Kujtimet e Prof. Dr. Qemal Lame

1092
Sigal

Mehmet Shehu: Autori 99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm. Në Laç disa letrarë flisnin kundër Kadaresë dhe merrnin në mbrojtje Kol Jakovën dhe Bilal Xhaferrin

POLITIKA MBI LETËRSINË, ARTIN E KULTURËN

Politika dominonte kudo dhe zëvendësonte e komandonte edhe artin dhe krijimtarinë artistike.

Revolucioni kulturor kinez po zbatohej automatikisht me spastrimet në art e në kulturë, qarkullimin në fabrika e kooperativa të artistëve, shkrimtarëve, muzikantëve etj.

Imponimi i venies së politikës në plan të parë edhe mbi artin, nuk lejonte

përkthimin e veprave më të mira të letërsisë dhe artit botëror. Përkthyesit viheshin nën presionin e mënjanimit të ideve të papranueshme për politikën zyrtare.

Në vëmendjen e opinionit shoqëror ishin vënë kritikat rreth diskutimit në rrethet letrare të poemës “Garda krutane” të Kolë Jakovës dhe romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. E para merrej në mbrojtje duke u theksuar se ishte kritikuar pa të drejtë, ndërsa i dyti nënvleftësohej duke thënë se Ismaili është mohim i realitetit tonë dhe se mbrohet pa të drejtë.

Me këtë këndvështrim, zgjerohej më tej kritika, duke theksuar se: “Letërsisa e realizmit socialist është e dobët, nuk pasqyron drejt realitetin, bile shpeshherë e shëmton dhe kjo shfaqet dhe në romanin “Dasma”.

Një shkrimtar thoshte se: “Kritiku i “Dasmës” është një prozator i madh dhe një sërë çështjesh i ka pasë të drejta. Romani ‘Dasma’ nuk e meriton, atë e lavdëruan me pa të drejtë dhe e ngritën në qiell, sidomos për ato pjesë që të gjithë i shohin se është përtokë”. Kurse një shkrimtar tjetër shprehet se: “Kjo vepër gjithçka mund të jetë, por socialiste jo”. Një letrar i ri në Laç bënte krahasime dhe jepte mendimin se: “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit nuk është më i keq se “Dasma” e Ismail Kadaresë, kjo është 100 herë më e poshtër se “Tuneli”. Një tjetër letrar në Laç është shprehur se romani “Dasma” është si ato që thotë shoku Mehmet, që: “99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm, por te ky roman ka 1 me helm dhe 98 boshe”. “Edhe romani  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vazhdon ky, “është krejtësisht me frymë revizioniste”. Në radhët e shkrimtarëve bëheshin komente se në veprat e Kadaresë, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,

“Përbindëshi”, “Dasma”, nuk ka përmbajtje të shëndoshë komuniste, se nën pretekstin e frymës së re ai sjell idetë revizioniste në letërsi, por ky përkrahet  nga të mëdhenjtë dhe s’guxon njeri ta kritikojë”.

Nga analiza e këtyre të dhënave të bëra nën vështrimin e veprimtarisë

armiqësore, viheshin në dukje shqetësimet e ndjeshme në disa rrethe letrare të krijuara në disa qendra industriale e qytete të vogla, ku rezultonte se kontrolli i organeve përkatëse të Partisë nuk ishte në lartësinë e duhur. Konstatohej se grupimet letrare e artistike kanë një përbërje heterogjene dhe në to bëjnë pjesë edhe elementë të deklasuar me qëndrim jo të mirë politik.

Në Laç kishte shkuar me qarkullim dhe banonte me gjithë familjen e tij shkrimtari Kolë Jakova. Në atë kohë, ai ishte personaliteti me popullaritet të merituar nga jehona e veprës së tij “Toka jonë”.

Dashamirësit e  letërsisë e  të  Kolë Jakovës  kishin krijuar një  grup letrar.  Drejtuesit e  rrethit  letrar  dyshoheshin  dhe  ndiqeshin si  armiq.

Veprimtaria e tyre evidentohej nga diskutimet e bëra për ide dhe teza të ndryshme, shkrimet me frymë jo të shëndoshë revolucionare etj. Mendimet e tyre vlerësoheshin të rrezikshme, nuk referoheshin në vijën e partisë, influencoheshin  e  mbanin   qëndrime   nga   pozita   sentimentale,   mbronin njëri-tjetrin, merrnin në mbrojtje edhe vepra dhe persona që ishin kritikuar edhe në shtyp.

Kur u botua në gazetën “Drita” kritika mbi “Gardën krutane”, në qytetin e vogël të ndërtuar për punëtorët e uzinës së Superfosfatit, diskutohej me kompetencë: “kritika e Bilal Xhaferrit ndaj “Dasmës’”, “kritika e Kadaresë ndaj ‘Gardës krutane’ të Kolë Jakovës”, “ngjashmëria mes ‘Tunelit’ të Xhuvanit e ‘Dasmës’ së Kadaresë” etj.

Këta  persona  të  dyshuar   flisnin   hapur  kundër  Kadaresë  dhe  merrnin në mbrojtje Kolë Jakovën e Bilal Xhaferrin. Pasi kanë diskutuar, kanë përgatitur një letër proteste për shtypin, për të cilën u mor edhe mendimi i autorit, por ky u tha: “Këtë letër të mos e nisni, pasi më dëmton mua shumë”. Po kështu, kur doli artikulli që demaskonte kritikuesin e “Dasmës”, aty pati

elementë që u shprehën kundër autorit të romanit në këtë mënyrë: “Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”.

Analiza e ndjekjes agjenturore dhe të dënuarve për krime kundër shtetit evidenton faktin se gjithë grupi i rrethit letrar të Laçit, që bashkoheshin me Kolë Jakovën, përfunduan në burgjet politike, me përjashtim të Maqo Trebickës, i cili u diferencua dhe i shpëtoi dënimit penal duke u vlerësuar e mjaftueshme masa për ta përjashtuar nga partia, për zbutje të luftës së klasave. Këta të dënuar kanë qenë të bindur në idealet e tyre dhe të parapërgatitur shpirtërisht për pasojat e dënimit. Është shumë kuptimplote thënia e një prej të dënuarve, i cili ka vënë në dukje se: “Më mirë se ne, nuk i plotësonte asnjeri kushtet për të shkuar në Spaç.”

Agjentura sekrete mblidhte të dhënat dhe arrinte në përfundimin se veprimtaria armiqësore ishte më intensive në rrethet: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Peshkopi, Vlorë, Fier, Laç etj.

Në statistikat e veprimtarisë armiqësore të asaj periudhe, janë evidentuar grupe të organizuara, persona të veçantë dhe në rrethe të ngusha familjare me qëndrime armiqësore në qytete dhe në fshat, ndër ta dhe disa intelektualë të rinj, elementë të deklasuar dhe armiq, të cilët iu përkasin këtyre shtresave:

28 për qind të pasur, 58 për qind të mesëm dhe 14 për qind shtresës së varfër.

  1. KRITIKA LETRARE ME AKUZA POLITIKE

 

Edhe Ismail Kadare në këtë periudhë të presionit permanent të dhunës shtetërore të diktaturës ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

Agjentura ka mbledhur të dhëna të vlerësuara si armiqësore për veprat: “Dasma”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Përbindëshi” etj.

 

Veprat “Dasma”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Përbindëshi” etj. kishin bërë jehonë në letërsi, në vlerësimet e intelektualëve e në tërësi të opinionit publik shqiptar. Ato ishin bërë të njohura edhe nga vlerësimet pozitive të udhëheqjes politike e shtetërore të asaj kohe.

Kritika, diskutimet e deri mendimet e rastit ose të provokuara me qëllim të paramenduar nga personat që ndiqeshin për veprimtari armqësore, fiksoheshin,  analizoheshin  dhe  raportoheshin   nga  Sigurimi  i  Shtetit  tek

udhëheqësit kryesorë në rrethe dhe në qendër.

Të dhënat agjenturore dëshmojnë se drejtuesit e Sigurimit të Shtetit orientonin me qëllime të paramenduara bashkëpunëtorët për të provokuar, marrë mendime dhe raportuar ato më lart. Kështu evidentoheshin edhe të dhënat se idetë që propagandoheshin si të reja për letërsinë e realizmit socialist, nuk kishin përmbajtje me vlera për edukimin komunist, por ishin ide helmuese me përmbajtje borgjeze e revizioniste.

Shkrimtari cilësohet se nuk pasqyron me objektivitet e besnikëri ndaj partisë realitetin e socializmit fitimtar, por e shëmton dhe dëmton njeriun e ri dhe gjithë shoqërinë socialiste. Fryma e ideologjisë borgjeze e revizioniste

cilësohej se është e ndjeshme në veprat e Ismailit. Për pasojë, efekti i tyre është antikomunist, në kundërshtim me ideologjinë e propagandën e partisë. Krijimtaria letrare, megjithëse e vlerësuar, shihej me shqetësim për idetë, personazhet tipike dhe përmbajtjen e mesazheve me ndikime negative në edukimin e popullit e sidomos të brezit të ri.

Raportimet e drejtuesve të agjenturës ngrenë edhe problemin e revoltës ndaj shkrimtarit: “Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”.

Shkrimtari raportohet në të vërtetë si i dyshuar për veprimtari armiqësore. Kështu udhëheqja do të vihej para faktit që ta dënonte atë. Me këtë akuzë  synohej  të sensibilizohej, të nxitej, të mbështetej  ose të merrej

edhe mendimi i udhëheqjes.

Shkrimtari ndërkohë ishte i vlerësuar zyrtarisht. Për të parandaluar ndonjë kritikë të  mundshme ndaj drejtuesve të  sigurimit, me  djallëzi

raportohen  edhe  mendimet  që  e  krahasojnë  shkrimtarin  si  kokoshi  i përkëdhelur i autoriteteve.

Dokumentimi i të dhënave me fajësi për shkrimtarin përmbante në fakt ligjërimin e ndjekjes së tij dhe të mbledhjes së provave. Udhëheqja kuptohet se e kishte miratuar më parë vendimin për përpunimin e fshehtë. Në  të  kundërtën,  ministri  i  Punëve  të  Brendshme   nuk  do  të  guxonte   të

raportonte për të dhëna në ngarkim të Ismailit.

 

 

 

Shkrimtari vlerësohej dhe njëkohësisht ndiqej e kërcënohej

 

Dokumentet e publikuara në atë kohë e më vonë evidentojnë qartë kritikat dhe akuzat e rënda të udhëheqësit ndaj shkrimtarit.

Gjithë praktika e Sigurimit të Shtetit ka provuar se në rast se udhëheqësi të shikonte me vështrim kritik, menjëherë viheshin në lëvizje masat agjenturore. Kur ai kritikonte apo revoltohej e thërriste me zë të lartë, ishte e padiskutueshme ndjekja dhe vënia në veprim e procedurës agjenturore dhe asaj ligjore.

Qëndrimi i tij me rezonanca diametralisht të kundërta shpjegohet me faktin se Ismail Kadare ishte personalitet me kontribute dhe meritonte mbështetjen e gjerë nga opinioni shoqëror e dashamirësit e artit e kulturës. Veprat e shkrimtarit kontribuonin në letërsinë bashkëkohore dhe rritej vazhdimisht njohja ndërkombëtare.

Për aq sa i interesonte propagandës zyrtare dhe vetë udhëheqësit, vihej në dukje e vlerësoheshin veprat e shkrimtarit si kontribut në letërsinë e realizmit socialist. Kjo deklarohej edhe publikisht.

Ana e errët e politikës zyrtare dhe e rolit të vetë udhëheqësit konstatohet në qëndrimet e rrepta në mbledhjet e forumet e Partisë, ndjekjen e fshehtë agjenturore, mbajtjen nën tension dhe kërcënimin e hapur për zbatimin e ligjit që do të vendosej në rastin më të mundshëm.

Shkrimtarët e krijuesit që kritikoheshin apo nuk kishte besim udhëheqësi, vlerësoheshin të dyshimtë e armiq të Partisë. Ata përbënin objekt me përparësi të veprimtarisë agjenturore të Sigurimit të Shtetit, gjendeshin e manipuloheshin provat dhe imponohej arrestimi nga prokurori i përgjithshëm.

Proceset e bujshme operative, hetimore e gjyqësore përbëjnë dëshmitë e dokumentuara të kësaj veprimtarie kriminale. Tipike mbeten manipulimet e fshehta dhe manovrat ligjore të realizuara për të popullarizuar dhe imponuar bindjen në popull për komplotet që “zbuloheshin” dhe “goditeshin” nga

 

Partia dhe Enver  Hoxha.

Kjo ka qenë praktika kriminale e zbatuar me rreptësi.25

Fatkeqësisht, edhe pas ndryshimit të sistemit politik, fajtorët e manipulimit të proceseve operative, hetimore e gjyqësore nuk janë dënuar penalisht. Shumë prej tyre i kanë mbijetuar kohës duke iu përshtatur situatave të reja politike. Disa kanë bërë karrierë të pabesueshme, janë politikanë e funksionarë të lartë shtetërorë, ruajnë privilegje, mbajnë dekorata të larta për shërbimet e bëra në të kaluarën.

 

 

 

Raportimet në udhëheqje dokumentonin drejtimet më të rëndësishme të veprimtarisë armiqësore

 

Ministria e Punëve të Brendshme kërkohej që të vrojtonte, të zbulonte e të parandalonte në kohë dhe të informonte e raportonte menjëherë për çdo mendim, tentativë ose veprimtari armiqësore udhëheqjen.

Dokumentet u dërgoheshin sekretarëve përkatës, për të mos lejuar komunikimin   me   shkrim    direkt    me   Enver    Hoxhën.   Ai    detyrimisht merrte dijeni nga sekretarët dhe direkt edhe nga vetë ministri i Punëve të

Brendshme.

Hysni Kapo kishte në vartësi organet e diktaturës dhe të gjitha raportimet i dërgoheshin atij. Në raste të veçanta, si ato për letërsinë e artin, i janë drejtuar edhe Ramiz Alisë, i cili kishte drejtimin e edukimit e të propagandës.

 

 

 

Dokumenti i vitit 1968

Ministria e Punëve të Brendshme “tepër sekret”

 

 

Drejtoria   e  Parë  Tiranë,   më  14.4.1968/  Nr.  1025,   Prot.  Lënda:   Mbi Komentet dhe Parullat Armiqësore të Elementit Armik Sekretarit të K.Q. të P.P. Shqipërisë/ Shokut Ramiz Alia/ Tiranë. Ngjarjet e kohëve të fundit në Çekosllovaki e Poloni, demonstratat e punëtorëve dhe të studentëve në Francë, Itali e Jugosllavi etj., dhe propaganda imperialisto-revizioniste mbi rrugët  e demokratizmit dhe liberalizmit të këtyre  vendeve  ka  influencuar që elementi armik të shpresojë se ndryshime të tilla, shpejt a vonë, do të ketë dhe në vendin tonë. Si rezultat i këtyre ngjarjeve duket një aktivizim dhe intensifikim i veprimtarive armiqësore  me anë parullash  e komentesh që shprehen kundra masave revolucionare të Partisë, në lidhje me diktaturën dhe luftën e klasave, kontrollin punëtor, revolucionarizimin e shkollës, artit e kulturës etj., të cilat i quajnë si masa ekstreme që merren nga udhëheqja, nga frika e ndikimit të këtyre ngjarjeve që mund të sjellin ndryshime kursi edhe në vendin tonë. Këto komente janë bërë më tepër në rrethet: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Peshkopi, Vlorë, Fier etj., nga persona të veçantë dhe në rrethe të ngushta armiqësore në qytete dhe në fshat, ndër ta dhe disa intelektualë të rinj, elementë të deklasuar dhe armiq, të cilët iu përkasin këtyre shtresave: 28% të pasur, 58% të mesëm dhe 14% të shtresës së varfër. Komentet dhe parullat armiqësore elementi armik i ka bërë kryesisht në këto drejtime; Mbi ngjarjet në Poloni, Çekosllovaki etj., (shpjegohet në libër)… Mbi grevat dhe demonstratat në vendet kapitaliste dhe revizioniste (shpjegohet në libër)…

 

 

 

Kundër udhëheqjes së partisë dhe të shtetit

 

Elementët armiq duke vjellë vrer kundër udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, shprehen se: “Udhëheqësit luftojnë  për interesat e tyre, ata nxjerrin ligje që janë në kundërshtim me interesat e popullit. Një pjesë e udhëheqjes e kuptojnë këtë, por nuk kundërshtojnë se kanë frikë. Formalisht thuhet se pushteti është i popullit, por faktikisht ai është në dorën e dy vetave. Asnjeriut s’ia  mban  të  flasë   lirisht  dhe  të  gjithë  thonë  amin  për  ata  që ngrenë  Enver  Hoxha dhe Mehmet Shehu”. Një element  armik  në Lushnjë thotë: “Se po të mos i kishin lyer duart me gjak (udhëheqja), do ta kishin kthyer rrugën ashtu si Hrushovi, por këta kanë frikë se do të japin llogari para popullit”. Se: “Udhëheqësit janë plakur dhe po të ngjasë ndonjë e papritur, do të ndodhë si në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera që kur vdiq Stalini ndryshoi çdo gjë”. Një element armik në Durrës thotë: “Se nuk duhen humbur shpresat, se këta janë të rrethuar dhe nuk do të shpëtojnë dot nga rrethimi, si puna e një shpendi që rrethohet nga gjahtarët e nuk

shpëton pa u vrarë”. Në Peshkopi një element armik shprehet: “Se djemtë e Kaloshëve nuk duhet të punojnë në fermë, por të ngrihen dhe të vrasin ndonjë nga udhëheqësit e rrethit. Duhet mbajtur shënim për të gjithë ata që na luftojnë, pasi situata nuk do të qëndrojë kështu, por do të ndryshojë”. Në Shkodër, lidhur me dënimin e disa klerikëve, thonë: “Ata nuk kanë ditur të punojnë kundër pushtetit, se me disa njerëz ky pushtet nuk rrëzohet, po nuk pati përçarjen e udhëheqjes së Partisë dhe qeverisë dhe po nuk pati kushte për ndihma nga jashtë”. Një element armik në Durrës shprehet se: “Vetëm Shqipëria ka mbetur në gjendje mesjetare në Evropë, dhe si të mos jetë kështu, kur dy milionë veta punojnë për dy veta. Sot jetojmë në këtë tip feudalizmi që udhëheqësi i Partisë ka 4-5 vila, kur njerëzit nuk kanë konditat  e domosdoshme  të banimit,  ka  4-5  vetura,  kur një inxhinier nuk ka as biçikletë. Ç’i duhet popullit se të kujt janë ato si prona, kur çelësat e vilave i mbajnë shërbyeset e udhëheqësve dhe kur me vetura bredhin fëmijët e tyre. Nuk ka asnjë vend në botë që të ketë një raport të tillë si tek ne, midis jetës që bëjnë udhëheqësit dhe asaj që bën populli”.