Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Zbuluesi ushtarak, Xhemil Çela

993
E mësoi “zanatin” dhe të fshehtat e ushtarakut nga Petrit Dume
Ditë më parë zbuluesi ushtarak, Xhemil Çela festoi 80 vjetorin e lindjes. Ky shkrim dhe kjo kujtesë është për punën dhe veprimtarinë e tij të bërë në radhët e FA, këtu e 27 vjet më parë. Karriera ushtarake e Xhemilit ishte e gërshetuar gjatë gjithë kohës me një nga drejtuesit e ushtrisë, Petrit Dume. Duke punuar pranë tij, mësoi “zanatin” dhe të fshehtat e ushtarakut, duke kaluar nëpër të gjitha shkallët e karrierës ushtarake, për të vijuar në detyrën e pedagogut e të shefit të katedrës së Ushtrive të Huaja e, më tej si kryeredaktor reviste shkencore ushtarake, për ta përfunduar në detyrat shoqërore. Shkollimi i gjithanshëm, kualifikimet, brenda dhe jashtë atdheut e të kryerjes së detyrave në të gjitha llojet e zbulimit ushtarak deri në kuadër i lartë ushtarak i është dhënë mundësia të jap ndihmesë në disa drejtime në fushën ushtarake e, veçanërisht në zbulimin me trupa, por dhe në kualifikimin e kuadrove, komandave e shtabeve ushtarake me dije bashkëkohore për teorinë dhe praktikën e luftës të zbuluesit. Ndihmesë të drejtpërdrejtë e në shkallë ushtrie ka dhënë në detyrën e shefit të Zbulimit të Korpusit dhe sidomos të Zëvendësdrejtorit e njëherazi edhe të shefit të Degës së Zbulimit me trupa në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, ku gërshetohej teoria dhe praktika, në zbërthim dhe zbatimin e kërkesave dhe tezave të Këshillit të Mbrojtjes të vitin 1967.

Kontribut në Zbulimin me Trupa
Ndihmesa shprehej më drejtpërsëdrejti në ridimensionimin e rikonstruktimin e Zbulimit me Trupa si organizim, pajisje me teknikë e armatim, përgatitjen stërvitore dhe veprimet luftarake të tyre në rast agresioni ndaj vendit të tonë në kuadrin e Luftës Popullore. Përpjekjet në këto drejtime dhe arritjet konkrete në përgatitjen e zbulimit me trupa që drejtoi në shkallë ushtrie, bënë që kjo taktikë të përgjithësohej duke shtruar detyrën e përgatitjes të gjithë ushtrisë shqiptare (Forcave Tokësore, Forcave Vullnetare etj.), sipas programit dhe taktikës së zbulimit për të vepruar në kushtet e Luftës Partizane të mundshme, krahas taktikës për kushtet e luftës me front të rregullt. Kështu, konceptet e praktikat e veprimeve luftarake dhe të taktikës së zbulimit me trupa në prapavijat e armikut, gjatë hartimit të rregulloreve të luftimit (1975-1976) u vunë në themel të rregulloreve të luftimit të këmbësorisë, por edhe të FVVP që vepronin në këto prapavija. Këto arritje, vet Xhemili i vlerëson se ishin në vazhdimësinë e punës së kolegëve të tij pararendës, por që arritën majat dhe u përgjithësuan në fillim të viteve 1970, kur ky ishte në krye të sektorit të Zbulimit me Trupa dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Zbulimit. Në funksion të detyrave që ka kryer, por edhe të kontributeve të dhëna ka marrë pjesë aktive në veprimtari të ndryshme shkencore deri në veprimtari në shkallë ushtrie. Organizoi dhe zhvilloi të parën konferencë ushtarake shkencore “Zbulimi ushtarak në Luftën Popullore” (1973), duke qenë kryetar i grupit dhe redaktor përgjegjës ku mbajti referatin me temë “Përshkrimi i trupave të zbulimit ushtarak popullor, detyrat dhe domosdoshmëria e një përgatitje të lartë politike e ushtarake”. Materialet u botuan libër në vitin 1973, dhe u shpërnda në ushtri. Xhemil Çela është bashkautor i rregullores së parë të zbulimit me trupa (zbulues, grup, detashment zbulimi), në vitet 1975 – 1976, duke qenë kryetar i grupit dhe redaktor përgjegjës.

Mendime për shkencën ushtarake
Në 12 vitet e fundit të karrierës ushtarake ka punuar në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm si pedagog, punonjës shkencor, shef katedre etj., dhe është marrë gjerësisht me punë studimore e veprimtari shkencore. Në detyrën e shefit të katedrës, duke qenë se lëndët që mbulonte katedra (zbulim ushtarak dhe ushtri të huaja) materialet zhvilloheshin (leksione, seminare) shoqëroheshin me informacion të kufizuar dhe vetëm për temat e detyrave taktike e operative komplekse që zgjidheshin me akademistët, punoi dhe luftoi dhe ia arriti si në konceptim, ashtu dhe me shtrije e përmbajtje, që informacionin dhe temat t’i kthente në lëndë të veçanta jo thjesht shoqëruese të temave të detyrave gjitharmëshe komplekse që zgjidheshin, por ta transformonte lëndë të veçantë formuese doktrinore. Në këtë kuadër nga shtatë tema fillimisht lënda e Ushtrive të Huaja përfshiu tridhjetë e tre tema (duke e katëfishuar kohën në programin mësimor akademik) që rroknin informacion të gjerë në përgjithësi për shtetet kufitare, për dy blloqet ushtarake të kohës (NATO e Traktati i Varshavës), për agresionin e pritshëm, forcat e tyre ushtarake e llojet që i përbënin ato, për konceptet ushtarake të përdorimit të tyre në luftë, konceptet e përgjithshme apo doktrinore për luftën në tërësi, llojet e veprimeve luftarake, operacioneve, llojet e armëve të veçanta (paracaktimin, forcën e tyre luftarake, përdorimin taktik-operativ) etj. Këtij procesi transformues ju nënshtrua edhe lënda e Zbulimit Ushtarak. U dyfishua koha në procesin akademik. Nga katër tema në këtë lëndë u bënë tetë të tilla. Katedra e Ushtrive të Huaja ishte pararendëse e Akademisë në të gjtiha aspektet e punës dhe këtë e drejtonte Xhemil Çela.Në vitin e fundit të karrierës që përkojnë me fillimet e pluralizmit politik kreu edhe detyrën e kryeredaktorit të “Revistës Ushtarake”, organ teorik – shkencor i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm. Përpunoi dhe miratoi platformën e saj si dhe në dy numrat e parë në vitin 1992-1994, ku, brenda konceptimeve të kohës, hodhi idenë e nevojës së reformimit të FA, si dhe ripunimit tërësor të Artit Ushtarak Popullor në kushtet e reja politiko-ushtarake që futej vendi ynë dhe rajoni i Evropës Juglindore me gjithë problematikat e saj për zgjidhje në proces. Po të hedhim sytë prapa e ta vështrojmë tërë veprimtarinë e tij ushtarake e shoqërore të Xhemilit, por ama duke u pajtuar me pikëpamjen e njohur se “ushtria të kalit”, pa e tepruar mund të arrijmë në përfundim se shkruajmë për një mjeshtër të madh në fushën e shkencës ushtarake. Në një nivel më personal, ai përfaqëson elementet më të mira të performancës në akademi dhe shquhej për sofistikimin dhe freskinë e mendimit të tij, intensitet e gjithashtu intelektuale, diapazonin e gjerë të dijes dhe elegancë në sjelljen e tij. Ai është jashtëzakonisht i informuar në dy disiplinat – Zbulim dhe Histori – dhe shquhet për një intuitë dhe talent të veçantë në parashtrimin e problemeve. Unë nuk jam i vetmi ndër të njohurit e miqtë e tij që mendoj kështu. Xhemil Çela ka një sens shumë të fortë bindës për problem të rëndësishme teorike dhe empirike, si dhe imagjinatë zbuluesi, për t’i trajtuar ato në një mënyrë të re, analizat e tij janë gjithmonë konkrete dhe bindëse. Në një bisedë jo më të gjatë se disa minuta të jep mundësinë të kuptosh dhe të çmosh tek ai një mirësjellje të admirueshme dhe një shkallë të lartë profesionalizmi. Nuk është e vështirë të dallosh tek ai, të kombinuara në një të vetme, sjelljen dhe kulturën e gjerë, thellësinë e gjykimit dhe aftësinë analitike të një intelektuali dhe studiuesi erudite. Nëse bisedon me të, ai lehtësisht mund t’i referohet Homerit, Su Xusë, Aleksandrit, Skënderbeut, Makiavelit, Engelsit e Stalinit, Ajzenhaurit dhe deri tek Obama. Sidoqoftë, klasi i tij, i formuar nga një arsim i shkëlqyer, nga Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, Shkolla e Oficerëve, Akademia Ushtarake, deri në akademitë e BS, një eksperiencë akademike shumë e pasur, reflektohet si askush tjetër në tërë jetën dhe veprimtarinë e tij, duke të bërë për vete dhe mjaft të interesuar për botimet dhe shkrimet. 

Veprimtar shoqëror i palodhur
Me daljen në pension vijoi të merrej me veprimtari shoqërore – atdhetare, duke bashkëpunuar dhe me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK në Kosovë gjatë luftës për problemin e mendimit e të praktikës luftarake, si dhe me luftëtarë të ndryshëm që merreshin me drejtimin e veprimeve luftarake në Luginën e Preshevës, si dhe në luftën në Maqedoni (vitet 1998-2001).Si veprimtar shoqëror ka marrë pjesë aktive në Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria” duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm, që në Kuvendin e Parë Themelues të saj në vitin 1998 e deri në Kuvendin e Katërt (përfshi). Gjithashtu ai është aktivizuar dhe me shoqatën e Ushtarakëve në Pension, Rezervë e Lirim. Nga viti 2009 ndër nismëtarët e krijimit të “Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve”, duke qenë anëtarë i Kryesisë së saj dhe duke mbuluar sektorin e Historisë Ushtarake (në të dyja shoqata e ushtarakëve). Në vitet e pensionit ka vazhduar të jap kontribute në analizën e problematikave të ndryshme ushtarake në shtetin shqiptar, si dhe në trevat shqiptare që luftonin për liri e të drejta demokratike.
Sigal