Jovan  BIZHYTI/ Kontributi  i  popullit  të  Myzeqesë  në  lëvizjen    demokratike  të  viteve  1921-‘24

1145
Sigal

Ngjarjet e shumta me karakter demokratik kombëtar që zhvilloheshin në gjithë vendin në vitet 1921-24, patën ndikimin e tyre dhe në Myzeqenë e Lushnjës. Veçanërisht masa e fshatarëve dhe e intelektualëve përparimtarë, nisën të organizoheshin në revolta kundër shtypjes e shfrytëzimit të bejlerëve e feudalëve për mos pagimin e taksave, të tretave, të dhjetave dhe kundër mashtrimeve që bënin shtresa e pasur e feudalëve, mbështetur dhe nga   qeveria  fashiste  në  fushatat  elektorale  për  të  ruajtur  pushtetin  e  tyre.

Në ato vite një ndikim të madh në Myzeqe pati dhe rroli i Avni Rustemit në organizimin e shoqatave demokratike siç ishin ajo “Atdheu” dhe më pas shoqata “Bashkimi”, ku idetë e tyre kishin gjetur mbështetje dhe përkrahje nga shumë patriotë dhe intelektualë myzeqarë, siç ishin Naun Doko (Prifti), Llazar Bozo, Shuke Radoja, Izet Libohova, Zoi Ndreko, Ahmet Shehu e të tjerë. Në aktivitetin e tij patriotik, Avni Rustemi kishte një mbështetje të fuqishme në Myzeqe. Ai në shkurtin e vitit 1921 erdhi në    fshatin Kolonjë të Myzeqesë në shtëpinë e patriotit Llazar Bozo bashkë me Halim Xhelon, Jani Mingën, Naun Priftin dhe Zija Mullain, ku diskutuan      për bashkimin e të gjitha organizatave dhe shoqërive patriotike para dhe pas Luftës së Vlorës, në një Federatë të vetme “Atdheu”. Dhe në 25 prill 1921 u mblodh në Vlorë Kongresi me delegatë nga e gjithë Shqipëria, që krijuan Federatën “Atdheu”. Në tetor 1922, Avni Rustemi krijoi në Tiranë shoqërinë demokratike “Bashkimi”, ku mbështetur dhe nga shumë patriotë të tjerë nisi punën për ngritjen e nëndegëve të saj dhe në rrethe e krahina të ndryshme      të vendit. Dy nëndegë të saj u ngritën dhe në Myzeqenë e Lushnjës. Njëra u ngritë në fshatin Libofshë, qendër komune e dëgjuar për veprimtari patriotike në Myzeqe e drejtuar nga mësuesi patriot Naun Doko (Prifti), i cili ishte dhe bashkëpunëtor i afërt me Avni Rustemin. Ndërsa dega tjetër u ngritë në  qytetin e Lushnjës, e drejtuar nga Shuke Radoja. një intelektual i ri nga Shkodra, që jetonte e punonte në Lushnje si specialist bujqësie dhe që kish studiuar  në  Shën Mitër Korona  të  Kalabrisë  në  Itali.

Bujqit myzeqarë të frymëzuar nga programi demokratik dhe përpjekjet     e shoqatës “Bashkimi”, i dërguan një telegram qeverisë ku shprehnin urrejtjen kundër bejlerëve, feudalëve, iltizançinjëve, fajdexhinjve dhe angarive në të cilën thuhej : “E treta dhe e dhjeta t’i jepen katundit (pra jo iltizançinjëve), të ndalohet angaria personale për bejlerët e nëpunësit e tjerë”. Ata kërkonin gjithashtu që, “…fara për mbjelljet të dali nga tërësia e prodhimit, e jo mbasi të hiqet e treta dhe e dhjeta”. Këto kërkesa qeveria dhe feudalët i konsideronin të  rrezikshme  dhe  si  propagandë  bolshevike.

Në këtë periudhë zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare në shkallë     vendi e ato lokale për bashkitë e komunat dhe si kudo edhe në Myzeqe konkurronin kryesisht dy forca politike që dalloheshin nga platformat e programet e tyre politike. Njëra ishte ajo demokratike-borgjeze me ide për zgjerimin e lirive demokratike kundër shfrytëzimit feudal, e drejtuar nga patriotët Naun Doko (Prifti), Shuke Radoja, Izet Libohova, Ahmet Shehu e të tjerë dhe forca tjetër kundërshtare, ishte partia popullore konservatore e përfaqësuar nga shtresa e bejlerëve dhe feudalëve me bindje të djathta, e drejtuar nga Ahmet Bej Resuli, Qemal Bej Mullai, Qemal Bej Karaosmani e      të tjerë. Këto forca bënin një luftë të ashpër propagandistike, ku në një dokument të asaj periudhe për Lushnjën shkruhej: “Lufta për zgjedhjet e bashkisë kësaj here po shfaqet më me rreptësi se dikur”. Më tej thuhej : “…Zgjedhjet u bënë me mbledhje parash e dhënie muzajede, kërkohet që t’i pritet hovi këtij mjeti të turpshëm dhe të dënohen të gjithë ata që shesin  votat”.

Qeveria e Ahmet Zogut, e mbështetur dhe nga shtresa e feudalëve, nisën një luftë të ashpër ndaj kundërshtarëve dhe shoqatave demokratike     me karakter antifeudal. Në Kavajë u vra nga agjentët e Zogut patrioti Haxhi Isuf Kazazi, ku në varrimin e tij morën pjesë dhe një grup patriotësh myzeqarë si: Besim Nuri, ish-kryetar i komisionit nismëtar për thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes, Taullah Sinani, Ikonom Dhima, Zoi Ndreko, Teki Libohova  e  të  tjerë.

Në prill 1924 u vra me atentat në Pazarin e Ri në Tiranë patrioti Avni Rustemi. Kjo e rriti akoma më shumë zemërimin e revoltën e popullit si       kudo dhe në Myzeqe kundër qeverisë së Zogut. Degët e shoqërisë “Bashkimi” në Lushnje e në Libofshë, i dërguan telegram proteste qeverisë dhe Naun Doko (Prifti) me një grup myzeqarësh shkoi në Vlorë, ku mori pjesë në ceremoninë mortore të varrimit të Avni Rustemit. Protestat dhe kryengritjet e armatosura që shpërthyen në të gjithë vendin, përfshinë dhe forcat demokratike të Myzeqesë. Në 2 maj 1924, populli i Lushnjës, pas një proteste masive, i dërgoi një telegram në formë ultimatumi Këshillit të Lartë të Qeverisë Qendrore, ku shprehte revoltën dhe zërimin e tij ndaj vrasjes  së  Avni  Rustemit.

Në zjarrin e këtij zemërimi, shumë forca demokratike të Vlorës dhe të Përmetit, rrëmbyen armët dhe u nisën në marshimin drejtë Tiranës. Pasi kaluan Fierin, në zonën pranë Libofshës në kodrat e Ardenicës, protestuesit ranë në përpjekje me një batalion të forcave bashibozuke të qeverisë së    Zogut, që kishin dalë në pritë. Kryengritësit luftuan me heroizëm dhe nuk e ndalën marshimin e tyre drejtë Tiranës. Forcave të Vlorës dhe të Përmetit,     iu bashkëngjitën dhe shumë luftëtarë myzeqarë nën drejtimin e Naun Doko (Priftit), Kol Gegës, Zoi Ndrekos e të tjerë. Po ashtu një skuadër luftëtarësh patriotë nga Lushnja të komanduar nga Qemal Çela, ranë në përpjekje          me mbeturinat e shpartalluara të ushtrisë së mercenarëve të Zogut që ishin shpërndarë në pyjet e kodrave të Ardenicës. Forcat demokratike të popullit kryengritës në këtë betejë dolën fitimtarë në përpjekje me forcat qeveritare dhe të mbështetura nga populli i Myzeqesë, u përcollën me     dashuri  drejtë  Kavajës  e  Tiranës.

Këto revolta dhe kjo kryengritje, u bënë pjesë e revolucionit demokratik të qershorit 1924, që rrëzoi pushtetin e Ahmet Zogut dhe sollën në pushtet qeverinë demokratike të udhëhequr nga Fan Noli. Por siç dihet nga historia, jeta e kësaj qeverie qe e shkurtër vetëm gjashtë muaj dhe Ahmet Zogu me   ndihmën e ushtrisë serbe u rikthye përsëri në pushtet. Shumë figura të shquara të kësaj lëvizje demokratike u përndoqën dhe u persekutuan nga qeveria e Ahmet Zogut, ku një pjesë e tyre bashkë me to dhe Fan Noli, morën arratinë  në  emigracion.

Roli  i  intelektualit  dhe  patriotit  Naun  Grigor  Doko  (Prifti)  në  vitet  1921-‘24.

Në këto vite të gjallërimit të lëvizjeve demokratike në mbarë vendin, në Myzeqe u shqua në veçanti intelektuali dhe patrioti Naun Grigor Doko (Prifti) nga katundi Libofshë. Për aktivitetin e tij patriotik kundër pushtuesve fashistë italian në vitet 1919-20, ai u burgos dhe u internua në Babicë të Vlorës dhe më pas për një vit u dërgua në burgjet e Italisë. Gjatë viteve 1921-‘24 ka punuar si mësues në disa fshatra të Fierit dhe të Lushnjës, së fundi dhe në shkollën shqipe që u hap në Manastirin e Ardenicës. Nëpërmjet aktivitetit të shoqërive demokratike “Atdheu” e “Bashkimi”, ai u lidh ngushtë me Avni Rustemin. Punoi me penë e luftoi me armë për liri e demokraci.   Vuajti, por s’u ankua, u plagos nga bejlerët e forcat e pushtetit,  por s’u tremb, u burgos nga pushtuesit fashistë italian, por s’u përkul. Vrasja e Avni Rustemit e dëshpëroi shumë dhe në krye të një grupi patriotësh myzeqarë, mori pjesë në varrimin e tij në Vlorë, ku i vuri dhe një kurorë  mbi  varr.

       Naun Doko (Prifti) luftoi me armë në Myzeqe, në Durrës e në Tiranë, luftoi burrërisht në kodrat e Rashbullit për fitoren e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 dhe pas dështimit të Qeverisë Demokratike të Fan Nolit, përkrahës i flaktë i së cilës ishte që në fillim, ai emigroi jashtë shtetit, së fundi në Bashkimin Sovjetik në Tbilis të Gjeorgjisë. Atje punoi, mësoi e jetoi i brumosur me idetë komuniste bolshevike. Militoi si luftëtar e drejtues i shoqatave demokratike të popullit në Myzeqe, si emigrant jashtë vendit të tij, si student, pedagog e shkencëtar dhe rektor universiteti në Tbilis deri sa vdiq  në  moshë  të  re  38  vjeç  në  maj  1934, i  mërguar  në  dhe  të  huaj.

       Ja si shkruan patrioti Xhorxhi Robo në kujtimet e tij për Naun Doko (Priftin): “Kur isha me studime në Moskë në vitin 1957, ishim një grup studentësh shqiptarë që shkuam për praktikë mësimore në Tbilis të Gjeorgjisë. Atje u interesova pranë Universitetit të Tbilisit për aktivitetin e patriotit myzeqar Naun Grigor Doko (Prifti) nga Libofsha e Myzeqesë. Nauni pas një aktiviteti shumë të pasur patriotik e revolucionar në Myzeqe, u përndoq nga qeveritë fashiste dhe ajo e Zogut dhe pas dështimit të Qeverisë Demokratike të Fan Nolit, si shumë patriotë të tjerë, emigroi dhe ai në Tbilis të Gjeorgjisë. Në vitin 1926 ai ishte student në atë universitet. Në vitin 1930, pasi mbaroi shkëlqyeshëm studimet, emërohet punonjës shkencor. Më pas përfundon dhe aspiraturën në fushën e planifikimit ekonomik. Në vitin 1932 emërohet Zv/Rektor i Universitetit të Tbilisit dhe një vit më vonë në     1933 emërohet Rektor i atij Universiteti. Pra ishte një figurë pedagogjike e   shkencore që ka nderuar Shqipërinë dhe Myzeqenë. Në vitin 1934 në     moshën 38 vjeç vdiq në sanatoriumin e Tbilisit nga tuberkulozi. Muzeumi qendror i Tbilisit, mbante të ekspozuar një stendë me materiale nga jeta       dhe vepra pedagogjike e shkencore e rektorit shqiptar të atij universiteti, Naun Grigor Doko (Prifti). Për ne shqiptarët, e veçanërisht për mua si myzeqar, – tregonte Xhorxhi në kujtimet e tij, – ishte nder e krenari për veprën e kontributin e këtij njeriu enciklopedik, pedagog e shkencëtar me vlera të larta njerëzore e shkencore. Naun Doko (Prifti) mbahej mend nga brezi i atyre  viteve  dhe  kujtohej  me  shumë  respekt  nga  qytetarët  e  Tbilisit”.

       Bashkëfshatarët e Libofshës i kanë ngritur atij një bust në qendër të fshatit, ndërsa publicistët Naun Kule dhe Jovan Jano kanë shkruar për ‘të monografi dhe artikuj publicistik për jetën dhe veprimtarinë demokratike të  tij.