Jovan Bizhyti: Histori arkivash të pathëna për bandën e Xhevdet Mustafës, 25 shtator 1982

666
Sigal

 

Jovan Bizhyti: Histori arkivash të pathëna për bandën e Xhevdet Mustafës, 25 shtator 1982. Radiotransmetuesi i gjetur 3 muaj më parë, ndërlidhësi i ambasadës jugosllave në Romë dhe si e udhëhoqi Enveri operacionin, hallkë pas hallke

                              

Histori arkivash të pathëna

Për bandën e Xhevdet Mustafës 25 shtator 1982

 

  • – Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha kishte radiorrjetin më të përsosur e më cilësor të informacionit e të komandimit të ushtrisë
  • – Tre muaj më parë se të zbarkonte banda në bregdetin e Divjakës, pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin, u zbulua një aparat radio-transmetues i vogël
  • – Ndërlidhësi kryesor i këtij misioni antishqiptar në diasporë, ishte sekretarI i parë i ambasadës jugosllave në Romë, Petër Paviç

Ardhja e një bande kriminale në bregdetin shqiptar në 25 shtator 1982, ishte nga ngjarjet më tronditëse të kohës, jo vetëm për rrezikshmërinë ndaj pushtetit komunist, por dhe për veprimtarinë e saj kriminale me humbje jete njerëzore dhe, që ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një ngjarje, që megjithëse dihej e pritej ardhja e saj, prapë se prapë ajo e realizoi deri në një farë shkalle misionin kriminal, duke marrë jetën e 6 qytetarëve të pafajshëm dhe eleminimi i dy drejtuesve të saj.

Sigurisht, objektivi final për të cilin ishte nisur, nuk u realizua, por efekti i saj arriti të trondisë jo vetëm opinionin shoqëror, por dhe themelet e pushtetit komunist të kohës. Pas kësaj ngjarjeje, analizat nxorën në pah krizën e brendshme të pushtetit, si dhe shumë probleme të qëndrushmërisë, të vigjilencës dhe të besnikërisë ndaj sistemit, nga njerëz të veçantë që drejtonin sektorë të rëndësishëm të atij pushteti, që dalëngadalë nisi shkërmoqjen e tij, veçanërisht pas vdekjes së Enver Hoxhës, pas vitit 1985.

Për këtë ngjarje të asaj kohe, është shkruar nga opinionistë të ndryshëm rreth përbërjes së bandës, për objektivin e saj dhe pasojat që rrodhën pas zbarkimit në bregdetin e Divjakës, si dhe krimet e ndodhura hap pas hapi në përpjekjet për të dalë nga zona e disllokimit. Por historia e saj sipas arkivave, dhe dëshmive të njerëzve që e kanë përjetuar nga afër këtë ngjarje, është e lidhur dhe me një sërë shtjellimesh, që mundën të nxjerin në pah të vërtetat e saj, si u krijua, kush e financoi dhe prapaskenat që ndiqte hap pas hapi Enver Hoxha me rrjetin e tij të kundrazbulimit.

Sipas dokumentave arkivore të kohës, por dhe dëshmive të drejtuesve të lartë të shtetit, në zbulimin e atij grupi terrorist të ardhur nga deti, e veçanërisht në përcielljen e sinjalit deri tek Komandanti i Përgjithshëm, si dhe drejtimin e operacionit për neutralizimin e asgjësimin e asaj bande, rol kryesor ka luajtur sistemi sekret i ndërlidhjes që kishte Enver Hoxha.

Një nga inxhinjerët e ndërlidhjes në Ministrinë e Brendshme, në kujtimet e tij shkruan: “Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha kishte radiorrjetin më të përsosur e më cilësor të informacionit e të komandimit të ushtrisë, të paisur me aparatura bashkëkohore perëndimore tip URC-100. Në radiorrjetin në fjalë bënin pjesë: Komandanti i Përgjithshëm, detyrë të cilën e mbante Enver Hoxha, Ministri i Mbrojtjes, ai i Punëve të Brendshme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe dy-tre oficerë madhorë të mbrojtjes bregdetare, asaj kundraajrore dhe të aviacionit”.

Por, me zbarkimin e bandës së Xhevdet Mustafës në 24 shtator 1982 në bregdetin e Divjakës, sipas dokumenteve zyrtare arkivore, pohimeve të ushtarakëve të hallkave të ndryshme që përgjigjeshin për gadishmërinë dhe analizave të zhvilluara në dikasteret qendrore e në ato të terrenit, konkludohet se këto hallka në rastin konkret, ndryshe nga gadishmëria perfekte e strukturave të veçanta dhe aparaturave të kohës, nuk funksionuan siç duhet.

Ngjarja në fjalë, duhej të konstatohej nga rojet bregdetare të kufirit pranë vendit të zbarkimit në bregdetin e Divjakës, nga rojet e strukturave të artilerisë kondra-ajrore në zonën për rreth, nga posta kufitare në atë territor në vartësi të Ministrisë së Brendshme, si dhe të rojeve të batalionit art-mitralier, që ishte i disllokuar në atë zonë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, të gjitha këto struktura, nuk kanë funksionuar dhe gomonia me personat e bandës në bord, kanë zbarkuar në orët e para të mëngjazit pa asnjë shqetësim.

Tre muaj më parë se të zbarkonte banda në bregdetin e Divjakës, pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin, u zbulua një aparat radio-transmetues i vogël dhe funksional sa një paketë cigare, për të cilin mori dijeni direkt vetëm Enver Hoxha. Për këtë aparaturë dhe për gjithë operacionin e ndjekjes së misionit të bandës terroriste, Enver Hoxha anashkaloi të gjithë titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Rendit. Përpara këtij fakti, ata nuk kishin informacionin e duhur për bandën që pritej të vinte në bregdetin shqiptar.

Zyrtarisht u mësua se banda e Xhevdet Mustafës e kishte ndryshuar pikën e zbarkimit, jo atje ku u gjet aparatura e radio-ndërlidhjes, e cila do shërbente si sinjal, apo si “xhipiest”, për të treguar vendin e zbarkimit, por mungesa e saj bëri që të çvendoseshin më tej, në brezin e tokës së vdekur pranë kanalit hyrës që lidh lagunën e Karavastasë me detin. Enveri kishte informacion që lidhej me informata nga burime të ndryshme, jo vetëm për misionin e bandës terroriste të Xhevdet Mustafës, por dhe për dyshimet ndaj disa krerëve të lartë të shtetit, që përfliteshin si të implikuar me agjenturat e huaja, që kërkonin rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, përfshi dhe asgjësimin e tij.

Nga gjithë këto të dhëna, mësohet se Enver Hoxha, me marrjen e sinjalit për veprimtarinë operacionale të kësaj bande kriminale, e deri në asgjësimin e plotë të saj, ishte pothuaj direkt në udhëheqje të operacionit hallkë pas hallke. Kuadrot drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, duke mos qenë plotësisht të informuar, nuk e mbajtën nën kontroll të rreptë bregdetin e Divjakës. Ndërsa Enveri, nëpërmjet fijeve të informimit që kishte krijuar, jo vetëm kish bërë vlerësimin real të situatës nga gjetja e radio-stacionit, por ndiqte me shumë vëmendje dhe drejtimin e operacionit pas zbarkimit të bandës. Nuk përjashtohen në këtë veprimtari dhe dyshimet e mbajtja nën vëzhgim e lidhjeve të mundëshme të Kadri Hazbiut, që u përfol më pas për lidhjet me bandën kriminale të Xhevdet Mustafës.

Situata politike dhe ekonomike në Shqipëri në periudhën e viteve 1981-82, përjetonte një krizë të brendëshme, që nisi të dukej më hapur në jetën e përditshme. Agjenturat e huaja dhe sidomos ajo jugosllave që ishte më aktive, po e shfrytëzonin këtë situatë dhe në planet e tyre ndaj Shqipërisë, u përfshi dhe aktiviteti i kësaj bande kriminale, që synimin kryesor kishte eleminimin e udhëheqësit politik të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Pikërisht, kjo kohë u zgjodh si më e volitshme për faktin:

Së pari, se në këtë periudhë gjendja shëndetsore e Enver Hoxhës ishte rënduar së tepërmi.

Së dyti, sapo kish ndodhur eleminimi fizik i Kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetor 1981 dhe kjo kish krijuar një situatë disi kaotike.

Së treti, sapo ishte larguar dhe Kadri Hazbiu nga drejtimi i dikasterit të Ministrisë së Brendshme dhe kish kaluar Ministër në Ministrinë e Mbrojtjes.

Së katërti, edhe ekonomia në Shqipëri pas viteve 80, po shfaqte shenja krize e rënie të pandalshme, dhe të gjitha këto me sa duket, kishin krijuar çoroditje e pakënaqësi në shtresa të veçanta të popullsisë.

Në këto kushte, agjenturat e huaja dhe në veçanti ajo jugosllave, nisën të aktivizojnë disa elementë antikomunistë në diaspor, të cilët shquheshin në aktivitetet e tyre antishqiptare dhe si kundërshtar të vendosur të regjimit komunist në Shqipëri, siç ishin: Sabaudin Haznedari dhe Abdyl Banushi në Itali, të cilët ishin protagonistët e hedhjes dhe të bombës në oborrin e ambasadës shqiptare në Romë. Po ashtu ishte etiketuar dhe Xhevdet Mustafa me banim në SHBA, i njohur si terrorist dhe trafikant ndërkombëtar droge, si dhe Halit Bajrami në Zelandën e Re, mik i vjetër i Sabaudinit, por i pa njohur në misionin e tij, si i dërguar i sigurimit të shtetit shqiptar në diaspor. Po në Zelandën e Re ndodhej dhe Fadil Kaceli, edhe ky i arratisur gjatë viteve 50.

Ndërlidhësi kryesor i këtij misioni antishqiptar në diasporë, ishte një diplomat i huaj, sekretar i parë i ambasadës jugosllave në Romë, Petër Paviç, i cili kish ideuar dhe përbërjen e grupit me pak njerëz të vendosur e besnik, si kundërshtar të betuar të regjimit komunist në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Njohësi më i afërt me këtë diplomat, ishte Sabaudin Haznedari, i cili u bë dhe ndërlidhës me pjestarët e tjerë, si me Halit Bajramin, mikun e tij të vjetër me të cilin ishin arratisur së bashku dhe të arratisurin tjetër, Fadil Kacelin, të dy me banim në kontinentin e largët të Zelandës së Re. Më pas Sabaudini shkoi dhe në SHBA për t’u njohur nga afër me Xhevdet Mustafën.

Halit Bajrami dëshmon se, u thirr në Romë nga Sabaudin Haznedari dhe në një takim që patën me diplomatin e ambasadës jugosllave në Romë, Petër Paviçin, ai i tha Halitit se: “Trazirat në Kosovë në vitet 81, u nxitën nga udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha, për të destabilizuar Jugosllavinë”. Ky diplomat, nisi dhe Sabaudinin në SHBA, për t’u njohur me Xhevdet Mustafën, ku ndërmjetës ishte Abdyl Banushi, nga Golemi i Gjirokastrës, i arratisur në vitet 50-të.

 

 

Nesër do lexoni:

 

– Xhevdet Mustafa ishte një trafikant i njohur ndërkombëtar dhe ndodhej i dënuar në burgun e Neë Yorkut në SHBA

– Halit Bajrami u ngarkua nga diplomati jugosllav Petër Paviçi, që të interesohej për mundësitë e nxjerjes së tij nga burgu.

-Haliti midis të tjerave deklaron se: “Depozitova 1 milion dollarë siguracion, investuar nga sigurimi jugosllav, për lirimin nga burgu të Xhevdet Mustafës”

– Koli Markut, i dukej i pamundur ky angazhim aventuresk i Xhevdetit!

-Atentati ndaj Enver Hoxhës ishte i pa realizueshëm, pasi ai jo vetëm ishte i blinduar me roje besnike të Gardës Qeveritare

-Diplomati jugosllav i dha porosi Halit Bajramit, që në kohën e mbërritjes në Tiranë, të merrte kontakt me Kadri Hazbiun

-Në çdo veprim të bandës, Halit Bajrami do ishte personi, që do të mbante lidhjet me Kadri Hazbiun

-Pas 36 orësh, mbetën të vrarë 6 viktima njerëzish të pafajshëm, si dhe u asgjësuan dy drejtuesit kryesor të bandës, Sabaudin Haznedari dhe Xhevdet Mustafa.

– Në sektorin e Zhamës ku ishte rrethuar Xhevdet Mustafa, erdhën dhe dy ministrat  Hekuran Isai nga Tirana dhe Kadri Hazbiu

 

 

Xhevdet Mustafa ishte një trafikant i njohur ndërkombëtar dhe ndodhej i dënuar në burgun e Neë Yorkut në SHBA. Halit Bajrami u ngarkua nga diplomati jugosllav Petër Paviçi, që të interesohej për mundësitë e nxjerjes së tij nga burgu. Haliti midis të tjerave deklaron se: “Depozitova 1 milion dollarë siguracion, investuar nga sigurimi jugosllav, për lirimin nga burgu të Xhevdet Mustafës”.

Për mardhëniet me Xhevdet Mustafën, deklaron dhe një shqiptar i diasporës, Koli Marko, me origjinë nga fshati Mizë i Divjakës, i arratisur dhe ky në vitet e para të pasçlirimit, me banim në Detroid të SHBA. Ishte mik i afërt me Xhevdet Mustafën. Ai deklaron:

-“Xhevdeti ishte një djalë i hedhur, shumë aktiv dhe i përfshirë në trafiqe të ndryshme kriminale, veçanërisht me trafik ndërkombëtar të drogës. Kur u konfigurua si pjestar i bandës me Sabaudin Haznedarin dhe Halit Bajramin, më pyeste shpesh për territorin në zonën bregdetare të Divjakës. Më ftoi dhe mua të bëhesha pjestar i grupit. Por unë, duke e njohur si aventurier, nuk pranova. Më dukej marrëzi angazhimi i tij për të zbarkuar në Shqipëri, aq më tepër për të shkaktuar trazira e terror. Xhevdeti shprehej, se nga ky angazhim në këtë aksion, do përmbyste sistemin e Enver Hoxhës, si dhe eleminimin fizik të tij dhe nga gjithë kjo aventurë, do shpërblehej me shuma të mëdha dollarësh”!

Koli Markut, i dukej i pamundur ky angazhim aventuresk i Xhevdetit! Kjo për faktin se, atentati ndaj Enver Hoxhës ishte i pa realizueshëm, pasi ai jo vetëm ishte i blinduar me roje besnike të Gardës Qeveritare, por ato kohë e gjithë Shqipëria ishte në një situatë të lartë gadishmërie. Po ashtu dhe emrat e njerëzve që përbënin grupin, Koli Marku përsa kish arritur t’i njihte, nuk kish shumë besim në vendosmërinë e tyre. Gjithë kjo aventurë, shprehej Koli, “I dukej si një kurth i sigurimit të shtetit shqiptar, për të cilën Shqipëria kishte një përvojë të sukseshme”.

-“Nuk e di,- thot ai,- se kush e ideoi këtë mision! Xhevdeti ishte një legalist i thekur në bindjet e tij dhe një antikomunist i vendosur. U nis në Shqipëri me aventurën për të vrarë Enver Hoxhën! Dhe nga gjithë ky angazhim, shpresonte të merte një shpërblim të madh, ishte shumë materialist”.

Kur u grumbulluan në Bari të Italisë për përgatitjet e fundit të nisjes drejtë bregdetit shqiptar, Fadil Kaceli u distancua nga grupi, me arsyetimin se ishte i sëmurë nga shtylla kurrizore, nga e cila ka patur probleme dhe më parë. Diplomati jugosllav i dha porosi Halit Bajramit, që në kohën e mbritjes në Tiranë, të merte kontakt me Kadri Hazbiun dhe ai do t’i drejtonte në misionin që kishin ndërmarë. Në çdo veprim të bandës, Halit Bajrami do ishte personi që do të mbante lidhjet me Kadri Hazbiun.

Por siç dihet, banda u zbulua në stacionin e trenit të Rrogozhinës nga organet e sigurimit dhe të rendit dhe misioni i saj përfundoi me dështim të plotë pikërisht aty. Por në rrjedhën e kësaj ngjarjeje prej jo më shumë se 36 orësh, mbetën të vrarë 6 viktima njerëzish të pafajshëm, si dhe u asgjësuan dy drejtuesit kryesor të bandës, Sabaudin Haznedari dhe Xhevdet Mustafa. Kurse viktimat e asgjësuara nga banda ishin:

-Zv/shefi i policisë së Lushnjes, Remzi Brixhi, një djalë i ri shumë i devotshëm, bashkë me të dhe një punonjës policie i repartit të rendit po të Lushnjes, si dhe varkëtari, punonjës civil i plazhit të Divjakës, që u eleminuan nga banda në vendndodhjen e tyre të rastësishme tek toka e vdekur ku ata ishin strehuar. Po ashtu, u vra nga Xhevdet Mustafa dhe një djalë divjakas, që ndodhej midis pyllit duke bërë dru, me pretekstin se mund t’i denonconte. Në sektorin e Zhamës karshi Çermës, Xhevdeti vrau dhe oficerin e kontrollit rrugor të ushtrisë, Tomorr Zykaj, i cili po e ndiqte pas që nga Rrogozhina si person të dyshuar. Po ashtu, vrau dhe Mersin Sulën, të zotin e shtëpisë në Zhamë ku Xhevdeti u strehua forcërisht i ndjekur nga forcat e rendit. Pra, prezenca e bandës dhe përplasja e saj me forcat e rendit, shkaktoi 6 viktima, si dhe u eleminuan dy drejtuesit kryesor të saj.

Në sektorin e Zhamës ku ishte rrethuar Xhevdet Mustafa, erdhën dhe dy ministrat e qeverisë, Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai nga Tirana dhe ai i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu që ndodhej me shërbim në Elbasan, pasi atë ditë punohej në të gjitha organizatat e partisë në shkallë vëndi “Tablloja Sinoptike”, një buletin që përmbante deponimet e Fiqerete Shehut në gjyq, mbi veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut. Ata i bënin thirrje Xhevdetit, të dorëzohej, pasi ishte i rrethuar. I premtuan për të sjellë dhe ndonjë pjestar të familjes, (Nënën e tij), që ai të dorëzohej se do të kishte dhe lehtësira. Por ai nuk u bind.

Në ato momente, vjenë porosia nga Enver Hoxha, që situatën në vendngjarje t’a drejtonte Hekuran Isai, duke lënë jashtë aksionit Kadri Hazbiun, i cili kohë më pas u kthye në Tiranë. Dhe orë pas ore, gjëndja erdhi duke u agravuar. Ardhja e një tanku nga një repart ushtarak dhe depërtimi i grykës së topit të tij në cepin e dhomës ku qëndronte i fshehur Xhevdeti, i krijoi atij një gjëndje tronditëse pa shpresë, ndaj me fishekun e fundit që kishte në pistoletën që mbante në dorë, kreu vetëvrasje. Kështu përfundoi dhe aksioni i fundit kundër veprimtarisë së bandës kriminale. Gjashtë kufomat e qytetarëve të asgjësuar nga banda kriminale, u përcollën me nderime nga autoritetet e pushtetit lokal të Lushnjes në vendbanimet përkatëse, në një miting të përmortshëm në qendër të qytetit, organizuar për nder të tyre

Pra, edhe në këtë rast, tentativat e agjenturave të huaja kundër Shqipërisë komuniste dështuan dhe për këtë sukses, një rol kryesor ka lozur kundërzbulimi shqiptar në diaspor, i cili si gjithmonë, i ka zbuluar që në embrion çdo përpjekje e tentativë për përmbysjen e sistemit komunist në Shqipëri, apo dhe për eleminimin e udhëheqësit kryesor, Enver Hoxhën nga forcat e jashtme.

Dhe në këtë kalvar përpjekjesh, si gjithmonë, Enver Hoxha ka qendruar në krye, sepse e dinte që jetëgjatësia në politikë dhe diktatura e proletariatit që zbatonte sistemi komunist, krijonin dhe kundërshtarë dhe pavarësht se ai i kishte bashkëpuntorët e tij në forumet e larta të partisë e të shtetit, vigjilenca dhe survejimi ndaj tyre ka qenë kurdoherë në shkallën më të lartë.

 

Xhevdet Mustafa

 

 

 

 

 

Gjyqi i Kadri Hazbiut