Jorgo Qirici dhe Bashkim Mustafa: 90 vjet në mbrojtje të kufijve

822
Sigal

Krijimi dhe ekzistenca e shtetit shqiptar nuk mund të mendohet pa një territor të caktuar e, për rrjedhojë, pa kufij shtetërorë. Dhe që çdo shtet të funksionojë normalisht duhet që kufijtë e tij të mos cenohen, të mos ndryshojnë, pra të sigurohen. Janë pikërisht kufijtë shtetërorë ato që përcaktojnë sipërfaqen e një shteti, territorin e tij, pasurinë e tij, popullsinë e tij. Pra, se deri ku ky shtet e ushtron sovranitetin e tij. Edhe shteti shqiptar në jetën e tij mbi një shekullore i ka kushtuar vëmendjen dhe kujdesin e duhur, si dhe ka marrë masat e duhura për përcaktimin dhe sigurimin e kufijve shtetërorë.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitet 1912-1913 la jashtë kufijve tanë afro gjysmën e trojeve të banuara nga shqiptarët. Në ato vite të turbullta atdhetarët dhe intelektualët shqiptarë gjetën forca dhe kurajë për t’u organizuar, për të qeverisur vendin e përgjysmuar, si dhe për të siguruar kufijtë e atdheut.

Qysh në vitet 1912-1913 ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve në shtetin e  sapoformuar, Qeveria e Vlorës e konsideroi detyrën më emergjente për mbrojtjen e  territoreve shqiptare nga sulmet dhe ndërhyrja  e ushtrive të huaja. Në  këtë kuadër, në përbërje të ushtrisë shqiptare, ajo krijoi reparte dhe nënreparte të veçantë xhandarmërie, të cilat, përveç detyrave të tjera, merreshin edhe me ruajtjen dhe mbrojtjen e drejtimeve të caktuara në afërsi të vijës së kufirit , ku mendohej se mund të sulmonte armiku dhe të depërtonte në thellësi të tokës shqiptare. Taktika e përdorur fillimisht nga forcat e xhandarmërisë, që ruanin dhe mbronin kufirin shqiptar, kishte të bënte kryesisht më organizimin e pritave  në rrugë e vende kyçe, për të bërë qëndresë dhe për të penguar trupat ushtarake të huaja që do të tentonin të përparonin drejt Vlorës. Në ndihmë të forcave të xhandarmërisë vepronte edhe popullsia e zonave ku shtrinte juridiksionin e saj Qeveria e Vlorës. Në këtë kuptim, për qeverinë e përkohshme të Vlorës, këto forca përbënin një ushtri rezerviste, të organizuar në batalione, detyra  e të cilave ishte të siguronin mbrojtjen e kufirit nga sulmet e ushtrive të huaja, në rajonet e tyre.

Në vitet e Luftës së Parë Botërore territori shqiptar u shndërrua në fushë luftimesh midis palëve ndërluftuese dhe, në këtë kuadër, nuk mund të bëhej fjalë më as për kufij shtetërorë e as për ruajtje e mbrojtje të tyre nga forca të veçanta.

Vetëm në vitin 1920, me ardhjen në fuqi të Qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjes, në kuadrin e forcimit të gjithanshëm të ushtrisë, rëndësi e veçantë iu kushtua edhe xhandarmërisë, veçanërisht për rolin që do të luante ajo në drejtim të ruajtjes e mbrojtjes së kufirit shtetëror.

Ndërsa viti 1921 shënon momentin kur , pas shumë projektesh, debatesh  diskutimesh se kush duhet ta merrte në dorëzim shërbimin e kufirit, ushtria apo xhandarmëria, në përfundim, nga strukturat e larta shtetërore u vendos krijimi për herë të parë i 6 kompanive të kufirit, si forca të veçanta dhe të specializuara për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror. Vitet e mëvonshme flasin për përmirësimin e shërbimit të kufirit, i cili u shoqërua edhe me disa masa të tjera, që lidheshin kryesisht me përsosjen e organizimit strukturor dhe rritjen e aftësive profesionale të efektivave të kufirit.

Në vitin 1927 shërbimi i ruajtjes dhe mbrojtjes së kufirit u shkëput plotësisht nga xhandarmëria dhe kaloi në vartësi të Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura. U  formuan, në këtë rast, katër pesë batalione kufiri, që kompletoheshin organikisht me resurse rezerviste, të cilët shërbenin për një periudhë prej 6 muajsh. Në vartësi të këtyre batalioneve kaluan edhe 170 postat kufitare që kryenin më përpara detyrat e ruajtjes së kufirit. Këto forca kufitare u vendosën në territoret e prefekturave, brenda juridiksionit të të cilave kalonte kufiri shtetëror i Shqipërisë me vendet fqinje. Struktura organizative me batalione e posta kufitare dhe shtrirja e vendosja e këtyre forcave përgjatë kufirit shtetëror përmirësoi ndjeshëm cilësinë e  shërbimit të tyre për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, si dhe për zbulimin  dhe përballimin e ndonjë sulmi të mundshëm ushtarak ndaj Shqipërisë nga vendet fqinje.

Më 25 shkurt 1929 nga parlamenti shqiptar u miratua ligji “Mbi rregullimin e rojës mbretërore të kufirit”. Ky veprim përbën një moment historik në shërbimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së kufirit shqiptar, pasi për herë të parë që prej fillimit të tij, veprimtaria e forcave të kufirit do të rregullohej e mbështetej në një ligj të veçantë, gjë që do t’u rriste më shumë autoritetin dhe do t’i bënte ato më të afta juridikisht e profesionalisht për kryerjen e  detyrave funksionale.  Sipas këtij ligji roja mbretërore e kufirit ishte pjesë plotësuese e ushtrisë mbretërore dhe pjesë përbërëse e armës së këmbësorisë. Ajo varej drejtpërdrejt nga komandanti i mbrojtjes kombëtare për funksionimin e rregullt të saj, disiplinën dhe shërbimin ushtarak. Ndërkohë kishte vartësi edhe nga ministria e financave për zgjidhjen e detyrave me efekte fiskale.  Qëllimi institucional për të cilin u krijua roja mbretërore e kufirit ishte: Së pari për të ndaluar, shtypur e paditur kontrabandën dhe çdo kundravajtje e mosbindje në ligjet dhe në rregulloret e financës dhe, së dyti, për të ndihmuar në mbrojtjen e rregullit e të qetësisë publike dhe, në rast lufte, pjesëmarrja ndër operacione (veprime) fushore.  Në këtë ligj përcaktohej gjithashtu se oficerët dhe nënoficerët e rojës mbretërore të kufirit ishin të veshur edhe me cilësinë e oficerëve të policisë gjyqësore, ndërsa tetarët dhe rojet ishin agjentë të policisë gjyqësore,. Në neni 15 të ligjit të mësipërm, ishin parashikuar edhe rastet e përdorimit të armëve të zjarrit nga roja mbretërore e kufirit gjatë kryerjes së shërbimit.

Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Roja Mbretërore e Kufirit u zëvendësua me Rojën Mbretërore të Financës (sipas modelit italian), e cila u vu në vartësi të drejtpërdrejtë të komandës së lartë të forcave të armatosura italiane në Shqipëri.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë dhe kjo përbën një periudhë të veçantë në historinë e veprimtarisë së forcave të kufirit. Tashmë, në Shqipëri vepronin dy lloj forcash, që ruanin dhe kontrollonin kufirin shtetëror. Në njërën anë ishin forcat vullnetare territoriale të Ushtrisë Nacional- Çlirimtare, që vepronin në jug  të vendit dhe, në anën tjetër, forcat e Rojës së Financës, që vazhdonin të ruanin kufirin në sektorët veriorë. Pavarësisht nga ndryshimet e shpeshta organizative të forcave të kufirit në këto vite, veprimtaria e tyre për ruajtjen e mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë ka qenë  e orientuar kurdoherë nga zhvillimet e marrëdhënieve ndërkombëtare me vendet fqinje, si dhe e bazuar në kërkesat e legjislacionit shqiptar në përputhje me çdo fazë të ecurisë së tyre.

Me çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, më 29 nëntor 1944, ruajtja  dhe mbrojtja e kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë iu ngarkua Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, i cili  u krijua në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, mbi bazën e tri brigadave të mbrojtjes së popullit, që ishin krijuar më përpara. Forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, duke qenë të dislokuara në rrethet kufitare, për disa muaj rresht, krahas detyrave të tjera, kryenin edhe shërbimin e ruajtjes së kufirit, duke u bërë kështu “shtrati” mbi të cilin u rikrijuan forcat e kufirit, si njësi e veçantë për këtë lloj shërbimi. Gjatë periudhës 45 vjeçare të sistemit monist në Shqipëri, veprimtaria e forcave të kufirit ka qenë e ngjeshur dhe e mbushur me ngjarje të mëdha, të kushtëzuara gjithnjë nga zhvillimet e shtetit shqiptar në vite , si dhe nga gjendja dhe situatat e krijuara në kufirin shtetëror me vendet fqinje. Rezultatet e arritura në këto vite, si dhe përvoja e grumbulluar në luftën për zbulimin dhe parandalimin e kalimeve ilegale dhe të çdo lloj veprimtarie tjetër të paligjshme nëpërmjet kufirit shtetëror, kanë qenë tregues konkretë për zbatimin e ligji, kudo e kurdoherë, nga forcat e kufirit shqiptar. Në momente të caktuara, ato kanë kryer edhe akte heroizmi për mbrojtjen  e kufirit  shqiptar nga sulmet ushtarake të shteteve fqinjë.

Në vitin 1990 përfundon edhe historia e veprimtarisë 61 vjeçare të forcave të kufirit, qysh nga krijimi  i tyre më 25 shkurt 1929, me Dekretin e Mbretit Zogu I. Me veprimtarinë  e tyre për ruajtjen e mbrojtjen  e kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë në këto vite forcat e kufirit shqiptar kanë krijuar e konsoliduar fizionominë dhe historinë e tyre, të mbushur plot me ngjarje historike, që flasin për profesionalizëm, përkushtim  dhe shpirt sakrifice të kuadrove dhe efektivave, në ruajtje dhe mbrojtje të kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Kjo veprimtari, në rrafshin e mbrojtjes së kufijve të vendit, i shërbente edhe ruajtjes së tyre nga provokacionet e synimet agresive të qarqeve shoviniste të shteteve fqinje, të cilat vazhdimisht kanë pasur pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Prandaj, për aq kohë, ajo ishte një veprimtari e ligjshme dhe në dobi të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të popullit shqiptar.

Ndryshimet e thella demokratike që ndodhën në Shqipëri pas vitit 1990, si dhe hapja e  saj me botën e jashtme, krijuan mundësitë dhe shtruan nevojën që veprimtaria e forcave të kufirit (sot e policisë kufitare dhe migracionit) t’u përgjigjen më mirë kërkesave bashkëkohore dhe objektivave të BE-së për kufij të hapur, por të kontrolluar dhe të siguruar. Ky është një element i rëndësishëm drejt integrimit evropian, i cili nënkupton atë që kufijtë të jenë plotësisht të hapur për tregti dhe lëvizjen e lirë të njerëzve; të jenë të hapur gjithashtu për bashkëpunimin rajonal, por njëkohësisht ato duhet të jenë të mbyllur për veprimtarinë kriminale dhe për të gjithë llojet e veprimtarive të tjera, që rrezikojnë stabilitetin e rajonit. Dukuria  e trafikimit e të gjitha llojeve, migracioni i paligjshëm, terrorizmi, dhe krimi i organizuar, kërkohet që të luftohen në të gjithë rajonin, por veçanërisht në kufi. Mbajtja mbyllur  e dyerve për këto shfaqje të krimit ndihmon parandalimin e shtrirjes së tij brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, rritjen e  ndëshkimeve penale për kriminelët , si dhe  pakësimin e fitimeve të paligjshme prej tyre.

Tashmë Shqipëria ka realizuar progres të vazhdueshëm në të gjithë komponentët e menaxhimit të integruar të kufirit si: Në fushën e përmirësimit të kuadrit ligjor, të organizimit dhe menaxhimit të agjencive kufitare, të rritjes së kapaciteteve administrative dhe profesionale të strukturave, të zbatimit të proceduarave standarde të punës, të zbatimit të programeve të trajnimit dhe kurrikulave, të përmirësimit të infrastrukturës dhe teknologjisë së informacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, lehtësimit të shkëmbimeve tregtare dhe në drejtim të forcimit të goditjes ndaj aktivitetit të paligjshëm nëpërmjet kufirit shtetëror dhe rritjes së sigurisë kufitare.

Policia kufitare dhe migracionit ka tani strukturën  e saj organizative, sipas rekomandimeve dhe e bazuar në objektivat e strategjisë kombëtare për menaxhimin e integruar të kufirit (2014-2020).

Ajo është pjesë përbërëse e policisë së shtetit ( neni 21, ligji nr 108/2014 “Për policinë  e shtetit”) dhe vepron me përgjegjësi për kontrollin dhe mbikëqyrjen  e kufirit shtetëror, si dhe trajtimin e shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në të gjithë veprimtarinë e saj për menaxhimin e integruar të kufirit, policia kufitare dhe e migracionit bazohet në ligj nr 71/2016 “Për kontrollin kufitar” i hartuar mbi bazën e  rekomandimeve të BE-së, të standardeve të SHENGEN-it dhe praktikave më të mira botërore.

Misioni dhe detyrat e policisë kufitare dhe migracionit në ditët e sotme synojnë përmirësimin e mëtejshëm të standardeve e sigurisë kufitare, nëpërmjet rritjes së efikasitetit në menaxhimin e  burimeve njerëzore dhe teknike; rritjes së kapaciteteve operacionale për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar; rritjes së bashkëpunimit me strukturat e brendshme dhe partnerët fqinjë dhe të BE-së; rritjes së menaxhimit e përpunimit të informacionit kriminal; rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve për aplikimin e teknologjive të reja në fushën e menaxhimit të kufirit të gjelbër e blu dhe aplikimit të masave plotësuese për kontrollin në territor, me qëllim kontrollin e territorit në lidhje me emigracionin e paligjshëm.

Policia kufitare dhe migracionit  e sheh veten  e saj të pandarë dhe pjesë të luftës që bën qeveria shqiptare kundër terrorizmit. Për këtë qëllim ajo është trajnuar dhe është pajisur me mjete për zbulimin e lëndëve radioaktive dhe ka akses në listat e personave që dyshohen se mbështesin terrorizmin ndërkombëtar të evidentuar në sistemin TIMS.