Në prag të 28 Nëntorit/ Ora e Pavarsisë kishte mbrritur. I përzgjedhuri i saj Ismail Qemali mori mbështetjen e plotë nga Austria, Gjermania dhe Italia. Elbasani qyteti i parë që ngriti Flamurin

556
Sigal

Austria, Italia, Gjermania: Shqiptarët pasardhës të pellazgëve, të mos i humbim

Naim Frashëri: Edhe Zoti e tha me gojë, Shqipëria do të rrojë për mbi dhe

 Vepror Hasani

 

“Pa dashur të bënj apologjinë e Ismail Qemal beut, i cili në të tjera pika munt të ketë do të meta, padyshim që ai pati meritën e iniciativës dhe te talentit diplomatik, dhe këto cilësi do t’i sigurojnë për kurdoherë nje vënt në kujtimet mirënjohëse të kompatriotëve të tij dhe të albanofilëve” Lumo Skendo

Vjeshta e dytë ishte më të dalë. Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin mbërritën në Bukuresht. Bashkë me ta ishte dhe biri i Ismail Qemalit. Prej Stambollit erdhën edhe atdhetarë të tjerë. Po përgatitej shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Për ata që kishin marrë përsipër  këtë çështje madhore ishte një ndjenjë e paprovuar deri atëherë. Ndjesia e rrezikut dhe kënaqësia për të dhënë edhe jetën për qëllimin e shenjtëruar bashkoi shumë njerëz, sepse për Shqipërinë shpëtim tjetër nuk kishte. Pa humbur kohë u bënë dy-tri mbledhje radhazi. U zgjodh një komision prej 9 vetash me kryetar Pandeli Vangjelin dhe sekretar  Asdrenin. U vendos të hynin në Shqipëri, shpallja e pavarësisë duhej të bëhej medoemos, gjallë a vdekur. Vetëm kështu Fuqitë e Mëdha do t’i njihnin të drejtat e shqiptarëve. “Me rastin e kësaj mbledhjeje kolonia shqyptare e Bukureshtit goditi edhe nj i flamur të ri të mëndafshtë, iniciativën e të cilit e kishin marrë z. Asdren e Daniel Zografi”. (Leka 1937, nr 8-10, f. 419). Falmuri u përgatit sipas këshillave të Ismail Qemalit, me shqiponjën dy krenore kuq e zi.

Vihen në dijeni mëmëdhetarët

Përmes letrave dhe telegrameve vunë në dijeni shumë mëmëdhetarë në shumë vise të Shqipërisë. Delegtatët do të mblidheshin në Trieshte. Nga kolonia e Bukureshtit u zgjodhën Pandeli Vangjeli, Dhimitër Ilo, Dhimitër Zografi, Dhimitër Emanoil (Mborja) dhe Dhimitër Berati. Koha vraponte. Ismail Qemali u nis drejt Vjenës i shoqëruar nga 6 përfaqësues, ku bënte pjesë edhe Luigj Gurakuqi. “Si mbaroi mbledhja, të gjithë dolën me flamur të Shqipnisë në ballë tue kndue kangë kombëtare shqyp e rumanisht, e banë urime para pallatit mbretnuer, konsullatave t’Italis e Austro-Ungarisë, ku çfaqnë përgzime për trilidhjen, (Austri-Itali-Gjermani), që nuk harroi të çojë zanin për nji Shqypni në vedi” (të pavarur). Ndërkaq iu dërgua telegram mbretit të Rumanisë, kancelarit të Austro-Hunagarisë, kontit Berchtold, kancelarit të Gjermanisë dhe të Italisë dhe kabineteve të Anglisë, Francës dhe Rusisë. U kërkua moscoptimi i Shqipërisë me katër vilajetet e saj: Kosovë, Manastir, Janinë dhe Shkodër.

Në Trieshte

Referuar kujtimeve të Dhimitër Zgrafit, botuar te  “Yll’i Mëngjezit”, 30 nëntor 1917, f.202, nr.7, delegatët e kolonisë së Bukureshtit, mbërritën në Trishte sipas fjalës që kishin lënë. Pandeli Vangjeli nuk mundi të vinte, kurse Dhimitër Ilo, ngaqë u nis 5-6 ditë me vonesë, mbeti në Kataro. Pandeli Cale, Spiridhon Ilo dhe Dhimitër Emanoil morën pjesë si vetëdashës. Në të njëjtën ditë me delegatët e Bukureshtit mbërritën në Trieshte edhe Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin. Ata sollën lajmin se Vlora ishte bllokuar nga grekët, ndaj duhej të niseshin menjëherë drejt Durrësit pa u mbyllur ende kjo rrugë. Në dispozicion të delegatëve shqiptarë, Austria kishte vënë vaporin special “Graf Ëurmbrandi”. Misioni i tyre do të kishte mbrojtjen e Austrisë dhe  Italisë. Në Trieshte blenë armë dhe municione dhe u nisën drejt Shqipërisë. Një vapor tjetër i Austrisë ndiqte gjithçka që ishte duke  ndodhur në Shqipëri. Sipas revistes “Hylli i Dritës” në këtë komision bënte pjesë edhe Habdi Toptani, Nikolla Kaçori dhe dy-tre shokë të tjerë, të cilët u takuan në Trishte. (Dy-tre të tjerët duhet të kenë qenë Qazim Kurti Gjinokastra dhe Kristo Meksi të përmendur te “Kalendari Vatra”, v. 1918, f.26).

Në Durrës

Kur iu afruan Durrësit dy vaporë të luftës greke e vunë në mes vaporin e Ismail Qemalit. Një kapiten i shoqëruar prej tre vetash hyri në vapor, e dinin që Ismail Qemali po çonte edhe aramatime në Durrës, por nuk kontrolluan. Thjesht përshëndetën me një “mirëmëngjes” dhe dolën. Me këtë gjest donin t’u tregonin se ishin nën mbikëqyrjen e tyre. Udhëtimi i misionarëve të shpalljes së pavarësisë përgjohej edhe nga Serbët. Me të mbërritur në Durrës shkuan te mytesarifi për t’i bërë të ditur qëllimin e ardhjes së tyre. Mytesarifi ishte njeri i ditur, por nuk qëlloi të ishte mëmëdhetar, megjithatë nuk i pengoi të realizonin qëllimin për të cilin kishin ardhur – shpalljen e pavarësisë. “Për fatin t’onë të mirë, – shkruan Dhimitër Zografi,- ushtria e atjeshme prej nja 500 vetash, të gjithë ishin shqiptarë, dhe koloneli komandant i tyre Hamit Toptani prej Tirane, një shqiptar fisnik, i vleftë, bir shqiponje. Ky zot i shërbeu tepër çështjes s’onë në ato ditë aq kritike, dhe kombi ynë s’ia ka për të harruar kurrë këto shërbime se po të mos ndodhej zotëria e tij, kushedi sa kundërshtime dhe ç’mund të pësonim nga fanatikët e Durrësit dhe prej mytesarifit”. (Ylli i Mëngjezit, “Si u kasnecua Vetëqeverimi i Shqipërisë”, f. 197). Pas dy ditë udhëtimi mbërritën në Durrës. Ndërkaq serbët kishin mbërritur në Lezhë.

Ftesë popullit të Durrësit

Ismail Qemali nuk deshi të vonohej aspak. Bashkë me Hamid Toptanin dhe ushtarët e tij zunë telegrafin e Durrësit. Prej aty u lajmërua ardhja e tij dhe thirrja e një mbledhjeje të madhe. Morën pjesë shumë njerëz, tërë paria, kryfetarët e qeveritarët, gjithë njerëzit me pushtet dhe që u dëgjohej fjala. Ismail Qemali shpjegoi gjendjen aktuale të Shqipërisë. “Turqia i lau duart nga Ballkani, – u tha ai, – por që Shqipëria të mos bjerë në një robëri tjetër duhet të ngrejmë flamurin dykrenor kuq e zi, dhe të shpallim vetëqeverimin e Shqipërisë të mirëpritur edhe nga Fuqit e Mëdha…”. Një çast gjithë mbledhja mbeti e hutuar, ajo që dëgjuan nga goja e Ismail Qemalit ishte mes së besueshmes dhe të pabesueshmes. Nisën të flisnin me njeri-tjetrin, kërkonin të dinin gjithçka. Situata ishte e paqartë. Lajmi i rënies së perandorisë sillte kënaqësi dhe droje, por edhe një lloj frike të paprovuar më parë. Si mund të shembej një perandori kaq e madhe si Turqia?! Çfarë do të ndodhte pas kësaj?! Deshi të fliste edhe Myftiu, por nuk mundi ta çonte fjalën deri në fund. Pas tij u ngrit dhespot Jakovi i Durrësit dhe me një zë të fortë tha:  “Zotërinj! unë që kur jam lindur, që kur kam ardhur ndër mend e gjer më sot, vetëm një flamur kam njohur, kam dashur e kam nderuar, dhe ky është flamuri i Osmanllisë. Nën këtë flamur kam rojtur dhe vetëm nën këtë dua të vdes”! (Hylli i Dritës, v.1937, nr.9-10, f. 442). Fatkeqësisht mbledhja mori anën e dhespotit. Shpallja e pavarësisë në këtë qytet u bë e vështirë. Megjithatë mëngjesin e ditës tjetër, durrsakët u gdhinë të penduar.

Plaku Ismail Qemali nuk ishte i vetëm

Por plaku flokëbardhë, Ismail Qemali ishte betuar, gjallë a vdekur, do ta ngrinte flamurin dykrenor kuq e zi. Ai nuk ishte i vetëm, nuk kishte vetëm përkrahjen e delegatëve të Bukureshtit, mëmëdhetarë të shumtë, nga gjithë viset e Shqipërisë e dëshironin shpalljen e pavarësisë një çast e më parë. Ata gjendeshin kudo për përhapjen e kësaj ideje të madhe. Vetë Ismail Qemali, nëpërmjet një telegrami u ishte drejtuar gjithë kryetarëve të bashkive të vendit, ku thuhej:  “Vlonë, 18 vjeshta e tretë  912. Kryetarëvet të Bashkivet e të klubevet, parësiës edhe popullit të ndershëm të Janinës, Gjinokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Monastirit, Resnes, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit”, – të cilëve u shkruante – “Përpara së Premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesvet në Durrës ose në Vlonë asht krejt e nevojshme. I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin. Çashtja jonë politike u – sigurua fare. Ismail Qemal”. Ismail Qemali kishte edhe mbështetjen e ushtrisë që komandohej prej shqiptarëve, ata ndiqnin me kujdes çdo lëvizje të Ismail Qemalit. Në një prej telegram të nisur prej tyre shkruhej: Karagjah, 22 vjeshtë e tretë 1912. Tepër urgjente. Nënprefekturës së Vlonës, Prefekturës së Durrësit: “Kur t’urdhënojë zotni Ismail Qemal Beu aty, lutemi t’a pritni mirë e ta qetësoni edhe na bani me ditë. (na vini në dijeni). Komandanti i trupit ushtarak, Esat Pashë Janina”. (Vendqendrimi i kryekomandës së Janinës ishte në Elbasan). Dhe më e rëndësishmja: Ismail Qemali kishte mbështetejn e tri fuqive të mëdha: të Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë.

Ku do të ngrihej flamuri, ishte menduar gjatë

Tashmë Ismail Qemalit i mbetej të nisej drejt Vlorës. Por, në fakt, për shpalljen e pavarësisë nuk ishte piketuar vetëm Vlora dhe Durrësi, por edhe qyte të tjera të mundshme. Atdhetarët po përpiqeshin për më të mirën. Mit’hat Frashëri ishte nisur drejt veriut, itinerari i përshkuar prej tij ishte: Shkup, Mitrovicë, Ipek, Jakovë, Has, Tejdrin, Mirëditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan, Kosovë, (d.m.th., prej Ipek, në Jakovë, Guci dhe Plavë, shpjegonte M. Frashëri), ku bashkë me tre shokët e vet morën nënshkrimet e Parisë për t’u treguar që ishin mëkëmbës të tyre. Të gjitha këto mësohen nga një letër e Mi’hat Frashërit dërguar Kristo Dakos, botuar te revista “Leka”, v. 1937, nr 8-10, f. 420. Fillimisht për shpalljen e pavarësisë u mendua Ipeku, e nxitur kjo edhe nga kryengritjet që kishin shpërthyer, (shqiptarët kishin 4 vjet që luftonin për të drejtat e tyre), por më pas situata ndryshoi edhe atje. Nga Shkodra u hoq dorë sepse Mali i Zi nga njëra anë ishte afruar deri në Tarabosh nga tjetra deri në Bradanjollë. E pëlqyer mbetej edhe Shqipëria qendrore. Elbasani ishte një qendër e fortë patriotizmi dhe mikpritjeje, kjo ishte dhe arsyeje pse Kongresi i Shkollave Shqipe më 1909 u bë në këtë qytet, madje te mësonjëtorja e kalasë. Edhe mbërritja e delegatëve, nga të gjitha anët, në këtë qytet ishte më e lehtë, por tashmë serbët kishin zbritur në Ohër dhe Strugë, ku kishin zaptuar Telegrafin, shumë shpejt do të mbërrinin edhe në Elbasan

Edhe Tirana përgatiste shpalljen e Pavarësisë

Edhe Tirana e mirëpriste shpalljen e pavarësisë, Abdi bej Toptani dhe  Abati i Mirëditës kishin ofruar mbështetjen e tyre, por kur mbërritën atje, gjetën letrën e Syrja beut, i cili e ftonte parësinë e Tiranës në Vlorë. Ndërkohë komandant i ushtrisë, Esat pashë Janina i propozoi Ismail Qemalit ta ngrinte flamurin në Janinë, duke e siguruar se nuk do të lejonte asnjë ushtar të ushtrisë greke t’i afrohej këtij qyteti. Përgjigjja e Ismail Qemalit ishte: Tashmë koha nuk prêt më. Atje ku do të shpallej pavarësia duhej medoemos që Postë-Telegrafi të ishte në dorë të shqiptarëve, nga ku vendimi i sapomarrë t’u komunikohej fuqive të mëdha. Vlora vijonte të mbetej qytet i sigurtë, kablloja e Telegrafit ishte në funksionim të plotë, mbante komunikim me botën e qytetëruar dhe Fuqitë e Mëdha.

Drejt Vlorës

Delegacionit të shpalljes së pavarësisë iu bashkua edhe Abdi Toptani, vëllai i Hamit beut, dhe Murat bej Toptani me të vëllanë dhe shumë të tjerë nga Kruja dhe vise të tjera. Komisioni u nis drejt Vlorës duke përshkuar Myzeqenë. Udhëtimi me det mbante 5-6 orë, kurse nga toka, në dimër, mbante ndoshta 4 ditë. Por edhe pse ata udhëtuan me kuaj, provuan shumë vështirësi. “Ç’kemi parë dhe ç’kemi hequr në këtë udhë, bëhet një roman më vete”, shkruan Dhimitër Zografi. Fushat e Myzeqesë ishin të mbytura në ujë, i kaluan më këmbë për 5-6 orë. Uji arrinte deri në gju. Të tilla ishin edhe udhët, mezi e nxirrte kali këmbën nga balta. “Për të vënë re,- shkruan më tej Zografi, –  ishte guximi, kuraja, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar nër ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta vishnin, s’t’a bën dot atë udhëtim. Po patriotizmi dhe gazi i punës së shenjtë që kish nisur e mbushte me  kurajo që të marrë atë udhë të gjatë. Duke parë guximin e plakut të shtrenjë, na forcohej edhe neve zemra që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot, na zë tmerri. “… Po nuk është më pak energjia dhe guximi i z. L.Gurakuqi, i cili është dor’ e djathtë e z. Ismail Qemali. Kur duallëm nga Durrësi ishim 40-50 shpirt, të gjithë t’armatosur me maliherë, udhës pastaj u hasëm me të tjerë delegatë nga vise të larkme dhe u bëmë qindra”. (Ylli i Mëngjezit,  “Si u kasnecua Vetëqeverimi i Shqipërisë”, f. 197).

Në shtëpinë e Xhemil beut

Në Vlorë mbërritën më 27 nëntor në mbrëmje. Burra, gra, pleq, plaka, vajaza, djem, ranë në gjunjë para plakut flokëbardhë, Ismail Qemalit. Njerëzia prisnin me padurim ngritjen e flamurit të Shqipërisë, por me qenë se delegatët ishin duke ardhur, shpallja e pavarësisë u la të bëhej më 28 të vjeshtës së tretë, ditën e enjte, ora 4 pasdite. Ismail Qemali porositi edhe komandantin e ushtrisë në Janinë, Esad Pashë Janinën të ngrinte flamurin atje dhe të kujdesej për ardhjen e delegatëve. Porosia e Ismail Qemalit u krye, flamuri u ngrit edhe në Janinë dhe  kujdesi për mbërritjen e delegatëve u ofrua. Populli u vu në dijeni edhe nga thirrjet e tellalit. “Të gjithë delegatët u mblodhën në shtëpi të Xhemil Beut, në një sallon të math, shkruan Dhimitër Zografi. U ngrit Ismail Qemali, dhe si përshkrojti humbjen e Turqisë edhe të vojturat dhe gjendjen e Shqipërisë mi rrezikun e math që ndodhet Atdheu ynë, tjatër shpëtim, tha, s’ka përveçse të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin. “Rroftë shqipëria Jonë!- thërritën të gjithë. “Roftë flamuri i Shqipërisë!” Salloni ish plot me njerëz, çardhaku përposh plot, kopështi plot, të gjitha rrugët mbushur me mizëri njerëz, edhe kur u përhap të thirrurit “Rroftë!” dhe të përpjekurat e duarve, i ngjetheshin mishrat njeriut: nuk munt të përshkruaj kurrë një përshtypje të tillë. Pastaj dolli gjithë populli duke kënduar këngë kombëtare dhe duke thirrur me gëzim: Rroftë Shqipëria jonë e lirë! Rroftë flamuri ynë!

-vijon nesër-