Niko Naçi: E vërteta në burg e “armiqve” të futur nëpër arka

898
Pata rastin para kohësh që të udhëtoj nga Parisi deri në Tiranë me një njeri që e takoja për herë të parë me të cilin ndonëse ishim fare pranë njëri – tjetrit më shumë se gjysmën e rrugës ai qëndronte i heshtur. Kishte një fytyrë të qetë, meditative dhe dy sy shumë të mprehtë. Ishte 58 vjeç. Befas më pyet mua se çfarë profesioni kam. Kur i thashë që punoj gazetar, buzëqeshi lehtë dhe vështrimin e hodhi gjetkë.
– Po ju? – e pyes unë.
– Për hir të së vërtetës, thotë ai, tani merrem me biznes, por si profesion kam patur shkollën e lartë të Sigurimit. Më pas, deri më 31 korrik 1992, si oficer i SHIK-ut, kur më pushuan nga puna. 
– Si ju quajnë?
– Niko Naçi!
– Pse ju pushuan nga puna?
– Kuptohet, ne ishim trarët e vjetër të shtëpisë së vjetër dhe duhet të zëvendësoheshim në momentin që po ndërtohej shtëpia e re.
– Ku punuat pas heqjes nga puna?
– Për shumë vite qëndrova së bashku me gruan time në Greqi dhe aty punuam fort dhe më pas ngritëm bizneset tona që kemi realisht.
– Një karrierën e gjerë në Sigurimin e Shtetit çfarë do të veçoni?
– Pa dyshim vitin 1983 kur ne, një grup oficerësh të Sigurimit të Shtetit u caktuam që të ruanim në burg Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi e Mihallaq Ziçishtin, Fiqirete Shehun, Nesti Nasen, si dhe ish truprojën e Mehmet Shehut, Ali Çenon. 
– Si i ruanit ju kur ata qenë të mbyllur në qelitë e burgut?
– Ata nuk qene të burgosur të zakonshëm dhe ndonëse ishin të futur nëpër arka unë dhe disa shokë të tjerë i qëndronim secilit nga 6 orë në këmbë mbi arkë, i vëzhgonim imtësisht.
– Si qëndronin në arkë, si mund të qëndrojë një njeri në arkë?
– Ata ishin vendosur në qelitë e burgut 313 dhe në qelitë e tyre ishin përgatitur krevate në formën e një arke të madhe ku muret ishin të veshura me një shtresë pambuku dhe të mbuluar me një stof. Në vend të krevatit ishte arkë e madhe e cila edhe kjo ishte e tëra ishte e veshur me pambuk dhe deri në një metro kishte tubo plastike si ato të zjarrfikëseve që rrethonin arkën anembanë ku ndodhej Kadri Hazbiu dhe të tjerët. Desha të theksoj se përveç këtyre masave të marra ata kishin në kokë skafandra.
– Po ju ku qëndronit?
– Mbi arkë pikërisht. Ju rrinim mbi kokë gjysmë metra larg të mbështetur tek tubat që rrethonin arkën nën vëzhgim të çdo gjesti e lëvizje të tyre.
– Sa qëndronit atje?
– Qëndronim 6 orë në këmbë si qiri mbi kokën e tyre pa u ulur dhe më pas zëvendësoheshim nga shokët tanë, thjesht ndërronin turnin.
– Po kur ata kryenin nevojat personale?
– Ky padyshim ishte momenti më i vështirë. Futeshim në banjë së bashku me ata dhe qëndronim atje ngjitur me ta brenda banjës kur kryenin nevojat.
– A bisedonit me ta?
– Ne e kishim kategorikisht të ndaluar por në mesnatë edhe shkëmbenim ndonjë fjalë. Të vinte zor, deri dje i kishim patur eprorë dhe kishim dhe njohje personale dhe ngeleshe në pozicion të vështirë.
– Çfarë bisedonit?
– Ja për shembull. Në atë kohë mua më vdiq babai dhe kur Kadri Hazbiut i kishte vajtur një shok tjetër për ta ruajtur ai e kishte pyetur: – Ku është Nikua?
– Ai i kishte thënë se i ka vdekur babai.
– Kur unë erdha pas dy ditësh në qelinë e Kadri Hazbiut, ai u ngrit në këmbë dhe mu drejtua mua: Niko do të ma japësh dorën që të ngushëlloj për babain, jemi shqiptarë të shkretën. Ai më ngushëlloi me shumë njerzillëk dhe unë ia zgjata dorën.
– Po për ngjarjet jashtë (çfarë ndodhte), ju pyesnin?
– Po kishte raste që na pyesnin, por ne e kishim kategorikisht të ndaluar. Ndonjë muhabet e bënim pas mesnate jo ngjarje serioze por ndonjë muhabet të thjeshtë pa zarar.
– Cili nga të arrestuarit sillej më mirë?
– Padyshim Kadri Hazbiu ishte burrë inteligjent dhe shumë i zgjuar. Kishte një nuhatje të paparë më tregonte për shkollën e mesme tregtare të Vlorës dhe më pas në Bashkimin Sovjetik ku kishte kryer kurse speciale të KGB.
– Po të tjerët flisnin?
– Po më tepër Nesti Nase, ish Ministri i Jashtëm i cili na tregonte se si piqej qengji në Mongoli kur ai kishte qenë ambasador. Ai thoshte se kishte marrë malli për të ngrënë një qengj mongolie, i cili mbushej në barkun e tij me gurë të nxehtë dhe më pas rrotullohej në hell, nuk kishte gjë më të shijshme. 
– Si e kishin trajtimin se thuhej se Kadri Hazbiut i kishin shkulur dhëmbët dhe i kishin prerë gjuhën?
– Absolutisht jo, ata trajtoheshin shumë mirë. Kishin ushqim të mirë, gjellë me mish. Iu sillnin ilaçet, pasi një pjesë prej tyre ishte me mjekim dhe i vizitonte mjeku. Deri ditën e pushkatimit ata janë trajtuar shumë mirë…
– Si u pushkatuan?
– Unë atë natë e pushkatimit nuk isha por më tregoi një shoku im që ishte atë moment me shërbim kur erdhën dhe i morën për t’i pushkatuar. Ata mbaruan krejt. Ju ishin lidhur krahët e shtrira me shirita plastike dhe ata morën formën e trungjeve. Më pas i kishin çuar para gropave të hapura dhe pasi i qëllonin me pistoletë në kokë, i shtynin në drejtim të varrit me anë e një litar të shkurtër që iu kishin vendosur në gjoks. Më thanë shokët se në momentin e pushkatimit ishin shpërfytyruar fare, të gjithë kryen nevojat në këmbë para gropës së hapur.
– Sa kohë qëndruat në qeli me ata?
-Rreth një vit e tre muaj. Atëhere isha dhe i fejuar dhe askujt nuk i tregonim se ku vinim për hir të së vërtetës. Unë i kisha treguar vetëm nënës sime.
Sigal