Gjon Bruçi: 75-vjetori i rënies së heroit Vasil Shanto

1174
Sigal

T’u përcjellim brezave mesazhin e dëshmorëve!

Me rastin e 75-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit, Vasil Shanto

Me datën 1 Shkurt 2019 në Vrakë të Malësisë së Madhe u përkujtua 75-vjetori i rënies së Heroit të Popullit, Vasil Shanto. “Me veprën e tij heroike, – shkruan ish-Kryetari i PKSH, Hysni Milloshi, – si njëri ndër militantët më të shquar komunistë, e njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit më të lavdishëm të Partisë Komuniste, Vasil Shanto është ngjitur në lartësinë e një shkolle të edukimit e veprimit revolucionar, lartësi që janë të rrallë ata që e arrijnë”.

Po, kush është Vasil Shanto, që në tri dekada jetë (ku gjysma e këtyre viteve i përkasin adoleshencës), arriti të realizonte një veprimtari të dendur e të pashembullt revolucionare dhe të arrinte lartësinë e Heroi të Popullit, shkalla më e lartë e përkushtimit për Atdheun?

Është e pamundur që në një shkrim gazete të ezaurohet e gjithë jeta e tij aktive, ndaj duke iu kërkuar falje lexuesve, po evidentojmë disa nga momentet më kryesore, të cilat përcaktuan jetën dhe veprën e këtij Heroi, nga më të rrallët e më të lavdishmit të popullit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 17 gusht 1913, ku mori mësimet e para të fillores dhe dy vite të gjimnazit, të cilin e ndërpreu për arsye ekonomike. Në vitin 1929 shpërngulet familjarisht në Tiranë, ku vijon punën si furrtar, profesion që e kishte nisur qysh në Shkodër. Vetëm dy vjet më vonë, së bashku me Qemal Stafën organizohen në celulën komuniste të Tiranës, themeluesi i së cilës ishte militanti i njohur komunist, Ali Kelmendi.

Vasil Shanto do të ishte njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Fierit që nisi, më 17 gusht 1935, e që Ali Kelmendi e përshkruan “Pagëzimi i zjarrit dhe guri i provës!”

Jeta gati dhjetëvjeçare në krye të komunistëve të Tiranës e në kryesinë e Grupit komunist të Shkodrës, përbën kapitullin e parë të madh të këtij militanti të shkëlqyer komunist, e të këtij lajmëtari të së ardhmes.

Në vitin 1938 së bashku me 76 shokët e tij komunistë, arrestohet nga regjimi obskurantist i Zogut. Në gjyqin zogollian, Vasil Shanto do të deklaronte: “Jam i bindur se komunizmi duhet patjetër të ekzistojë në Shqipëri dhe këtë bindje e kam formue nga vuajtjet e klasës punëtore…”

Në vitin 1941 Vasil Shanto do të ishte njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës në themelimin e Partisë Komuniste. Për këtë moment, Enver Hoxha në librin e tij “Kur lindi Partia”, do të kujtonte:

“Një të diel, tek po shëtisja në një rrugë të Tiranës, një djalë më biçikletë u ndal në krahun tim, zbriti, më dha dorën, e duke më përshëndetur me emër më tha: “Jam Vasil Shanto”! “Të njoh, iu përgjigja”. “Bëjmë një copë rrugë dhe shkëmbejmë disa fjalë”, më propozoi Vasili. “S’kam kundërshtim”, i thashë dhe vijuam rrugën. Vasil Shanto, duke më vështruar me ata sytë e ëmbël ëndërrimtarë më tha: “Shoku Enver, kështu do të vazhdojmë ne, të zihemi e të grindemi . . . ?!”

Kështu nisi bashkëpunimi i madh mes Vasil Shantos e Enver Hoxhës me Qemal Stafën, Branko Kadinë, Vojo Kushin etj., bashkëpunim që çoi në Themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare.

Pas një seri aksionesh të PKSH në kryeqytet, me çetën Partizane të Pezës, në Elbasan etj., në marsin e vitit 1943 Vasil Shantos i besohet misioni i të deleguarit të Komitetit Qendror të PKSH për Qarkun e Shkodrës. Veprimtaria e Vasil Shantos në organizimin dhe udhëheqjen e LANÇ në këtë qark, shënon një përvojë të jashtëzakonshme. Bëmat si udhëheqës politik e ushtarak, si ilegal dhe kryeilegal, janë të panumërta. Nën drejtimin e Vasil Shantos, e pamundura bëhej e mundur, e pabesueshmja bëhej e besueshme. Enver Hoxha, duke e çmuar si njërin nga mbrojtësit dhe edukuesit e klasës punëtore dhe si njërin nga organizatorët më të shkëlqyer të LANÇ do të thoshte: “Vasil Shanto ishte atje ku e lypte detyra, në vendet më të rrezikshme, në betejat më të ashpra, në misionet më delikate”!

Plot 75 vjet nga dita e rënies së Heroit të Popullit, Vasil Shanto. Pasardhësit e veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, shoqëruar nga qytetarë të moshave të ndryshme nga Shkodra e Malësia e Madhe, bëjnë homazhe e vendosin lule pranë bustit të tij në Vrakë të Malësisë së Madhe, disa metra larg bregut të Liqenit, ku ai ra në përpjekje me forcat qeveritare të kohës së pushtimit nazifashsit. Busti i Vasil Shantos tërheq vëmendjen e të gjithëve. Ai dallohet nga bustet e Heronjve të tjerë për dy detaje të veçanta: Për vështrimin e tij, i cili shkon tej horizontit; dhe së dyti: Për armën në pozicion luftimi që ai e ka të fiksuar në dorë. Skulptori e ka ditur historinë e jetës dhe veprës së Vasil Shantos. Vasil Shanto ishte një komunist vizionar, veti kjo që i buronte nga shpirti proletar dhe mendja intelektuale. Nga ana tjetër, automatiku në dorë nuk personifikon vetëm aktin e tij të fundit, kur Heroi ra duke luftuar, por një fakt më domethënës. Automatiku në duart e Vasil Shantos personifikon Luftëtarin e Lirisë, Njeriun e Aksionit, Komunistin dhe Revolucionarin Profesionist.

Midis oratorëve të shumtë, në 75 vjetorin e rënies së Heroit, e mori fjalën edhe përfaqësuesi i Partisë Komuniste, i cili, midis të tjerave theksoi:

Në këtë 75 vjetor të rënies së Heroit Vasil Shanto, ne përkujtojmë jetën dhe aktin e tij heroik. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet t’u përcjellim brezave, jo thjeshtë historinë, por mbi të gjitha t’u përcjellim mesazhin që, Ai dhe gjithë Dëshmorët, na kanë transmetuar me aktin e tyre heroik. Ky mesazh është Liria dhe Pavarësia e Atdheut, të cilat duhet të ruhen me fanatizëm e me besnikëri të palëkundur.

Udhëheqësi i madh i Popullit shqiptar, Enver Hoxha, në prag të 40 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, duke përcjellë mesazhin e Dëshmorëve, do të na drejtohej ne qytetarëve me thirrjen – Amanet:

“Ta ruajmë si sytë e ballit gjithçka kemi arritur. T’u lëmë brezave një Shqipëri kurdoherë e më të fortë, kurdoherë të kuqe, si flaka e pashuar e zemrave dhe idealeve komuniste e partizane, një Shqipëri që të rrojë e të përparojë në shekuj”.

Këtë amanet, për fat të keq, ne nuk e mbajtëm. Tradhtia e pashembullt e fundviteve nëntëdhjetë, solli një skotë politikanësh të cilët, e kanë zhytur vendin në korrupsion moral, ekonomik dhe politik, çka ka vënë në udhëkryq fatet e popullit dhe të vendit. Mjafton të shikoni seancën më të fundit parlamentare, që të bindeni për këtë akuzë që unë po artikuloj..

Këta politikano-pushtetarë të shformuar, mendojnë se Ylli Komunist i Vasil Shantos dhe Dëshmorëve të tjerë është shuar, se idealet komuniste kanë vdekur, se nuk mund të ketë më kauzë të revolucionit e as “Diell alegorik” të Migjenit, por vetëm natë të zezë sterrë, si morali i tyre i degraduar, moral që i ka kthyer në bejlerë e skllavopronarë për të rrjepur punëtorin, fshatarin, intelektualin dhe shtresat e varfra të qytetit e të fshatit.

Por ata gabohen!

Gjaku i Dëshmorëve dhe i Heronjve si Vasil Shanto me shokë, nuk mund të humbasë. Vepra dhe akti i tyre heroik do të mbajnë ndezur në zemrat e shqiptarëve idealet komuniste e partizane, idealet që, në 29 nëntor të vitit 1944 na patën sjellë Lirinë e Pavarësinë e vërtetë, të cilat shqiptarët i përjetuan e i gëzuan për gjysmë shekulli të periudhës socialiste. Ajo kohë me siguri do të përsëritet, sepse është dhe mbetet koha e vërtetë e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Lavdi në shekuj Heroit të popullit Vasil Shanto!

                          Përgatiti: Gjon Bruçi