Kostandin Ropi: Ju rrëfej, se nga duhet të nisë modernizimi i Shqipërisë

898
Kostandin Ropi, tashmë 83-vjeç, banues në qytetin e Korçës, i quajtur ndryshe “Partizani i vogël Velo”, pasi që kur ishte 12-vjeç u bë pjesë e Luftës Nacionalçlirimtare, i dekoruar 15 herë me radhë, madje edhe nga Rusia, gjatë gjithë jetës së tij një rebel i vërtetë, i përjashtuar 8 herë nga radhët e partisë dhe 3 herë i çmobilizuar, si i padëshirueshëm, mendon se shqiptarët gjithnjë kanë mbetur peng të mos njohjes të së drejtës për pronën, të cilët nuk u bënë kurrë bashkëpronarë të vendit të tyre. Kjo e drejtë e munguar e shqiptarëve është mjaft e hershme, por me ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet, u sanksionua më ligj. Prona private humbi ekzistencën e vet. Që nga ajo ditë e deri më sot shqiptarët u bënë gjithnjë edhe më të varfër dhe nga sa shihet e tillë do të jetë jeta e tyre edhe për brezat e ardhshëm. Kjo është fatkeqësi e shqiptarëve. E vlerësoj shumë periudhën e qeverisjes së Enver Hoxhës, – thotë Partizani i vogël Velo, sepse bëri shumë në fushat e jetës, aq sa s’ka bërë ndonjë udhëheqës tjetër në botë, por duke mos e bërë popullin bashkëpronar, ashtu siç u vendos në kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare në Përmet, më 24 maj 1944, se me çlirimin e Shqipërisë do të bëhej shtet, republikë demokratike, që do të thotë shtet i popullit bashkëpronar, kauza e njerëzve që luftuan për lirinë e Shqipërisë, u tradhtua. Shqiptarët nuk u bënë zot të pronës së tyre, për rrjedhojë populli shqiptar u shndërrua në një turmë skllevërish të një regjimi sulltano-diktaturë. Edhe në momentet më historike të jetës së tij, në vitet ‘90, kur pritej që shqiptarëve t’u kthehej prona, u dhanë urdhra të fshehta që gjithçka të prishej, të digjej, të shkatërrohej e të vidhej. Partitë-klane, që mbinë si kërpudhat pas shiut, u bënë vegla në duart e milionerëve e miliarderëve që vodhën Shqipërinë. U vu në zbatim ligji i xhunglës. Populli mbeti sërish një turmë skllevërish, nën regjimin pashallaro-diktaturë, ku përdoren të gjitha format persekutuese mbi një popull të vuajtur, të papunë e të pabukë që vuan mjerimin e vet. As në kazanët e plehrave nuk gjen kothere buke. Përçarja që iu bë popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës, pritej që të rikuperohej me vendosjen e sistemit demokratik, por edhe kjo gjë nuk ndodhi. Profesor, Servet Pëllumbi në një artikull të tij te një e përditshme shkruan: “Partitë nuk arritën t’i bashkojnë qytetarët rreth një qëllimi dhe rreth një modeli të përbashkët zhvillimi. Në vend të tyre ato ofruan interesa parciale, kaosin, hezitimin, korrupsionin, ngërçet politike, lodhjen nga liria dhe demokracia ende pa i vendosur dhe konsoliduar ato”. Njeriu në këtë vend vijon të mbetet i pavlerësuar për meritat dhe të drejtat e tij. Që të mos ndodhë kjo, gjithkush duhet të pajiset me “librezën” e vet që nga lindja, ku hap pas hapi të shënohen vlerat që përshfaq gjithkush që nga koha kur shkon në kopsht, në shkollë e në studime të larta. Vlerësimi të jetë në shifra (pikë) sipas kontributit, arritjeve shkencore, suksesit në detyra të vështira e rrotacionit në detyra të tjera. Të evidentohen realizimet e tij më të mira në postet zyrtare, në specializimet plus të kryera jashtë shtetit, me qëllim që gjithkush të jetë zot i meritave të tij e të mos ndihet i nëpërkëmbur. Për këtë arsye (në kuptimin e mirë të fjalës) duhet të krijohen statistika për kontributet, bilancet kontabël në bashki, në rrethe, në qarqe e deri në shkallë vendi. Kjo do të bënte të mundur që duke filluar nga qytetari më i thjeshtë e deri tek Presidenti i Republikës, gjithsecili të ishte në vendin e merituar. Mungesa e së drejtës mbi pronën dhe meritën është gjithnjë një rrezik që nxjerr nga binarët pluralizmin politik dhe e bën urgjencë kombëtare ndryshimin rrënjësor të këtij sistemi të korruptuar. Problemi në thelb është parimor dhe substancial për demokracinë shqiptare, përderisa bëhet fjalë për marrëdhënie të shtetit me popullin, për përfaqësimin real dhe jo formal të tij, për legjimitet real dhe jo klientelist, për më tepër i shtrirë për një kohë të gjatë. Kjo realisht është sfida komplekse prej nga duhet të nisë modernizimi i Shqipërisë. Të gjitha këto i kam trajtuar te gazeta “Telegraf”, vite më parë, më 11 shkurt 2010, nën titullin “Paralajmërimi tronditës”, paralajmërova që në vitet ‘90, kur ende nuk ishin vrarë njerëz, kur ende nuk ishin shkatërruar fabrikat, uzinat, ndërmarrjet, kooperativat, kur ende nuk ishin prerë pemëtoret, agrumet, vreshtat, kur ende nuk ishin vjedhur pushkët, mitralozat, armët e rënda dhe anijet. Edhe sot e kësaj dite vijon e njëjta situatë: Shqiptari ende nuk është bashkëpronar i këtij vendi, zot i meritave të tij, përfundon kështu shtjellimin e idesë së vet, Partizani i vogël Velo.
Sigal