Sefedin Met’hoxha: Një thirrje vjen nga Tenda e Qypit

763
Sigal

“Frici do Përmetin,/ me gjak e me dhëmbë,/ po ku çahen mallet,/ ti mbash nënë këmbë!”

Në këtë 77-vjetor të luftës së Tendës së Qypit nga të rënët vjen një thirrje: “Mos, vetëm rrënjët mos!”. Është thirrja e heronjve që atdheu të mos shitet. Që gjaku i tyre të respektohet. Që lufta për atdheun të kujtohet. Thirrja e tyre është në çdo moment një dëshmi e herozimit popullor në emër të dashurisë për atdheun. Kjo luftë dhe pse kanë kaluar 77 vjet, duket sikur ka ndodhur sot, pasi jehona e zërave të luftëtarëve nuk do shuhet kurrë. Heronjtë nuk vdesin. Ndaj dhe popullki ka thënë “Kush jep jetën për atdhe, nuk ka vdekur por ka lerë”.

Si u zhvillua lufta…

“Frici do Përmetin/ Me gjak e me dhëmbë/ Po ku çahen mallet/ Ti mbash nënë këmbë!”

Më 19 janar 1944, rreth orës 15.00, kolona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tetë e regjimentit 227 dhe bateria e tetë e regjimentit të artilerisë të divizionit 100-të, mbasi përshkuan Oparin dhe Tomorricën dhe pushkatuan në fshatrat e Skraparit 114 njerëz si në Velushë, Turbehovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë. Rreth orës 16.00 të 19 janarit, mbasi vendosën një bateri artilerie në pozicion zjarri në sheshin e Çorovodës, hapën zjarr kundër kompanisë së parë të batalionit të dytë të Grupit të tretë që ishte vendosur në Kala. Nga zjarri i artilerisë nuk pati të dëmtuar dhe partizanët qëndruan të patrembur dhe të patundur në pozicionet e tyre. Të nesërmen në mëngjes, 20 janar 1944, morën urdhër nga komanda e grupit të tretë që batalioni ynë të tërhiqet nga ato pozicione dhe të vendoset në mbrojtje në rajonin e kodrave Veleshnjë-Nishicë, në gatishmëri për të ndaluar lëvizjen e kolonës gjermane në drejtim të Tendës së Qypit. Kolona e trupave gjermane, në mëngjesin e datës 20 janar u nis nga Çorovoda në drejtim të Tendës së Qypit, kaloi Sharovën, u ngjit përpjetë dhe hyri në Veleshnjë dhe rreth orës 12.00 sulmoi pozicionet partizane të batalionit të dytë. Lufta u zhvillua e rreptë dhe me volum të madh zjarri nga të dyja anët. Trupat gjermane me sulmin e parë nuk mundën të shpartallojnë mbrojtjen e partizanëve, prandaj u detyruan të hapin gjithë forcat e tyre në formacion luftimi, të vendosin në pozicione zjarri artilerinë dhe mortajat dhe të hapin zjarr kundër forcave partizane, pastaj kaluan përsëri në sulm. Në kurrizin e kodrave të Veleshnjës dhe të Kodrës së Karakollit e deri në afërsi të Tendës së Qypit, u zhvilluan luftime shumë të ashpra. Gjermanët, megjithëse përsëritën disa herë sulmet e tyre të fuqishme, nuk mundën të përparojnë me lehtësi përpara. Ata shpesh herë u detyruan të ndalojnë sulmin, të riorganizohen, të bëjnë zjarr me artileri dhe mortaja kundër nesh, dhe pastaj të përsëritin sulmin e tyre. Vetë forcat e batalionit 3-të të brigadës parë dhe ato të batalionit të 2-të brig. 3-të me gjithë sulmet e tyre nuk mundën të shkulnin nga pozicionet trupat gjermane. Në këto kushte, vetëm futja në luftim e forcave të tjera mund të ndryshonte sitduatën në favorin tonë, prandaj Mehmet Shehu vendosi të fuste me shpejtësi në luftim batalionin e parë të brigadës së parë, të komanduar nga Xheladin Beqiri [Karadaku].

Bashkë me forcat e batalionit të parë u hodhën në kundërsulm edhe forcat e batalionit të tretë e të dytë të grupit të tretë. Kodrat në drejtim të majës së Karadakut u ndezën flakë nga bombat, luftimet u bënë të ashpra dhe të përgjakshme, duke arritur pikën kulminante trup me trup. Së shpejti situata kaloi në favorin tonë. Gjermanët u shkulën nga pozicionet dhe filluan të tërhiqeshin në drejtim të Çorovodës, duke lënë një sasi materiale që kishin me vete. Në betejën e Tendës së Qypit ranë trimërisht në fushën e nderit partizanët e Gr.tretë Hilmi Xhaferri nga Muzhencka, Ali Zaimi nga Dobrusha, Niazi Nishica, Fatushe Kadiu nga Veleshnja.

Nga Brig.I-rë ranë mbi 10 dëshmorë, midis të cilëve komandanti i kompanisë Mefail Rozhani, Piro Gazepi [i biri i Osman Gazepit], Ago Topulli [nga familja e Bajo e Çerciz Topullit] etj. U plagosën komandanti i Gr.3-të Zylyftar Veleshnja, komisar Iljaz Sevrani dhe partizanët Abaz Rogu, Neim Therepeli dhe Tahir Murrizi. U plagosën dhe mjaft partizanë të brig.I-rë.
Karakteristikë e Betejës së Tendës së Qypit është se atje u zhvilluan luftime frontale si gjatë mbrojtjes, ashtu edhe gjatë kundërsulmeve.