Mehmet Shehu: Si t’i përgjigjemi terrorit me terror. Sigurimi i Shtetit, tre lista për 22 ekzekutime

939
Sigal

Leonard Veizi

ARKIVA / Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike pas shpërthimit të bombës në Legatën Sovjetike në Tiranë. Raporti i ministrit të Brendshëm dhe masat që u morën

U desh shpërthimi i një bombe në një legatë të huaj, dhe pikërisht në atë të ish-Bashkimit Sovjetik, që shteti shqiptar i asaj kohe të shpërthente në një valë të egër spastrimesh. Viktimat e radhës ishin ata për të cilët mendohej se ishin kontingjent i politikës anti-staliniste, e cila po aplikohej gjerësisht nga Partia e Punës.

58 vjet mё parё, pikёrisht mbrёmjen e 19 shkurtit 1951, forca tё shumta policore, hetues e prokurorё mbёrritёn nё Legatёn Sovjetike të Tiranës, pas zhurmёs sё krijuar nga njё shpёrthim i fuqishёm nё brendёsi tё ambienteve tё saj. Dёmet nga ky shpërthim, pikërisht nё garazhdin e makinave tё Legatёs Sovjetike, nё rrugёn e Durrёsit, atje ku sot ndodhet Ministria e Arsimit, ishin tё papёrfillshme. Pёrveç disa xhamave tё thyer, nё pjesёn e pasme tё ndёrtesёs, ishte shtrembёruar edhe dera e jashtme e garazhdit, qepeni dhe shinat e saj. Vetёm kaq mjaftoi pёr ndёrmarrjen e kombinacioneve apo masave tё ashpra tё represionit ndaj kundёrshtarёve imagjinarё tё regjimit, mbёshtetur mbi tё dhёnat e Sigurimit tё Shtetit. Ngjarja u mor me shumё zell nga Tirana zyrtare. Menjëherë u mblodh plenumi i KQ-së dhe më 20 shkurt Byroja Politike e PPSH-së.

Shkelja e ligjeve

Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri ekspozenë e kësaj ngjarjeje dhe theksoi se “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. Mehmet Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse sipas tij, “edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”.

Përvoja nga vrasja e Bardhok Bibës

Me sa dukej, sa herë që e ndjente veten ngushtë, kupola drejtuese e Partisë së Punës i shkelte me të dyja këmbët ligjet që kishte miratuar po vetë. Këtë e vërtetoj dhe fjalë e ish- ministrit të Brendshëm të asaj kohe Mehmet Shehu, i cili vetëm dy vite më pas do të emërohej në krye të ekzekutivit. Ai thotë: “Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi”, citohet Mehmet Shehu nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të datës 20 shkurt 1951, vetëm pak orë nga shpërthimi i bombës enigmë në oborrin e brendshëm të Legatës Sovjetike në Tiranë. Me të gjitha masat e konsideruara si të marra, ishin dakord jo vetëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, por dhe vetë Enver Hoxha, i cili ishte dakord me spastrimin që do të bëhej nëpërmjet levave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike

Seanca e mbrëmjes e datës 20 shkurt dhe mbeten vetëm anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror

SHOKU KOMANDANT – Tani të shohim një propozim të Mehmetit në lidhje me masat që duhet të marrim për atë që na ngjau në Legatën Sovjetike

SHOKU MEHMET SHEHU – Çështja qëndron këtu. Mbrëmë në orën 7 e 47 minuta nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, penxheret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Me një herë kanë vajtur forcat për ndjekje, por nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje. Dyshimet tona rreth kësaj ngjarje janë se mund të jenë vazhda e një procesi, po pavarësisht në se është ndonjë nga ata që mendojmë ne apo jo ne duhet ta zbulojmë pa tjetër burimin dhe njerëzit e këtij atentati. Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, por një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht qe ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se këto masa që do të marrim duhet të jenë në një shkallë të tillë që elementi të përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj., sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 200 ose 250 vetë nga të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet që terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni dhe ju dakord veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke ju vënë nga njerëzit tanë për t’i shoqëruar. Pjesa kryesore e tyre do të armatosen, pastaj kemi menduar të vemë roje edhe në të gjitha objektet ku punojnë e banojnë këta, rrotull këtyre do të bë bëjmë pastrimin që të heqim familjet e dyshimta si dhe njerëz të tjerë që punojnë afër tyre, pse kemi vënë re që janë futur tek ata njerëz të poshtër dy shoferë jo të mirë. Këto masa mendojmë t’i marrim kudo ku ka sovjetikë që janë këtu rreth dyqind veta prej tyre. Do të marrim gjithashtu masa me këtë rast, pra dhe disa masa më të mira për mbrojtjen e legatave të demokracive popullore, të cilat sot për sot kanë vetëm një roje. Me gjithë se në këto masa do të bëhen edhe mjaft harxhime po ne do të bëjmë se janë masa të domosdoshme dhe duhet t’i marrim.

TË GJITHË ANËTARËT E BYROSË – (Një zëri) Të gjithë jemi dakord me këto masa.

SHOKU MEHMET SHEHU – Do të ishte mirë që ne si byro politike t’i bënim një telegram shokut Stalin ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe më mirë dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi.

TË GJITHË SHOKËT ANËTARË TË BYROSË POLITIKE – (Aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të shokut Mehmet Shehu).

SHOKU BEQIR BALLUKU – Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë ne duhet të gjejmë edhe një motivacion.

SHOKU MEHMET SHEHU – Këtë gjë e lidhim me atë që donin të bënin në 8 shkurt.

SHOKU KOMANDANT – Motivacioni të mos thuhet për atentat.

SHOKU MEHMET SHEHU – Për këtë gjë duhet të flitet pak edhe me Gjykatën dhe Prokurorinë Ushtarake.

(Mbyllet seanca e datës 20.2.1951)

Gjykimi rekord

Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të datës 20 shkurt 1951, shihet qartësisht se vendimi u mor në Byronë Politike, dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një masakër politike të bërë me vendim partiak. E vetmja gjë që u bë nga Sigurimi i Shtetit kishte të bënte me përzgjedhjen e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin. Nga listat e përgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata të cilët cilësoheshin “më të rrezikshmit” për momentin. Arrestimi, akuza dhe gjykimi u bë në një kohë rekord, ndërsa pushkatimi i 22 personave u krye më datë 26 shkurtit 1951, pra vetëm një javë nga dita e shpërthimit të bombës në oborrin e Legatës Sovjetike.

Agjenturat

Shehu: “Tradhtari Xoxe donte të kontrollonte Partinë”

Në pjesën e parë të letrës së tij “Tepër sekret” Ministri i Punëve të Brendshme, Gjenaral-leitnant Mehmet Shehu do të ritheksonte dhe një herë idenë se, jo Sigurimi i Shtetit, por Partia ishte mbi të gjitha organet drejtuese të jetës së Shqipërisë së atyre viteve. Ai u rikujton edhe një herë të gjithë drejtuesve të Degëve të Brendshme nëpër rrethe, se ishte pikërisht Ministria e Brendshme, e cila në vitin 1947 u bë organi më i rrezikshëm për strukturat partiake, duke u munduar t’i vendosi nën kontroll ato. Sipas Mehmet Shehut, në atë kohë ende me gradën e gjeneral-lejtnantit: “Trockistët jugosllavë dhe agjentët e tyre në vendin tonë, me tradhtarin Koçi Xoxe në krye, siç dihet, u munduan në të kaluarën që t’i vinin organet e Ministrisë së Brendshme nën kontrollin e tyre dhe ta vinin Ministrinë e Brendshme mbi partinë, me qëllim që të shkatërronin partinë tonë dhe pushtetin popullor”

Përgjunja shtetërore

Nuk ishte rasti i parë dhe as i fundit kur qeverisë shqiptare i duhej të servilosej përpara një fuqie të mëdha. Por në rastin konkret, përgjunja bëhej ndaj Bashkimit Sovjetik. Përveç shprehjes: “Qysh mbrëmë ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke ju vënë nga njerëzit tanë për t’i shoqëruar”, që në fund të fundit ishte një detyrim i shtetit shqiptar, ajo që të bën më shumë përshtypje janë fjalët e tjera të shqiptuara nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu: “Do të ishte mirë që ne si byro politike ti bënim një telegram shokut Stalin ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe më mirë dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi”. Të gjitha këto tregonin se në fund të fundit epoka e miqësisë me jugosllavet kishte përfunduar dhe miqësia me sovjetikët po konsolidohej gjithnjë e më shumë.

Histori e shkurtër. Si u ekzekutuan 22 të pafajshmit

Për çështjen e “bombës në Legatën Sovjetike”, Sigurimi i Shtetit hartoi tre lista me mё shumё se 100 vetё. Nё kёto lista ishin shkruar emrat e personave qё do tё arrestoheshin edhe shёnime biografie, aktiviteti para lufte dhe pas saj si dhe akuza qё mund t’ju bёhej. Nё krah tё emrit u ishin vendosur edhe kryqe blu, qё do tё thoshin se ata ishin tё piketuarit pёr t’u ekzekutuar. Nё tё trija listat ishin vёnё kryqe nё emrat e 23 personave, por tё ekzekutuar rezultojnё 22 tё tillё. Nё datat 20, 21 dhe 22 shkurt, 102 persona tё arrestuar u shoqёruan nё zyrat e sigurimit dhe u mbajtёn nё Burgun e Ri tё Tiranёs. Mё 25 shkurt prokurori ushtarak, Siri Çarçani hartoi akuzat pёr 22 personat e parё. Sipas akuzёs kёta persona ishin vёnё nё shёrbim tё spiunazheve tё huaja imperialiste, se ishin anёtarё tё njё organizate terroriste kishin bёrё propagandё pёr tё rrёzuar mё dhumё pushtetin popullor dhe se kishin hedhur parrulla pro shpёrthimit tё njё lufte tё re nga ana e imperialistёve. Nё dokumente thuhet se 22 vetё janё ekzekutuar duke u gdhirё 26 shkurti, ndёrsa vendimi u dha njё ditё mё pas ekzekutimit tё personave. Vendimi i ekzekutimit ёshtё firmosur nga kryetari i Gjykatёs sё Lartё Ushtarake, Shuaip Panariti, e anёtari Vangjel Kocani, ndёrsa nuk ёshtё firmosur nga Nonda Papuli dhe Hydaji Bejo.

Dosja

Si u veprua nga Gjykata e Lartë Ushtarake

Akuza e prokurorit ushtarak

1-Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste.
2-Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste.
3-Kanë propaganduar për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve.
Në dosjet e Gjykatës së Lartë së Republikës së Shqipërisë gjejmë vendimin nr.64 datë 27.02.1951 me këtë përmbajtje:
Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga:
Kryetar: N/kolonel – Shuaip Panariti;
anëtar: Kapiten I – Vangjel Kocani;
anëtar: Kapiten Nonda Papuli;
anëtar dhe sekretar gjyqi: Hidai Bejo,
pasi konstatoi se të 22 të pandehurit janë armiq të betuar të popullit e të pushtetit popullor, vendosi në bazë të ligjit 373 datë 11.12. 1946 dënimin e tyre më vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtës civile të përhershme dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.
Firmosur nga kyetari Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani.

Viktimat

1) Sabiha Kasimati
2) Pjerin Gurakuqi
3) Andon Delhysa
4) Zhydi Heri
5) Gafur Jegeni
6) Jonuz Kaceli
7) Manush Peshkepia
8) Mehmet Shkupi
9) Niko Laza
10) Lluka Rashkoviç
11) Haki Kodra
12) Reiz Selfo
13) Myftar Jegeni
14) Thoma Katundi
15) Hekuran Troka
16) Qemal Kasaruho
17) Tefik Shehu
18) Gjon Temali
19 Fadil Dizdari
20)Petro Komi
21) Pandeli Nova
22) Ali Qoraliu