Sali ONUZI/ Me veteranët e luftës e të ushtrisë, 15 vjet më parë në Divizionin e Kukësit

1339
Sigal

Lufta në Kosovë, ishte çështje orësh. Më 20 mars serbët filluan pastrimin etnik, më 23 mars, nisën Sulmet ajrore të NATO-s

*Kolonel (R)

 Pesëmbëdhjetë vjet më parë, me 3 mars 1999 media e shkruar dhe elektronike njoftonte se një grup veteranësh të luftës e të ushtrisë, ish-Gjeneralë dhe oficerë madhorë të ushtrisë shqiptare qenë nisur për një vizitë në zonën verilindore të Shqipërisë. Shqipëria po përkujtonte 55 -vjetorin e i çlirimit të saj nga pushtuesit nazifashistë në një atmosferë të pazakontë: në hapësirat mitike të Ballkanit, në Kosovë kishte kohë që me gjithë egërsinë e tyre kishin zbritur falangat e ushtrisë serbe. Edhe barbarët historikë andej kishin ardhur. Pas një viti lufte, spastrimi etnik e gjenocidi në Kosovë, (si masakra e Reçakut me 15 janar 1999) Jugosllavia nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë. (6-21 shkurt 1999). Në terrenin e Kosovës, njëkohësisht fuste forca e mjete të blinduara. “Ushtria serbe po vazhdonte lëvizjen në drejtim të Kosovës. Korpusi i Prishtinës u përforcua me rezervistë me njësi elite të këmbësorisë e me helikopterë, me artileri të rëndë e me njësi të blinduara të klasit të parë nga veriu i Serbisë”. (Vvesley Clark “Të bësh luftë moderne”. Prishtinë, 2003. f. 202). Ky grumbullim forcash dhe mjetesh kish për shënjestër shqiptarët, UÇK dhe civilët. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare që ndiqnin me vëmendje situatat në Kosovë kishin marrë e merrnin masa për të forcuar mbrojtjen e kufirit shtetëror. Veteranët e Shqipërisë kishin shprehur dëshirën të bënin një vizitë në Divizionin e Kukësit. Dhe ja, me interesimin personal të Ministrit të Mbrojtjes zotit Luan Hajdaraga dhe me kërkesën e vetë Komandantit të Divizionit të Kukësit, Gjeneral-Brigade Kudusi Lame, kjo vizitë po bëhej. Jo thjesht pse dikush në një inspektim politik nuk kishte konstatuar gatishmëri në kufi, meqë nuk kishte hasur në rrugët e asfaltit asnjë batalion e kompani!. Këto flluska sapuni mund t’i shponte edhe artikulli i një gazetari të “Ushtrisë”. Le që populli ishte vetë aty dhe nuk e hante “sapunin për djathë”. Shkuarja e grupit të veteranëve të luftës e të ushtrisë duhej të kishte – siç edhe pati në fakt -motive shumë më të thella. Lufta po zhvillohej në Kosovë. NATO kishte paralajmëruar jo njëherë Milosheviçin. Jo vetëm profesionistet e politikës e të sigurisë kombëtare, por edhe njerëzit e thjeshtë po e shihnin se lufta po na trokiste në derë. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kishin zbritur në Kukës, Has e Tropojë. Një pjesë e mirë e tyre qenë instaluar aty në terren dhe ndiqnin me kujdes të madh situatën… Por Shqipëria e kishte gjallë brezin e atyre që kishin bërë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë. Këta burra kishin organizuar një ushtri e një mbrojte për rast lufte. Terrenin, fortifikimin, brezat, mundësitë e mbrojtjes e të vendosjes i kishin në hartat e mendjes të ngulitura. Të gjithë emra të njohur: Rrahman Parllaku (Hero i Popullit), Sadik Bekteshi (Hero i Popullit), Halim Ramohito, Muharrem Kokomani, Zeqiri Mero, Sejdin Avdia, Thoma Xhixho, Dilaver Poçi, Adnan Qatipi, Qamil Poda, Enver Begeja, Veli Llakaj, Tefik Ruci, Nikollaq Sallabanda, Kapo Kapaj, Muharrem Mulgeci, Gjergj Titani, Nexhmi Menzelxhiu, Faiko Zaimi. Të gjithë bashkë, pa asnjë ndasi politike e partiake, ishin nga ata burra që bënin pjesë në  “partinë” e kombit… Vizita e tyre u prit me një interesim të madh në gjithë Shqipërinë e në veçanti në verilindje. Media qendrore dhe lokale bënë punën e tyre të mirë. Në Kukës, komandanti i Divizionit dhe Shtabi i tij, shoqëruar nga media lokale kishin dalë t’i prisnin që në Fushë -Dukagjin dhe që atë mbrëmje TV Kukësi zhvilloi e transmetoi me veteranët një bisedë rreth synimeve të veteranëve në vizitën e tyre. Plot qytetarë para hotel “Gjallicës” që pyesin e takonin njërin a tjetrin. Më të papërmbajturit futeshin edhe në hotel a restorant për një kafe me veteranët, me ish -komandantët e tyre të dikurshëm etj.. U kuptua menjëherë se edhe në planin moral e shpirtëror vizita e veteranëve kishte qenë një gjetje e mrekullueshme. Provokacionet serbe në kufirin tonë shtetëror, gjithnjë më të shpeshta e më të rrezikshme, s’ kish si të mos ngjallnin tension, irritim, edhe një lloj padurimi. Kur serbët kishin hapur zjarr ndaj postës sonë të Morinit dhjetëra fshatarë shqiptarë ishin gjetur të armatosur në postë përkrah policëve tanë dhe ish- dashur autoriteti i Komandantit të Divizionit, Gjeneral Kudusiut t’i qetësonte e përmbante të mos kalonin kufirin. Vetëpërmbajtja kish qenë dhe do të ishte qëndrimi ynë për të mos rënë në kurthin e provokacioneve serbe që përhapnin nëpër Botë shpifjet sikur nga Shqipëria eksportohej terrorizmi, UÇK-ja dhe destabilizimi i Jugosllavisë. Programi dyditor i vizitës u realizua plotësisht. Me 4 mars grupi që në mëngjes do të ishte në sallën e Shtabit të Divizionit për t’u njohur me gjendjen. Ndodhi që në fillim të veprimtarisë të njoftohej për një provokacion serb në kufi në fshatin Letaj të Hasit. Që këtu veteranët u futën në një situatë reale, ku ra në sy vetëpërmbajtja, logjika dhe gatishmëria e tyre. U nis Kolonel Selim Spahiu, Shef i Shtabit me një grup dhe shpejt u njoftua se çdo gjë ishte zgjidhur. Atë ditë veteranët vizituan Brigadën te Metori (sot Fusha e Aviacionit). U takuan me gjithë ushtarë, nënoficerë e oficerë, aty në postet e tyre luftarake, pranë topave, tankeve, transportuesve të blinduar, raketave dhe armëve të tjera. Pastaj vizituan regjimentin e artilerisë tokësore në Bicaj dhe pikën kufitare të Morinit. Në Bicaj pranë topave ishin gati kompletet e predhave luftarake, gradimet të vendosura dhe ujërat e niveluar. Pritej vetëm “zjarr”, për të fluturuar predha deri 26 km. Kështu do të shkruante Asllan Osmani, korrespondent rajonal i shtypit ushtarak që nuk iu nda grupit te veteranëve ato ditë që nga Tirana e kudo. Të nesërmen më datë 5 mars nisemi për Krumë. Shkojmë më tej, në Letaj, në kufi, ku njihemi drejtpërdrejt me situatën e datës 4 mars. Takohemi me banorë, (burra, gra, të rinj e të reja) të armatosur e të vendosur për të mbrojtur kufirin. Janë çaste emocionante. Edhe ato ndjehen të vlerësuar e të frymëzuar nga vizita e grupit të veteranëve. Në Lumë e Has veteranët u gjallëruan, vështronin me kujdes, bisedonin me përzemërsi dhe testonin. Diku pyesnin e shpjegonin. Oficerët dhe trupa dëgjonin me vëmendje. Sa hipnin në makina, veteranët fillonin debatet, përzgjidhnin pikat ku do të thellonin njohjen. Po dhe burra modest, të kulturuar e të sjellshëm. Pa mendjemadhësi e fodullëk. Largohen nga Kukësi të përcjellë me respekt e dashuri, po largohen vetëm fizikisht. Me shpirt janë aty. Ata kanë dhënë një ndihmesë me vizitën dhe me mendimet e tyre. Veç të tjerave, ata i kërkuan komandantit të divizionit të skalionoheshin më shpejt disa mjete e forca. Situata nuk na duket se pret, thanë… Dhe ashtu doli. Sapo u largua misioni i OSBE-së nga Kosova, me 20 mars, serbët filluan në masë spastrimin etnik. Me 23 mars filluan sulmet ajrore 78 ditore të NATO-s mbi Jugosllavi. Në Tiranë grupi i veteranëve u prit nga ministri i Mbrojtjes, zoti Hajdaraga, i cili i dëgjoi me vëmendje mendimet e tyre dhe i falënderoi. -Ju jeni pjesa më e depolitizuar e Forcave të Armatosura do t’u thoshte ministri ish- gjeneralëve, veteranëve të shquar të Luftës dhe të Ushtrisë. Edhe ata nga ana e tyre e falënderuan ministrin dhe përgëzuan në veçanti Divizionin e Kukësit dhe komandantin e tij për punën që kishin bërë për ringritjen e divizionit pas ngjarjeve të vitit 1997, për gatishmërinë dhe për pritjen e tyre… Dhe në fakt, Divizioni i kreu me nder detyrat në situatën e Luftës në Kosovë.