/Telegraf.al/ Si kuadër me përgjegjësi në ushtri kam pasur disa kontakte me kryeministrin, Mehmet Shehu. Kontaktin e parë e kam pasur në kino – klubin e bazës së pashalimanit me detarët dhe ushtarët shëmbullorë ku kryeministri foli kryesisht për direktivat e kongresit të 4-rët të partisë si dhe për luftën kundër oportunizmit dhe revizionizmit modern pasi kishin filluar edhe mosmarrëveshjet dhe mosdakortësitë midis vëndeve të kampit socialist. Madje nga Moska e largët po dukeshin re të acarta e të fuqishme që paralajmëronin për stuhi e përplasje të forta ideologjike dhe politike midis Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që ish kryeministri, Mehmet Shehu e përmëndi me politesë shprehjen, se ja këtu do të “keni edhe ndihmën e shokëve Sovjetikë “. Takimin e radhës e kam patur në kinemanë e shkollës së Bashkuar në qershor të vitit 1974 ku mbizotëronte një atmosferë e jashtëzakonshme optimiste, euforike dhe ekzaltuese. Kjo atmosferë u ndez akoma edhe më shumë kur, Mehmet Shehu në vijim të fjalimit të tij tha: “Unë po të kem një brigadë si ju dhe po të më lejojë komandanti, kam borxh të nisem tani e në të gdhirë ta pi kafen në Athinë. Një shpërthim i jashtëzakonshëm entuziazmi e brohoritje të fuqishme gati sa të shëmbeshin muret dhe tavani i kinemasë së shkollës. Takimin e radhës e kam patur në gusht të vitit 1974 në stërvitjen e madhe me trupa në korpusin e parë bregdetar ku unë isha komisar i bataljonit të parë sulmues.
Në një mbasdite tejet zagushije që të merrte frymën, isha duke përpunuar disa elemente të stërvitjes taktiko – komplekse, kur befas dhe papritur vjen Hito Çakua, në atë kohë zëvendës ministër i mbrojtjes. Dukej ashiqare dhe qartazi që ishte i shpërqëndruar, i hallakatur, i frikësuar dhe i traumatizuar pasi shefi i tij mbahej i izoluar me masa të rrepta sigurie në qytezën e vogël të Roskovecit për motive politike. Mbasi shkëmbyem me të disa replika si jo po të bëhet kështu dhe jo ashtu në ikje e sipër nga pozitat e një eprori superior e me mospërfillje të tejskajshme më tha: Dëgjo këtu ti more komisar, nesër në pikën e vrojtimit të batalionit tënd vijnë kryeministri dhe ministri i mbrojtjes Mehmet Shehu. Prandaj vendos rregull, disiplinë dhe pastërti shëmbullore të ambientit dhe pregatitu që t’i paraqesësh forcën dhe t’i raportosh për gjithçka që do të kërkohet. Kjo çështje e paraqitjes së forcës më befasoi tejskajshmërisht dhe më emocionoi në gjithë qënien time mendore e psikologjike.
Kjo për dy arsye, së pari kisha dëgjuar që ish kryeministri ishte natyrë ekspresive dhe i ngrysur, shpërthyes dhe rreptësisht i rreptë. Po ç’të bësh, kërcen prifti nga belaja- thotë populli. Së dyti çështja e paraqitjes së forcës ishte e linjës së komandimit, ndërsa unë isha komisar. Kur vargu i makinave autoveturave ndaloi rreth 25 m larg meje, pastrova zërin, dhe dhashë komandën ndaloni veprimet dhe me hap rreshtor i paraqita forcën kryekomisarit, i cili nuk tha as mirë e as keq, mesa duket mendoi bono për Albania si dhe bono si komisar. Duke e shoqëruar kryeministrin, ai u ndal para qëndrës së emulacionit ku propagandohej urdhëri i ministrit të mbrojtjes, thënien e Enver Hoxhës, i cili thoshte:- stërvitja të bëhet e thellë në mendime, e lehtë në të kuptuar dhe e shpejtë në të zbatuar, ndërsa Mehmet Shehu thoshte:-Stërvitja të bëhet gjithmonë me vrap, rradhë herë me hap të shpejtë dhe asnjëherë me hap të zakonshëm. Nga mimika e tij kuptova që mbeti i kënaqur nga ato që propagandoheshin në qëndrën e emulacionit. Papritmas ai u ndal e më pyeti: Po mirë o komisar po komandantin ku e ke? I thashë se është sëmurë. Aha, po pse nuk thua që qënka tërbuar nga lufta!
Shpura që e shoqërova u gajas së qeshuri nga batuta thumbuese e kryeministrit. Më duhet të theksoj dhe njëherazi të nënvizoj se Mehmet Shehu, ndonëse rreptësisht i rreptë për çudi me komisarët e të gjitha rangjeve sillej butë, me njerëzillëk, ngrohtë dhe paqësor. Mesa dukej kishte parasysh thënien e Enver Hoxhës që thoshte: Në krye të ushtrisë tonë në komandë është partia që përfaqësohej nga komisari politik. Mehmet Shehu e kishte shumë frikë Enver Hoxhën dhe ruhej prej tij si djalli nga temjani. Duke e shoqëruar për në pikën e vrojtimit të bataljoit, batljoni im që luante në rol të batalionit aerodesant sovjetik u rrethua. Mehmeti m’u drejtua duke më thënë: Komisar batalionin nuk e nxorre dot nga rrethimi! Lenini thotë: “Çdo rrethim e ka një të çare”! Unë i thashë: Ne tentuam të godisnim me artileri që të krijonim një të çarë, pastaj dhe metodika e dirigjuar dhe e orkestruar nga juve kështu e parashikonte që të përfundonte. Ai paksa i nevozuar nga justifikimi im m’u përgjigj: Ato dëngla thuaja ndonjë tjetri dhe jo mua!