Iu bllokuan mbi 1.5 milionë euro pasuri, kush është vlonjati i dënuar për prostitucion të vajzave të mitura

474
Sigal

U arrestua një vit më parë për llogari të Italisë, i sekuestrohen 1.5 milionë euro pasuri të paluajtshme. Maksim Merkaj u arrestua më 13 korrik 2018, pasi për të ishte lëshuar një urdhërkërkim ndërkombëtar.

Për 54-vjeçarin ende vijojnë procedurat për ekstradimin në vendin fqinj, ndërkohë që dje Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, zbatuan vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa objekte që rezultojnë në pronësi të tij në qytetin e Vlorës.

SEKUESTRIMI

Bëhet fjalë për bllokimin e pasurive me vlerë 1.5 milionë euro, pas dyshimeve për pastrim të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Në pronat e sekuestruara bëjnë pjesë 5 apartamente banimi, një vilë trekatëshe, një mjet lundrimi, anije peshkimi, si dhe katër automjete.

Masa e vendosjes së sekuestros preventive është kryer në kuadër të një procedimi penal të nisur prej vitit 2018 ndaj Maksim Merkaj, një person i dyshuar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”. Sipas Policisë së Vlorës, mësohet se vlera financiare e këtyre pasurive shkon në mbi 1.5 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë ende. Policia nuk ka dhënë shumë detaje mbi vendndodhjen e pasurive të sekuestruara.

“Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2018 ndaj shtetasit M.M., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.

Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 1.503.000 euro. Vijojnë veprimet e tjera procedurale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”, bëhet e ditur nga Policia.

ARRESTIMI

Maksim Merkaj është arrestuar rreth një vit më parë, më 18 korrik 2018, ndërsa për momentin ndodhet në paraburgimin e Vlorës, në pritje për t’u ekstraduar drejt shtetit italian. 54-vjeçari u arrestua në lagjen “10 korriku” të qytetit bregdetar, pasi rezultonte person i dënuar me 17 vite burg në Itali, nga të cilat i kanë mbetur dhe 14 vite të tjera për të kryer.

“Organizatë kriminale”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” janë akuzat për të cilat është dënuar Merkaj. Gjykata e Assizes në Venecia të Italisë e ka dënuar në datë 10 prill të vitit 2011 me 17 vite burgim për veprat e mësipërme penale.

Edhe pse ndalimi i tij ishte për llogari të shtetit italian, Policia e Vlorës konfirmon se Merkaj ndodhet ende në dhomat e paraburgimit në qytetin bregdetar të Vlorës në pritje të një vendimi për ekstradim.

Këto krime, Maksim Merkaj i ka kryer në Perugia dhe Veneto të Italisë gjatë vitit 1995, kur ndodhej emigrant në vendin fqinj, ku ndër të tjera është dënuar për pengmarrje, shfrytëzim prostitucioni të vajzave të mitura, si dhe për dhunë seksuale.