Myfit Qorduka: Ndërhyrjet e politikës në art

1154
Sigal

Dosier/Flet ish-oficeri madhor i Flotës Detare, Myfit Qorduka:

Ndërhyrja e politikës edhe në art. Ja pse nuk mundi tw vijw nw Shqipwri aktori i madh

Pjesa III

-vijon  nga  numri kaluar-

  • Si e  takova  aktorin e famshëm Indian, Raxh Kapuri autori i filmave “Vagabondi”, “Zotnia 420”
  • Me Raxhin më njohu  këngëtari i famshëm “bilbili” i këngës ruse, Rashid Bejbutov mik  i  shqiptarëve
  • Raxh Kapuri as e  dinte  nga  binte   Shqipëria  por  tha   se  do  vinte  për  vizitë
  • Si Rashid Bejbutov këndonte plot  pathos këngën  shqiptare “Shkova n’Elbasan,/ për me ble fustan”

 

Një një intervistë para disa vitesh ju më keni folur për aktorin e famshëm Raxh Kapuri. Duket e pabesueshme, por si e njohët dhe si u takuat me të?

 

Edhe mua sot e pabesueshme më duket. Kanë kaluar mbi 50-vjet qysh atëherë. Në vitet 1960 ai ka qenë aktori më i preferuar i rinisë në botë. Dekada më parë e deri vonë, aktori i famshëm indian, Raxh Kapuri, nëpërmjet filmave “Vagabondi”, “Zotnia 420” etj., si kudo në botë, u bë idhull edhe për rininë shqiptare. Interpretimi dhe këngët e tij u bënë “modë“ në gjuhë e variante të ndryshme, por pakkush e di se ai ka qenë mik i ngushtë i studentëve shqiptarë të detarisë që studionin në vitin 1959-1961. Jo vetëm kaq, por nëpërmjet njohjes me ne, Raxhi i famshëm dhe i shumëkërkuar në të katër anët e botës, shprehu dëshirën dhe u përgatit për të ardhur në Shqipëri, vizitë e cila, fatkeqësisht, për shkaqe të klimës politike të kohës, mbeti vetëm dëshirë.

Është e vërtetë se filmat e tij të mësipërm kanë lenë mbresa të paharruara në mendjet e të gjithë atyre shqiptarëve që kanë pasur rastin t’i shikonin. Më kujtohen e më kalojnë nëpër mend si në një film bardhezi pamjet e rrëmujës që bëhej përpara kinemasë “Çajupi”, e vetmja kinema në Gjirokastër, që “kuqua” Qani i nxirrte afishet e filmit në vende të caktuara, paçka se për të njëjtin film në një vend shkruhej “film indian”, e në tjetrin “egjiptian”, siç thotë diku Ismail Kadareja, por kjo askujt s`i prishte punë. Turmat e mëdha të njerëzve të grumbulluar para saj, si dhe radhët e gjata për bileta, nuk respektonin asnjëfarë rregulli… Në “betejat” që zhvilloheshin çdo ditë për blerjen e biletave aq të çmuara, të parët që fitonin, pa dyshim, ishin më të fortët. Njerëzit e shumtë, të bërë lëmsh, për të arritur gjer pranë sportelit të biletashitëses, shtynin, ulërinin, hipnin mbi njëri-tjetrin e griseshin gjer në gjakosje.

Filmat e Raxh Kapurit kishin magjepsur shqiptarët, të cilët, të stërngopur me filmat luftarakë sovjetikë, “zbuluan” para tyre një kinema krejt të panjohur, me subjekte sentimentale e personazhe mjaft të këndshëm. Nuk gaboj po të them, se seancat e atyre filmave që nisnin që nga ora nëntë e mëngjesit e përfundonin në mesnatë, s`besoj se do t’i ketë ndjekur një masë aq e madhe spektatorësh, ndoshta në asnjë lloj filmi tjetër të shfaqur në Shqipërinë e asaj kohe.

Raxh Kapuri konsiderohej princi i “Hollyvood”-it.

Para disa vitesh, qyteti i Kanës në Francë, i kushtoi atij një homazh të merituar. Në një festival të organizuar me këtë rast, filmat e parë të Raxh Kapurit qenë më të bukurit dhe ata meritojnë epitetin e autorit të tyre të quajtur “djaloshi eteruxx”, emër me të cilin është cilësuar ai. Ndërkohë nuk mund të mos flas për partneren e tij të përhershme, Nargiz, e cila me portretin e saj universal të femrës së dashuruar, me këngët e saj të mrekullueshme, të cilat duke qenë larg stilit operetë, mbeten gjithmonë si një shprehje e pasionit, gëzimit dhe lumturisë njerëzore… Raxh Kapuri (Raj Kapoor), emri i vërtetë i të cilit është Ranbir Raj Kapoor, lindi me 14 dhjetor 1924, në Pakistan dhe vdiq më 3 korrik 1988, i sëmurë nga një astmë kronike. Në çastin e vdekjes ai ishte duke punuar për filmin e tij “Henna“ që kishte në qendër të subjektit dashurinë mes një vajze pakistaneze dhe një të riu indian. Ky film pastaj u përfundua prej djalit të tij të madh, Randur Kapoor. Djemtë e tij, ose më mirë të themi dinastia Kapoor, vazhdoi të ecte përpara, sepse të tre djemtë: Randur, Rishi dhe Rajev si dhe dy mbesat Karena dhe Karisma, realizuese e aktore të njohura, vazhduan traditën e atit të tyre e sot drejtojnë kompaninë e njohur filmike “Raj Kapoor Production“ në Bollyvood (kështu quhet krijimtaria popullore e Bombeit dhe Indisë, duke bërë paralelizëm me “Mekën“ e filmit botëror, Hollyvood-in amerikan.)

 

Disa detaje rreth takimit me Raxhin?

Njohja me Raxh Kapuri, fillimisht qe një rastësi, falë miqësisë që ne studentët shqiptarë kishim lidhur me shkrimtarin e shquar vendës, Resul Riza dhe me këngëtarin e famshëm, “bilbilin” e këngës ruse, Rashid Bejbutov. Në përfytyrimin tonë, Bakuja, kryeqyteti i Azerbajxhanit, që para nisjes nga Shqipëria njihej nëpërmjet poezisë së mrekullueshme të Eseninit “Balada e të 26-ve“, që u kushtohej komisarëve të vrarë të këtij qyteti, ku, si e kam thënë më lart, nga 26 kishte shpëtuar vetëm Mikojani. Por, që në kontaktin e parë me qytetin dhe me njerëzit hasëm në një metropol të stërmadh, nga më të mëdhenjtë në botë për nxjerrjen dhe eksportin e naftës. Por, mbi të gjitha, takuam njerëz të mrekullueshëm, që shqiptarët i donin dhe i respektonin tej mase. Fakti që midis nesh kishte edhe njerëz të letrave, u bëmë miq, takoheshim shpesh, bisedonim e kalonim së bashku kohën e lirë, ndiqnim aktivitete të ndryshme edhe me shkrimtarin e njohur Resul Riza dhe me këngëtarin Bejbutov e shokë të tyre. Gjithashtu me shkrimtarin Riza dhe këngëtarin Bejbatov, për shkak edhe të lidhjeve si krijues, më shumë rrinte poeti ushtarak Hamza Koçiu, si dhe studentët Kristaq Çito, Milto Xhillari, Baki Balili, Jani Nika, Todi Gerveni etj, të gjithë studentët e Akademisë Detare të Bakusë. Edhe para njohjes me ne, ata të dy kishin respekt për Shqipërinë e shqiptarët, por me sa duket, njohja dhe miqësia me ne ua shtoi edhe më shumë respektin. Mbaj mend se, në një koncert të madh që dha Rashid Bejbatov, në një pallat kulture, në mes të kryeqytetit Baku, qysh në fillim, ai tha se, në shenjë miqësie e respekti, dëshironte të përshëndeste studentët shqiptarë me një këngë. U befasuam të gjithë kur nga goja e këngëtarit të njohur nisën të përhapen në vargjet dhe tingujt e këngës së njohur shqiptare “Shkova n’Elbasan,/ për me ble fustan”, të cilën ai e interpretoi në dy gjuhë, rusisht dhe shqip.

 

Pra pikërisht njohja juaj me këtë këngëtar do të sillte dhe kontaktin e parë dhe miqësinë me Raxh Kapurin, i cili ishte mik i ngushtë i Bejbatovit?

Njohja me Raxh Kapurin, siç thashë më lart, ishte e rastësishme. Në miqësinë e studentëve shqiptarë të detarisë luftarake në Baku, me bilbilin e këngës ruse Bejbatov, pati një ndikim edhe fakti se vetë këngëtari kishte qenë në Shqipëri, i kishte pëlqyer vendi, njerëzit dhe mikpritja e shqiptarëve, ruante kujtimet më të mira për këngën, artin në përgjithësi e kulturën shqiptare në veçanti. Shpesh në bisedat tona të lira, këto tema zinin pjesën më të madhe të kohës, ndërsa shoqëria jonë rritej më tej. Shpesh Bejbatovi shkonte bashkë me ne studentët shqiptare nëpër aktivitete të ndryshme, luanim së bashku bilardo, pingpong etj. Gjatë atyre ditëve mësuam se së afërmi do të vinte për koncerte e për një vizitë të gjatë në Baku, Raxh Kapuri, që në kujtesën tonë ishte i pashlyeshëm nga loja dhe vija melodike e këngëve në filmat ”Vagabondi”e “Zotëria 420”. Madje, filmin e parë gjatë kohës që isha në Tiranë, kishte ndodhur që ta kisha parë me shokët deri në tri herë në ditë, duke e blerë biletën disa herë më shtrenjtë nga sa shitej në sportele. Por as që bëhej fjalë që Raxhi, mes mijëra simpatizantëve, të takonte studentët shqiptarë, nëse nuk do të ishte këngëtari i madh, miku ynë, Rashid Bejbatov. Autoritetet ruse, në agjendën e përgatitur për pritjen e aktorit indian, një ndër pikat kishin parashikuar dhe takimin e tij me këngëtarin Bejbutov, takim i cili për të qenë një takim shokësh e sa më intim, ishte parashikuar të bëhej nëpërmjet një vizite që Raxhi do t`i bënte në shtëpi këngëtarit në fjalë. Si me shaka, teksa po luanim bilardo, i thashë mikut Bejbutov, se kisha dëshirë ta takoja Raxhin. Më premtoi se do ta takoja në kohën që ai do të ishte për vizitë në shtëpinë e tij, duke më caktuar edhe orën që do të shkoja. Takimi me Raxhin në shtëpinë e këngëtarit do të bëhej menjëherë sapo ai të më lajmëronte. Dhe kështu ndodhi. Për të dhënë imazhin e një jetese komode dhe mirëqenieje, gjatë vizitës që Raxhi do t’i bënte Bejbatovit, autoritetet ruse kishin vendosur që shtëpia e “këngëtarit”përkohësisht të ishte një vilë e bukur në periferi të kryeqytetit, e pajisur e mobiluar si ato të kolegëve të tij perëndimorë. U morën masat dhe këngëtari shumë shpejt u transferua në “shtëpinë e re”. Por “shtëpia e re“ e Bejbatovit, ku unë takova Raxhin, sipas urdhrit të dhënë nga qeveritarët vendas, pas ikjes së Raxhit nga Rusia, duhej të dorëzohej dhe këngëtari duhej të kthehej të jetonte në banesën e vjetër, që ishte një apartament i thjeshtë në një nga lagjet e Bakusë. Kjo më vonë solli peripeci, me të cilat do të njihemi më poshtë.

Bejbatovi na kishte caktuar orën që do të shkonim, por unë së bashku me kolegun tim, Kristaq Çito, nga padurimi e kurioziteti u gjendëm para kohe te vila e tij. Miku na priti te dera dhe na ftoi të hynim. E ndoqëm pas dhe u futëm në një dhomë të madhe. Përpara syve, i ngritur në këmbë, na zgjati dorën një djalosh i gjatë rreth dy metra… Ishte Raxhi, aktori i famshëm indian.

Çfarë do veçonit nga biseda me Raxhin?

 

Kuptova se para se te shkonim në vilë për të takuar Raxhin, miku ynë Bejbatov, i kishte folur gjatë për ne shqiptarët dhe për miqësinë që kishim, kështu që biseda me aktorin nisi në një “shtrat”disi të njohur…

Raxhi pas takimit të kortezisë, më pyeti se kush isha. Iu përgjigja:

– Jemi shqiptarë, jemi studentë në Akademinë e Bakusë.

– Nuk e kam idenë se ku bie Shqipëria, por sigurisht duhet të jetë larg,- tha aktori.

– Po, por jo edhe aq larg…, – ia ktheva.

Më pas, gjatë bisedës që zhvilluam i thashë se unë, ashtu si shumë të rinj në Shqipëri, i kishim pëlqyer tej mase filmat e tij, i kishim blerë biletat katër e pesë here më shtrenjtë, dhe e kishim parë një film deri në tre-katër herë në ditë dhe i këndova (interpretova) në shqip një fragment nga filmi “Vagabondi”. Vura re se atij iu bë shumë qejfi. Gjatë bisedës, që ishte shumë e ngrohtë dhe rridhte natyrshëm, pyeta se si ka mundësi që një hajdut xhepash të bëhet artist i madh…! Raxhi, duke buzëqeshur miqësisht, u përgjigj: – Unë kam luajtur në filma që në moshën 6-vjeçare, kam bërë edhe shumë çapkënllëqe në jetë, pra edhe kam vjedhur, nëse quhet kështu. Shikoja në ndonjë vitrinë të ekspozuar panine dhe sandviçë, mish të pjekur etj., dhe kur disa të varfër më thoshin se donin të hanin, unë s’e kisha për gjë të merrja një gur, e ta bëja xhamin copë-copë dhe u jepja bukë të varfërve, se më vinte keq. Ose, në ndonjë rast, u merrja paketa fshehtas tregtarëve dhe ua jepje shokëve, pasi nuk kishin mundësi t’i blinin!

Ndërsa pyetjes sonë se si përfundoi nga rruga në aktor filmi sot (atëherë) nga më të famshmit në botë, Raxhi na u përgjigj:

– Një ditë, teksa ishim në rrugët e Bombeit e po luanim me shokët, më thanë se më kërkonte një burrë i veshur me kostum e kollare që ishte diku pranë, por unë, duke menduar se ishte i policisë, nuk shkova, por u largova. Kjo u përsërit disa ditë rresht dhe më në fund e takova. Ishte regjisor filmi. Nuk e di se ç`kishte mësuar e ç’kishte parë tek unë, por më mori direkt, pa bërë asnjë provë të luaja rolin e hajdutit në filmin “Vagabondi”.

Në fund të këtij takimi të parë, ne i bëmë ftesë Raxhit që të vinte në Shqipëri, ku e kishin idhull si aktor, gjë që e mirëpriti dhe premtoi se do ta realizonte. Por ngjarjet që çuan në dështimin e vizitës së Raxhit, ndoshta merren me mend. Ftohja dhe prishja e marrëdhënieve të vendit tonë me sovjetikët, pra “erërat”e politikës që nisën të frynin, por edhe disa ngjarje gjatë vizitës që Raxhi bëri në Rusi atë vit, bënë që vizita e tij në Shqipëri të mbetej një dëshirë e parealizuar.

Për këngëtarin e mikun tonë Bejbatov, që ishte në njëfarë mënyre ndërmjetësi e “garanti“ i kësaj vizite, menjëherë pas takimit me aktorin, nisin peripecitë. Autoritetet sovjetike që u përkujdesen për komoditetin e këngëtarit gjatë vizitës që do t’i bënte miku indian, dhanë urdhër që të lironte vilën e të kthehej në banesën e tij të mëparshme. Bejbatovi e kundërshtoi këtë urdhër, duke kërcënuar me njoftimin që do t’i bënte Hrushovit (atë kohë Sekretar i Parë i PK të BRSS-së), kundërshtim që solli dhe anulimin e urdhrit, duke e lenë këngëtarin në vilë. Një refuzim tjetër që bëri këngëtari, i cili nuk pranoi të jepte koncert para një grupi fëmijësh, ftohu edhe më tej marrëdhëniet me autoritetet e shtetit të tij. Kështu që edhe vizita e Raxh Kapurit në vendit tonë mbeti peng i situatës e klimës politike që pasoi.

Pas kthimit në atdhe ju u ndodhët para një incidenti, si ai i Kanalit të Korfuzit, një mister ende i pazbardhur për 60 vjet? Çfarë theksohet në këtë dokument nga pala jonë?

Po e nis pa komente! Dokument: “Më 15 maj 1946 dy anije luftarake angleze lundronin në ujërat tona në afërsi të Sarandës, nuk respektojnë sinjalin e artilerisë bregdetare për largim, po provokojnë duke e detyruar këtë të fundit të hapë zjarr paralajmërues.

Më 22 tetor katër anije luftarake (2 kryqëzorë dhe 2 destrojerë), të ardhura nga porti i Korfuzit, dolën nga porti i Korfuzit, kaluan kanalin dhe morën drejtimin veriperëndim, duke kaluar në ujërat tona territoriale. Kur mbërritën në drejtim midis Kepit të Varesë (Sarande) dhe Kepit të Kasiopesë (Korfuzit), ranë në mina dy destrojerë të cilët u dëmtuan, pati dhe viktima në njerëz.“ (Nga dosja shqiptare në gjyqin e Hagës).

Si ndodhi ngjarja?

* Më 15 maj 1946 dy anije luftarake britanike, “Orion “dhe “Superb”, pa shenja dalluese, hynë në ujërat tona territoriale dhe po lundronin drejt Sarandës. Bateria e artilerisë bregdetare, mendoi se janë anije greke, ngaqë ato kishin bërë provokime të tilla (atëherë shkelja e ujërave territoriale quhej provokacion). Ata kishin bërë shumë provokime. Kështu, më 6 korrik 1945, hynë në ujërat tona, afër Qefalit, dy anije luftarake greke të cilat hapën zjarr me artileri kundër forcave tona bregdetare. Po atë ditë, rrëmbyen me forcë një qytetar shqiptar me gjithë varkën e tij dhe e çuan në Korfuz.

* Më 17 korrik të atij viti, tri anije luftarake greke qëlluan me mitraloz qendrën e banuar të Himarës, portet bregdetare dhe portin e Sarandës. Kanë vazhduar me tentativa për zbarkime të grupeve diversioniste etj. Në këto kushte artileria bregdetare hapi zjarr paralajmërues, duke qëlluar përreth anijeve. Atëherë anijet ngritën flamurët dhe u larguan në drejtim të Korfuzit (AMPJ, viti 1946, dosja nr. 25)

Nesër  do  të  lexoni:

– Alibia   dinake  e anglezëve për incidentin e Kanalit   të  Korfuzit

– Si  ranë në mina, dy destrojerët duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarë

– Dy incidente të njëpasnjëshme, i pari më 15 maj dhe i dyti më 22 tetor të vitit 1946, objekt i të njëjtës akuzë

– Porosia urgjente e Enver Hoxhës për  detarët në vazhdimësi: “Ruani gjakftohtësinë!”