin Rëmenj afër Pogradecit tek shtëpia e Husen Kuqos, i shoqi i hallës së tij dhe gjyshi i basketbollistit të talentuar të viteve ’70 Robert Kuqos. Si njihet me zhvillimin në vend, natyrshëm u bashkua me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Zhvillon një veprimtari të gjerë për mobilizimin e popullit dhe organizimin e formacioneve partizane. Nën drejtimin e tij, më 27 qershor 1942, krijohet çeta partizane e Mokrës, ndërsa më 17 maj 1943 batalioni partizan i Mokrës. Të komanduara nga Reshiti, këto formacione kryejnë shumë aksione luftarake të rëndësishme në rrethin e Pogradecit.

Kjo ishte jeta e Reshitit, e një atdhetari, e një luftëtari të papërkulur përballë vështirësive. Ndoshta edhe atij në këto moment, fluturimthi i kalonin nëpër mend situatat e ndërlikuara me të cilat është ndeshur. Ndërkohë aksioni duhej kryer, koha nuk priste. Në këto rrethana Reshiti, edhe sepse i lënduar rëndë në sedër pranon ta organizojë pritën në Pojskë, duke bërë më të mirën e mundshme që aksioni të dalë me sukses. Dhe kjo dha frytet e veta. Humbjet mund të ishin edhe më të mëdha. Aftësitë e tij komanduese, marrja e vendimeve të drejta dhe të shpejta në një gjendje tepër të ndërlikuar, si dhe trimëria dhe heroizmi i të gjithë partizanëve, mundësuan tërheqjen e forcave në fushën e zbuluar dhe nën zjarrin dërmues të armikut.

E gjykuar në tërësi, aksioni i Pojskës pati vlerat e veta. Ky aksion përbënte një goditje të rëndë për fashizmin italian në gërhanat e tij të vdekjes. Jehona e aksionit të Pojskës u përhap në gjithë vendin. Heroizmi i dhjetë të rinjve është rrënjosur thellë në kujtesën e brezave. Atdheu i ka vendosur ata në altarin e pavdekësisë. Reshit Çollaku, me Dekretin e Parë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i jepet Urdhri i Lartë i “Heroit të Popullit”.