Kujtimet e Jaup Dabullës/ Darka e fundit me ministrin para pushkatimit. Pse Mehmeti fjeti në një dhomë me Enverin në Moskë në mbledhjen e 81 partive

1215
Sigal

 

Darka e fundit me ministrin para pushkatimit. Pse Mehmeti fjeti në një dhomë me Enverin në Moskë në mbledhjen e 81 partive, kënga labe në hotel dhe kush ishte “Lypsi” që ju shpëtoi jetën gjatë udhëtimit me tren nga Rusia në Itali. Operimi I Enverit dhe pse i shpëtoi atentatit në Dropull nga agjenti grek.

 

– Si këndonte Mehmet Shehu në dhomën e hotelit në Moskë që përgjohej nga Hrushovi, këngën: Me një degë manxuranë, o Enver do fshish odanë

-Si e kritikoi Kadri Hazbiut, Jaupin pasi kishte hyrë në shtëpinë e një ish-ministri që më vonë u dënua

  • Adil Çarccani i kërkonte Jaupit ti tregonte histori dhe pastaj ja tregonte Enverit
  • E pabesueshme, Jaupi takoi para shtëpisë së Enverit, Besim Zekthin të cilin se ndaloi asnjë roje
  • – Besim Zekthi: Enver Hoxha në koncertin “Vallja e Shqiponjave” më tha: – “Mirë Besim, mirë, por ishe një hero i shkëputur nga masa….
  • Një nga njerëzit që e ka dashur më shumë Jaup Dabullën ka qenë Haki Toska.
  • Haki Toska, përmendëte shpesh oficerin e Drejtorisë së Dytë, që si lypsar luajti një rol të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së Enver Hoxhës nga Moska me tren për në Itali
  • – Në ambasadën tonë në Paris, Adil Çarçani i kishte dhënë Jaup Dabullës disa libra të cilat në Tiranë, ai, do t’i çonte në bibliotekën e Enver Hoxhës
  • – Jaup Dabulla relaksohej kur shikonte bibliotekëm e Enverit dhe u trondit në 1992 kur pa se këtë bibliotekë po e placckitnin
  • – Gjylua, me derte kurrë nuk e rrahu gjoksin e nuk tha njëherë se ishte nëna e Enver Hoxhës
  • Si Enveri anulloi dekorimin e Qazim Malit, partizanit që e shpëroi nga një rob gjerman i pa armatosur

– Qysh pas mbledhjes së 81 partive në Moskë, Enver Hoxha, nuk kishte hipur kurrë në asnjë avion         

      – Si e keqinformuan ziliqarët Enver Hoxhën se ishte organizuar për një atentat ndaj tij me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes

 “Trimi nuk i tregon plagët” thoshte shpesh Jaup Dabulla.

Kur doli në pension dhe në Shqipëri ndodhi përmbysja e madhe, Jaup Dabulla, do të kujtonte me bashkëshorten Vehiben, një darkë të paharrueshme me një nga ministrat e kohës. Aty ku sot mbaron rruga “Pjetër Bogdani” ka qenë postëblloku dhe Dyqani  i Bllokut me të gjitha shërbimet e nevojëshme. Ngjitur me postbllokun qe dhe vila e ministrit me shumë popullaritet. Jaup Dabulla e dinte se ministri i kishte pisk punët. Për dreq kur Jaup Dabulla kishte mbaruar kontrollin e shërbimit në postbllok, dhe po shkonte drejt vilës së Ramiz Alisë, ai, u përballë me ministrin, i cili i kishte ditët e numërura. Ministri pa e pyetur fare i fut krahun Jaup Dabullës dhe shkojnë në vilën e tij ngjitur me postbllokun. E shoqja e ministrit një grua shumë e mirë u shtron tavolinën me mish fazani dhe verë italiane. Ministri pinte pa hesap dhe u deh. Jaup Dabulla e kuptoi që ministri ishte i vetmuar, dhe e mori atë për t’i bërë shoqëri në pije. Megjithëse e donte Jaup Dabullën dhe ata ishin njohur pas çlirimit të vendit. Dabullat qenë shumë të lidhur me luftën. E shoqja e ministrit bëri një shërbim të jashtëzakonshëm. Ajo ishte e pashkollë dhe atë natë Jaup Dabulla i dukej si shpëtimtar i burrit. Pas ca ditësh, pasi e kishin arrestuar ministrin e familjen po e internonin, Jaup Dabulla u ndodh sërish me shërbim. Dhe kur e pa atë gruan e ish ministrit me një fëmijë në krah duke qarë sa nuk i ra pika. Darka rastësore do t’i kushtonte Jaup Dabullës. Kadri Hazbiut i vajti informacioni se çfarë veprimi kishte bërë Jaup Dabulla. Dhe në mbledhjen e rradhës së partisë ai do të ndihej keq. Pse i kishte munguar vigjilenca?

Shënimet

Shënimet që kisha shkruar ja dhashë mikut të Jaup Dabullës nga Dunavati, Dervsh Meros. Ju luta që së paku t’i lexonte. Dervish Mero mi ktheu pas një jave. Nuk qe i kënaqur. Dervish Mero donte që unë të përshkruaja profesionalisht operacionet e Drejtorisë së Dytë, planet e masave, përballimin e veprimtarisë armiqësore të agjenturave, që donin të asgjesonin Enver Hoxhën e të tjera e të tjera. Këto që kisha vjel unë lis më lis e mollë më mollë Dervish Mero nuk i vlerësonte shumë. Kur i kërkova që ai t’më tregonte ndonjë histori tipike të Jaup Dabullës, ai, më tregoi atë që i kishte ngjarë Jaup Dabullës me Adil Çarçanin. Kishte mbaruar festa në Nivan të Zagories dhe kur qe nisur Adil Çarçani për në Tiranë, në të dal të Nivanit, pranë një burimi ushtarakët e drejtorisë dhe të gardës po hanin drekë. Kishin hapur çantat dhe po hanin ç’kishin marë nga shtëpitë e tyre. Adil Çarçani ndaloi dhe u ul aty, ku ishte Jaup Dabulla, i cili nuk kishte ngjyer në drekën e shtruar në Nivan. Dhe si të gjithë gardistët po hante bukë me sallam e djath. Jaup Dabulla nuk ishte qelepirxhi. Këtë e dinte mirë Adil Çarçani. Oficerët e Drejtorisë së Dytë merrnin bukë që nga shtëpia me qëllim,  që lekët e dietave të mos i bënin rrush dhe kumbulla. Adil Çarçani qe ulur në bar dhe siç bënte gjithnji e kishte ngacmuar dunavatasin, Jaup Dabulla. Ç’mësove sot në Nivan i kishte thënë ai? Qe nisur një nivanjot, (i qe përgjigjur, Jaup Dabulla), dhe kishte shkuar tek një ari i zi në malin e Nëmerçkës. Të dy kishin ngrënë mjaltë. E kishte pyetur ariu?- Si të dukem unë? I mirë i qe kthyer nivanioti, por vjen nje erë të keqe. Ariu kishte heshtur. Nivanioti kishte ikur dhe qe kthyer pas ca ditësh. Pasi kishin ngrënë përsëri hoje mjalti ariu e kishte urdhëruar nivaniotin, që t’i binte fort me sopatë në shpatull. Urdhëri i ariut nuk diskutohej. Dhe nivanioti e kishte qëllluar me sopatë dhe qe largur për në Nivan. Disa muaj më vonë nivanioti e kishte takuar rastësisht ariun. Shikoma plagën i kishte thënë me të butë ariu. Qenka mbyllur i thotë nivanioti. E shikon i kishte thënë ariu. Plaga e madhe e sopatës u mbyll, por fjala e lig, që më the kur u takuam për herë të parë, se unë vija erë të keqe nuk është harruar. Unë e mbaj mend. Adil Çarçani kishte qeshur. E di ti Jaup se kujt do t’ja them këtë historinë e nivaniotit me arin i kishte thënë Adil Çarçani. Kur Dervish Mero ma mbaroi së treguari këtë ndodhi unë i thashë se nuk kanë vlerë shkrimet për planet e mëdha me agjentura. Kjo e Nivanit i ka të gjitha brenda.

Në jetën e trazuar Jaup Dabulla u befasua nga shumë të papritura.

Ato të Bllokut ishin pas derës. Gardisti i vendrojes numër 3 tek dera e vilës së Enver Hoxhës kishte ndaluar një njeri që nuk merrej vesh sesi ishte futur në zemrën e Bllokut. Mbrrin Jaup Dabulla dhe vë duart në kokë. Personi i kapur ishte valltari i Ansamblit të Shtetit, Besim Zekthi. Jaup Dabulla kishte njohje me valltarin. Po ty ç’dreqin të futi tek porta e shtëpisë së Enver Hoxhës i thotë Jaup Dabulla i shqetësuar për atë që po i shikonin sytë. Tani sa hyri shoku Enver në vilë thotë i çorjentuar valltari, Besim Zekthi. Enver Hoxha më ndoqi në koncertin “Vallja e Shqiponjave” dhe në fund kur më dha dorën më tha: – “Mirë Besim! Mirë”. Po ishe një hero i shkëputur nga masa”. Doja t’i përgjigjesha Enver Hoxhës, por mu tha pështyma. U bllokova. Vendosa që t’i vija në shtëpi e t’i thoja diçka. Çudia është që më panë të gjithë postblloqet e Bllokut, dhe të gjithë rojet, dhe askush nuk më ndali. E shikon o Jaup Dabulla se ç’më gjeti! Tani me shpjerë direkt e në kokërr të burgut!

 

Një nga njerëzit që e ka dashur më shumë Jaup Dabullën ka qenë Haki Toska.

Vetë Jaup Dabulla ka thënë midis miqve, se Haki Toska ka pasur një familje të shenjtë si ato familjet e qëmotëshme gjirokastrite. Haki Toska e ka pasur vilën pas asaj të Enver Hoxhës në krah të majtë të rrugës “Ismail Qemali”. Kishte qëlluar që pasi Haki Toska punonte me bel në baçen, që ai e kishte verselitur për merak, e ftonte Jaup Dabullën dhe bashkë pinin kafe në verandën në një kënd të baçes. Të dy pinin dhe nga një gotë raki dhe Haki Toska kishte qejf ta dëgjonte Jaup Dabullën kur ai ja merrte gjirokastriçe, megjithëse nuk kishte ndonjë zë shumë të mirë. Haki Toska ja bënte me grykë. Kënga e preferuar ishte “O Gjirokastra me vulë”. /Çe bëre Shemo Hajdunë/ /Ndënë Grevena ç’e zunë/ /O Shemo ç’bëre kështunë?//Kam bërë e do bëj shumë/ /Do vras turq e kaur/. Por siç ka treguar Jaup Dabulla, Haki Toska, ja përmendëte shpesh në bisedë atë oficerin e Drejtorisë së Dytë, që luajti një rol të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së Enver Hoxhës nga Moska me tren për në Itali. Oficeri i Drejtorisë së Dytë u vesh si lypsar, në vagon kërkonte lëmoshë, kurse në çantën e grisur ushtarake mbante të fshehur pistoletën T.T. dhe kontrollonte çdo njeri të dyshimtë, që mund t’i afrohej kabinës, ku rrinte Enver Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë. Në një rast “lypsari” u fut në kabinë dhe Enver Hoxha nuk e njohu. Ja, tha Mehmet Shehu. Për, Lypsarin e Moskës, Jaup Dabulla do të fliste në çdo analizë, ku përgjithësoheshin heronjtë e heshtur. Lypsari i Moskës nuk pranoi që t’i përmendej emri në librin kushtuar Jaup Dabullës. Por Jaup Dabulla e pati dëgjuar shumë herë punonjësin e tij të Drejtorisë së Dytë, i cili rrëfente ngjarje të frikëshme nga Moska. Oficeri që shoqëroi Enver Hoxhën në Moskë i pati kërkuar Jaup Dabullës t’ja thoshte rrokje për rrokje këngën gjirokastrite të manxurasë. Vetë oficeri nuk e dinte origjinalin. Dhe kë nuk kishte pyetur. A i i kishte treguar shefit të tij, Jaup Dabullës, vetëm një grimcë. Në dhomën e hotelit në Moskë ai qe ndodhur mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Të nesërmen Enver Hoxha do të mbante fjalimin e famshëm në mbledhjen e 81 partive. Dhoma e hotelit përgjohej nga Hrushovi, që e dinte se çdo të ndodhte të nesërmen. Enver Hoxha i ulur në krevat lexonte e shtonte fjali në diskutimin e përgatitur. Qe shumë i mërzitur. Mehmet Shehu për ta sjell pak në vete ecte nëpër dhomën e hotelit dhe këndonte këngën /Me një degë manxuranë/ /O Enver do fshish odanë!/. Odaja ishte salla e mbledhjeve të 81 partive. Enver Hoxha kur kishte dëgjuar Mehmetin të këndonte e kishte mbyllur diskutimin dhe i qe kthyer Mehmet Shehut. Nëna, Gjylua, sa herë që më ka parë të mërizitur në jetë më thoshte: – “Enver! Të bëj një manxuranë!” Me lulen e manxurasë bëhet një çaj i mrekullushëm në Gjirokastër i kishte thënë Enver Hoxha, Mehmet Shehut, dhe e kishte mbyllur gojën se e dinte se kudo në dhomën e hotelit kishte përgjues.

Kërkova e miqtë e Jaup Dabullës më dhuruan shumë fotografi të kolegut të tyre.

Janë me dhjetra foto në udhëtime, stërvitje dhe në sigurimin e udhëheqjes, ku ai pati funksion të rëndësishme për shumë vite. Por mua më bën përshtypje disa foto, ku ai është fotografuar në Paris në vitin 1973. Pas çdo fotoje Jaup Dabulla shkruan me shkrim të imët e të bukur “Paris: 1973”. E çuditëshme është numëri 7(73 – it). 7- ta e Jaup Dabullës është e paimitueshme. 7 – tën Jaup Dabulla e ka bërë në formën e dorezës së kërrabës. Seç ka një sekret që fillon me një përthyerje, që as eksperti më i mirë nuk mund t’i qaset. Në ambasadën tonë në Paris, Adil Çarçani i kishte dhënë Jaup Dabullës disa libra të paketuara me gusto, të cilat në Tiranë, ai, do t’i çonte në bibliotekën e Enver Hoxhës. Dhe Jaup Dabulla kur u kthye në Tiranë i çon librat, ku e kishte porositur Adil Çarçani. Pakon me libra Jaup Dabulla ja dha Nexhmije Hoxhës, e cila qe ndodhur në vilën, ku ishte biblioteka e Enver Hoxhës. Jaup Dabulla ishte futur shumë herë në shtëpinë e Enver Hoxhës, por në bibliotekë,  jo. Nexhmija me të marrë pakon me libra i thotë Jaup Dabullës, që ai ta vizitonte bibliotekën e Enver Hoxhës. Dhe Jaup Dabulla kishte mbetur pa mend. Sa herë që do të shkonte tek vila e Enver Hoxhës sytë do t’i hidhte nga dritaret, ku ishte biblioteka e famëshme me mijëra libra. Por dunavatasi i ndjeshëm do të pësonte vite më vonë një zhgënjim, të cilin ai nuk e kishte imagjinuar as në kohën e luftës. Jaup Dabulla kishte dal në pension dhe në pushtet kishte ardhur tjetër forcë politike. Jaup Dabulla kalon rastësisht tek rruga “Ismail Qemali”, dhe pa tek dera e vilës së Enver Hoxhës njerëz,  që po ngarkonin një makinë me thasë me libra. Ai, pyet i shqetësuar oficerin e shërbimit të gardës, të cilin e kishte marë vetë në punë. Oficeri  i thotë i tmerruar se po plaçkisin bibliotekën e Enver Hoxhës. Ajo kishte qenë një pamje e ditë zie për Jaup Dabullën.

Jaup Dabulla edhe për shkak të moshës dhe të njohjes si djem të dy mëhallave fqinje, ai, pati shumë muhabet me Halil Hoxhën.  Dinte shumë hollësira për jetën e Halilit qysh kur ai banonte në Gjirokastër dhe ankohej se – “Enveri më mori tokat në Dropull”. Jaupi bënte shumë shaka me ato që kishin ngjarë në Gjirokastër. Kur shkonin për të blerë shalqinj, Halil Hoxha, e merrte shalqinin me të dyja duart dhe i binte me gishtin tregues për të parë nëse shalqini ishte i pjekur apo jo?. Si dunavatasit dhe ata të Palortos kur blinin shalqinj e thoshin copë “Me thikë, pa frikë” “Me biçak, pa merak”. Kurse Halil Hoxha e provonte shalqinin vetëm me të goditur me gishtin tregues. Prandaj dhe ata të Palortos e thumbonin. Kur shkarkohesh makina me shalqinj, ata, thoshin që të vijë Halili, dhe t’i provojë me gisht. Me kujtime të tilla Jaup Dabulla e ksehaste Halil Hoxhën, djali, i të cilit qe bërë i pari i shqiptarëve. Shpesh Halil Hoxha i thoshte dunavatasit, që të bënte kujdes me gardistët se po na  nxjerin të palarat. Jaup Dabulla ashtu siç njihte Halil Hoxhën, njihte dhe të shoqen e tij, Gjylon, me derte siç tha ai tërë jetën. Si Gjylua gjirokastrite nuk bën më nëna thoshte Jaup Dabulla. Kurrë nuk e rrahu gjoksin e nuk tha njëherë se: – “Ishte nëna e Enver Hoxhës”. Priti e përcolli në shtëpinë e Enver Hoxhës qindra e mijëra njerëz e la një emër të nderuar pas. Kur vdiq, Gjylua, Enver Hoxha ishte me pushime në Vlorë. Kur ai u kthye e pritën në shtëpi Haxhi Lleshi, Pilo Peristeri e të tjerë. Enver Hoxha filloj të lotoj. Miqtë i thanë që të mbahej e ai i trishtuar tha vetem dy fjalë – “Epo, nënë!”

Jaup Dabulla ka qenë ushtarak i mirë, lexues i librit, njeri fisnik, i besës e kur ja donte puna dhe ironik.

Me sport nuk qe marrë kurrë.

Ka qenë tifoz i Dinamos, i Iliaz Çeços, Ragamit, Pernaskës dhe e yjeve të tjerë. Por kurrë nuk e imagjinonte dot atë që i ndodhi në vilën e Dajtit, ku siguronte një të shtunë Enver Hoxhën. Oficeri shoqërues i Enver Hoxhës, Halim Zanua, e lajmëron Jaup Dabullën, që të bënte gati dy skuadra gardistësh si herë të tjera, se do të luante Enver Hoxha në një ndeshje futbolli. U bën gati gardistët sipas porosisë, por mungonte një lojtar. Vetë, Halim Zanua, qe me bark dhe thotë që të luaj Jaup Dabulla, në atë kohë kryetar dege. Jaup Dabulla mbeti pa gojë. I dhanë dhe kostumin sportiv të futbollistit. Dhe ai e veshi. Jaup Dabulla qe i dobët dhe këmbët i ngjanin si të lejlekëve të lumit të Drinos. E shikonte veten në paqyrë dhe nuk e donte veten. Si do t’i delte përpara Enver Hoxhës. Halim Zanua i thotë të mos shqetëshej se ai si i moshuar do të luante portier me skuadrën, ku do të luante vetë Enver Hoxha. Dhe Enver Hoxha nuk do ta kishte mendjen tek ai. Por dunavatasi nuk qetësohej. Kur po bëheshin gati për të dal për të luajtur tek fusha e futbollit e malit të Dajtit, sipas porosisë, ndodhi mrekullia. Enver Hoxha iku për në Tiranë se i doli një punë urgjente.

Befasitë qenë të përherëshme në karierën e Jaup Dabullës. E njofton shërbimi Drejtorisë së Dytë se e kërkonte në zyrë Manush Myftiu. Ku nuk i kishte shkuar mendja Jaup Dabullës. Troket dhe futet në zyrën e Manush Myftiut. Qe me gjak të ngrirë. Manush Myftiu i thotë një gjë që e la pa mend. Djali i Manush Myftiut, Agimi, kishte zënë shoqëri të ngushtë me një gardist nga Lushnja. Gardisti i lëruar kishte sjell një gjel deti nga fshati ku banonte në Lushnje. Që të mos e fyejmë gardistin nga Lushnja i kishte thënë, Manuash Myftiu, ti Jaup merr dhe një drejtues nga Garda dhe e gatuani gjelin e detit në Pallatin e Brigadave. Aty mes shokëve të lushnjarit do të vijë dhe djali im, Agimi. Oraganizoni një ceremoni me këngë e valle. Pijet do t’i sjll Agimi. I ka bërë gati, Nefua, nga më të mirat që kemi në shtëpi. Jaup Dabulla e nderoi dhe doli nga zyra. Çfarë zgjidhje që i dha tha me vete. Informon Komisarin e Gardës, Skënder Alikën, dhe u bë siç tha Manush Myftiu.

Garda e Republikës kishte festë. Ishin marrë të gjitha masat. Në mbrëmje Jaup Dabullës i bie zilja e telefonit. E kërkonte një nga Anëtarët e Byrosë Politike, i cili më vonë u pushkatua. Anëtari i Byrosë Politike do të vinte në festën e Gardës. Në festë një oficer i thjeshtë, që quhej Qazim Mali, do të dekorohej me titullin e lart Hero i Popullit. Dihej nga e gjithë Garda se në vitet e luftës, Qazim Mali, i kishte marrë armën nga duart një robi gjerman, që për fije të perit i shpëtoi Enver Hoxha pa e vrarë. Fal heroizmit të Qazim Malit shpëtoi nga atentati Enver Hoxha. Anëtari i Byrosë Politike e priti Jaup Dabullën në zyrën e tij. I tha se dekorimi i Qazim Malit ishte anulluar nga vetë Enver Hoxha. Ai ishte kundër kultit të individit. Qazim Malit që shërbente si oficer roje do t’i thuhej me shumë takt. Në ceremoni nuk do të jepej dekoratë. Për këtë e kishte thirur Jaup Dabullën. Të mos krijohej ndonjë keqkuptim. Gjatë kohës kur Jaup Dabulla po rrinte në këmbë ministri i Byrosë Politike foli me Kadri Hazbiun. Enver Hoxha ishte i sëmur në Pogradec. Helikopteri kishte mbrritur, por Enver Hoxha nuk kishte hipur në të. Qe nisur me makinë. Qysh pas mbledhjes së 81 partive në Moskë, Enver Hoxha, nuk kishte hipur në asnjë avion. Në Drejtorinë e Dytë të sigurimit të udhëheqjes flitej shumë për këtë çështje. Jaup Dabulla i tha Anëtarit të Byrosë Politike se në festën e Gardës do të veprohej sipas urdhërave të tij. Por gjatë udhës, siç ka thënë më vonë Jaup Dabulla, atë e kishte shqetësuar fakti, që Enver Hoxha nuk kishte hipur në helikopter. Pak kohë më vonë vetë Enver Hoxha do të fliste për një atentat ndaj tij me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes. Piloti që do të bënte copa Enver Hoxhën ishte lidhje e grupit puçist në ushtri. E megjithatë kur gjërat u kthjelluan, Jaup Dabulla, ishte bindur se asgjë nuk kishte qenë e vërtetë. Nuk kishte pasur ndonjë komplot. Të gjitha kishin qenë fantazi e intriga të sëmura.

Nesër do të lexoni:

Si agjenti grek, Stefo Petros nga Dropulli i Sipërm nuk e vrau Enverin ballë për ballë gjatë vizitës në Dropull

-Në gjyq tha: Ishte gjynah të vrisje një udhëheqës aq të bukur

– Stefo Petron e kishte nisur me detyrë shërbimi i ASFALIS, e dënuan lehtë dhe e punësuan në hidrocentral

-Kur Enverin po e vizitonte një mjek francez Sulo Gradeci i tha Jaupit kujdes dosjen portokalli  të Enverit