Bashkim Koçi:Moisiu, ai që i dha dritë “dinastisë” Zaloshnja

1173
Sigal

Njerëzit që e gjejnë apo që i çon fati tek rruga për ta filluar jetën mbarë, duke arritur diçka të suksesshme, rrallë u gjen shpirti karar për t’i lënë gjërat të ecin vetë. Ata përgjithësisht e gjejnë rehatin kur ndeshen me pengesën, kur ngrihet në këmbë dhe i bëjnë gjërat që të ndodhin, të trupëzohen ashtu si edhe i ka menduar të funksionojnë. Përfaqësues i denjë, i cili frymëzimin e pati si bekim për të pasur një jetë të suksesshme për gjatë gjithë jetës, është luftëtari i Luftës së Dytë Botërore dhe mbledhësi e folklorit e shkrimtari i mirënjohur i letërsisë për fëmijë, Moisi Zaloshnja. Ai u lind fiks 100 vjet më parë, më 28 shkurt të vitit 1919 në fshatin Zaloshnjë, në një familje e cila i përkiste “dinastisë” me emër të madh në Tomorricë e në gjithë Skraparin, asaj të Zaloshnjës. Zaloshnja është fshat me emër, fshat që ka bërë histori. Në të gjitha kohërat. Qysh në dekadën e parë të shekullit të kaluar thuhej se fshati Zaloshnjë ishte aq “i madh” e aq i përfaqësuar me njerëz të ditur e patriot, sa ishte në gjendje të krijonte edhe një kabinet qeverisës. Aty, në atë fshat, zunë fill lëvizje të cilat bënë dhe lanë gjurmë në çështje që kishin të bënin me fatet e kombit. Në vitin 1905 mësuesi Servet Asllan Dosti (Zaloshnja) formoi çetën e parë tek e cila bënin pjesë luftëtarë të dalë një për një nga çdo familje e nga çdo fis. Komandanti i formimit të çetës kryengritëse, kundër ushtrisë turke dhe ushtrive të tjera të huaja, ofroi ajkën e djemurisë të të gjithë zonës, por ata që u bënë ndjellës dhe frymëzues për të pasur çetë luftarake e të konsoliduar ishin nga “dinastia” Zaloshnja. Emra si Mahmut e Hysen Zaloshnja, Sakoll Dosti, Sejdin Shimi, Sadik Kuçuku, Hodo Sojati, Fejzo Feka, Osman Ismaili, Fejzi Shimi, Alo Dyrmishi, Hasan Dosti, Hajrulla Çarçani, Hamzo Balliu, Sako Shimi dhe të tjerë, të cilët të gjithë së bashku bënin një “ushtri” me mbi 80-90 veta, ishin djem e burra të vendosur për të qëndruar gjatë në luftë kundër armikut. Ata ngritën fillimisht në këmbë tërë banorët e atij fshati, dhe më pas popullin e Tomorricës, duke shkuar deri në Sulovë, e në tërë rrethinat e Gramshit, të Skraparit e deri në Jug të Shqipërisë. Siç e thamë pak më sipër Servet Zaloshnja formoi Çetën e parë në atë zonë, në muajin maj 1905, aty në Zaloshnjë, por siç shkruan “Heroi i Popullit” Riza Cerova dhe më pas, në vitin 1908, me trima të tjerë nga Tomorrica, Berati, Mallakastra, Gramshi etj., ai formoi Çetën tjetër ku “zemra” e saj ishte plaku Mahmut Zaloshnja, i cili kishte lidhje e miqësi me atdhetarë më me zë, si Qerim Grëmshi, Meleq Shëmbërdhenji, me Sali Butkën etj. Por për këtë “fshat-shtet” më duhet të sjell edhe një fakt tjetër. A e dini që në një letër që i është drejtuar Presidentit amerikan Uillson, nisur nga Skrapari, mban firmën edhe të banorit të këtij fshati, Hasan Zaloshnjës? Në letër kërkohej që presidenti Amerika Uillson të ndërhynte për pretendimet e grekëve dhe italianeve ndaj tokave shqiptare. Kjo ishte ana e shndritshme ku morën krah fillesat për një jetë të drejtë e të suksesshme për luftëtarin dhe shkrimtarin e ardhshëm Moisi Zaloshnja, i cili ka për ditëlindje 28 shkurtin e vitit 1919. Duke u rritur e formuar pak nga pak në një mjedis ku flitej për luftë, për dituri, për besë e karakter, tek Moisiu, brenda tij, zuri vend hija e burrit, e djaloshit të pjekur para kohe. Kjo, falë edhe forcës ndikuese të “odës së burrave”, të takimeve e debateve që zhvilloheshin për çështje të mëdha ku ai, në një mënyrë apo në një tjetër, bëhej pjesë e “mjediseve të ndaluar” për fëmijë. Prindërit e Moisiut, si bujq të zellshëm që ishin, dinin se, ashtu si toka që nuk mund të prodhojë e të jap rendimentin e dëshiruar pa kultivim, ashtu edhe fëmija nuk është i aftë të bëhet i zoti, të përballet me jetën, pa u arsimuar. Këtë gjë ata e bënë me shumë dashuri, por jo pa vështirësi. Katër klasat e para atij iu desh t’i kryente aty në fshat, nën kujdesin e mësuesit me emër të asaj kohe, Petref Blana (Hoxha). Mësues Petrefi, i shkolluar në Itali, me një urdhër të nxjerrë nga ministri i Arsimit i kohës, Ernest Koliqi, bashkë me 100 mësues të tjerë, shkoi në ndihmë të komunitetit shqiptar në Maqedoni, në Kërçovë, në fshatin Jagoll. Në këto kushte prindërit e Moisiut u detyruan ta dërgonin birin e tyre për të vazhduar klasën V në Lushnje, tek një kushëriri i tyre i cili u tregua i gatshëm për ta strehuar dhe ndjekur shkollimin e të voglit Moisi. Por, siç dihet e siç thuhet, mësimi nuk e lodh kurrë mendjen. Babai, Qazimi, për të qenë më i sigurt e më i qetë për shkollimin dhe asimilimin sa më mirë të mësimeve nga ana e të birit, gjeti rastin që dy klasat e fundit, të gjashtën dhe të shtatën, ai t’i përfundonte pranë shkollës “Qytetëse” në Berat. Shkollën 7-vjeçare Moisi Zaloshnja e përfundoi me nota të shkëlqyera falë zellit të tij për të mësuar, por edhe të talentit, gjë që shpërtheu qysh kur ai studionte në Berat, qëkurse ishte ende fëmijë. Në një farë mënyre ai ishte edhe nxënës i vetes së tij, por edhe mësues i vetes. Është rasti që të mund të sjellim poezinë e tij të parë “Flamuri”, jo shumë e arrirë artistikisht, por që flet shumë për perspektivën e shkrimtarit të ardhshëm dhe ndjenjat e tij patriotike.

Na erdh dita, Na erdh dita,

 Dita e lumnis s’onë,

 Shteti ynë sot lulzon.

 Drita lumnija e plotë,

Dita e 28 Nëndorit,

 Në çdo kënt të shtetit t’onë,

 Duke thirrë me zërin thonë:

 Rroftë, rroftë flamuri jonë.”

Për të realizuar diçka që të të shërbejë si investim kapital për jetën nuk mjafton të kesh vetëm dëshirë. E rëndësishme, dhe që e bën realitet ëndrrën, duhet të veprohet, duhet të bëhen përpjekje për të qenë sa më afër ëndrrës. Prindërit e Moisiut, edhe pse nuk ishin aq të kamur sa të ndiqnin dhe të përballonin shpenzimet për shkollimin e mëtejshëm të djalit të tyre, i cili ishte shfaqur si nxënës i zellshëm e me të ardhme të shkëlqyer, vendosën për ta dërguar e për t’u përgatitur si mësues në Normalen e Elbasanit. Kaq duhej. Të tjerat ishin në dorë të nxënësit Moisi, të cilit i erdhi rasti të tregonte fuqinë e vullnetit për të mësuar, gjë që ndikoi që ai të ndryshonte veten e tij, të kompletohej me kulturë e dije e për të qenë i gatshëm t’i përcillte ato dije tek të tjerët. Nga veprimtaria e tij si nxënës i zellshëm, por edhe si aktivist shoqëror, na duhet të veçojmë pjesëmarrjen në dhe angazhimin në të gjitha lëvizjet artistike e kulturore që organizonte shkolla e famshme e Normales së Elbasanit. Mosiu del të ketë qenë me të dhëna disi të veçanta, të merituara si krijues dhe aktor të nivelit admirues për kohën. Nga kërkimet tona për jetën dhe veprimtarinë e tij në lidhje me aktivitetet jashtëshkollore na ra në dorë një fotografi e rrallë, e papublikuar deri më sot, por që flet shumë për atë çka qenë Moisi Zaloshnja e që po botohet për herë të parë në gazetën DITA. Duke soditur këtë fotografi kuptohet lehtë që rolet e femrave në grupin teatror të Normales i kanë luajtur djemtë shkollarë e që Moisiu në këtë rast na shfaqet si një nënë plakë e veshur me të zeza e me duar të kryqëzuara. Tek njeriu, tek ajo çka ai përpiqet për të mos i mbetur “i asaj që mund të ishte bërë”, por “i asaj që përfundimisht u bë”, gjendet jo vetëm forca e intelektit dhe e pasionit, por edhe përgjegjësia për të shlyer mundin dhe sakrificat që bënë të tjerët për ty. Moisi Zaloshnja, i riu i porsa diplomuar si mësues, i erdhi rasti të shfaqej ai që ishte në të vërtetë, i përgjegjshëm dhe i virtytshëm. Që do të thoshte të mos i hiqej mënjanë punës dhe të mos fshihej apo të nxirrte një mijë e një yçkla për të braktisur detyrën e mësuesit për shkak të largësisë, të kushteve mizarabël për të jetuar, por edhe pse ndërtesa e shkollës vetëm shkollë nuk mund të ishte. Këto çka po themi atij iu desh të përballej porsa mori emërimin me detyrën e mësuesit në fshatin Kapinovë të Beratit. Moisiu, sa qe gjallë, e përmendte me nostalgji dhe sillte kujtimet më të bukura nga periudha që shërbeu si mësues në Kapinovë. Ishte rasti i parë, i cili do t’i mbetej gjatë në mendje e në ndërgjegje, fakti që ai të mund të shikonte me sytë e tij, të përjetonte me gjithë qenien urinë që kishin fëmijët për mësim e shkollim.

Moisi Zaloshnja edhe kur u rrit e u bë burrë, edhe kur u bë shkrimtari më i dashur për të rinjtë e për fëmijë, nuk harronte të kujtonte e të thoshte se shumë nga frymëzimet që i derdhte nëpër libra i vinin nga vitet kur kishte qenë mësues në Kapinovë të Beratit dhe në fshatin e tij Zaloshnjë. Në shkollën e fshatit të tij, ku ishin 30 nxënës, ai dha mësim vetëm një vit shkollor sepse ngjau që të fillonte Lufta Nacionalçlirimtare dhe ai u bë pjesë e saj qysh nga viti 1942 e deri në çlirimin e plotë të vendit. Ky djalë i shkolluar dhe i edukuar qysh në djep nga fryma e ndjenjës së atdhedashurisë dhe patriotizmit, nuk e la veten për asnjë çast të bënte indiferentin apo të përjetonte mjerimin që kishte pllakosur në ato anë. Moisi Zaloshnja, si rrallë tjetër, gjeti forca shpirtërore e intelektuale për t’u gjendur atje ku ja bënte “bam”, aty ku vërsnikët e tij e konsideronin veten të bekuar që u ishte dhënë mundësia të gjendeshin aty ku prindërit e tyre, gjyshër e stërgjyshër, e kishin për nder, madje e konsideronin veten me fat që u jepej rasti për të treguar forcën e karakterit dhe të vendosmërisë për t’ia dalë deri në fund me sukses.

Edhe pse njerëzit shpesh kënaqen në lidhje me punën që bëjnë, me atë çka ia kanë besuar të tjerët, ndodh që në situata të veçanta të duhet të bësh kapërcime ndoshta edhe të pamundura për shkaqe që nuk varen thjesht e vetëm nga entuziazmi tënd. Moisi Zaloshnja, djaloshi i cili nuk ishte veçse 22 vjeç, mori përsipër t’i kalonte kufijtë e “kompetencave” të një luftëtari të thjeshtë, pa grada e ofiqe, duke kryer njëherësh edhe detyrën si luftëtar, por edhe si komisar politik. Ai kishte mbaruar për mësues dhe nuk mund të kish “konkurrent” tjetër për të mbajtur mbi supe detyrën e agjitatorit, të personit që të bënte për vete, të bindte njerëzit se vetëm me luftë mund të arrihej “projekti i madh”, siç e konsideronin ata çlirimin e vendit nga pushtuesi. Në atë kohë siç dihet, në datat 09-13 qershor 1943, në Zaloshnje u zhvillua Aktivi i Parë të Rinisë Çlirimtare Shqiptare. Shtëpia e Dostllarëve, pra edhe e Moisiut, u kthye në bazë kryesore të saj. Vet Moisiu u bë një nga aktivistët më aktiv, që e tregoi veten jo vetëm si mikpritës, por edhe ai drejtues e organizator i sprovuar. Nga shënimet që gjetëm rreth veprimtarisë të këtij njeriu të virtytshëm, i cili nuk e pa detyrën që iu ngarkua gjatë luftës, atë të komisarit politik për Tomorricën e më gjerë, si trampolinë për të kapur pozicione që ia bënin mërin “të madh”, dolëm në përfundimin logjik se Moisi Zaloshnja i paskësh pasur shokët të rrallë, nga ata që thjeshtësia e mirësia për çka thamë më sipër, i bën të padukshëm. Edhe unë shkruesi i këtyre radhëve, me gjoja informacion të bollshëm rreth personave që kanë pasur funksione të larta në atë zonë, nuk e kam ditur se detyrën e sekretarit të parë për Skraparin deri në vitin 1945, e paskësh mbajtur Moisi Zaloshnja. Vajti e ku nuk vajti njeriu i miri Moisi, kreu ja pak detyra apo të mbante pozicione të rëndësishme gjatë jetës së tij të gjatë si intelektual e si shkrimtar, por kurrë, asnjëherë, nuk e ngacmoi ndjenja e njeriut të vogël, që të rrinte gjoksin e të dukej se dikur ai dikush na paskësh qenë. Për të filluar një jetë krejt të re zakonisht “e mira” e gjen derën dhe kalon duke parë kushtet që krijon aftësia dhe herë-herë edhe talenti i njeriut. Mësues Moisiu, i cili tashmë mbarte mbi supe përvojën e luftës dhe të ngarkesës së rëndë si drejtues kryesor në një rreth malor e të varfër si Skrapari, iu tërhoq mendimi për të filluar punë në Tiranë. E kërkonte puna Misiun, e jo Moisiu punën. Kjo vetëm për faktin sepse ai ishte i talentuar, intelektual skrupuloz për të kontribuar edhe në sektorë të pashkelur. Disa “miniera floriri”, siç e quante ai fushën e folklorit, fjalët e urta dhe shprehjet me plot filozofi të popullit, ai i kishte zbuluar qyshse ishte mësues në Kapinovë të Beratit dhe në fshatin e tij të lindjes, në Zaloshnjë. Por mund ta ketë filluar këtë ëndërr të pushtuar nga pasioni edhe kur studionte në Normalen e Elbasanit për mësuesi. E thënë kjo më drejtpërdrejt tek karakteri dhe te formimi i tij si personalitet vital e konsekuent duhet të ketë ndikuar pikërisht përvetësimi i filozofisë së popullit, shprehjet dhe fjalët e urta që përcillnin tek ai energji pozitive, plot moral. Njeriut, thoshte shpesh Moisi Zaloshnja, duhet të mos i griset xhamadani duke bërë temena të pasurit apo qeveritarit. Këtë thënie ai, sigurisht, e kishte vjelë nga populli, por për qëndrimet e tij në jetën e përditshme, në sjelljen e tij epror-vartës, e kishte dhe e trajtonte si këshillë të pacenuar. Si studiues sistematik dhe shumë i vëmendshëm për t’i qëndruar besnik proverbës, fjalës së urtë dhe mendimit filozofik të popullit, por sidomos të krahinës së tij ku lindi dhe u rrit, Tomorricës, gjurmët dhe mësimet që ato i dhanë mbetën brenda tij përjetësisht, deri sa u largua nga kjo botë. Sidoqoftë për një të ri me kërkesa të larta, siç ishte Moisi Zaloshnja, kurrë nuk ishte vonë për të bërë karrierë aty ku talenti i tij prej krijuesi i kishte rrugët të hapura. Moisiut iu ngarkuan disa detyra në institucione të fushës së krijimtarisë letrare, por ajo që më pas i hapi rrugën të ishte i aftë e kompetent në trajtimin e gjinive të ndryshme, ishte ajo e gazetarit. Moisi Zaloshnja në shtypin e kohës, por në veçanti në gazetën “Bashkimi”, u prezantua si një nga publicistët më të mirë, më me zë, por edhe me shumë kulturë në trajtimin e shkrimeve problemorë, sidomos ata me tematikën nga lufta nacionalçlirimtare dhe lëvizja patriotike për liri pavarësi. Nëse vërehet me kujdes bie në sy se mendimi i tij është i thellë, zhbirues dhe konsekuent për të shpalosur të vërtetën në mënyrën më besnike të mundshme. Si gazetar ai ishte dhe mbetet shkollë e vërtetë, specialist nga dora e të cilit kalemi shkruante shtruar, përcillte te lexuesi mendimin më të emancipuar të kohës. Moisi Zaloshnja ishte unik, nuk mund t’ia gjeje dot “binjakun” në të gjitha drejtimet: si njeri, si karakter apo edhe si krijues. Kudo ku punoi e drejtoi ai la historinë e tij, përvojën dhe gjurmët si drejtues e krijues. Dihet se shkëlqimin më të madh e pati në fushën e krijimtarisë për fëmijë. Një studiues i vëmendshëm është i aftë të bëjë dallimin, të vërejë e të fotografojë se në ata libra gjendet vetëm Moisiu, se atje është vetëm vetja e tij. Është ai dhe vetëm ai në veprën letrare që na ka lënë dhe, për të shprehur e thënë një të vërtetë, ai, pra Moisi Zaloshnja, shfaqet kudo vetvetja dhe rrezaton një bukuri të rrallë natyrore. Ai në çdo rresht e në çdo fjalë evidenton shkëlqimin e tij, ashtu si të ishte fëmijë.

Moisi Zaloshnja për shumë vite mbuloi pozicione pune ku i duhej të drejtonte sektorë të ndryshëm, nga ata të fushës së arsimit e deri tek ata që i kishte më për zemër, të krijimtarisë letrare, të gazetave e të revistave. Kohën më të gjatë e më të suksesshme e kaloi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, aty ku sfidat që kaloi midis kolegëve krijues ia bënë jetën interesante. Është vendi që në këtë 100 vjetor të lindjes së tij të themi se ai si shkrimtar për fëmijë, por edhe si gazetar, organizator e drejtues i shumë institucioneve në vend, kyçin e suksesit e kishte gjetur tek komunikimi me vartësit. Ai mbeti shumë i dashur, shumë i kërkuar për të shkëmbyer një mendim a për të nxjerrë nga goja një fjalë zemre. Ai ishte dhe mbeti i veçantë në sjellje e në karakter, aq sa mbeti në kujtesën e atyre që bashkëpunoi apo e njohën në rrethana të tjera si “i përsosur si Moisi Zaloshnja”. Kur doli në pension ai mbeti ashtu si ishte shfaqur gjatë gjithë jetës: Njeri i virtytshëm, me karakter të fortë dhe krijues i palodhur. Një pjesë të titujve të librave ai i realizoi kur vërsnikët e tij e vrisnin kohën, siç thoshte ai, “me logje tavolinash”. Ai u nda nga jeta më 16 janar të vitit 1996 në Tiranë dhe u përcoll me nderimet që meritonte. Për pjesëmarrjen aktive në formacionet partizane për çlirimin e vendit dhe për punë të palodhur e cilësore në fushën e krijimtarisë është nderuar me shumë Urdhra, Medalje e Çmime të ndryshme.

Krijimtaria letrare e Moisi Zaloshnjes

-Poema “Vdekja e Skënderbeut”-1937 -Poema “Misioni”-1952 -“Në zemër të popullit”-1953 -“Rreth zjarrit partizan”-1954 -“Mendja bënë hata, mendja bënë kala”-1956 -“Kohët ndryshuan”-1957 -“Gjysmagjeli”-1958 -“Nën hijen e Tomorrit”-1961 -“Lotët e natës”-1963 -“Sa të jetë Lalë Gjoni”-1965 -“Lëndohet një plagë e vjetër”-1965 -“Lugetët e Kallfanit”-1967 -“Krahu i Skënderbeut”-1967 -“Zëra të fuqishëm”-1969 -“Ç’u ndezën malet”-1970 -“Tregime të zgjedhura”-1973 -“Kolosi prej Argjili”-1973 -“Deti nën Tomorr”-1974 -“Shpifja”-1974 -“Zjarr pa tym”-1075 -“Kaloshi leshartë”-1975 -“Ariu dhe bariu”-1976 -“Këndezi që s’dëgjonte shokët”-1976 -“Kur mallet kërkonin diell”-1976 -“Përralla të zgjedhura”-1977 -“Na ishte një yllkë e vogël”-1978 -“Gur stralli”-1978 -“Agjentët”-1981 -“Tregime për tokën”-1982 -“Dyzet vëllezër dhe syqeni”-1985