Luan Shmilli / Arkivat italiane për bandat shqiptare dhe krijimin e Ballit Kombëtar

576

Cila ishte politika italiane ndaj grupeve të armatosura shqiptare në periudhën që kap periudhën nga 1939 gjer më 8 shtator 1943

Në shtator 1940, pak më parë se të ndërhyhej në Greqi, karabinierët sinjalizuan një rritje të fortë të numrit të krimeve nga mos mbajtja e besës, për krimet e gjakut. Vrasja e Daut Hoxhës, lider i irredentizmit të Çamërisë, kishte polarizuar situatën. Ushtarakët italianë tregojnë se veprimet e grupeve shqiptare nuk ishin të njëzëshme dhe në dallim nga çështja greke, mund të dallohen tre drejtime të thella: I pari, i gjykuar minoritar, ishte me orientim në favor të Greqisë dhe nuk pranonte asnjë aksion kundër kësaj të fundit; një grup i dytë, që gjente konsensus të veçantë me anëtarët e fesë kristiane-ortodokse, favorizonte një zgjerim të territorit shqiptar; një i tretë, përhapur midis myslimanëve të Shqipërisë jugore, ishte i orientuar në një sens të fortë anti-grek. Në fazën e parë të sulmit kundër Greqisë, shfaqet papërgatitja e plotë italiane ku del në evidencë mangësia e ofensivës. Gjatë muajit nëntor 1940 vazhdojnë goditjet në kufirin jugor të Shqipërisë dhe grekët të përfshirë në zonën e Ersekës (midis Korçës dhe Gjirokastrës) vënë në vështirësi lidhjet me Armatën e XI. Në fillim të vitit 1941 Shqipëria jugore ishte bërë zonë lufte, me kufi zjarri mbi rrafshnaltën e Devollit gjer në gjysmën e rrugës ndërmjet Beratit dhe Elbasanit. Në këtë kohë përfshirja e elementëve shqiptarë me ushtrinë italiane shfaqet problematike.(….) Në fund të ’40 dhe pranverës ’41, formohen në pjesën lindore disa banda, që dezertonin nga fronti grek. Në këtë periudhë gjenden, sipas raporteve të vëzhguesve ushtarakë emrat e disa kapobandave, që në të ardhmen do të bëhen opozitarë kundër italianëve, Myslym Peza, Muharrem Bajraktari dhe Abaz Kupi. Kapot e këtyre formacioneve figurojnë të njohur që në kohën e Zogut. Kishin të qartë elementin nacionalist….

Rritja e lëvizjeve anti-italiane vjen dhe frenohet përkohësisht kur sulmohet Jugosllavia. Italianët nxisin nacionalizmin shqiptar dhe mbështesin fortë lëvizjen anti-serbe në Kosovë! Këtë herë shqiptarët rreshtohen fuqimisht në kauzën italiane. Pjesëmarrja e tyre ishte aq evidente sa që disa lider fashistë-midis tyre vet Giuseppe Bottai, entuziazmohen se më në fund italianët dhe shqiptarët gjetën “modus viventi” (mënyrë të jetuari) dhe rruga e përhapjes mund të rifillohej. Por, të nesërmen e kësaj zhdukje të Jugosllavisë, u shfaqën shumë probleme aq sa Mercalli urdhëroi të goditen ashpër bandat e Gani Begut dhe Muharrem Bajraktarit. Kjo sepse në verën e vitit 1942 pjesët lindore të Shqipërisë jepnin shenja të qarta kundërshtie. Mercali i shkruan Jakomonit se janë shfaqur akte “brigandazhi” duke atakuar karabinierët dhe trupat italiane në zonën e Korçës dhe më në jug, gjer në Gjirokastër. Italianët në fillim kishin shqetësimin për bandat nacionaliste, duke i nënvleftësuar bandat komuniste (Çetat-njësitet guerile). Leximi i raporteve ushtarake të pranverës 1942 evidenton një tendencë të vërtetë të minimizimit të kësaj lëvizje. Kjo sepse kishte mbështetëse elitën urbane, mbështetja e komunistëve ishin intelektualët, nëpunësit, studentët dhe ushtarakët. Italianët theksojnë se Hoxha (tanimë i zbuluar si drejtues i lëvizjes,) do të ishte shumë i zoti për aksione dhe sabotime, si për shembull ai i prerjes së linjave telefonike që entuziazmoi popullsinë dhe i rriti mbështetjen.

Duke parë ditarin historik të Komandës së Karabinierisë në Shqipëri kuptohen thellësisht lëvizjet dhe gjendja ndërmjet gjysmës së dytë të vitit 1942 dhe fillimit të ’43, sidomos në rrethet e Korçës dhe Beratit. Bota e bandave bëhet më komplekse në krahasim me vitin 1941, kur dalloheshin vetëm nga kryetarët e bandave me orientim atëherë nacionalist. Në distancën e një viti koloneli Carrai flet për dy lëvizje fillestare kundër italianëve: “Situata mbahet pak a shumë normale gjer në gjysmën e dytë të 1942. Në këtë periudhë marrin zhvillim të shpejtë dy lëvizje politike: nacionalistët dhe komunistët. Të parët me program për të dobësuar pozicionin e Italisë, të dytët, të ndihmuar nga fuqitë aleate me objektivin e goditjes dhe përzënies sa më parë të italianëve.

Të dyja lëvizjet kanë gjetur gjuhën e armëpushimit në Konferencën që është zhvilluar në afërsi të Tiranës, në shtator 1942, në të cilën është themeluar Lëvizja Nacional Çlirimtare, e kryesuar nga Mehdi Frashëri dhe përbërë në masën më të madhe nga komunistë dhe nacionalistë. Lëvizja hyn në kontradikta që në fillim, mbi të gjitha nga frika e nacionalistëve, të cilët shikonin me shqetësim rritjen e shpejtë të lëvizjes komuniste. Lëvizja nacionaliste ndahet edhe brenda vetes, me ata që duhet të luftonin edhe italianët edhe komunistët, të cilët ndihmoheshin nga amerikanët, anglezet dhe rusët. Lind kështu në nëntor Balli Kombëtar, në krye të të cilit u vendos Mehdi Frashëri, kushëri i Mediut. Spostimi progresiv i lëvizjes balliste në pozicione gjithnjë e më shumë ekstremiste, bëri që shumë eksponentë të bashkëpunojnë me gjermanët. Komunistët kishin organizim të përgjithshëm dhe ndihmoheshin me ushqime, veshmbathje dhe armatim nga populli dhe fuqitë e mëdha. Goditjet ndaj trupave italiane shpeshtohen dhe regjistrohet edhe “Masakra e Selenicës” në fund të marsit, në të cilën marrin pjesë 800 shqiptarë të armatosur në pritë kundër kolonel Giuseppino Riçi, i cili komandonte 122 karabinierë dhe disa ushtarë. Sapo i çarmatosën, menjëherë u pushkatuan nga partizanët të cilët morën rob edhe tre drejtues. Kolonelin Riçi, kapitenin Raffaele dhe një toger shqiptar. Pas transferimesh të ndryshme, Riçci dhe Rafaele u pushkatuan në fillim të korrikut në afërsi të fshatit Corrush. Tanimë janë afirmuar lëvizjet partizane me rritje numerike të pjesëmarrësve. Ibrahim Dervishi dhe Mehmet Shehu operonin në jug të Vlorës me disa mijëra efektivë. Bandat ndërkohe paraqisnin përhapje në veri të Greqisë, shpesh të organizuara nga oficerë. Që nga prilli ka ardhur njoftimi për një akord mes komandës së “Antardes” greke dhe bandave në Gjirokastër dhe Vlorë. Në disa raste italianët “blejnë” bandat e vërteta, zyrtarisht të njohura si nacionaliste. Dokumentet ushtarake konfirmojnë ekzistencën, në jug, të dy bandave formalisht inkuadruar dhe që vepronin në rrethinat e Vlorës: Ajo e Veli Qamit dhe ajo e Isa Toskës. E para kishte, në fund të majit, një kontingjent me 500 njerëz, dhe shërbente për të goditur çetat partizane që vepronin në zonë. Banda e Isa Toskës vinte dhe përdorej drejtpërdrejt nga autoritetet ushtarake për të goditur çetat, tashmë në maj rezultonte në punë duke u shtrirë në fshatra. E ashtuquajtura bandë gjithmonë e më shumë shfaqet si përgjegjëse për dhunën ndaj popullsisë, pushkatime, grabitje dhe shkatërrime. Një raport besimi, sekret, i drejtuar nga Lugotenenza në të cilën denoncoheshin mbrojtjet e dukshme nga zyrtarët superiorë italianë ndaj Isa Toskës, përfundon kështu: “Përfshirë nevojën e luftës por nderi i ushtarakut italian nuk mund të shoqërojë me vetpësim nga një kafshë vulgare, me duar të gjakosura, si është konsideruar nga të gjithë Isa Toska”. Kjo bandë bëhet shumë e rrezikshme duke u bërë objektiv prioritar i vendasve. Me 19 qershor autoritetet e Fierit, që prej kohësh u kërkonin autoriteteve shkrirjen e bandës, kishin organizuar vet një sulm të armatosur kundër tij. Rezultonin 65 banda. Me heqjen e bandave të quajtura “të rregullta” -ajo e Isa Toskës, Xhemal Hasanit në Dibër dhe ajo e Muhl Bajraktarit në rrethin e Shkodrës- të tjerat ishin banda “rebele” që luftonin kundër pushtetit. Në periudhën e mëvonshme të rënies së fashizmit, shikohet tentativa e fundit italiane për të pasur e drejtuar bandat. Më 12 korrik përfundon një cikël për të shkatërruar bandat partizane në zonën e Gjirokastrës me një bilanc 700 shqiptarë të vrarë dhe 39 nga forcat italiane; bombardimi i Përmetit solli shkatërrimin e 172 banesave.