A e ka tradhtuar Pashain e Janinës Thanas Vaja?

1358
Për gati dy shekuj me rradhë qështë Thanas Vaja quajtur njeriu më besnik i oborrit të Ali Pashë Tepelenës, por duket se në një rast e ka tradhëtuar Pashain e fuqishëm. Thanas Vaja ka qenë kristiani me shëmbëlltyrën e besnikërisë, krahas asaj të Vasiliqisë që nuk e tradhëtoi deri në fund dhe Pashai i fuqishëm urdhëroi dhe ndërtoi kalanë e Porto-Palermos në Himarë duke ia lënë si dhuratë. Kaq e bukur qe himarjotja Vasiliqi sa e verboi keq Pashanë, ashtu si kaq besim kish krijuar Thanas Vaja tek Pashai, sa i besonte shumë sekrete të Pashallëkut, Pashallëk që qe përfshirë edhe nga krime të shumta deri edhe tek djemtë e tij. Nga ngjarja e mëposhtme lindin dyshime se Thanas Vaja mund ta ketë shfrytëzuar besimin e Pashait për t’u hakmarrë në shenjë të besimit kristian. Kohët e fundit më dërgoi me postë nga SHBA miku im, Mitro Kosta, i cili është edhe autori i librit biografik “Fisi Mërtiri-Kosta në Lukovë” nga i cili është shkëputur edhe fragmenti që ju përcjellim. Ja episodi:
Si ndodhi me dënimin e Spiro Kostës?!
Lukova i ishte dhënë çiflig Haxhi Bedos nga Borshi i bregdetit, 16 km.larg Lukovës. Haxhiu ishte një nga miqtë më të mirë të Ali Pashës në Bregdet. Ishte gjakpirës dhe e përdorte shumë keq fshatin e Lukovës. Fshatarët gjithmonë mendonin se si të shpëtonin nga thonjtë e këtij njeriu. Për këtë duhej që në librat e tapive të bëhej një ndryshim: Lukova të hiqej nga libri i tapive “fshat çiflig” dhe të emërtohej me statusin e një fshati më vete, i pavarur, ose siç e quanin në atë kohë “qefallohor”. Si do të veprohej dhe kush do ta merte këtë detyrë përsipër? Nga do të fillohej kjo luftë dhe kush e kish të drejtën për të ndryshuar tapitë? Kjo detyrë iu ngarkua Spiro Kostës si njeriu më i njohur në Janinë dhe me miq në oborrin e Ali Pashës. Që të merrje përsipër probleme të tilla përkundër një miku të mirë të këtij sundimtari, ishte sa e rrezikshme aq edhe fisnike. Spiro Kosta u nis për në Janinë, aty ku ndodheshin tapitë e gjithë bregdetit. Me shumë vështirësi dhe duke përdorur edhe të gjithë miqtë që kishte, mundi të takojë Thanas Vajën. Pasi u tërhoqën në një vend të sigurt për të biseduar problemin dhe pasi e sqaroi mirë Thanas Vajën, ai i dha këtë rrugëzgjidhje: Duhet të gjesh njeri shumë të besuar, shumë të besës, i zoti për të bërë ndryshimin në librin e tapive në mënyrë të atillë, që të mos kuptohej fare që aty ishte bërë ndryshimi, pra ishte ndërhyrë, se po të zbulohet kjo, do kishte pasoja shumë të rënda. Pasi të kesh gjetur këtë njeri do të shkoni tek manastiri ku ndodhen tapitë. Gumeni i këtij manastiri nuk e hap portën nëse nuk dëgjon më parë parrullën për ta hapur. Parrulla është “Në emër të Shën Triadhës”. Sa t’ia thoni , ai do t’u hap portën dhe do të futeni brenda.
Korigjuesi i tapisë
Spiro Kosta kishte arritur njëfarë avantazhi dhe ngelej vetëm çështja për tek”njeriu i besës”. Për fatin e fshatit u gjet njeriu. Ky ishte një bashkfshatar, lukovioti Spiro Hajdhi, i cili kishte bërë shkollë për pikturë. Mbasi bisedoi tërë ato që kishte arritur me Thanas Vajën me shokë, u mendua t’i propozohej Spiro Hajdhit për të kryer korrigjimin në librin e tapive. Spiro Hajdhi, djalë me kulturë dhe atdhetar i ndershëm, nuk e bëri dy fjalën. Tha se qe gati të nisej dhe mori përsipër ç’do vështirësi e rrezik. Pa humbur kohë nisen të dy Spirot, Spiro Kosta dhe Spiro Hajdhi për në Janinë. Spiro Hajdhi që e njihte mirë profesionin, mori me vete dhe të gjitha mjetet e nevojshme për punën që duhej të kryente. Në mbrëmje vonë, ata të dy iu drejtuan kodrës dhe shkuan në manastir. Trokitën në portë dhe dëgjuan zërin e gumenit që thirri :Kush është aty dhe pse kanë ardhur në këtë orë? Spiro Kosta i përgjigjet: Në emër të Shën Triadhës! Pas kësaj porta u hap dhe të dy u futën brenda. I kërkuan Gumenit “Librin e tapive” të Bregdetit të Poshtëm. Gumeni u dha librin dhe Spiro Hajdhi filloi punën. Punoi tërë natën dhe si përfundim kishte realizuar në mënyrën më të përsosur ndryshimin aq të rëndësishëm. Pasi e falenderuan Gumenin dhe i dhanë edhe shpërblimin e merituar, u larguan për në Janinë. Pas një dite pushimi, për të marrë veten nga pagjumësia, Spiro Kosta shkoi në gjykatë dhe hapi padi kundër tapive, që në mënyrë të padrejtë i ishin dhënë Haxhi Bedos-Lukovën Çiflik. Ai nuk e la që të largohej Spiro Hajdhin duke i thënë se që kur kishte marrë përsipër këtë detyrë, kishte marrë përsipër çdo vështirësi sado e madhe me çdo pasojë që të ishte. Dua të të kem me vete edhe për ndonjë konsultim, sepse ti je njeri me shkollë e shumë gjëra i di më mirë se unë. Spiro Hajdhi nuk e bëri fjalën dy. Me ndërhyrjen e miqve të tij, Spiro Kosta arriti që çështja të gjykohej brenda katër ditësh. Gjyqi u fitua nga përfaqësuesi i fshatit Lukovë, Spiro Kosta. 
Dënimi nga Ali Pashai
Shpallja e vendimit të gjyqit iu dha Spiro Kostës në dorë dhe me këtë ai shkoi tek Ali Pashai për t’i treguar se Haxhi Bedua e kishte gënjyer kur i ka thënë se Lukova ishte një fshat i vogël, e pa kontrolluar tapia i është dhënë me besim të fjalëve të tij “Lukova-Çiflik”. Ndërkohë që në librin e tapive nuk ishte çiflig, por fshat “qefallohor”. Ali Pashai, i revoltuar nga vendimi i gjyqit se ju prek një nga miqtë e tij dhe njeri besnik i tij, pa e dëgjuar fare Spiro Kostën, jep urdhër ta çojnë në burg. Spiro Hajdhi i cili ishte gjithmonë pranë Spiro Kostës, me tu kthyer në fshat u tregoi se gjyqi ishte fituar, por edhe për atë që i ndodhi Spiro Kostës me Pashain. Për lirimin e tij nga burgu djemtë e tij u vunë menjëherë në lëvizje. Njoftuan vëllain e tyre, Muçon, i cili ishte bërë admiral në flotën detare ushtarake të Ferdinandit të Siçilisë, ROFENZITO. Ky, i ndodhur me detyrë në vende të ndryshme, njoftohet me shumë vonesë, pra iu desh njëfarë kohe për të biseduar me Ferdinandin. Pasi u takua me të dhe i parashtroi kërkesën e tij për të biseduar me Ali Pashën për lirimin e të atit, princi i thotë; “Unë do të dërgoj postë speciale tek Aliu dhe do t’i kërkoj lirimin e menjëhershëm të babait tuaj, Spiro Kosta. Nëse nuk do më dëgjon, punët mes meje dhe tij do të shkojnë keq”. Ndihma që i premtoi ferdinandi ishte shumë e madhe. Ali Pashës i interesaonte që ta kishte mirë me francezët që mbanin Korfuzin dhe me italianët ta kishte mirë, sepse në të kundërt nuk do të mund të realizonte planet e tij lidhur me bregdetin dhe Himarën. Me marrjen e letrës, Ali Pasha, i cili kishte harruar fare se kishte dënuar këtë njeri, dha urdhër dhe e sollën përpara tij. Ali Pasha e pyeti se pse qe dënuar. Spiro Kosta filloi ti tregojë ato që kishte ndërmend ditën që e burgosën: “Unë kam hyrë në burg sepse Haxhi Bedua është një gjakpirës dhe me bëmat e tij nuk i le fshatarët që të jetojnë, po u merr shpirtin. Ai kërkon prodhime edhe kur nuk ka dhe kjo i ka bërë ata që të jetojnë shumë keq. Përveç kësaj, ju ka gënjyer kur ju ka thënë që Lukova është një fshat i vogël dhe me pak shtëpi. Lukova ka hapur gjyq, këtu në Janinë, është parë libri i tapive dhe e ka fituar këtë gjyq. Libri e ka Lukovën “qefallor dhe jo çiflig”. Pra dhe juve ju ka mashtruar. Kjo është historia e burgut tim. Tani që më dëgjuat, bëni si të gjykoni”. Spiro Kosta u ul në gjunjë dhe e përshëndeti. Ali Pasha i tha: A janë këto që më tregove të vërteta?
Spiro i thotë: Po të dyshosh, vërtetoi, e nëse dalin ndryshe, ja ku më ke. Këtë kokë që më ka mbetur pa sy, ma pre.
– Po të pyes edhe për diçka tjetër, -i thotë Aliu. Dua të di, kë keni në Siçili?
– Kam djalin, ia kthen Spiro, Muçon, nën urdhërat e Ferdinandit të Napolit dhe Siçilisë.
Ali Pasha, dinak dhe i zgjuar, e kishte kuptuar se djali i Spiros pa tjetër që është njeri i fuqishëm për deri sa vet Ferdinandi u mor vet me aq seriozitet për lirimin e babait të tij.
– Po, mirë, i tha, nuk kam unë bukë për djalin tënd, po e ke dërguar në Itali në shërbim të të tjerve?
– Edhe atje ku është, ai është shqiptar dhe djali juaj, i thotë Spiro.
Ali Pasha përplasi pëllëmbët dhe menjëherë u paraqit sekretari i tij. I jep urdhër të bëhet fermani për vrasjen e Haxhi Bedos dhe t’i jepej këtij plakut. Merr aty edhe tre plumba dhe ia jep për vrasjen e Haxhiut, pastaj i kthehet Spiros duke e pyetur se a ka të holla për tu kthyer në Lukovë. Pas përgjigjes së Spiros se të gjitha lekët i kish harxhuar në burg, Ali Pasha i jep pesë napolona, por Spiro nuk i pranoi po i kërkoi t’i jepnin bukë deri sa të arrijë në fshat dhe të mos lypte nëpër Janinë. Ali Pasha urdhëroi t’i jepnin ushqime dhe një kalë dhe ta shoqëronin dy xhandarë deri në shtëpinë e tij”.
Shënimi: Kështu mbyllet kjo histori dhe Lukova fitoi të drejtat e saj duke përzënë Haxhi Bedon nga tokat e tyre. Haxhiut iu bë atentati në dy vende në Lukovë, por vetëm sa u plagos prej lukoviotëve. Thonë se më pas u vra në Borsh nga borshiotë, por ka edhe versionin tjetër se u vra në Janinë.
Sigal