Flamurtari ndryshon skemë, Gjoka kopjon modelin gjerman

474
Sigal

Fituesit e Kupës do të kalojnë në 4-2-3-1. Të dielën, finalja e Superkupës ndaj Skëdnerbeut

 Flamurtari do të zbresë në duelin e madh me Skënderbeun në finalen e Superkupës së Shqipërisë (të dielën, më 17 gusht. 19:00) me një rreshtim taktik, të ndryshëm nga ai që zakonisht përdori trajneri Ernest Gjoka për fitimin e Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit. Kështu, tekniku i vlonjatëve pas plotësimit të grupit të lojtarëve me disa blerje të bujshme (Ilion Lika, Erjon Vuçaj, braziliani Gilberto, gjeorgjiani Galazhivili), ka kristalizuar rreshtimin taktik. Sipas asaj që është venë re gjatë seancave stërvitore, në ndeshjet miqësore dhe ato brenda grupit, trajneri Gjoka dëshiron të kalojë nga 4-4-1-1 i sezonit të kaluar në 4-2-3-1, me Ilion Likën në portë, dhe brazilianin Dagllas që i bashkohet Velut në qendër. Krahët nuk ndryshojnë me Arbrin në të djathtë dhe Micin në të majtë. Të konfirmuar përpara mbrojtjes janë Lena dhe Telushi, të cilët pritet të jenë mushkëria e mesfushës, me forcën e tyre fizike por dhe cilësitë teknike. Për një vend titullari në sulm gara është e ashpër, pasi Abilaliaj do të ketë konkurrencën e Gilbertos por edhe të gjeorgjianit Gelazhvili. Për momentin në avantazh është vlonjati Abilaliaj, pasi Gilberto nuk gëzon formë të mirë, ndërsa Gelazhvili ende nuk ka zbarkuar në Vlorë. Prapa sulmuesit kryesor do të jetë blerja e re Erjon Vucaj, që shihet si njeriu që do të dhurojë pasin final, i ndihmuar në krah nga Muzaka dhe Gilman Lika. Një treshe shumë cilësore me dy futbollistë që janë në xhiron e Kombëtares Shqiptare, si dhe me një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit shqiptar. Flamurtari e ka fituar dy herë Superkupën e Shqipërisë (1990, 1991), ndërsa Skënderbeu e ka fituar vetëm një herë, pikërisht edicionin e fundit të saj (kundër Laçit). Flamurtari tashmë ka kaluar në administrimin e dy shoqërive turke

TRK dhe Atlas Jet, të cilat prej disa ditësh kanë arritur më në fund marrëveshjen me Bashkinë e Vlorës. Donatorët e rinj kanë bërë disa investime paraprake në stadiumin e Flamurtarit, ku spikat ndërhyrja në hyrjen ballore të impiantit kuqezi. Flamurtari arriti të kalojë një tur në Ligën e Europës, kur eliminoi gjeorgjianët e Sioni Bilnisi në turin e parë elimnator, përpara se të eliminohshin në turin e dytë nga rumunët e Petrolul Ploieshtit, me dy humbje si në Rumani ashtu dhe në Vlorë. Investitorët turq, të cilët ndikuan jo pak në fitimin e Kupës së Shqipërisë, tani synojnë t’i kthejnë titullin kampion në Vlorë, që në fakt mungon që nga viti 1991, pra prej 23 vjetësh. Flamurtari do ta nisë kampionatin me ndeshjen kundër Teutës në Vlorë, ndërsa në javën e dytë do të udhëtojë në kryeqytet për t’u përballur me Tiranën. Skuadra vlonjate e mbyll fazën e parë si dhe të gjithë kampionati me ndeshjet kundër Kukësit.

FINALJA E SUPERKUPËS

Skënderbeu-Flamurtari

17 gusht, 19:00

Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”

Tiranë

Kalendari i Flamurtarit

Faza e Parë

Java 1 (23.08.2014)

Flamurtari-Teuta

Java 2 (30.08.2014)

Tirana-Flamurtari

Java 3 (10.09.2014)

Flamurtari-Apolonia

Java 4 (14.09.2014)

Flamurtari-Vllaznia

Java 5 (20.09.2014)

Elbasani-Flamurtari

Java 6 (27.09.2014)

Flamurtari-Laçi

Java 7 (04.10.2014)

Partizani-Flamurtari

Java 8 (18.10.2014)

Flamurtari-Skënderbeu

Java 9 (25.10.2014)

Kukësi-Flamurtari

Tirana fiton 4-0 me Besën

Tirana fotoi 4-0 me Besën në miqësoren e zhvilluar në “Selman Stërmasi”. Golat u shënuan nga Muça, Ndikumana, Bakaj dhe Peposhi.

  Vllaznia firmos me portierin malazez Vladan Giljen

 Vllaznia firmos me portierin malazez Vladan Giljen, i cili si për koincidencë pason një tjetër bashkëatdhetar të tij, Miroslav Vujadinoviçin, tashmë të larguar te Laçi, Lajmi u bë i ditur përmes një komunikata të klubit shkodran. Pasi arriti akordi me zv/presidentin Isufi, Giljen është vënë në dispozicion të skuadrës, edhe pse ende nuk ka firmosur përfundimisht kontratën që do ta lidhë për një sezon me klubin verior. Afrimi në ekip i 25-vjeçarit malazez, mund të konsiderohet si goditja më e madhe e Vllaznisë në këtë merkato vere, për vetë faktin se Giljen pavarësisht se është ende shumë i ri në moshë ka një eksperiencë të madhe mbi supe teksa në të shkuarën, për plotë 3 sezone ka mbrojtur portën e klubit të njohur portugez Nacional Maderia. Giljen e ka nisur karrierën te skuadra malazeze e Sutjeskas në vitin 2007, ndërkohë që së fundmi ai ka qenë pjesë e skuadrës serbe të Ofk Beograd. 25-vjeçari është mjaft i njohur në vendin e tij pasi ka mbrojtur edhe portën e kombëtares së 21-vjeçarëve të Malit të Zi për 12 ndeshje. Ndërkohë që një tjetër lajm i mirë për Vllazninë pas afrimit të Giljen është se edhe qëndërmbrojtësi Elvin Beqiri ka vendosur të vijojë karrierën e tij me ekipin shkodran, madje ky i fundit është përzgjedhur edhe si kapiteni i ekipit, detyrë që e kishte edhe në edicionin e fundit. Vllaznia do ta nisë javën e parë të kampionatit me sfidën ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”, për të vazhduar më pas me Teutën në Durrës e Tiranën në Shkodër. Vllaznia tani administrohet nga shoqëria zviceane “Gea Sport” me president Roberto Nava. Nava është zgjedhur edhe Kryetari i Këshillit Mbikqyrës së Klubit Futbollit Vllaznia Sh.A. Armir Grima do të mbajë postin e shefit të klubit ndërsa Neritan Kalamishi është zgjedhur administrator.

 Projekti pilot do të zbatohet në Shkollën e Mesme Sportive “Bernardina Qerraxhia” Durrës

 Futbolli i femrave me klasë sportive

 Futbolli i fermave në Shqipëri po merr një tjetër dimension, dhe pas kualifikimit historik të kombëtares Shqiptare në një fazë eliminatore të një Kupe Bote, tashmë po projektohet hapja e klasës së parë të futbollit në një shkollë sportive. Është pikërisht shkolla e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në qytetin e Durrësit, që kërkon të implementojë në sezonin e ri edhe klasën sportive të futbollit për femra. Kjo shkollë është e njohur në botën e sportit në Shqipëri pasi nga dyert e saj kanë dalë sportistë të elitës si Mirela Manjani, Adriatik Hoxha, Luiza Gega, Kreshnik Qato, apo edhe futbollistët aktualë Gëzim Krasniqi, Rustem Hoxha etj. Nisur nga kërkesat e shumta për masivimin e futbollit të femrave, drejtoria e shkollës ka marrë miratimin nga Ministria e Arsimit që këtë vit të hapet klasa e parë e futbollit për gjininë femërore. Drejtori i këtij institucioni, Artur Velaj tregon iniciativën e ndërmarrë.

“Kemi paraqitur programin në Ministrinë e Arsimit, gjë që është pritur mirë, dhe këtë vit hapim klasën e parë për futbollin e femrave. Nxënëset pjesëmarrëse do të kenë shumë përfitime, pasi në të ardhmen mund të bëhen asistente trajnerësh, gazetarë sportive apo edhe analiste të futbollit”. Nga bankat e kësaj shkolle ka dalë edhe futbollistja e ekipit kombëtar të drejtuar nga Altin Rraklli, Lucie Gjini, e cila pavarësisht se aktivizohet në sportin e futbollit, ka përfunduar shkollën për volejboll. Lindur nga kjo problematikë, por dhe dëshira për të ushtruar sportin e bukur të futbollit po projektohet hapja e kësaj klase edhe për femrat, e cila do të jetë gjithëpërfshirëse në rang gjeografik. “Në shkollën tonë do të pranohen nxënëse jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova dhe Maqedonia”. Në ditët e para të muajit Shtator është parashikuar nga stafi drejtues i shkollës së mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia” që të kryhen normat e nxënësve që do të afrohen në këtë klasë sportive.

Sharapova, sportistja më e paguar për 2014

 Sipas revistës “Forbes” gjatë një viti tenistja ruse ka fituar 24.4 milionë dollarë  duke lënë pas sportistet e tjera.

Lista e “Forbes” ka renditur në vendin e dytë Li Na me 23.6 milionë USD dhe në të tretin tenisten amerikane, Serena Uiliams dhe 22 milionë USD. Më pas lista vazhdon me lojtare të tjera  Viktoria Azarenka, Karoline Vozniacki, Agnieszka Radvanska dhe Ana Ivanoviç që janë të renditura në top 10 e revistës amerikane “Forbes” e specializuar në fushën ekonomike dhe të financës.

 Dash FRASHËRI