Valentin MACAJ: Paradoksi qeveritar, 800 euro/muaj për të burgosurin dhe 300 euro për policin

    404
    Refuzimin që Komisioni i Ekonomisë i bëri kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për shtesë fondi në blerjen e uniformave për Policinë e Burgjeve, njëkohësisht duke i dhënë përparësi Policisë së Shtetit në rritje page e shpërblim për fundviti, tregon se diskriminimi ndaj këtij shërbimi është i njëjti që prej vitit 2005. Në fushatën e 2013 ishte moto “Një shtet, një polici”, ndërsa tani në 2015 është ndryshe me Policinë e Burgjeve. Kjo tregon indiferencë institucionale ndaj mijëra punonjësve në këtë shërbim. Mungesa e uniformave prej vitit 2007 dhe kërkesa e ligjit për të qenë i pajisur me veshje të rregullt shërbimi, ka detyruar punonjësit e Policisë së Burgjeve që çdo vit ta blejnë në tregun e lirë. Pra, shteti është zhveshur nga detyrimet e tij dhe ia ka ngarkuar punonjësit. Çdo polici në burgje i kushton 30.000 lekë në vit uniforma. Transporti për në vendin e punës në lekë për kilometra i kushton mesatarisht çdo 22 ditë/muaj rreth 10.000 lekë/punonjësit. Shteti ia ka hequr të drejtën e transportit për në vendin e punës që prej vitit të largët 2005. Trajtimi ushqimor me një vakt në 8 orë shërbimi me vlerë 270 lekë/punonjësi për çdo ditë pune ose 5940 lekë në muaj, mungon që prej vitit 2005. Shteti shpenzon miliona euro në vit për tendera ushqimesh e detergjentësh nëpër burgje dhe anashkalon sakrificën e punonjësit të policisë në shërbim. Një i dënuar i kushton buxhetit të shtetit gati 800 euro në muaj, ndërsa punonjësi që e ruan paguhet më pak se 300 euro në muaj.

    Pagesa e orëve mbi kohën normale
    Pagesa e orëve mbi kohën normale të punës për policinë e burgjeve, nuk kryhet sipas ligjit e Kodit të Punës. Me ligj detyrimi është 22 ditë pune e 8 ditë pushime si në administratën shtetërore, por realiteti tregon se punonjësi i policisë kryen shërbim deri në 26 ditë në muaj. Ditët që nuk paguhen, shkojnë në interes të shtetit e në dëm të Policisë së Burgjeve Ndryshimi i Ligjit nr.10032/2008 “Për policinë e burgjeve”, me Ligjin 36/2014, në nenin 3/4, përcakton qartë njehësimin e të drejtave e përfitimeve me Policinë e Shtetit, por që nga Prilli i 2014, përfitimi është në letër e jo në realitet. Aktet ligjore e nënligjore në zbatim të këtij ligji, nuk janë nxjerrë nga institucionet shtetërore, duke shkelur kështu të gjitha afatet e parashikuara në implementimin e tij.
    Paga diskriminuese
    Paga e një punonjësi në Policinë e Burgjeve dhe e një kolegu në Policinë e Shtetit ka diferencë deri në 30% për të njëjtën grade e rol zbatues. Për të njëjtën gradë ka diskriminim në pagë mes sherbimeve të policisë: Një punonjës i Policisë së Shtetit i transferuar, shoqërohet me pagesën e transfertës dhe largësisë nga vendbanimi, ndërsa polici i burgjeve qëndron mbi një vit i transferuar me qindra kilometra larg familjes së tij e jeton në kushte të vështira, vetëm me rrogën e cunguar mujore. Vjen fundi i vitit 2015, e përsëri rritet diskriminimi për Policinë e Burgjeve. Mungon implementimi i ligjit të ri nr. 36/2014 për mungesë të një tabele pagash nga Departamenti i Administrates Publike. Qeveria “llaston” me fonde e tendera, mjete të reja e logjistikë bashkëkohore për Policinë e Shtetit, ndërsa Policia e Burgjeve ndez me të shtyrë çdo ditë mjetet e saj të shkatërruara nga mungesa e fondeve e mirëmbajtjes. Mungon karburanti, ofiçina e mjeteve për Policinë e Burgjeve dhe mjetet e blinduara sipas ligjit. Në vitin 2015 të burgosurit transportohen nëpër gjykata me furgone mallarash të adoptuar si “autoburgje”, ndërsa kolegët e tyre në Policinë e Shtetit shijojnë 8-oreshin në mjetet e reja me ajër të kondicionuar! Duke mos u mjaftuar me mungesën e uniformave dimërore, tani në regjimin e jashtëm me temperaturë shumë të ulet, disa metra mbi tokë, pa ngrohje, pa trajtim ushqimor, qëndron 22 ditë në muaj e 8 orë shërbim në ditë Policia e Burgjeve, që në letra trajtohet “E njëjtë me Policinë Shtetit”, por në realitet e braktisur nga të gjithë. Madje për Festat e Krishtlindjes e Vitit të Ri, tentojnë ta lënë edhe pa një “zog pule” në tavolinën familjare. Këto janë problemet që e detyrojnë Policine e Burgjeve të dalë së shpejti në protestë për të kërkuar përmirësim rrënjësor të kushteve në pune dhe njehësim social-ekonomik me Policinë e Shtetit siç e përcakton Ligji nr.36/2014, nëse shteti “harron” këtë shërbim edhe për vitin buxhetor 2016. Sindikata kërkon nga Qeveria që të akordojë fondin e shpërblimeve vjetore për gjithë Administratën e Policinë e Burgjeve dhe të nisë zbatimin e ligjit nr.36/2014, që të marrë fund diskriminimi social mes shërbimeve ligjzbatuese e të ketë një ombrellë shtetërore për të gjithë policitë shqiptare!
    Kryetar i Sindikatës në Shërbimet Policore të Shqipërisë
    Sigal