Nevoja për një politike të re industriale

1005
Prof.Anastas ANGJELI 

Politika industriale ka qenë një temë dilematike në debatin e politikës ekonomike. Transformim i vazhdueshëm strukturor, zhvillimi industrial dhe kërkimi shkencor e inovacionet teknologjike janë veçoritë kyçe për zhvillimin ekonomik. Përpara krizës financiare globale, politika industriale, si një instrument për të ndihmuar zhvillimin industrial ne veçanti dhe atë ekonomik në përgjithësi, u mënjanua gjerësisht nga shumë ekonomistë që dyshonin në bazat e saj analitike, dhe duke vënë në dukje rekordin e dobët të saj. Madje edhe ata që pranuan ekzistencën e dështimeve të tregut dhe rastet e ndërlidhura për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, në përgjithësi thuajse e refuzuan politikën industriale

Por qëndrimet kanë evoluar në mënyrë të konsiderueshme që nga Kriza Financiare Globale. Kriza Financiare Globale, përgjithësisht është perceptuar si rezultat i tregjeve të lira të parregulluara, duke bërë që shumë ekonomistë të marrin një vështrim të ri në rolin e shtetit në menaxhimin ekonomik. Ideja, që ndërhyrjet e bazuara në politika të gjera janë thelbësore për përmirësimin dhe shumëllojshmërinë industrial, po tërheq vëmendje gjithnjë e me shumë. Tani, shumë ekonomistë i shohin këto ndërhyrje si domosdoshmëri për të lehtësuar transformimin strukturor dhe nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.

Evoluimi i mendimit për politikën e re industriale.
Strukturalizmi ishte një teori ekonomike bazuar në supozimin se vendet në zhvillim mund të arrijnë një zhvillim të shpejtë duke krijuar të njëjtin mjedis strukturor, si në fushat e infrastrukturës dhe prodhimit që ekzistonin në vendet e industrializuara me të ardhura të larta. Dështimi i politikave strukturaliste për të ofruar transformime strukturore, rritje ekonomike dhe prosperitet shihej si dëshmi, se ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi ishin të qeta. Në përputhje me këto pikëpamje, në vitet ’80 dhe ’90, pati një ndryshim ne zhvillimin e të menduarit drejt një qasjeje të tregut të lirë duke kulminuar në të ashtuquajturin Konsensusi i Uashingtonit. Kjo nxiti liberalizimin ekonomik, privatizimin dhe zbatimin e programeve rigoroze të stabilizimit për të lehtësuar aktivitetin e tregut. Megjithatë, sa i përket lidhjes se zhvillimit ekonomik me rritjen e vendeve te punës, rezultatet e këtyre politikave të reja ishin jo ato qe priteshin.

Një ndryshim tjetër i mendimit filloi në fillim të viteve 2000. Ai ishte kryesisht i motivuar nga një kthim në objektivin kryesor të politikës ekonomike: të sigurojë që ekonomia e një vendi të rritet në një mënyrë që është në përputhje me avantazhet e saj krahasuese, dmth që ekonomia të jetë konkurruese në nivel ndërkombëtar, fitimet të optimizohen dhe kapitali të grumbullohet në një shkallë më të lartë. Megjithatë, meqë kapitali grumbullohet, struktura e financimit të faktorit të ekonomisë evoluon, duke rezultuar në një hendek midis strukturës aktuale dhe asaj optimale industriale. Ndërkaq, çdo vend ka nevojë për të përmirësuar industritë dhe teknologjitë e tyre në mënyrë te vazhdueshme që të përballen me konkurrencën. Dhe këtu një “përmirësimi industrial” presupozon lëvizjen deri në klasat më të avancuara të mallrave dhe shërbimeve me një raport te ri, më të lartë, kapital-punë.

Çfarë është politika e re industriale?
Dhe këtu dua të përqendrohem pak. Jo thjesht për të sqaruar se çfarë është politika e re industriale, sepse ajo, pa lindur mire ne Shqipëri (dhe jo vetëm) ka hapur debat

dhe pse jo, po anatemohet, por sepse jam i bindur se ekonomia jonë ka nevojë për të, për një politikë të re industriale KJO SEPSE TRANSFORMIMI I VAZHDUESHËM STRUKTUROR,siç e theksova,, ZHVILLIMI INDUSTRIAL DHE DHE KËRKIMI SHKENCOR E INOVACIONET TEKNOLOGJIKE JANË VEÇORITË KYÇE TË ZHVILLIMIT EKONOMIK, JO VETËM TË VENDIT TONË QË KA AQ SHUMË NEVOJË, POR EDHE PËR VENDET E ZHVILLUARA.

Politika e re industriale i referohet një veprimi bashkëkohor në sferën publike që inkurajon një nivel më të madh ristrukturimi të sektorit privat, shumëllojshmërisë dhe dinamizmit teknologjik se sa ato që forcat e tregut do t’i gjeneronin vetëm.

Sfida kryesore është hartimi dhe zbatimi i një kuadri ligjor, në të cilin aktorët publikë dhe privatë bashkohen për të zgjidhur problemet në sferën produktive. Kjo u u lejon atyre të angazhohen në një proces të mësimit të ndërsjellë në lidhje me mundësitë dhe kufizimet që çdo sektor përballet në procesin e transformimit ekonomik.

Modeli i ri i rritjes ekonomike i aplikuar gjatë katër viteve të shkuara kishte në themel të tij konceptin që struktura industriale është pasojë e faktorëve të prodhimit, në një moment të caktuar dhe me mundësi ndryshimi me kalimin e kohës. Në këtë kontekst lehtësimi i identifikimit të faktorëve dhe mundësive të rritjes ekonomike, pra i sektorëve dhe industrive që duhet të kenë përparësi, u konsideruan si domosdoshmëri për garantimin e rritjes ekonomike.

Është gjerësisht e pranuar, si në planin teorik por edhe në atë empirik se ndërhyrja e shtetit, ose ndikimi i shtetit në zhvillimin ekonomik dhe atë industrial përfaqëson një mjet të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm në përgjithësi dhe atij rajonal në veçanti. Në aspektin teorik, sot, zhvillimi industrial si politikë ekonomike është ndërtuar mbi disa parime dhe faktorë të rinj. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se këta faktorë janë:

Së pari, roli i “Stokut të kapitalit rajonal” në zhvillimin industrial të një zone, rajoni,apo bashkie; 

Së dyti, roli i teknologjisë dhe inovacionit në politikat qeveritare të zhvillimit industrial dhe

Së treti, ndërtimi i skemave të financimit duke kombinuar investimet shtetërore me ato bashkiake dhe partneritetin publik-privat.

Koncepti i “Stokut te kapitalit rajonal” teorikisht presupozon tërësinë e pasurive nëntokësore, natyrore, kulturore dhe njerëzore që një rajon ka. Në thelb ai përfaqëson burimet e pasurisë dhe premisat e zhvillimit të një zone gjeografike. Shembulli më pozitiv në rivlerësimin e stokut të kapitalit rajonal është turizmi shqiptar që pavarësisht nga problemet që ka për disa rajone është bërë elementi bazë i zhvillimit të qëndrueshëm dhe fsheh ende një potencial të mëtejshëm zhvillimi.

. Siç përmendëm turizmin, që me të vërtetë është shndërruar në një lokomotivë të zhvillimit ekonomik të vendit, mund të përmendim edhe energjinë dhe bujqësinë e agrobiznesin.. Në politikat e zhvillimit rajonal dhe sidomos në ato të zhvillimit rural kombinimi i shfrytëzimit të faktorëve përbërës të stokut te kapitalit rajonal është shumë i rëndësishëm. Këtij qëllimi do t’i shërbenin realizimi projekteve të përbashkëta me qellim të trefishtë, bujqësi-agrobiznes, infrastrukture, turizëm. Një rol të rëndësishëm të stimulimit dhe rivlerësimit të politikave të zhvillimit industrial luan dhe zhvillimi i teknologjive të reja dhe kërkimit shkencor dhe inovacionit. Teknologjitë e reja dhe inovacioni në vetvete nuk lindin nga asgjëja. Ato janë produkte të politikave që prekin jo vetëm fushën ekonomike por edhe atë arsimore,shkencore e kulturore të një vendi. Reforma në sistemin arsimor, si në arsimin e lartë ku rëndësi ju dha forcimit dhe rritjes së cilësisë dhe stimulimit të inovacionit por edhe në arsimin e mesëm ku u vendos theksi te arsimimi profesional kishin si synim pikërisht shfrytëzimin e mundësive që të ofrojnë teknologjitë e reja për zhvillimin ekonomik. Por ne duhet të ecim më shpejt. Ne kemi nevojë për një vizion të ri ne kërkimin shkencor, për një reformë tërësore, një strategji të re, një kuadër ligjor evropian, një ristrukturim të institucioneve të kërkimit shkencor, që ato “të prodhojnë produkte të nevojshme në funksion të zhvillimit të vendit. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë.

Si zbatimi i politikave për rivlerësimin e stokut të kapitalit rajonal ashtu dhe politikat e nxitjes së inovacionit kërkojnë fonde të mëdha investimesh. Në kushtet ku deficitet buxhetore në shumë vende të botes kanë kufizuar investimet shtetërore është bërë e nevojshme realizimi i skemave të tjera të financimit. Më e përdorshme nga këto skema është ajo e partneritetit publik-privat që e përdorur me kujdes,ne shume vende, ka sjellë shumë rezultate pozitive sidomos në fushën e e infrastrukturës, arsimit dhe inovacionit. Jo më kot dhe politikat e financimeve komunitare janë drejtuar nga këto skema. Gjatë katër viteve të qeverisjes skemat e partneritetit publik privat,edhe pse ne fillimet e veta, kanë dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.

Në funksion të përmbushjes së objektivave të rritjes ekonomike çdo qeveri duhet të adoptojë politikat e duhura në mënyrë që të lehtësojë zhvillimin e sektorit privat në një linjë me avantazhet krahasuese të vendit dhe të përfitojë nga avantazhet hyrëse në tregjet e ndryshme. Prandaj edhe në ekonominë e vendit tonë u konsiderua e domosdoshme që situata ekonomike, financiare e sociale të trajtohej jo vetëm në kushtet e krizës globale në përgjithësi dhe të eurozonës në veçanti, por edhe të perspektivës e zhvillimit të saj në këndvështrimet e reja ekonomike, duke pasur parasysh: Së pari, identifikimin e faktorëve dhe prioriteteve së rritjes ekonomike, që shoqërohet me gjenerim të punësimit dhe kushteve-kuadër të masave lehtësuese për të. Së dyti, marrjen në konsideratë të gjithë faktorëve të mësipërm, por, në veçanti, ata që ndikojnë më shumë, të cilët janë një kompozim relativ i resurseve natyrore, punës, kapitalit human dhe kapacitetit fizik, që në faza të ndryshme të zhvillimit janë të ndryshme. Së treti, mbajtjen në qendër të vëmendjes së sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike (rritja ekonomike moderne) është një proces i vazhdimit të novacionit teknologjik, rritjes dhe diversifikimit industrial dhe përmirësimit të tipave të ndryshëm (infrastrukturë, rregullimet institucionale, kushtet për zhvillimin e një biznesi të suksesshëm). Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe Programi Një Miliard Dollarë për investime. Dhe kjo jo si një “shpikje shqiptare “por si një përvojë pozitive e përdorur tashmë në shumë vende të zhvilluara dhe të pa zhvilluara. Kjo paketë, do të injektoje më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi, përmes angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese, duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve privatë. Natyrisht përzgjedhja e sektorëve, eficenca e projekteve dhe ngushtimi i hapësirës korruptive, burokratizmit dhe populizmit duhet të jenë në qendër të vëmendjes për realizimin e këtij projekti. 

Njëherazi, shtimi i kujdesit ndaj këtij projekti dhe garantimi i një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të shpejtë në vend, më me shumë punësim, krahas një manovrimi fiskal (reduktimi i tatimit mbi dividentin në 6 %, heqjen e TVSH për imputet bujqësore, uljen e tatim fitimit për prodhimin në teknologjinë e informacionit në 5 %, uljen e tatimit mbi të ardhurat personale për fashën e lartë në 18 %,) dhe një sërë skemash të reja financimi e kreditimi për sektorë të ndryshëm ka nevojë të mbështetet me një politikë ndryshe, me reforma të thella rregullatore, veçanërisht për tërheqjen e investimeve të huaja. Këtu nuk mund të mos përmend edhe faktin që kemi 25 vite që flasim për zona të lira ekonomike dhe ende nuk kemi parë një të tillë. Përvojat e vendeve me ekonomi të përafërta me tonën ofrojnë njohuri të vlefshme për zbatimin e një politike eficiente industriale. Këto përfshijnë:

• Mundësia për të korrigjuar gabimet e deritashme.
• Parësia e një dialogu sistematik dhe të institucionalizuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat në hartimin dhe zbatimin e politikës industriale. 
*Përzgjedhja e sektorëve prioritarë. Qeveritë kanë burime të kufizuara dhe një vend ka vetëm disa sektorë në të cilët mund të jetë në çdo kohë një konkurrues global. Përparimi në këtë kontekst kërkon vëmendje të përqendruar në sektorët premtues. Kjo qasje në politikën industriale redukton rreziqet për të prioritizuar sektorët në lidhje me një politikë që kërkon të tërheqë industri të reja dhe pa traditë në vend. Kësisoj,kërkesat për cilësinë e qeverisjes në përzgjedhjen e sektorit dhe konkurrueshmërinë janë sfiduese, veçanërisht në një vend në zhvillim.

• Përzgjedhja e reformave kyçe strategjike dhe operacionalizimi i nën-objektivave. Zgjedhja e sektorëve prioritarë është e domosdoshme, por duhet të ndiqet nga funksionalizimi i një strategjie sektoriale që synon zbutjen e kufizimeve. Një komponent i rëndësishëm i këtij procesi është identifikimi i nën-objektivave të përshtatshëm dhe kryerja e diagnostikimit specifik të sektorëve bazuar në dialogun e vazhdueshëm me sektorin privat.

• Mbështetje nga nivelet më të larta të qeverisë për një periudhë afatgjatë. Përfshirja e drejtpërdrejtë e lidershipit politik ka rezultuar vitale për të siguruar që angazhimet të zbatohen plotësisht dhe për të lehtësuar zgjidhjen e konflikteve mes agjencive dhe palëve të ndryshme, veçanërisht kur kuadri institucional nuk është plotësisht i fuqishëm.
***
Ndërsa sektori privat duhet të udhëheqë transformimin ekonomik, qeveria është vendimtare për të siguruar që vendet që hyjnë në këtë agjendë ambicioze mund të realizojnë potencialin e tyre të plotë.
Sigal