Kujtimet e Xhemil Çelit: Si u hap dega e Zbulimit në Shkollën e Bashkuar

575
Sigal

Kujtimet e ish oficerit të lartë Xhemil Çeli: Isha vetëm 15 vjeç kur u paraqita për shkollën e oficerave, kur mosha minimale e kursantit të ri ishte 17 vjeç

  • -Petrit Dume: Duhet të kthehesh prapë në shkollën “Skënderbej”, të hashë akoma një “kazan me pilaf” dhe pastaj të vish këtu
  • -Urdhri i Petrit Dumes: Asnjë skënderbegas nuk do të caktosh në sektorin politik, por vetëm në këmbësori.
  • -Si fillova studimet për Zbulim në degën e gjuhës italiane
  • – Shteti përkujdesej shumë për 24 zbuluesit e ardhshëm shqiptarë
  • – Si na futën papritur lëndën e parashutizmit në program
  • – Me rastin e 10 korrikut 1953, u realizua hedhja e 300 studentëve me parashutë

Tre vjet studime në Shkollën e Bashkuar të oficerëve “ENVER HOXHA”

Në SHBO “Enver Hoxha” vazhdova studimet ushtarake për tre vjet. Në dy vitet e para për t’u titulluar oficer dhe në vitin e tretë (janar – tetor 1955) për të përfunduar kursin e lartë për kuadër zbulimi në shtab batalioni e brigade.

Për kuadër zbulimi ushtarak në SHBO “Enver Hoxha”

Ish UNÇSH, që gjatë luftës u fut në rrugën e një ushtrie të rregullt. Kuadrot e saj i kishte kryesisht të dala nga fusha e luftës. Kongresi ANÇ në Përmet (24 maj 1944), vendosi gradat ushtarake në ish ushtrinë partizane. Në këtë mënyrë u krijua edhe korpusi i kuadrove. Në vitet e para të pas luftës, në mënyrë që edhe ushtria shqiptare të ecte në rrugën e modernizimit, lindi nevoja e përgatitjes e kualifikimit profesional ushtarak të kuadrove. Përvoja e luftës përbënte një bazë njohurish e sidomos të praktikës së zhvillimit të veprimeve luftarake. Por ushtria po modernizohej në pamjen e organizimit, të pajisjes me teknikë e armatim luftarak. Ndaj dhe ajo duhej stërvitur e përgatitur me koncepte e kërkesa të luftës bashkëkohore. Në këto kushte, fillimisht u mendua dhe u dhanë rrugëzgjidhje të shpejta kualifikimit të kuadrove të dala nga lufta nëpërmjet kurseve e shkollave ushtarake. SHBO u krijua fillimisht me vendim të Qeverisë provizore shqiptare në qytetin e Beratit, më 8 nëntor 1944, si kurs i ulët përgatitor për kuadrot ushtarake. Në janar 1945 kursi u çvendos në Tiranë dhe më 8.11.1949 ju dha emri Shkolla e Bashkuar e Oficerave “Enver Hoxha”, me afat kohor dy vjeçar. Në vitin 1972 kaloi në programin tre vjeçar duke u ekuivalentuar me arsimin e përgjithshëm gjysëm të lartë. Përgatiste kuadro për të gjitha llojet e armëve e shërbimeve të Forcave Tokësore. Kështu ajo plotësonte të gjitha nevojat me kuadro të reja të shkallës së ulët të komandimit (togë-kompani). Ndryshe nga shkollat e arsimit të përgjithshëm, pra edhe nga shkolla “Skënderbej”, SHBO, ashtu si edhe ushtria, vitin mësimor e fillonte në janar të çdo viti dhe e përfundonte në nëntor të po atij viti.

Me paraqitjen në Shkollën e Bashkuar ne, skënderbegasit e sapoardhur aty, gjatë gjithë muajit dhjetor, u morëm me njohjen e rregulloreve dhe të rregullave në shkollë. Gjithashtu me rregullimin e mjedisit apo të poligoneve të përgatitjes taktike, fizike, të zjarrit etj. Ardhja në SHBO shoqërohej edhe me degën që do të caktohej për secilin. Madje kjo ishte bisedë e ditës mes kursantëve të ardhshëm. Në fakt unë, nisur nga ajo që ne erdhëm në këtë shkollë jo si zakonisht dhe sa na la të kuptonim komisar Xhemali se dërgoheshim me prorosi të veçantë, por edhe nga ndonjë thashethem, më shumë mendoja se specialiteti im do të ishte paracaktuar nga lart.

 

Në fund të muajit dhjetor gjithë efektivi i vitit të parë kaloi në komisionin mjekësor-ushtarak. Kryetar i këtij komisioni ishte major Nikollaq Sallabanda dhe si mjek doktori i mirënjohur Papavrami. Kur më erdhi mua radha, në komision mbërriti edhe gjeneral Petrit Dume. Ne, skënderbegasit, sa e donim aq edhe i trembeshim atij. Ishte edhe i dashur e i afruar me skënderbegasit, por edhe i rreptë. Pasi dëgjuan përgjigjet për pyetjet e para që kishin të bënin me gjeneralitetet, kryetarit nuk ju besua datëlindja ime. Isha vetëm 15 vjeç, kur mosha minimale e kursantit të ri ishte 18 vjeç, me ndonjë përjashtim edhe 17 vjeç. Ndaj Petrit Dume, duke iu marrë goja, një cilësi e njohur e tij, më pyeti:

– Vërtet je 15 vjeç apo të kanë regjistruar prindërit gabim në gjendjen civile?

– Aq jam realisht shoku gjeneral, – ju përgjigja duke u kthyer nga ai e me qëndrimin gatitu, gjithë seriozitet.

– Epo ti djalë i mirë duhet të kthehesh prapë në shkollën “Skënderbej”, të hashë akoma një “kazan me pilaf” dhe pastaj të vish këtu, se SHBO nuk lëviz nga vendi, – shtoi gjenerali me një buzëqeshje të lehtë në buzë e duke rrotulluar sytë që m’u dukën si “filxha”, sikurse thuhej nga anët tona.

– Kam ardhur nga ajo shkollë me urdhërin tuaj personal që të vazhdoj studimet ushtarake në Shkollën e Bashkuar, – ju përgjigja gjithë siguri.

– Po ti je akoma i vogël more shejtan, nuk përballon dot ngarkesën fizike të kësaj shkolle!

U hutova në përgjigjen time. Por më nxorri nga sikleti kryetari i komisonit me pyetjen e radhës për specialitetin që dëshiroja. Nuk mund të deklaroja aty se përse kisha vërtet dëshirë, më saktë për sa kisha dëgjuar nën zë apo nënkuptuar.

– Në sektorin politik, -ju përgjigja pyetjes së major Nikollaqit.

– Dëgjo, maaajor Sallabanda, – ndërhyri Petrit Dumja, sikur ta kishte “zënë gjarpëri” e duke ju marrë goja, – asnjë skënderbegas nuk do të caktosh në sektorin politik, por vetëm në këmbësori.

Menjëherë fillova të hamendësoj për një specialitet tjetër. Këmbësorinë e kisha të fundit në përparësitë e mia. Natyrisht, sikurse do të gjykoja më vonë, P. Dume dinte më shumë e mendonte më mirë se sa ne për karrierën ushtarake. Ne gjykonim nga jashtë, nga të thënat edhe pse kishte të bënte me të ardhmen tonë. Ndërhyrja e tij, vuri në siklet edhe komisionin, duke shkaktuar një farë pauze.

– Ç’specialitet tjetër mendon, – theu heshtjen kryetari i Komisionit

– Në artileri, – u përgjigja unë, tashmë sikur të isha zënë në faj.

– Po ku ke fuqi ti të ngresh kofshët e topit, – pyeti tashmë me buzëqeshje e disi ironizuese Petrit Dumja.

 

– Ku mendon tjetër, – pyeti sërish Sallabanda.

– Ndërlidhje, shqiptova, gjithnjë me një farë bindje se, pavarësisht kërkesave që parashtroja, do të isha në togën e zbulimit apo të gjuhëve të huaja. Më kontrolloi edhe mjeku dhe më thanë të delja jashtë.

– Major Sallabanda, – përsëriti gjenerali duke dalë edhe ai, – asnjë skënderbegas të mos caktohet në sektorin politik, por të gjithë të caktohen vetëm në këmbësori.

Pasi mbarova me komisionin, prisja te dera daljen e major Nikollaqit. Kur doli i thashë se nuk do të shkoja më në shkollën “Skënderbej”, në të kundërt, në se nuk më mbanin në këtë shkollë, do të ikja në familje. Mua, si dhe shokëve të tjerë, vërtet na kishte ardhur keq që u larguam aq befasisht, e unë, sikurse mendoja realisht edhe shumë parakohe nga ajo shkollë. Por tashmë më dukej se kisha nisur vërtet rrugën e karrierës ushtarake dhe nuk mund të kishte kthim mbrapa. Madje, edhe pse disi në mënyrë të mekur e jo me besim te vetja, kisha filluar të thurja ëndërra për t’u titulluar oficer e për të filluar jetën si kuadër ushtarak.

Zbulues në togën e Gjuhëve të Huaja

Në ditët e para të janarit 1953, u ndanë edhe specialitetet e shumpëritura e të shumëpërfolura për kursantët e vitit të parë. Gjithë efektivi i shkollës (të dy vitet) qëndronte i rreshtuar në sheshin qendror. Emrat e togës së Zbulimit (apo të gjuhëve të huaja – sikurse thirrej shpesh), specialitet i hapur për herë të parë në SHBO, u lexuan në fund. Toga përbëhej nga 24 kursantë. Për këtë togë gjuha ruse kaloi si gjuhë e dytë. Brenda togës efektivi i saj ishte ndarë në katër skuadra me nga 6 veta. Efektiv i skuadrave, do të mësonte njerën nga gjuhët: gjuhët angleze, italiane, sërbokroate dhe greke. Gjuha angleze, sikurse tregonte përbërja e grupeve, ishte “pronë” e atyre që ishin më të mëdhenj në moshë e veçanërisht që kishin kaluar në klasën e dytë gjimnaz që nga shkolla “Skënderbej”. Mua, së bashku me Skënder Çelën nga Petrela, Sulejman Karain nga Mati, Ferhat Turanin nga Përmeti, Tahir Tahirin nga Dragoti i Tepelenës dhe Hasan Mehjen nga Elbasani, na caktuan në grupin e gjuhës italiane. Unë isha tepër i kënaqur për shansin që më ra. Shokët e mi tepelenas, Myzafer Bonën bashkë me Lumo Shehun, i caktuan në grupin e greqishtes. Më të dëshpëruar, madje duke bërë edhe përçapje për të ndërruar gjuhën, ishin ata të grupeve të greqishtes e sërbokroatishtes. Gjithsesi nuk u bë asnjë ndryshim nga ndarja fillestare.

Vetë emërtimi, si togë e gjuhëve të huaja, për më tepër që kështu flitej nën zë, e bënte atë shumë tërheqëse dhe enigmatike për gjithë kolektivin e shkollës e madje edhe për personelin ushtarak komandues, pedagogë ushtarakë e civilë. Mësonim gjuhët e shteteve që na rrethonin si dhe anglishten, si gjuhë kryesore në Perëndim. Në atë kohë shteti ynë kishte lidhje të mira me Lindjen. Toga e jonë u përfshi në batalionin e specialiteteve, në kompaninë e përzier. Komandant batalioni ishte toger Tonin Kraja dhe zëvendës për punë politike kapiten Nuni Riza, i cili, pas disa muajsh, u dërgua për studime në ish BRSS. U zëvendësua nga kapiteni i parë Yzedin Bimo, i posa kthyer nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Komandant kompanie kishim toger Dhimitër Dukën, tepër dinamik, kurajoz, njëri që nuk hapte rrugë lehtë të tjerëve. Edhe pse i rreptë në kërkesë e sjellje, ai ishte në tërësi i drejtë. Zëvendësi për punë politike, nëntoger Selim Pira, një djalë me trup të shkurtër nga Dibra, nuk dallohej për ndonjë intelekt të veçantë. Por me atë dialektin dibran që ende nuk e kishte thyer, ishte tip masoviku dhe tërheqës. I veçantë ishte komandanti i togës, aspirant Todi Koçi. Në fakt ai, duke qenë sportist i gjithanshëm a shumëgarësh, të shumtën e vitit mësimor e kalonte i grumbulluar pranë klubit “Partizani” (rreth 8-10 muaj në vit). Me ne, togën që komandonte, ai qëndronte vetëm 2-3 muaj. Më shumë vinte në kohën e lirë. Krahas interesimit për mbarëvajtjen tonë në mësime, më tepër e mes nesh, tregonte histori të këndshme, kryesisht nga jeta e tij personale. Me shokët më të rritur në togë, veçmas, tregonte edhe ngjarje dashurie deri edhe te martesa e vet. Kishte art në të treguar dhe të bënte për vete. Pavarësisht se përsëriste gjërat, e ndiqnim me dëshirë. Komandanti im i skuadrës ishte tepelenasi Myzafer Bonaj. Zëvendëskomadant toge u caktua Sadri Sokoli, sikurse e morëm vesh më pas, nip i gjeneral Sadik Bekteshit.

Në tërësi kuadrot e batalionit e më gjerë, në qëndrimin ndaj togës tonë, tregoheshin të vëmendshëm, të respektueshëm. Ndryshe nga sa e si silleshin me togat e tjera, me ne ishin tepër të njerëzishëm. Edhe pse e vlerësonim këtë qëndrim dashamirës, ajo nuk kishte të bënte aspak me përkujdesje mëshire. Ishte rezultat i sjelljes dhe i zbatimit rigoroz të disiplinës ushtarake por edhe të programit mësimor, në radhë të parë nga ana jonë. Kur do të na njihnin më nga afër, të njëjtin qëndrim do të mbanin edhe komanda e shkollës si dhe kuadrot e larta të Ministrisë.

 

Ne, si togë, nuk përfitonim nga qëndrimi i tyre dashamirës.

Tregoheshim shumë korrekt në marrëdhëniet epror-vartës. Kjo bënte që edhe eprorët të na vlerësonin realisht dhe të mbanin të njëjtin qëndrim me ne gjatë dy viteve të studimit. Duke qenë të formuar me jetën ushtarake, kuptohet për aq sa na kishte dhënë shkolla “Skënderbej”, në raport me kursantët e ardhur nga jeta civile, për ne ishin të qarta kufijtë në linjën e komandës, por edhe ato njerëzore e prej këtej ato të njohjes e të respektimit të ndërsjelltë, pa cënuar njeri tjetrin.

Toga e zbulimit krijoi një profil të veçantë pozitiv në shkollë. Që në pamjen e jashtme, pra në lëvizjen me rresht e hap rreshtor në territorin e shkollës, por edhe me këngë rreshtore, ajo njihej e ndjehej që nga larg. Këndonim këngë rreshtore kryesisht në shqip, por edhe në disa gjuhë të huaja. Jo më pak se tre parada ushtarake të bëra deri në atë kohë nga shkolla “Skënderbej”, ashtu si dhe jeta e përditshme aty, mjaftonin që toga jonë, qysh nga fillimet, të dallohej për lëvizjet e organizuara në mjediset e shkollës. U bë shumë e njohur deri në Shtabin e Përgjithshëm. Natyrisht përvehtësimi i programit studimor pa diskutim, që ishte përkujdesja themelore e të 24 zbuluesve të ardhshëm. Orët e gjuhëve të huaja zinin kohën kryesore në program, por edhe në studim. Po kështu taktika e këmbësorisë ku përfshisheshin edhe temat e zbulimit me trupa, përgatitja e zjarit dhe qitja me pushkë, apo përgatitja fizike e përgjithshme dhe në veglat gjimnastikore, përgatitja rreshtore ishin drejtime të rëndësishme të përgatitjes tonë ushtarake.

Ishte e natyrshme që ne si kursantë të mendonim për të ardhmen tonë të afërt pas përfundimit të studimeve dy vjeçare, apo edhe të gjithë karrierës sonë të ardhme ushtarake. Futja për herë të parë e gjuhëve të huaja në togën e zbulimit, nga të gjithë shikohej si diçka intriguese. Por për vet neve edhe shkak i hamendësimeve të shumta për ardhmërinë tonë si zbuluesa. Mes tyre e për shkak të gjuhës së huaj, pa përjashtuar karrierën e afërt në trupat e zbulimit, mendohej se ne mund të dërgoheshim edhe nëpër ambasada me detyra të posaçme zbulimi. Kjo përbënte edhe një nga shkaqet që jo pak veta ta shikonin disi edhe me zili togën e zbulimit. Madje edhe oficera komandues në shkollë.

Por shpejt mendimet do të na pështjelloheshin.

Diku në mes të programit togës tonë ju fut pa pritmas, të paktën për neve, lënda e parashutizmit. Nuk mund të thuhet në se ishte në programet vjetore apo u shtua rishtas. Për këtë edhe pse nuk ishte pa ndikime të brendshme, nuk u interesova kurrë. Fakti se do të bënin këtë përgatitje, shpejt vuri në diskutim apo te ndokush edhe shëmbi ëndërrat rinore tonat për karrierën e ardhshme. Kërkush nuk i jepte dot shpjegim përse do ta bënim këtë lëndë. Por ne, të zhytur në këtë mugëtirë, nisur nga ndjenja e konspiracionit që ishte e fortë, apo edhe nga sedra se mos mendonim se ishim trembur, të paktën sipas meje, nuk pyesnim njeri. Nisur nga literatura që lexonim, apo edhe nga ndonjë film që kishim parë, fantazia jonë, pse jo vetëm imja, shkonte deri aty sa të mendoja se përgatiteshim edhe për t’u hedhur ilegalisht me parashutë në ato shtete, ashtu sikurse edhe ato dërgonin diversantë e zbulues të tyre, nga kontigjenti i shqiptarëve të arratisur në mbarim të luftës. Këtë mendim më shumë e ndrydhja brenda vetes. Nuk e mohoj se lënda e parashutizmit na krijonte një imazh të ri për ardhmërinë në karrierën ushtarake, ndoshta edhe me plot rreziqe të mundshme për jetën. Pra, larg pasionit fillestar që mendonim për t’u punësuar në ambasadat tona jashtë shtetit, apo edhe detyrat në zbulimin me trupa. Megjithatë, si edhe shokët e tjerë, edhe unë vlerësoja se deri sa i ishim futur profesionit të zbuluesit, profesion që në kompleksitetin e tij më shumë e hamendësonim se sa e njihnim realisht të ardhmen tonë në të e në ato fillime, pa tjetër që duhej çuar deri në fund. Unë, nuk e fsheh se, krahas perspektivës së karrierës që tashmë po më hallkatej në mendje, ndjeja frikë edhe nga vet hedhja me parashutë, si akt hedhjeje nga aeroplani, që do të kryenim në fund të programit.

Sipas kohës së programuar bëmë gjithsej dy javë përgatitje parashutiste në aerodromin e Tiranës, pranë Laprakës, nën drejtimin e pedagogut të lëndës major Shabanit. Majori atë vit, me rastin e 10 korrikut 1953, plotësoi hedhjen e 300 me parashutë dhe mori titulli “Mjeshtës Sporti”. Në përfundim të trajnimit, sipas rregullave të sigurisë, në prani të pedagogut, paketuam secili e karshi firmës parashutat personale. Madje bëmë edhe nga një fluturim prove apo ambientimi me mënyrën e hedhjes nga aeroplanët “Po-2” (dopio krahë) mbi qytetin e Tiranës. Aktin përfundimtar të hedhjes me parashutë nuk e kryem. Sikurse na thanë nuk kishte mjet transporti për të na çuar në Qytetin “Stalin” (Kuçovë)! Pavarësisht ndrojtjes që kishte në disa prej nesh, në fakt na erdhi vërtet keq që nuk na u dha mundësia të mposhtnim në praktikë frikën që ndjenim kur mendonim hedhjen me parashutë. Por si të rinj që ishim, mbi e tej frikës, donim të kishim edhe diçka mbi të tjerët profesionalisht, pra edhe hedhjen me parashutë. Madje kjo si diçka e rrallë, shumë e rrallë në vendin tonë. Dukej se mosha e pranonte edhe aventurën që shoqërohet nga të papriturat e pasiguria e jo më diçka që ishte e përgatitur, sikurse qe parashutizmi. Hedhja me parashutë mbeti thjesht një endërr edhe pse e rrethuar me mëdyshjet e mia.

Si togë ishim tepër kompakt në qëndrim e veprim. Në territorin e shkollës lëviznim me rresht, me hap rreshtor e me këngë rreshtore. Në pamjen e jashtme, me këto veprime, ne kishim tërhequr vëmëndjen e të gjithëve. Këngët i kishim të shumta, si repertor dhe në disa gjuhë të huaja. Dy shokë ishin edhe solistat e togës. Njeri, madje më i miri për të kënduar, ishte Hasan Mehja. Por pas nuk mbetej as Osman Osmani. Më tepër këndonim këngë partizane. Zërat i kishim shumë të harmonizuar. Po kështu me hapin rreshtor. Nami i togës kishte dalë jashtë mureve të shkollës.

Në shkollë kishte ardhur ekipi i MMP për kontroll. E drejtonte Petrit Dume. Një ditë prej ditësh ai, në kohën e gjimnastikës së mëngjëzit, me personelin ushtarak komandues të shkollës, po bënte kontroll në përgatitjen fizike në veglat gjimnastikore (hekur, paralele, litar dhe kapërcim kali). Ne kaluam pranë qytetit sportiv, si zakonisht, me këngë dhe hap rreshtor. Kjo i kishte tërhequr vëmëndjen gjeneralit. I tha Thoma Xhixhos, komandantit të shkollës: korin e shkollës më reklamon mua? Duke dalë një hap para rreshti, përgjigjen e dha komandanti i togës sonë, Teodor Koçi, i cili njihej prej tij si sportiest: “Është toga ime shoku general”. Biseda nuk zgjati më. Në mbrëmje, gjatë thirrjes së mbrëmjes, para fjetores sonë, vjen vetë Petrit Dume. U interesua për togën tonë. Ishte ditë e shtunë pas dite. Disa nga shokët tanë nuk ishin kthyer ende nga liridalja. Pasi erdhi pranë togës na tha që të këndonim një këngë rreshtore duke ecur në vend, pra me komandën “në vend numëro”. Në rresht gjëndeshin vetëm 15 vetë nga 24 që duhet të ishim. Hasani nuk kishte ardhur. Por duke mos dashur që të na kishte pranë gjenerali, i kërkuam që të këndonim në lëvizje, se gjoja në vend nuk mund të këndonim. Pas disa hezitimesh ai pranoi kërkesën tonë. Kënduam, por edhe vetë nuk ishim të kënaqur. Na tha se këndonim mirë, por jo si në mëngjez. Ne nuk donim të debatonim me të se mos na pyeste sa jemi e ku janë shokët. Gjithsesi ai iku i kënaqur. Në këtë rrugë, pa ndalesa, ecte ngritja e figurës së togës edhe në opinionin e jashtëm.