Kur nëndetëset e FLD Shqiptare sundonin Mesdheun

1335
Sigal

Rrëfen Jovan Bizhyti: Propozimi në 1957 i Marshallit Zhukov, që gjiri I Pashalimanit të bëhej bazë luftarake. Ardhja në gushtin e 1958 e nëndetseve nga Balltiku në Adriatik. Ushtarakët madhor që e pritën nga Ohri,Kote, Gërbi,Shani, stërvitjet dhe reagimet e Flotës së 6-të amerikane

Jovan Bizhyti

 

Në tetor të vitit 1957, ish Ministri i Mbrojtjes i BS, Mareshalli Zhukov, vendosi që gjiri strategjik i Pashalimanit të bëhej bazë luftarake

KUR NËNDETËSET E FLD SHQIPTARE, LUNDRONIN NË  UËJRAT 

                   E ADRIATIKUT, JONIT DHE DERI NË MESDHEUN E LARGËT

Në gushtin e vitit 1958, erdhën nëndetëset nga baza e Kaliningradit në Balltik, pastaj në Vlorë

-Pritja u bë nga Xhemal Shani, Dashamir Ohri, Spiro Kote, Shyqyri Çukaj dhe Beqir Gërbi

 

                                                      (Mbresa dhe kujtime)

 

          

Historia e Flotës Luftarake Detare Shqiptare midis të tjerave, është e lidhur ngushtë dhe me Gjirin e Vlorës, me atë perlë të bukur, që njerëzit vazhdimisht e kanë parë dhe shijuar si mjedis të këndshëm turistik shlodhës e argëtues, pa e menduar shumë që ai në vetvete ka mbartur dhe shumë legjenda e histori luftërash e heroizmash, në mbrojtje të territoreve shqiptare.

Ky gji strategjik, ka strehuar anije peshkimi, tregtare e luftarake që nga antikiteti i lashtë, mesjeta e hershme dhe e vonë, të cilat kanë lënë gjurmë historike kryesisht të nënujshme. Ndërsa pushtimet e Perandorisë Osmane, strehuan aty një pjesë të flotës luftarake detare që kontrollonte Adriatikun, Jonin e deri në Mesdhe, nën komandën e një Pashai turk, që pas largimit në vite e shekuj, la pas emrin e tij. Kjo pjesë në thellësi të gjirit, e fshehur nën hijen e Karaburunit, quhet dhe sot e kësaj dite, “Pashaliman”, shqip, “Limani i Pashait”, ku liman do të thotë, “gji”, për strehim anijesh.

Së fundi, çlirimi i vendit nga pushtimi nazi-fashist, e gjeti Shqipërinë pa flotë detare luftarake. Edhe ato pak mjete të thjeshta e primitive, që kryenin  detyra mbrojtje e patrullimi në vijën bregdetare, u shkatërruan nga lufta. Në dhjetëvjeçarin e parë të pasluftës, me ndihmën e BS, aleati kryesor i Shqipërisë ato kohë, u hodhën bazat e para për krijimin e një flote luftarake me motoskafë me armatim të lehtë dhe më pas me disa mjete të vogla e të shpejta luftarake, që quheshin, “Katër-Silirues”, pas tyre dhe disa “Dragamina”, me të cilat Shqipëria në ato kohë siguronte ruajtjen e kufijve detar të saj.

Por Shqipëria e vogël në hapësirën bregdetare, kishte vende shumë strategjike për të zotëruar jo vetëm kufijtë detar të saj, por për gjithë hapësirën që përfshinë edhe detin Jon e më tej në Mesdhe. Dhe një nga këto pika strategjike ishte, Gjiri i Pashalimanit, një vend ideal strehimi, jo vetëm për ato pak anije luftarake që kishte Shqipëria ato kohë, por dhe për një flotë më madhe e më moderne.

 

Vendimi i Zhukovit

Kjo i tërhoqi vëmendjen aleatit të ngushtë që kishte Shqipëria në atë periudhë, Bashkimit Sovjetik. Në tetor të vitit 1957, erdhi për vizitë në Shqipëri, ish Ministri i Mbrojtjes i BS, Mareshalli i shquar i luftës së Dytë Botërore, G. K. Zhukov, ku midis të tjerave, u vendos që gjiri strategjik i Pashalimanit të kthehej në një bazë të fuqishme luftarake detare jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për aleatët e saj në vitet 50 e 60-të të shekullit që shkoi, siç ishte “Traktati i Varshavës”, Aleanca Ushtarake e vendeve të lindjes komuniste.

Ishte një ëndërr për ushtrinë shqiptare, e veçanërisht për armën e marinës luftarake, ngritja e një flote të madhe e moderne, që nga fundi i viteve 50-të u bë realitet me ardhjen e mjeteve detare luftarake me përmasa të mëdha dhe së fundi grupi i nëndetëseve me bazën përkatëse, që i dhanë emrin, “Flota Luftarake Detare (FLD) e Shqipërisë, me atë uniformën e bukur të marinarëve, me pelerinën ngjyrë deti mbi supe dhe shiritat e zinj në kapele shkruar me germa të argjenda, “Flota Luftarake Detare”.

Kush e ka mbajtur në trup atë uniformë të bukur dhe elegante dhe kush ka lundruar me ato mjete të shpejta e të sigurta në hapësirat detare të Adriatikut e Jonit, e kujton me krenari atë arritje madhështore të Flotës sonë Luftarake, e cila tregoi se specialistët e arsimuar ushtarak të armës detare dhe djemuria e atij brezi të shërbimit të detyrueshëm të mbrojtjes sonë detare, jo vetëm i dolën për zot përdorimit të asaj teknike moderne për kohën, por përvetësuan në një kohë rekord çdo post luftarak, veçanërisht nëndetëset, të cilat nisën të kryenin stërvitjet në ujërat e Adriatikut e Jonit, bile dhe deri më tej në Mesdheun e largët.

Gjiri i Pashalimanit, nga një strehëz e thjeshtë e mbrojtjes së anijeve peshkarexhe nga erërat e stuhishme detare, në vitet 1957-58, u kthye shpejtë në një port modern luftarak për ankorimin e mjeteve mbi dhe nën ujore të Flotës së Re Detare Shqiptare të porsa ngritur. Madhështinë e kësaj flote e plotësoi dhe ardhja e nëndetëseve në gushtin e vitit 1958, me lundrimin e tyre të gjatë nga baza e Kaliningradit në brigjet e Balltikut verior të BS, të udhëhequra nga baza e tyre lundruese, “Njemçinova”, që në Shqipëri mori emrin “Tomorri”, e drejtuar nga Admirali rus Jorgorov, i cili vite më vonë në betejat politike ruso-shqiptare, u personifikua me personazhin e “Zheliznovit” në filmin shqiptar të viteve 60-të, “Ballë për Ballë”, të shkrimtarit Ismail Kadare.

Pritja…

Në atë udhëtim të gjatë e të vështirë mbi 20 ditor, duke përshkuar edhe Oqeanin Atlantik me Gjirin e Biskajës, Gibraltarin e Detin Mesdhe, grupi i nëndetëseve mbërriti atë fund gushti të vitit 1958 në portin e përgatitur enkas të Pashalimanit. Në këtë lundrim të gjatë e të vështirë, krahas ekuipazheve sovjetike, ishin të pranishëm dhe komandantët e ardhshëm shqiptarë të nëndetseve, Kapiteni i Rangut të Parë, Xhemal Shani, që bë komandant i brigadës së nëndetëseve, si dhe komandantët Dashamir Ohri, Spiro Kote, Shyqyri Çukaj dhe Beqir Gërbi.

Ajo teknikë e re dhe e vështirë për efektivat shqiptare, u përvehtësua në një kohë rekord, në saj të vendosmërisë e përkushtimit, duke marrë në dorëzim postet dhe mjetet luftarake, që kohë pas kohe realizuan stërvitje me nivel të lartë luftarak. Një shëmbull të tillë tregoi ekuipazhi i nëndetses së dytë të brigadës së nëndetseve, me lundrimin e parë të saj të gjatë e të vështirë prej 21 ditësh në thellësi të ujrave të Adriatikut, Jonit dhe deri në Mesdhe. Ishte një stërvitje e vështirë për faktin, se i gjithë lundrimi dhe fazat e stërvitjes prej 21 ditësh u zhvilluan nën ujë me nivele të ndryshme thellësie, pa dal në sipërfaqen e ujit. Nëndetsja drejtohej nga Komandanti Toger Shezai Kasa, zv/komandanti Toger Skënder Doçi, inxhinjeri mekanik Toger Korab Mejdani e detarë të tjerë.

Ky lundrim u realizua në korrik të vitit 1959, pothuaj një vit pas ardhjes së kësaj teknike të re për flotën tonë luftarake. Lundrimi ishte i detyrueshëm për t’u realizuar në thellësi të ujërave detare, për shkak jo vetëm të kërkesave të stërvitjes në kushte lufte të vështirësive maksimale, por dhe të situatës që përjetonte vendi ynë në atmosferën e “luftës së ftohtë”, që zhvillohej midis dy kampeve kundërshtare dhe kur Flota  e 6-të Amerikane ishte e pranishme në ujërat e Detit Mesdhe.

Në këtë lundrim, ditën ecej në thellësinë e periskopit, ose siç quhet në gjuhën detare P.D.N.-së, për të vëzhguar çdo lëvizje në sipërfaqen mbi ujë, ndërsa natën lundrohej në thellësinë nga 70-120 metra dhe me një shpejtësi 4-4.5 nyje në orë, (një nyje baraz me 1852 metra). Në objektivin e kësaj stërvitjeje, vëzhgohej lëvizja e anijeve të peshkimit, tregtare apo dhe luftarake mbi sipërfaqen e ujit, ndërsa nënujë vëzhgoheshin lëvizjet e nëndetëseve kundërshtare. Vëzhgimet në sipërfaqe kryheshin me periskop, kurse ato nënujore me aparat Hidro-akustik, ku në komandën qendrore ishte dhe grupi i Timonierëve dhe busulla e drejtimit, komanduar nga komandanti Shezai Kasa. Në nëndetëse një rrol të rëndësishëm lozin dhe repartet e postet e tjera luftarake si: Elektro-shtrumani, siluristët, radistët, elektricistët, motoristët, hambaristët, bateristët, llokacioni e tjerë.

Vështirësia më e madhe që u ndesh ekuipazhi i kësaj nëndetëseje, ishte temperatura e lartë 40-45% në çdo post luftarak, për arsye se ndikonin shumë faktorë: ndikonte fakti që gjithçka ndodhte në izolim nënujë, ku mungonte ajri natyral, jo më pak ndikonte dhe nxehtësia e mjeteve motorike, nxehtësia që prodhonte reparti i baterive që vinte në lëvizje nëndetësen, po ashtu dhe frymëmarrja që prodhonte efektivi prej rreth 30 detarë të ekuipazhit të ndarë në postet e tyre luftarake, që krijonte një situatë të rëndë me temperatura të larta.

Kjo stërvitje, nuk kishte vetëm qëllimin e përgatitjes luftarake e teknike të ekuipazhit dhe përdorimin me funksion të plotë të gjithë nëndetses, por dhe zbatimin e situatave në kushte lufte, vëzhgimin dhe zbulimin e lëvizjeve të mjeteve detare të armikut dhe në fund asgjësimin e tyre, sigurisht në aspekt stërvitjeje në mësim tregues. Të gjitha këto, ekuipazhi oficerë e detarë i realizuan me sukses.

Pas 21 ditësh e netësh lundrimi në thellësi të ujerave të Jonit e Mesdheut, pa parë në asnjë rast dritën e diellit, nëndetësja u kthye krenare në bazë në portin e Pashalimanit, ku u pritë në mënyrë festive nga drejtuesit dhe detarët e brigadës së nëndetëseve, si dhe drejtuesit e komandës së Flotës Luftarake të asaj kohe, me në krye Kondra-Admiralin Teme Sejko, Komandant i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë.

Pas atij lundrimi të gjatë e të vështirë, çdo pjesëtar i ekuipazhit kish rënë në peshë 10-15 kg. si rezultat i mungesës së dritës natyrale të diellit e ajrit të atmosferës, përdorimit të ajrit të kondensionuar, si dhe temperaturave të larta, që shkaktonin djersitje të madhe trupore. Edhe pamja e syve nuk ambientohej lehtë me dritën e zakonshme të diellit përvëlues të korrikut, jo më pak kërkonte përshtatje dhe frymëmarrja me ajrin e pastër por të ngrohtë të atmosferës, përzier me freskinë që depërtonte nga gryka e Llogorasë. Të gjitha këto vështirësi, detarët i kaluan me sukses, në saj të moshës rinore, por dhe angazhimit dhe vullnetit për t’i shërbyer me devotshmëri Atdheut të tyre.

Brigada e nëndetëseve përbënte atë kohë armën dhe teknikën më moderne të Flotës sonë Luftarake Detare dhe kjo detyrë sa e rëndë dhe e vështirë, kërkonte angazhim e sakrifica maksimale, për të cilat ekuipazhet përkatëse me komandantët e tyre në krye, i realizuan me sukses. U shquan mjaftë nga këta kuadro drejtues të arsimuar në shkollat ushtarake detare në Baku, Sevastopul dhe Shën Petërsburg të BS. Të tillë ishin: Xhemal Shani, Stavri Çika, Dashamir Ohri, Muharrem Lulolli, Shezai Kasa, Spiro Kote, Shyqyri Çuko, Beqir Gërbi, Skënder Doçi, Aleko Pojani, Petrit Myftiu e shumë të tjerë.

Flota Luftarake Detare, përveç brigadës së nëndetëseve në Portin e Pashalimanit, me bazën lundruese të përmasave të mëdha, “Tomorri”, me Komandant Stavri Çika, kishte dhe brigadën e anijeve luftarake mbi ujëse të ishullit të Sazanit, me “Gjuajtësat luftarak”, “Dragaminat” dhe “Katër-Siliruesat” e shpejtësisë së lartë, po ashtu dhe detashmenti i anijeve ndihmëse mbiujëse siç ishin: anija e “Dragës”, që thelloi portin e Pashalimanit me komandant Izet Velçani, anija e “Çmagnetizueses”, që shkarkonte nëndetëset dhe anijet e tjera luftarake nga ngarkesat elektriktro-magnetike kundër fushave të minave detare, me komandant Xhevit Selimullari, anija “Çisternë”, që furnizonte anijet luftarake me ujë e karburant me emrin, “Linda”, “Rimorkjatori” me fuqi të madhe tërheqëse, me komandant detarin e vjetër, Dulla, anijet e vogla “Hidrografike”, “Polumbarja” me grupin e polumbarëve, e shumë e shumë anije të tjera ndihmëse.

Garanci për ruajtjen…  

E gjithë ajo flotë luftarake, ishte një garanci për ruajtjen e kufijve detar të Shqipërisë, sigurisht e mbështetur dhe nga një artileri e fuqishme bregdetare e instaluar në pikat më dominante të bregdetit, në ato kushte izolimi e rrethimi që përjetonte Shqipëria komuniste, shto këtu dhe klimën e nderë të presionit që krijonte “lufta e ftohtë” midis dy kampeve rivale botërore.

Është për të ardhur keq, që pas dy-tre dekadave arritjesh e suksesesh, shumë nga ato mjete detare të rëndësishme të asaj flote, duke përfshirë dhe nëndetëset, pas një amortizimi të gjatë pune, arritën që vit pas viti të dalin jashtë funksionit, duke përfunduar në skrap! Nga nëndetëset ka mbetur vetëm skeleti i njërës prej tyre me numrin 105, që ruhet si relike në kujtim të historisë të asaj kohe, ku shpesh thuhet: “Kishim njëherë një flotë luftarake detare shqiptare të madhe dhe moderne, që ka lënë pas nostalgjinë dhe krenarinë e asaj kohe, kur nëndetëset e saj lundronin në ujërat e Adriatikut, Jonit e deri në Mesdheun e largët”.