Prof. Dr. Elmas Leci: Letra sekrete e Enver Hoxhës më 11 nëntor 1950: Në adminsitratë kemi elementë armiq

1009
Sigal

Goditja e Koçi Xoxes, solli dënimin e Vaskë Kolecit dhe të gjithë njerëzve tw lidhur me ta, në farefis e shoqëri

– Plenumi i 8 -të i KQ dhe e Qeverisë, vendosi që të bëhet spastrimi i “elementeve armiq” nga administrata

– Në vitin 1951 ndodhi vendosja e bombës në ambasadën sovjetike njw ngjarje qw solli shumw arrestime

– Mehmet Shehu Minsitwr i Brendshwm i drejtohet Enver Hoxhws; Pwr ngjarjen kemi bwrw gati listwn e arrestimeve, duhen pushkatime

Nga Prof.Dr.Kol. Elmas Leci

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare

Drejtor Ekzekutiv

Enver Hoxha me një shkresë “tepër rezervat”, do t’u drejtohej (më 11 nëntor të vitit 1950) komiteteve të partisë në rrethe dhe gjithë ministrive, se në Aparatin Shtetëror “kanë depërtuar elementë armiq, të cilët me punën e tyre po përpiqen të dëmtojnë dhe të sabotojnë punën e pushtetit popullor… ndaj menjëherë të bëhet spastrimi i këtyre elementeve armiq nga administrata…”.

Çështja e spastrimit të aparateve shtetërore nga elementët me biografi të keqe, të quajtur dhe të emërtuar nga Enver Hoxha të deklasuar ose më shkoqur armiq, në fakt nisi menjëherë që pas çlirimit. Në vitet e para, ç’është e vërteta individë nga administrata e mëparshme, depërtuan ose u thirrën në administratën e pasçlirimit. E para, sepse qenë specialistë të mirë të fushave të ndryshme, që nuk i lidhi asgjë me pushtuesit nazifashistë dhe domosdo, synonin vijimin e punës normale me shërbimin korrekt në administratë si profesionistë dhe në të njëjtën kohë me atë punë mbanin familjet. E dyta, pjesa e aparatçikëve të shtetit të kaluar, besoi te propaganda marramendëse që padyshim ishte komuniste, por që kamuflohej pas Frontit dhe që thoshte se pas Luftës Antifashiste do të ndërtohej një Shqipëri demokratike.

Po në të vërtetë çfarë ndodhi?

Goditja e parë ndaj njerëzve të ndershëm të administratës u dha që në dhjetor të vitit 1945, me zgjedhjet e para të pasluftës për deputetë dhe në vijim me zgjedhjet lokale e më pas me goditjen ndaj grupit të deputetëve, me shpalljen e të ashtuquajturës Republikë Popullore, me mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese etj. Goditja ndaj grupit të deputetëve, i çeli dritën jeshile spastrimit të aparateve të qeverisjes nga elementët, që Enver Hoxha i quajti armiq dhe tradhtarë, brenda gjirit të pushtetit të emërtuar popullor.

Grupe të tjera armiqësore do të vijonte të “nxirrte” ai njërin pas tjetrit, ku veçanërisht, goditja ndaj të ashtuquajturit grupi i Koçi Xoxes, do të ishte një çmenduri. Me ekzekutimin e Koçi Xoxes e të dënimit të Vaskë Kolecit (ish- zëvendës i Koçi Xoxes) etj., të gjithë njerëzit e lidhur me ta, në farefis e shoqëri, Enver Hoxha i largoi masivisht nga organet e pushtetit. Periudha e ndërtimit të pushtetit, nën regjimin e Enver Hoxhës ose siç u quajt,të pushtetit të ri popullor, nisi fuqishëm pas majit të vitit 1945, pra pas zgjedhjeve të para lokale, organe të pushtetit, të cilat  që gjatë luftës u quajtën “këshillat nacionalçlirimtarë”. Partia (komuniste) e kryesuar nga Enver Hoxha, organizoi ndërtimin e ri e të plotë të aparatit shtetëror, si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. U ngritën, mbi baza të reja administrative, -thuhet në ish tekstin e Historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, -gjykatat popullore, u krijua policia popullore, u riorganizuan dhe u forcuan organet e Sigurimit të Shtetit etj. Në vijim, po në tekstin e Historisë së Partisë thuhet se “në aparatin e ri shtetëror, partia dërgoi kuadrot e saj më të mirë…”. Dhe po aty thuhet se, “në aparatin e ri Shtetëror hynë edhe punonjës të administratës së vjetër, njerëz politikisht të lidhur me partinë e me popullin, por me kulturë, me praktikë e me mentalitete borgjeze”. Dhe ç’ndodhi?! Le t’i drejtohemi arkivave, sepse lënda tjetër e historive të shkruara në regjimin komunist, është e tëra e manipuluar.

Siç e theksuam edhe në fillim, më 11 nëntor të vitit 1950, Drejtoria e Kuadrit e Komitetit Qendror të Partisë, me shkresën nr.423/104 dhe nën okelion “Tepër Rezervat”, u drejtohej gjithë Komiteteve të partisë të rretheve dhe ministrave, madje, këtyre të fundit ua cilësoi “Personale” dmth, personalisht Ministrave apo Drejtorëve të Kuadrit, sepse këta ishin më besnikët e partisë dhe të rekrutuar në Sigurimin e Shtetit. Në aparatin e shtetit, sipas shkresës së sipërpërmendur kishin depërtuar elemente armiq, të cilët “me punën e tyre armiqësore po përpiqen të dëmtojnë dhe të sabotojnë punën e pushtetit popullor. Nga kjo del, -thuhej po aty, -se nuk është zbatuar drejt direktiva e partisë mbi ruajtjen e aparatit të shtetit nga elementet armiq dhe se ka munguar vigjilenca e anëtarëve dhe e kandidatëve të partisë, për të mos lejuar hyrjen e elementeve armiq në aparatin e shtetit tonë. Ndaj, -vijon shkresa ogurzezë, – mbledhja e përbashkët e Plenumit të 8 -të të KQ dhe e Qeverisë, vendosi që të bëhet spastrimi i këtyre elementeve armiq nga administrata dhe për tu orientuar drejt në këtë, po u japim këto udhëzime:

  1. Të pushohen nga puna menjëherë të gjithë ata elementë armiq, që bëjnë punë të thjeshta në dyqane shteti, kooperativa, zyra etj., dhe të zëvendësohen me njerëzit tanë.
  2. Të pushohen nga puna menjëherë elementet teknikë armiq, puna e të cilëve mund të zëvendësohet nga njerëzit tanë, pa ulur kualitetin dhe sasinë e punës.
  3. Për teknikët, që mbajnë qëndrim armiqësor e që nuk kanë asnjë perspektivë përmirësimi e që nuk mund të zëvendësohen menjëherë, të përgatitet një plan i studiuar mirë se deri në ç’afat do të zëvendësohen. Caktimi i afatit do të varet nga përvetësimi e zotërimi i profesionit nga ana e komunistëve ose njerëzve tanë të ndershëm pa parti, që duhet të vihen pranë këtyre teknikëve për të përfituar nga teknika e tyre. Zëvendësimi i këtyre teknikëve, nuk duhet të bëhet menjëherë, por dora-dorës në mënyrë që të mos dëmtohet puna.
  4. Elementët, që do të pushohen nga puna si armiq, nuk duhet të pranohen më në punë, në asnjë sektor tjetër të aparatit të Shtetit. Për çdo njeri të ri, që hyn në punë, duhet të veprohet sipas instruksionit të KQ -së mbi mbajtjen e dosjeve të kuadrit dhe kur shihet e nevojshme, kur është pa parti, kërkohen të dhëna nga organet e Sigurimit mbi të kaluarën e të tanishmen e tij”.

Pas këtyre udhëzimeve terrorizuese, që mohonin çdo normë profesionalizmi e përkushtimi, çdo lloj lirie njerëzore e të drejtave të njeriut, Enver Hoxha jep të tjera drejtime se si do të vijonte puna për spastrimin e aparatit të shtetit nga elementet armiq:

  1. Spastrimi i elementeve armiq nga aparati i shtetit, të kryhet me anë të organeve të kuadrit në Dikastere, ndërmarrje e Komitete Ekzekutive, nën përgjegjësinë e titullarit të atij institucioni.
  2. Organet e kuadrit, duhet të marrin në shqyrtim dhe të mbledhin informata të sakta dhe të hollësishme për ata kuadro, që paraqiten të dyshimtë për veprimtari armiqësore ose për mungesë garancie, duke analizuar mirë të kaluarën e të tashmen e tyre dhe natyrën e sektorit të punës ku punojnë. Gjithashtu, të merren në shqyrtim elementët, që mund të sugjerohen nga Dega e Brendshme e rrethit ose nga Komiteti i Partisë. Nuk është e nevojshme të merren në shqyrtim këtë vit arsimtarët, përveçse ndonjë rasti flagrant, mbasi me ta u bë një spastrim aq sa na lejonin mundësitë dhe nevojat.
  3. Informatat, organet e kuadrit duhet t’i marrin: a) nga studimi i dokumenteve të nëpunësve, dmth i autobiografive, fletëbiografive, karakteristikave e shënimeve të tjera, me të cilat është pasuruar dosja e kuadrit; b) duke kërkuar informata nga anëtarët e partisë, që punojnë në sektorë së bashku me këta elementë; c) duke pyetur Komitetet Ekzekutive të Rretheve, prej nga janë dhe duke kërkuar informata nga organet e Sigurimit.
  4. Këto informata, duhen të mblidhen me shumë kujdes dhe me konspiracionin më të madh. Organet e kuadrit, duhet t’ia paraqesin në formë karakteristike përgjegjësve të tyre në pushtet (Drejtorit të ndërmarrjes për kuadrin e ndërmarrjes dhe kryetarit të Komitetit Ekzekutiv për kuadrin e Komitetit Ekzekutiv e të Ndërmarrjeve Lokale), dhe mbasi të shqyrtohen nga ata, t’i paraqesin për aprovim në Byronë e Komitetit të Partisë së Rrethit përkatës, ku merr pjesë dhe Drejtori i ndërmarrjes përkatëse. Të gjithë kuadrot e ndërmarrjeve, që aprovohen nga Komiteti i Partisë për t’u pushuar nga puna, menjëherë ose për një periudhë të caktuar, i dërgohen dikastereve përkatëse me anë të Ndërmarrjeve Lokale ashtu dhe të Ndërmarrjeve Nacionale, që gjenden në rrethin e tyre, këta do t’i a dërgojnë direkt për aprovim Drejtorisë së Kuadrit.
  5. Dikasteret e Institutet Qendrore, të marrin në shqyrtim kuadrot e aparatit të tyre, për të cilët dyshojnë, si dhe propozimet që u vijnë nga rrethet dhe, mbasi shqyrtohen nga Ministri, i paraqiten Drejtorisë së Kuadrit të KQ për aprovim.
  6. Karakteristikat, që përpilohen për këta elementë, duhet të jenë të plota, sikundër të bëhen karakteristikat për propozime kuadrosh, ku të përmbledhin të shkuarën e tij politike e shoqërore…”.

Merreni me mend se ç’rrufe ranë mbi njerëzit e ndryshëm, mbi nëpunësit dhe specialistët e kualifikuar, mbi këdo që konsiderohej armik. Dhe spastrimi i aparatit të ish – regjimit komunist nga elementet e quajtur armiq, është bërë vazhdimisht e periudhë pas periudhe, sipas ritualit të zhvillimit të luftës së klasave, që kishin shpikur “korifenjtë” e marksizmit, Enver Hoxha në Shqipëri. Zakonisht, pas çdo “ngjarje”, partia nxirrte armiq dhe ajo, menjëherë spastronte edhe administratën. Nëse pas çlirimit, administrata u spastrua nga personat, që sipas fanatikëve komunistë u quajtën se nuk kishin mbajtur qëndrim “të mirë” gjatë Luftës Antifashiste, në vitet në vijim, kjo ndodhte sa herë dilnin “grupe armiqësore”. Pas vitit 1948, në vitin 1951 ndodhi vendosjas e bombës në ambasadën sovjetike.

Të tjerë “armiq” dënohen në mënyrën më fashiste.

Ja, ç’thuhet në proces-verbalin e mbledhjes së datës 20 shkurt të vitit 1951 të Byrosë Politike të KQ të PPSH -së. Diskuton Sekretari i KQ dhe Ministri i Punëve të Brendshme Mehmet Shehu. Citojmë dokumentin: “Mbrëmë, në orën 7 e 47’, nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, penxheret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë, kanë vajtur forcat e ndjekjes, por nuk kanë gjetur gjë. Pastaj, kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje. Dyshimet tona, rreth kësaj ngjarjeje, janë se mund të jetë vazhda e një procesi, po pavarësisht në se është ndonjë nga ata që mendojmë ne apo jo, ne duhet të zbulojmë pa tjetër burimin dhe njerëzit e këtij atentati. Duke marrë parasysh se, ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive, e theksoj represive, të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë, ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë, që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë që elementi, që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj., sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 vetë, nga të cilët nja 10 ose 15 prej tyre, t’i pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare, brenda një muaj. Ne duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror, dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakord (i drejtohet Enver Hoxhës), veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë, ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë, që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë etj., duke ju vënë nga njerëzit tanë për t’i shoqëruar. Pjesa kryesore e tyre do të armatosen, pastaj, kemi menduar të vëmë roje edhe në të gjitha objektet ku punojnë e banojnë këta. Rrotull këtyre do të bëjmë pastrimin që të heqim familjet e dyshimta, si dhe njerëz të tjerë që punojnë afër tyre, pse kemi vënë re që janë futur tek ata njerëz të poshtër si psh, dy shoferë jo të mirë. Këto masa, mendojmë t’i marrim kudo ku ka sovjetikë, që janë këtu rreth dyqind veta prej tyre. Me këtë rast, do të marrim edhe disa masa më të mira për mbrojtjen e legatave të demokracive popullore, të cilat sot për sot kanë vetëm nga një roje. Megjithëse, me këto masa do të bëhen edhe mjaft harxhime, por ne do ta bëjmë se janë masa të domosdoshme dhe duhet t’i marrim”.

-Nesër do lexoni

-Mehmet Shehu: Si Byro Politike, t’i bëjmw një telegram shokut Stalin, ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje

– Enver Hoxha, gjatë gjithë mbledhjes rrinte i qetë dhe vëzhgonte skenën.

– Beqir Balluku: “Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë, ne duhet të gjejmë edhe një motivacion”.

– Mehmet Shehu: “Këtë gjë e lidhim me atë që donin të bënin, më 8 shkurt pwr atentat.

-Enver Hoxha: “Motivacioni, të mos thuhet për atentat!”

Mehmet Shehu: “Për këtë gjë, duhet të flitet pak edhe me Gjykatën edhe me Prokurorinë ushtarake”.

(Me këtë mbyllet seanca e mbledhjes së Byrosë Politike e datës 20 shkurt 1951)