Suplementi Pena Shqiptare/ Puna e tij studimore do të mund të krahasohej me atë të një Instituti Historie

729
Nga Dhimitër SHTËMBARI
Te Prof. Xhemil Frashëri shkriheshin e bëheshin një mendimi shkencor dhe ndjenja njërëzore
I lindur në Pogradec në gusht të vitit 1927, Xhemil Frashëri do të rritej në gjirin e një familjeje të njohur atdhetare. I ati, Kahremani, pat punuar gjatë në fushën e drejtësisë, siç pat kontribuar aktivisht edhe në shërbim të idealeve të shenjta të lirisë gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Duke vazhduar në gjurmët e të atit, mësimet e para Xhemili do t’i merte në Korçë, për t’i ndërprerë në vitin e katërt të së mesmes Teknike të këtij qyteti për shkak të pjesëmarrjes në luftën kundër pushtuesve të huaj. 
Në gusht të vitit 1942 Xhemili do të pranohej në radhët e Rinisë Komuniste Shqiptare, ndërsa vetëm një muaj më vonë do të ishte anëtar i njërit prej njësiteve guerile të qytetit të Korçës. Tashmë ai kishte marrë rrugën e malit. Edhe pse pa vënë brisk në faqe, do të vinte pushkën krahut për t’u radhitur luftëtar në Çetën Partizane të Kolonjës; ca më pas do të ishte partizan në Çetën e Dangëllisë, për të kaluar, javë më vonë, në Batalionin Partizan “Naim Frashëri”. Në fund do të bëhej pjesëtar aktiv i Brigadës VI Sulmuese Partizane. Dhe, së bashku me shokët e shoqet e veta, marshoi me vendosmëri dhe luftoi me trimëri deri jashtë kufijve shtetërorë. Mbas çlirimit të Atdheut Xhemil Frashëri do të vazhdonte studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës në degën e Historisë, të cilat do t’i përfundonte me rezultate të shkëlqyera. Viteve të para do të shërbente gazetar në shtypin ushtarak, ndërsa kohë më pas do t’i kushtohej tërësisht veprimtarisë studimore historike. Së pari, do të punonte pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik, për të kaluar, ca më vonë, në vitin 1957, pedagog pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës që në themelimin e tij. Këtu do të jepte leksione deri në vitin 1979, sepse mbas këtij viti do të ishte përfundimisht punonjës shkencor pranë Institutit të Studimeve Historike, duke vazhduar, ndërkohë edhe mësimdhënien në arsimin e lartë. 
Në vitin 1992 do të dilte në pension, sigurisht duke mos e ndërprerë veprimtarinë e vet të kahershme në fushën e studimeve shkencore. Mbas ndryshimeve rrënjësore politiko – ekonomike të vitit 1991, Xhemil Frashëri do të ishte ndër të paktët historianë që vazhdoi pandalur dhe me shumë guxim kursin e vetëtë punës si historian militant. Ai botoi në organe të ndryshme shtypi shkrime të shumta, të gjitha këto me frymë të theksuar kritike kundër disa pseudohistorianëve, disa prej të cilëve – ish kolegë të tij. Dhe të gjitha këto shkrime i përmblodhi në librin e tij me titull: “LANÇ dhe legjenda e luftës civile”. Prof. Xhemil Frashëri u nda nga jeta më 4 nëntor 2014, në moshën 87 vjeçare, teksa ende gjëndej në punë e sipër.

Rrugën e studiuesit e nisi që atje, ku historia shkruhej me pushkë

Prof. Dr. Xhemil Frashëri është historian jo thjesht nga ata të “kultivuar” arkivave, bibliotekave apo auditoreve në universitete. 

Duke qenë me pushkën krahut jo pak, por gjatë tre vjetëve; duke qenë njëri i lëvizur përgjatë një marshimi të gjatë e shumë të vështirë, që fillonte nga Pogradeci e mbaronte në Vishegrad të ish Jugosllavisë dhe, për më tepër, duke qënë një djalosh me arsim të mesëm në atë kohë, mjaft nga ato që pasqyron në punimet shkencore historike, Prof. Xhemili i ka të përjetuara. Duke qenë në një pjesë të mirë të kohës me detyrë pranë shtabeve të formacioneve partizane, Xhemili ka pasur mundësi të njihej nga afër me shumë nga Urdhërat Luftarakë që lëshoheshin prej komandave partizane, sikundër ka pasur rast të lexojë në dorëshkrim, që në atë kohë, mjaft nga ato që iu komunikoheshin kuadrove të ndryshme, që sot ekzistojnë si faksimile nëpër arkiva shtetërore.

Ish kuadri partizan, Xhemil Frashëri ka qënë pranë redaksisë së gazetës së Brigadës VI Sulmuese, në të cilën pat shkruar episode nga heroizmi i Luftës për çlirim, si dhe portrete trimash e biografi Dëshmorësh të Atdheut. Ndërsa i lexon sot ato shkrime, në to dikton fjalë që lotojnë dhe lot që flasin. Edhe ky lloj materiali ka gjetur vend ilustrues në librat e tij shkencorë të historisë. Me fjalë të tjera, te Profesor Xhemili gjejmë partizanin dhe historianin, shkencëtarin dhe shkrimtarin.

I gatshëm për të dhënë gjithçka, pa lypur asgjë
Mbas daljes në pension, domethënë mbas vitit 1992, Profesor Xhemil Frashëri ka botuar material historik në më shumë se 16 mijë faqe! Ai ka botuar kolanën e plotë të librave prej 6 vëllimesh voluminozë, që pasqyrojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, filluar nga 7 prilli i vitit 1939 e deri më 29 Nëntor të vitit 1944. 

Shprehur disi më ndryshe, ai ka kryer një vëllim të atillë pune shkencore, që do të mund të krahasohej me atë të një Instituti Historie. Teksa mëson tërë këto fakte interesante, pyetja më e parë që të vjen është kjo: si ka mundur t’i përballojë financiarisht botimin e tërë këtyre librave voluminozë? Se bëhet fjalë për një shumë që shkonte deri mbi 30 milionë lekë, të vjetra. Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e pat thënë vetë Prof. Xhemili: Përdora kursimet e mija e të bashkëshortes sime dhe, natyrisht, pranova edhe ndonjë ndihmë financiare të dërguar prej djalit dhe prej vajzës. I ndjeri Prof. Xhemil Frashëri ishte skrupuloz në ato që mendonte dhe vepronte. Ndërsa e kujtojmë gjithë respekt e nderim në këtë 90 vjetor të lindjes, na nderon fakti se e përfshijmë në atë kategori të veçantë njërëzish, që janë të gatshëm të japin gjithçka, pa lypur asgjë. 
Sigal