Orientoni politikat drejt Perëndimit/ Jaço, kreu i Dhomës Amerikane kritika Shqipërisë: Zgjidhni ekonominë e bardhë, por jo atë gri dhe të zezë

170
Sigal

Gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Asamblesë së AmCham, Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço deklaroi se Shqipëria duhet të orientojë politikat drejt mundësive euro-transantlantike dhe që të përfitojë prej tyre.Presidenti Jaço theksoi se Shqipëria duhet të luftojë ekonominë e zezë, informale, koston e së cilës, e paguajnë bizneset e ndershme dhe e marrin në konsideratë investitorë të huaj potencialë.Në praninë e Ministres Ibrahimaj, Ambasadores Yuri Kim si dhe kompanive anëtare multinacionale të AmCham, Jaço tha se në dy vitet e fundit Dhoma Amerikane ka rritur anëtarësinë e saj si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë duke punuar me U.S. Chamber në Uashington si dhe Departamentin Amerikan të Shtetit për Tregtinë në mbështetje të rritjes së shkëmbimeve tregtare Shqipëri-SHBA.Për sfidat që ka Klima e Biznesit sot, Jaço iu referua Indeksit Vjetor të AmCham, dhe krahas praktikave të padrejta, ngriti si shqetësim tendencën e largimit të talenteve të reja profesionale nga Shqipëria.“Ka një shqetësim në rritje dhe pakënaqësi me politikat e brendshme të vendit. Indeksi i Biznesit, matësi vjetor i AmCham tregon se shumë shpesh praktikat në mënyrën e të bërit biznes nuk janë të drejta. Si rrjedhojë e kësaj situate, talente të reja profesionale janë duke parë mundësitë e largimit nga Shqipëria. Nëse duam të ndërtojmë vërtetë një ekonomi konkurruese, kjo është një kosto për të gjithë ne – përfshirë bizneset tona” u shpreh Presidenti i AmCham. Enio Jaço bëri një analizë të situatës ku operojnë bizneset, një pjesë e të cilave, punojnë në atë që ai e quajti ekonomi të pastër penalizohen nga pjesa tjetër e ekonomisë informale. “Sot janë tre hije që karakterizojnë ekonominë shqiptare. Është ekonomia e bardhë, e cila është e pastër, por është edhe ekonomia gri dhe ajo e zezë. Dhe ju (anëtarët) punoni në ekonominë e paster por jeni duke paguar kostot e anës së errët të ekonomisë. Kjo nuk është e drejtë dhe duhet të marrë fund” tha Jaço duke iu drejtuar kompanive anëtare. Ka ardhur koha që të ndalojmë së diskutuari problemet e Klimës së Biznesit dhe të nisim ndërhyrjet konkrete ligjore për përmirësimin e saj, duke ofruar mundësi dhe zhvillim për të gjithë” tha Jaço.