Jovan Byzhyti: Ju rrëfej kohën kur mallet u mbushën plot më partizanë

344
Sigal

Ishte koha kur fushat dhe mallet u mbushën plot me partizanë, vitet 1942-1943

-Nderim për Llaqi Jano, Mihal Jano, Sadik Koprencka, Jovan Sema, Spiro Kule, Sefer Hajdari, Joti Dhamo, Nikolla Kule

(Dokumenta dhe kujtime)

Atë ditë shkurti të vitit 1942, bënte acar dhe binte një vesë shi i imët si llohë dëbore, shkruan në kujtimet e tij, Xhorxhi Robo. Ai ishte përjashtuar nga Normalja e Elbasanit ku ishte student, për veprimtari patriotike antifashiste dhe ishte kthyer në qytetin e tij të Lushnjes. Shoku i tij, Hasan Gina, e priti në dyqanin që punonte si tregtar dhe biseduan gjatë për gjëndjen në Lushnje dhe detyrat që i prisnin për të ardhmen. Hasan Gina ishte një nga të rinjtë idealist, që së bashku dhe me disa të rinj të tjerë, ishin vënë në shërbim të çështjes së atdheut. Për këto ideale të larta, ata kishin krijuar dhe celulën e parë komuniste të qytetit të Lushnjes në 27 dhjetor 1941, në shtëpinë e njerit nga anëtarët e kësaj celule, Sedat Kamber Ruli. Kjo kish ndodhur rreth një muaj e gjysmë pas themelimit të PKSH.

I deleguar nga qendra ishte, Tuk Jakova dhe nga qarkori i Durrësit, Sejdin Avdia. Në këtë mbledhje të parë të krijimit të celulës, morën pjesë 5 anëtarë: Hasan Gina, që u zgjodh sekretar i celulës, Loni Dhamo, më pas dëshmor i Atdheut, Sedat Ruli, Muharrem Qamili dhe Myfit Hysi. Me ardhjen e Xhorxhi Robos me lidhje të plotë antarësimi nga qarkori i Elbasanit ku ishte student, celulës iu shtua dhe një anëtar, duke u bërë gjithsej 6 vetë. Anëtarët e celulës nisën punën në një konspiracion të plotë për të gjetur një bazë të sigurt. Dhe kjo bazë për një farë kohe u caktua në shtëpinë e Asllan Dakës, familje e besuar dhe me ide antifashiste. Në mbledhjen e dytë që bëri celula, ku u antarësua dhe Xhorxhi Robo, në rendin e ditës u diskutuan:

-Masat për organizimin e grupeve edukative me të rinjtë.

-Ngritja e popullit në luftë të armatosur, nën thirrjen:- “Bashkohuni o shokë me ne në çeta”, kundër okupatorit fashist Italian.

-Propagandimi i aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane në luftën e Dytë Botërore.

-Si dhe krijimi i financës dhe teknikës së celulës së partisë.

Në këtë mbledhje Hasan Gina, propozoi që detyra e sekretarit politik të celulës t’i kalonte shokut Xhorxhi Robo, si shokë më i përgatitur e më i shkolluar, duke sjellë dhe përvojën nga puna në qarkun e Elbasanit ku ishte student. Nga ajo kohë, Xhorxhi Robo së bashku me të gjithë shokët e celulës, iu përveshën punës për realizimin e detyrave që shtroheshin. Baza e celulës më pas kaloi në shtëpinë e Rrap Gjoshit, një bazë e sigurtë, falë patriotizmit të banorëve të lagjes dhe të familjarëve të Rrapit, që kur bëhej mbledhja e celulës, bënin roje rreth shtëpisë gjithë pjestarët e familjes. Baza të tjera të sigurta të celulës ishin dhe në fshatrat, Kolonjë, në shtëpinë e Xhorxhi Robos dhe Llazar Bozos, si dhe në fshatin Gramsh të Lushnjes, në konakun e pronave të patriotit Teki Libohova, që kishte të tre djemtë e tij partizanë. (Historiku i Luftës Antifashiste Nac. Çl. i rrethit të Lushnjes, botim i vitit 2005)

Pra, të gjithë këta të rinj idealistë, nisën punën për përgatitjen e betejës së madhe që do të vinte më pas, lufta e armatosur për kundër pushtuesve fashistë, duke u vënë vet në krye të kësaj lokomotive, që tërhoqi pas gjithë masën e popullit në Myzenë e Lushnjes. Pas një kohe, radhët e celulës erdhën duke u shtuar me të rinj të tjerë idealistë e patriotë si: Koli Ll. Bozo, që u përjashtua si student nga Gjimnazi i Shkodrës për veprimtari antifashiste, Nako dhe Miti Bozo, të përjashtuar nga Normalja e Elbasanit, Skënder Libohova, i përjashtuar nga shkolla Tregtare e Vlorës, Naim Kuçi, i përjashtuar nga Liceu i Korçës, Uan Gogu dhe Lili Shtrepi nga radhët e puntorëve të qytetit të Lushnjes e të tjerë, të cilët u kthyen në qytetin e tyre të lindjes dhe u antarësuan në radhët e celulës së partisë komuniste, duke e gjallëruar më tej punën për mobilizimin e popullit në luftën kundër okupatorit. Ishte koha kur fushat dhe malet nisën të mbushen plotë me partizanë.

Në pranverën e vitit 1942, u shtrua detyra për ngritjen e grupeve edukative me të rinj, që propagandonin në popull shtimin e radhëve me luftëtarë partizanë në luftë kundër fashizmit. Kështu në mars 1942, me vendim të celulës së qytetit të Lushnjes, u formua grupi i parë edukativ që përbëhej nga të rinjtë: Uan Gogu, Lili Shtrepi, Nako Bozo, Vesel Ahmeti, Zoi Moja, Shyqyri Dervishi, Raqi Durri, Ilia Zdrukthtari, Sheme Beqiri, Halim Haxhiu, Rakip Haxhiu, Nikolla Gjeçi, Jani Nano, Vangjel Zoto e tjerë. Përgjegjës për drejtimin e këtij grupi edukativ u ngarkua, Hasan Gina.

Po në mars të këtij viti, u krijua dhe aktivi i parë i rinisë komuniste, që u mblodh në lagjen “Teqe”, sot lagja Çlirimi, mbi kodër tek vidhat e Markut, kështu quhej ai vend i fshehtë i pyllëzuar. I deleguar i celulës në këtë aktiv ishte Xhorxhi Robo. Bënin pjesë të rinjtë: Rakip Hoxha, Bajazit Gina, Koli N. Bozo, Ahmet Sheqi, Andrea Bano, Halil Ahmeti, Xhaferr Shefa, Miti Gjeçi, Abdyl Demi, Mane Sulejmani, Nusret Verria, Riza Taullau, Sotir Bozo, Loni Kondakçiu, Veli Budo, Llazi Taq Bozo, Sheraf Gjebrea, Filip Shahini, Pilo Spiro (Kondakçiu) e tjerë. Përgjegjës për këtë aktiv të rinisë, u zgjodhën Sedat Ruli dhe zëvendës Lili Shtrepi. Më vonë, këtë aktiv e drejtoi Sheraf Gjebrea. (Historiku i luftës Nac.Çl. i rrethit të Lushnjes, botim i vitit 2005)

Në fund të prillit 1942, vijnë në Lushnje në ndihmë të celulës së partisë si të deleguar nga qarkori i Durrësit shokët: Spiro Bakalli, sekretar politik i qarkorit, Tahir Minxhozi, Kin Sheldia, Miho Xhani, Themo Vasi dhe Anastas Ziso, të cilët ishin hedhur në ilegalitet se përndiqeshin nga fashizmi. Kjo punë edukative u shtri dhe në qendrat e tjera kryesore të rrethit, si në Divjakë, Bubullimë, Kolonjë, Libofshë, Krutje, Fiershegan e tjera. Krahas qytetit të Lushnjes, një nga vatrat e rëndësishme ishte dhe Libofsha, që ishte pjesë e nën/prefekturës së Lushnjes, ku Xhorxhi Robo dhe pjestarë të tjerë të celulës kishin bazat dhe miqtë e tyre që mbështeteshin, kryesisht në familjet, Kozma Jano, Kozma Çomo, Vangjel Kule, Arshin Koprencka, Zoi Ndreko, Loni Doko e të tjerë. Dera e familjes së Kozma Janos, ishte e hapur për të rinjtë komunistë që vinin shpesh në Libofshë.

Ishte fillimi i qershorit 1942,- tregonte veterani Llaqi Jano, një nga djemtë e Kozma Janos, kur gruri kish nisur të zverdhej dhe kallinjtë kishin varur kokën nga pesha e kokrrave. Drapri ende s’kish rënë në arë dhe pemët sapo kishin nisur të lidhnin kokrrat e frutave. Shumë djem të rinjë të Libofshës organizonin aksione spontane për të marrë armë e monicione në depot e garnizonit italian, që ishte disllokuar në fshat pranë qendrës së pazarit, si dhe për të grabitur ushqime e miell nga depot e ushtrisë italiane, për t’ua shpërndarë fshatarëve të varfër.

Xhorxhi Robo bashkë me shokun e tij Koli Ll. Bozo, mbritën në mëngjes herët në Libofshë sapo zbardhi drita. Kolonjën me Libofshën i ndante kodra e Manastirit të Ardenicës dhe rruga gjarpëronte mes pyjeve të dendur me dushqe, që shtriheshin deri  afër fshatit. Këta djem qarkullonin të maskuar nëpër fshatra, të veshur me rroba të vjetra e kasketë në kokë, që të mos njiheshin nga armiku. Xha Kozmai nuk i njohu djemtë e miqve të tij nga Kolonja.

-Duam Llaqin e Mihalin, – i thanë ata.

-Urdhëroni brenda, pini një gotë qumësht sa të vijnë çunat, se kanë çuar

bagëtitë në livadhe andej nga kodrat,- u tha ai.

Nuk vonoi dhe erdhi Llaqi, pas tij erdhi dhe Mihali. Mysafirët sapo ishin ulur. Nënë Katerina i takoi dhe shkoi t’u mbushte gotat e qumështit. Xhorxhi i foli vllahçe Xha Kozmait. Ai po i vështronte me vëmendje dhe iu përgjigj me të njejtën gjuhë.

-Pse çoban jeni ju?- u tha ai.

-Janë çoban nga Kolonja,- ndërhyri Llaqi,- Xhorxhi është nipi i Kosta Robos dhe

ky tjetri është djali i Llazar Bozos, miq të tu.

-Si ore qenkan çunat e miqve të mi të Kolonjës,- foli me habi Xha Kozmai,- nuk u njoha! Pastaj djemtë u futën në një dhomë të shtëpisë dhe nisën përgatitjet për të mbledhur në darkë disa nga të rinjtë aktivistë që formuan grupin edukativ të Libofshës, drejtuar nga Mihal Jano, që më pas ra dëshmor i luftës në Operacionin e Madh të Dimrit në vitet 1943-44. Në grupin edukativ bënin pjesë: Llaqi Jano, Mihal Jano, Sadik Koprencka, Jovan Sema, Spiro Kule, Sefer Hajdari, Joti Dhamo, e Nikolla Kule.

Grupe të tilla edukative të rinisë u ngritën dhe në zona të tjera, si në Bubullimë, ku në krye të grupit u vu i riu Dhimitër Mino, që më pas ra dëshmorë në luftë, grupe u ngritën dhe në zonën e Ngurrëz-Fiersheganit, ku shquheshin familjet Zegali, Kurti e Nushi, po ashtu grupe u ngritën dhe në Krutje, në Divjakë e tjera. Krahas grupeve edukative të rinisë, u ngritën dhe organizatat e debatikasve me elementë më të rinj.

Celula e partisë që rritej e po forcohej, krahas punës për shtimin e radhëve me partizanë, nisi të organizoj dhe aksione të ndryshme kundër armikut pushtues. Një ndër ato aksione të rëndësishme, ishte dhe grumbullimi i armëve nga depot e armikut dhe çarmatosja e postave të xhandëmerisë fashiste, si një nga aksionet sa i vështirë aq dhe i domosdoshëm. Sepse këto forca të reja partizane që po lindnin e po shtoheshin nga dita në ditë për t’u bërë pjesë e kësaj lufte legjendare për çlirimin e vendit, kërkonin armatim dhe burimi kryesor ishte që këto armë do t’i mereshin armikut, s’kishte rrugë tjetër. Dhe një mbrëmje, po në muajin korrik 1942, pasi eleminuan rojet, u morën një sasi armësh dhe monicione në një nga depot e armatimit të qytetit të Lushnjes. Forcat italiane u vunë në lëvizje dhe shtuan masat e dhunës e reprezaliet. Posta xhandërmarie u ngritën jo vetëm në hyrje e në dalje, por dhe brenda në rrugët e qytetit. Djemuria ishin të vendosur dhe nuk hoqën dorë nga aksionet.

Një mëngjes herët, kur karabinjerët i kishte pllakosur gjumi në postën e Kalifasë në hyrje të qytetit kur vjen nga Berati, të rinjtë e angazhuar në këtë aksion me pistoleta në duar, i zunë rob rojet që ishin në gjumë, i çarmatosën dhe i lanë ashtu të shpartalluar me rripat e pantallonave në duar. Në këtë aksion dhe në marrjen e armëve nga magazina e qytetit, si dhe në përpjekjen për djegien e klubit “Dopo lavoro”, u angazhuan të rinjtë komunistë, Koli Ll. Bozo, Loni Dhamo, Vasil Bello, Besim Ruli, Ahmet Sheqi, Bush Durri, Halil Ahmeti e tjerë.

Atëherë sapo ishin formuar formacionet e para luftarake partizane në krahina të ndryshme të vendit. Krahas Çetës së Pezës, ishte krijuar dhe Çeta partizane e Matit, që varej nga qarkori i partisë i Durrësit. Në Çetën partizane të Matit ishin dërguar dhe disa partizanë nga Myzeqeja si efektiv të kësaj çete. Porosia ishte dhënë, që Lushnja veç partizanëve që shkuan në atë çetë, të dërgonte dhe një sasi armësh e monicione për në Mat. Prej andej kishin ardhur në mënyrë ilegale dy partizanë myzeqarë që ishin pjesë e Çetës së Matit, Muharrem Qamili dhe Raqi Durri, të cilët do i transportonin këto armatime. Rrugët ishin të vështira dhe kudo ishin ngritur postblloqe me ushtarë e karabinjerë. Xhorxhi Robo, Hasan Gina, Miti Bozo e Skënder Libohova, si dhe dy partizanët e ardhur nga Mati, i maskuan pushkët të mbledhura në rrogoza dhe bombat e fishekët i vunë në kosha e në shporta të maskuara me vezë dhe kështu mundën t’i kalonin të gjitha postblloqet, deri në Rrashbull të Durrësit në një bazë të sigurt të patriotit, Abaz Kondi. Aty i morën në dorëzim partizanët e ardhur nga Mati dhe mbas dy ditësh, armatimi mbriti në destinacion.

Aksione të vështira u realizuan dhe për marrjen e makinës së shkrimit në zyrat e fashios, realizuar nga të rinjtë komunistë, Besim Ruli, Vangjel Bozo dhe Llazar Bano. Po ashtu dhe aksioni për të marrë letër shkrimi nga zyrat e nën/prefekturës, shpërndarja e trakteve dhe sidomos marrja e shifrës sekrete, që fliste për arrestime të drejtuesve kryesor të këtyre aksioneve. Këtu vlen të theksohet kontributi i të riut komunist Andrea Bano dhe patriotit Jorgji Dhamo, që në situata të vështira, nxirnin nga shifra sekrete e bashkisë, njoftimet e urdhërat për arrestime dhe eleminime të krerëve të celulës e të çetës partizane, siç ishte urdhëri për arrestimin e Spiro Moisiut, Rahman Uruçit, Xhorxhi Robos, Koli Ll. Bozos, Miti Bozos, Skënder Libohovës e tjerë. Pas kësaj, këta shokë dhe të tjerë, dolën në ilegalitet në baza të ndryshme të fshatrave të rrethit. Pra kishte ardhur koha që për të luftuar armikun, duhesh hedhur në aksione konkrete dhe këto aksione kërkonin pjekuri e maturi, por dhe guxim e trimëri, sepse çdo veprim i gabuar paguhej me jetë njerëzish.

                                                                       

                                                                          *    *    *

Porosia nga qendra për drejtuesit e celulave në bazë, ishte të tërhiqnin në mbështetje të luftës dhe sa më shumë figura patriotësh dhe njerëz me influencë në masat, sepse ishte i nevojshëm kontributi i tyre. Figura të tilla kishte jo pak në Myzeqenë e Lushnjes. Figura e patriotit Rahman Uruçi, ishte e një rëndësie të veçantë, pasi ai jo vetëm kishte një veprimtari të kaluar të ngarkuar me aksione antifashiste dhe antizogiste, por ai ishte dhe një luftëtar organizator trim dhe shumë i vendosur. Rahmani kish qenë nga më aktivët në kryengritjen antizogiste të Fierit në 1935, e cila e tronditi nga themelet qeverinë e Zogut, ku kryengritësit myzeqarë arrestuan nënprefektin dhe vranë gjeneral Gjilardin, ish këshilltar austriak në ushtrinë e Zogut dhe kryengritësit shtinë në dorë pothuaj qytetin e Fierit.

Rahmani, me Taulla Sinanin, Llazar Bozon, Hekuran Manokun e shumë të tjer

ë nga Myzeqeja e Lushnjes, ishin ndër më aktivët në këtë betejë, ndaj u arrestuan dhe nga gjykimi i shpejtë që iu bë mjaft të arrestuarve, një pjesë e mirë e tyre u dënuan me vdekje. Protestat e popullit të Fierit e Lushnjes dhe krahinave për rreth, bënë që ky dënim të kthehej me burgim duke iu falur jeta. Pas një kohe, Rahmani doli nga burgu dhe u bë një antizogist i vendosur. Ai pranoi të hidhej në radhët e luftës Nac.Çl. dhe u bë një nga drejtuesit kryesor në formacionet partizane që u krijuan në rrethin e Lushnjes, nga komandant i çetës së parë partizane, i batalionit të parë, deri dhe komandant i Brigadës së XVI-të Sulmuese.

-Nesër do lexoni:

-Roli i drejtuesve të Frontit Nac.Çl. të Lushnjes Spiro Moisiu, Pipi Bakalli, Xhorxhi Robo dhe Irakli Bozo

-Çfarë ishin nacionalistët Isa Manastiri, Hamit Matjani, Him Konoshi, Bexhet Qafa, dhe Misir Sulko.

– Uragani që shpërtheu anë e mbanë Shqipërisë me thirrjen: “Bashkohuni shokë me ne në çeta”, ngriti popullin për çlirim kombëtar

– Takimi me 5 krerët e bandave në fshatin Ngurrëz e Vogël, Xhorxhi Robo, Hasan Gina, Koli Ll. Bozo, Miti Bozo dhe Naim Kuçi.