Në Shqipëri, 99 vite më parë hyri në fuqi sistemi republikan i qeverisjes

307
Sigal

Ahmet Zogu merr përsipër postin e presidentit, kombinuar me rolin e Kryeministrit, duke u bërë njëkohësisht kryetar i shtetit dhe kryetar i Qeverisë

Më 1 shkurt të vitit 1925, në Shqipëri hyn në fuqi sistemi republikan i qeverisjes, me një kabinet shumë pak ndryshe nga ai i më pareshim. Ahmet Zogu merr përsipër postin e presidentit kombinuar me rolin e kryeministrit, duke u bërë njëkohësisht kryetar i shtetit dhe kryetar i Qeverisë, Myfid Libohova merr Ministrinë e Jashtme, krahas asaj të Financave. Reforma e parë ishte shpërndarja e ushtrisë, eliminimi i Ministrisë së Luftës, zëvendësimi i saj me një Komandë të Përgjithshme. Disa historianët thonë se me këtë hap, Zogu hakmerrej ndaj ushtarakëve që kishin marrë pjesë në “Revolucionin e Qershorit” përkrah Fan Nolit. Kjo gjithashtu shihet si masë paraprake kundër zhvillimeve të ngjashme në të ardhmen; dhe si vendosje e një kontrolli të plotë të drejtpërdrejtë; pak nga pak, republika e shpallur parlamentare po shndërrohej në autokraci e monarki.

PERIUDHA E REPUBLIKËS SHQIPTARE 1925 – 1928

Statuti afirmonte formën e qeverisjes duke e përcaktuar Shqipërinë si Republikë Parlamentare e kryesueme prej një kryetari sovraniteti i së cilës buronte prej popullit . Me një vendim të posaçëm të Kuvendit Kushtetues, Ahmet Zogu u zgjodh në krye të shtetit. Parlamenti, për herë të parë dhe të fundit në historinë parlamentare të Shqipërisë, paraqitet i përbërë nga dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Sistemi dydhomësh pati një jetë të shkurtër parlamentare dhe përbënte eksperiencën e vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Ulët) përbëhej nga 57 deputetë të zgjedhur nga populli ndërkohë që Senati (Dhoma e Lartë) përbëhej nga 18 senatorë, 2/3 e të cilëve zgjidheshin nga populli, ndërsa 1/3 nga Kryetari i Republikës. Statuti afirmonte një sistem dydhomësh perfekt, por që në raste të caktuara i jepte përparësi Senatit, duke e vënë Dhomën në pozita inferioriteti. Një organ tjetër i Parlamentit ishte ai i mbledhjes së dy dhomave në një seancë të përbashkët, të quajtur Asamble Legjislative, që paraqitej në statut si organ më vehte. Gjatë kësaj kohe parlamenti miratoi një sërë ligjesh me rëndësi ndër të cilat mund të përmenden: ligjin mbi bankën kombëtare, ligjin e pensioneve civile, etj. Ai u karakterizua nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të mëdha të sistemit zgjedhor, ruajti një karakter përfaqësues fiktiv. Mungesa e partive politike karakterizoi të gjithë periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si Kryetar Republike e më pas si Mbret i Shqiptarëve. Shpërndarja e Parlamentit të Republikës erdhi pas debateve për ndryshimin e formës së qeverisjes, duke i lënë vendin zgjedhjeve të reja për Asamblenë Kushtetuese.

PERIUDHA E MBRETËRISË SHQIPTARE 1928 – 1939

Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928 me 58 deputetë, sanksionoi në statut formën monarkike të qeverisjes, dhe parashikoi sistemin njëdhomësh parlamentar. Shqipëria shpallej mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme, ndërkohë që Mbret i shqiptarëve sanksionohej LartMadhëria e tij Zogu I, nga familja e famshme shqiptare Zogu . Ajo i dha fund punimeve më 1 dhjetor 1928, duke u transformuar në parlament. Në këtë periudhë u miratuan akte të rëndësishme si kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, apo kodi i procedurës civile të cilët shënuan shkëputjen drastike nga legjislacioni i periudhës osmane. Për këtë arsye, parlamenti i kësaj kohe u quajt nga Zogu I si parlament konstruktiv e parlament reformator . Pas pushtimit Italian të Shqipërisë në prill të vitit 1937, Mbreti Ahmet Zogu I u largua nga Shqipëria. Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, iu ofrua kurora e Shqipërisë

PARLAMENTI NË PERIUDHËN E LUFTËS

Sipas statutit themeltar të mbretërisë shqiptare të akorduar nga mbreti, Viktor Emanueli III, shteti shqiptar ishte monarki kushtetuese. Pushteti legjislativ ushtrohej nga mbreti në bashkëpunim me Këshillin e Epërm Fashist Koorporativ. Më vonë, më 16 tetor 1943 me ardhjen e pushtuesve nazistë u mblodh Kuvendi Kombëtar me 247 anëtarë, i cili rivendosi krijimin e Këshillit të Lartë si kryetar shteti. Ai u kthye në parlament, duke ushtruar pushtetin legjislativ së bashku me këtë organ. Kjo periudhë karakterizohet nga mohimi i parimeve të parlamentarizmit.

PARLAMENTI NË PERIUDHËN E PASLUFTËS

Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të pasluftës u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në votim morën pjesë edhe gratë. Në këtë periudhë u miratua kushtetuta e 14 marsit 1946, ku Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor. Në kushtet e mungesës së pluralizimit politik në vend, Kuvendi Popullor ishte një organ formal i cili mblidhej në sesione vetëm dy herë në vit. Në vitin 1976 Kuvendi Popullor miratoi Kush tetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e cila ruajti më tepër tiparet e një programi politik plotësisht të ideologjizuar me ideologjinë e kohës. Roli i parlamentit mbetej fiktiv, sa kohë që nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as që mund të flitej për pluralizëm.

RILINDJA E PARLAMENTARIZMIT (1991)

Pas 5 dekadash në Shqipëri shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Pas një periudhe 67 vjeçare mblidhet parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 (250 deputetë). Ligji Për dispozitat kryesore kushtetuese, i miratuar në këtë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore. Më 21 tetor 1998 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e re, të hartuar edhe me ndihmën e organizmave ndërkombëtarë. Kushtetuta e re krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor ndryshohet në Kuvend i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë). Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i Pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i Kuvendit është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik. Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentët më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.