Kroati Pejiç “dekoron” Skënderbeun

593
Sigal

“Ujqërit e dëborës” nuk kanë mëshirë, “shqyejnë” dhe Flamurtarin. Josa: “Ende s’e kemi fituar titullin”

Skënderbeu triumfoi 3-1 ndaj Flamurtarit (ndeshje e prapambetur e javës së 10-të), duke e rritur në + 7 pikë diferencën me Teutën e vendit të dytë, dhe u shpallur “kampion i dimrit”, kur duhen dhe dy javë nga përfundimi i fazës së parë. Kampionët në fuqi e zgjatën në 15 serinë e ndeshjeve pa humbje, ndërkohë që janë skuadra e vetme që nuk ka pësuar asnjë humbje në këtë edicion. Në një atmosferë elektrizuese në “Skënderbeu” (tërësisht i shitur) dhe në praninë e një zonë “Vip” të dorës së parë (presidenti i FSHF-së; kryebashkiaku i Korçës, Peleshi dhe ai Vlorës, Gjika, por dhe ish-presidenti Zeqo dhe ai aktual i Skënderbeut, Takaj), ishin vlonjatët ata që shënuan të parët, me anë të Gjergji Muzakës (8′), një ish-lojtar i Skënderbeut në dy sezonet e fundit. Pero Pejiç (një ish-lojtar i Flamurtarit) barazoi shifrat në minutën e 17-të, ndërkohë që një tjetër ish-kuqezi, Sebino Plaku (68′) i çoi shifrat në 2-1 në të mirë të korçarëve. Golin që fiksoi dhe rezultatin përfundimtar të sfidës së 106-të historike midis dy skuadrave e realizoi kroati Pero Pejiç (76′), që vulosi shifrat 3-1, fitoren e 35-të të korçarëve ndaj vlonjatëve, por dhe realizoi golin e tij të 10-të sezonal, duke qenë ai favoriti kryesor për “Këpucën e Artë”, e për t’u bërë lojtari i parë i huaj që e fiton këtë trofe ne Shqipëri. Sukses edhe i Mirel Josës, i cili pasi ka fituar titullin kampion me Tiranën (2003-2004), dhe mund të fitojë një tjetër trofe të rëndësishëm në karrierën e tij.

JOSA

Trajneri i Skënderbeut: “U ndeshën dy skuadra të ndërtuara për titull. Treguam se jemi më në formë, kemi vazhdimësi. Loja tregoi probleme, gjithsesi, sepse na rrëmbeu dëshira dhe nuk u orientuam si duhet në daljen shumë shpejt në sulm. U hapëm shumë në prapavijë dhe u goditëm në momentin e parë nga Flamurtari. Skuadra vlonjate ka futbollistë me shumë personaliet, megjithatë triumfoi besimi që kishim ne. Kemi krijuar një fizionomi loje, që po jep frytet e duhura. Në finalizim u treguam të mirë dhe të këqij. Shënuam tre gola, por kemi shpërdoruar edhe raste të tjera. Fatkeq dëmtimi i Lilajt, lojtar që i mungon skuadrës, megjithatë Skënderbeu është mësuar me të tilla probleme. I tillë është edhe rasti i Vrapit, që e ka nisur sezonin si zëvendësues dhe është bërë shumë përcaktues në mbrojtjen tonë. Nuk jemi shpallur ende kampionë, sepse kampionati është shumë i gjatë. Diferenca e krijuar prej nesh është e madhe, por kemi dy ndeshje të vështira përpara, si në Gjirokastër, ku synojmë pikë, edhe ndaj Kukësit për kupë.”

RUBIO

Trajneri i Flamurtarit, Hulian Rubio, tha pas ndeshjes: “Ndjehem si gjithnjë, siç jam pas çdo ndeshjeje. Si kur fiton, ashtu dhe kur humbet, duhet të dish ta pranosh. Sot (dje) fitoi lideri i kampionatit. Unë nuk mund të kritikoj ekipin, por as veten time në mënyrë publike, nuk e kam bërë asnjëherë këtë gjë. Këtë sezon një goditje standarde për ne ka qenë si një penallti kundër. 80 apo 90 për qind e golave që kemi pësuar kanë qenë nga goditje standarde. Kjo është diçka që rregullohet, por ne si të punojmë si të mos punojmë është diçka që po na ndodh vazhdimisht. Për momentin jemi 12 pikë nga lideri i kampionatit dhe normalisht jemi shumë larg. Ndaj ishte shumë e rëndësishme të mos pësonim humbje sot (dje) këtu dhe më e mira të fitonim. Por unë besoj se kushdo që e njeh mirë futbollin e di se sa shumë kemi luftuar dhe se sa shumë kemi punuar dhe me gjëra që i kemi pasur kundër. Kush i sheh i sheh dhe kush nuk do nuk i sheh. Mua më kontraktuan për të punuar tek Flamurtari, nuk kemi folur për objektiva të qarta për titullin. Rezultatet e punës sime janë të dukshme për atë që do të shohë, ndërsa këtu tek Flamurtari jemi munduar që ta mbyllim sa më mirë të ishte e mundur këtë fazë dhe më pas të ndryshojmë ca gjëra e të vazhdojmë luftën”

__________________________________________________________________________________

HAMDI SALIHI: “LAMTUMIRË, AMERIKË!”

Aventura e Hamdi Salihit mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur. Sulmuesi shqiptar nuk mundi të përshtatet dot me kampionatin amerikan dhe klubi uashingtonas, D.S. Junaitid, e ka nxjerrë në shitje dhe ka bërë të ditur se është në kërkim të një golashënuesi të ri. Në muajin shkurt të këtij viti, trajneri i D.S. Junaitid, Ben Olsen foli para drejtuesve të klubit se, kishte sjellë një golashënues të vërtetë, dhe nisur nga statistikat e Hamdi Salihit, ai deklaroi: “Ne mendojmë se e kemi gjetur atë’. Nëntë muaj më pas, teksa skuadra u eliminua në “play-off”, duke mbyllur dhe sezonin në futbollin amerikan, Olsen deklaroi se realizmet e Salihit nuk ishin ato që ai shpresonte prej tij. “Unë mendoj se, ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë sërish për një sulmues”, – tha Olsen për mediat amerikane. “Unë mendoj se, të gjithë sulmuesit na dhanë momente të mira këtë vit. Por, asnjë prej tyre nuk pati një vit të plotë, si nga ana e aktivizimeve ashtu dhe shënimit, por dhe nga këndvështrimi i produktivitetit”. I ardhur nga klubi austriak i Rapidit të Vjenës, për të cilin ai shënoi 53 gola gjatë tre viteve, Salihi u përpoq të gjente ritmin në vitin 2012, por ai shënoi vetëm gjashtë gola në 22 ndeshje (10 si titullar). Duke marrë në konsideratë faktin se, Salihi ishte lojtari i dytë më i paguar te Junaitid në vitin 2012 me një kompensim të garantuar prej 487 mijë e 460 dollarësh, duket jo e pëlqyeshme që klubi amerikan ta mbajë shqiptarin 28-vjeçar me rrogën aktuale. “Unë nuk kam asgjë tjetër në kokën time për momentin”, – tha Salihi për mediat, i cili është në kontratë me klubin amerikan dhe për vitin 2013. “Të ardhmen ju nuk e dini kurrë, pasi në këtë lloj biznezi, gjërat ndryshojnë çdo ditë, veçanërisht kur është periudha e transferimeve”.