Jano: Ju rrëfej heroin kubanez Çe Guevara në 45 -vjetorin e rënies së tij

1047
Sigal

Publicisti Jovan Jano në librin ‘Çe Guevara’, sjellë raportet e heroit kubanez me Shqipërinë e shqiptarët

Sot mbushen 45 vjet nga rënia e heroi mitologjik kubanez Çe Guevara. Mes shumë publikimeve në botë për këtë hero mitologjik, renditet dhe libri i publicistit shqiptar… Ja çfarë rrëfen Jano për Çe Guevarën, i cili ka patur lidhje dhe me shqiptarët, ka vizituar vendin tonë dhe ka marrë si dhuratë një kallashnikov nga ish-kryeministri Mehmet Shehu…

Nga se u nisët për të shkruar rreth Çe Guevarës një libër si ky që qarkullon  në libraritë tona?

-Sensi heroik i jetës së Çe Guevarës dhe vënia e saj në dispozicion të njerëzimit, më ka frymëzuar që kur isha në shkollën pedagogjike “Petro Nini Luarasi” në Korçë në vitin 1967, vit kur Çe Guevara u vra në Valle Grande të Bolivisë dhe unë me disa shokë të mi të shkollës dëgjonim radiot e huaja, që jepnin lajmin e vrasjes. Po ashtu karakteri i Guevarës si: përkushtimi, burrëria, qëndresa dhe besnikëria ndaj idealeve të veta, gjithashtu janë frymëzuese për çdo njeri. Nuk e kuptoj pse në ato vite në Shqipëri propaganda heshti rreth kësaj figure tepër interesante.! Dua të shtoj se rrallë herë, ndoshta kurrë, një figurë, një emër janë bërë kaq universale shumë shpejt e me një forcë plot pasion. Ernesto Çe Guevara rritet dhe lartësohet gjithmonë e më shumë në të gjithë botën, duke prezantuar shpresën, shembullin dhe stimulin në luftën për një shoqëri më të mirë. Duhet të ndjehemi krenar që nga radhët e forcave të majta doli një njeri me përmasa të një shenjti njerëzor. Duhet të ndjehemi krenar që Ernesto Guevara ka qenë e mbetet njeriu – emblemë, që gjithçka ia fali njerëzve të shtypur, të mjeruar dhe kauzës së revolucionit. Të majtët e vërtetë duhet të ndjehen krenarë që shekulli i 20-të fiksoi në historinë e vet një njeri të atillë si Ernesto Çe Guevara, që u bë simbol i shpresës së pavdekshme, simboli optimizmit për të ardhmen, dhe, që u kthye në një mit. Kujtimi i jetës së tij do të mbetet i paharruar në celuloidin e kujtesës njerëzore sepse ai i përket një shoqërie që e duan të gjithë të nëpërkëmburit, nga padrejtësia. Ai mbetet personifikimi i politikanit të pakorruptueshëm.

-Ku je bazuar për studimin e personalitetit të Ernesto Çe Guevarës. Çfarë literature keni shfrytëzuar dhe cila është bibliografia botërore mbi Çe Guevarën?

-Ajo është madhështore. Vetëm midis viteve 1959 – 2009, bibliografia esenciale mbi Çe Guevarën numëronte rreth 400  vepra të botuara në çdo pjesë të botës dhe të përkthyera në dhjetëra gjuhë.  Ndërsa unë si një nga dhjetëra biografët e tij, e klasifikoj Çe Guevarën si “hero të mitologjisë revolucionare” apo si “personifikimi i njeriut të pakorruptueshëm… Figura e personazhit latino-amerikan është shpesh objekt i tezave të provimit në universitetet më të mira në botë. Idealet, që mbronte, kauza e drejtë në favor të të shtypurve dhe vrasja e pabesë, prerja e duarve, e shndërruan atë në mit, në kryeëngjëll. Prandaj poetët, kompozitorët, kantautorët nga e gjithë bota e kujtojnë me admirim dhe i thurin himne. Për të shkruar për Çe Guevarën kam lexuar mjaft libra në gjuhën ruse, italiane si p.sh librin Kompanjero, të ish ministrit të Jashtëm të Meksikës, Jorge.G. Castaneda, të botuar nga Mondadori; libri Çe Guevara – Historia dhe Miti; libri Guerilja e Çe-së, e shkruar nga gazetari francez, Regis Debre;  Memorie të Andrej Gromiko; Çe Guevara – L’uomo, L’eroe, Il mito, shkruar nga Angelo La Bella; Çe Guevara – Ditari i Bolivisë (italisht) e shumë libra e revista  të tjera të shkruara në gjuhë të huaja. Po ashtu më kanë ndihmuar shumë kujtimet e personaliteteve të spikatura shqiptare, që e kanë takuar personalisht Çe Guevarën si: Evelina Pogaçe, bashkëshortja e ambasadorit tone te parë në Kubë, Josif Pogaçe, Mihallaq Gjinikasi, Tiri Çollaku, Qemal Myrseli, Zeqi Agolli, Pertef Hasanmataj etj..  Është e famshme për rininë progresiste kënga revolucionare shumë e dashur dhe shumë popullore e Karlos Pueblos, Komandanti Çe Guevara. Në Itali u vunë në garë 14 autorë këngësh dhe muzikantë të shquar, me temën “Çe Guevara”. Për të kanë kënduar Domeniko Modunjo me këngën “Ç’era un ragazzo dalla barba nera”; Serxhio Enrigo me këngën “Anch’ io ti ricordero”; Loredana Berte me këngën “Il Komandante Çe Guevara” dhe mjaft këngëtarë të tjerë si Xhovanoti, Roberto Massari, Gianni Toti. Më ka befasuar, për mënyrën e të shkruarit dhe për mjeshtërinë artistike, një vjershë e vetme Çe Guevarës, e titulluar Plaka Marie, të cilën e kam përkthyer në gjuhën shqipe nga italishtja.

Përse bën fjalë ajo vjershë?

-Në vitet 50-të, ndërsa punonte në një spital të Meksikos, Çe Guevara takoi një grua të moshuar e mjaft të varfër e të mjeruar, në sytë e së cilës pa dëshpërim, lodhje dhe mungesë shprese. Mbi bazën e kësaj njohjeje ai krijoi vjershën Plaka Marie, që personifikon  njerëzit e varfër të të gjithë botës. Këto vargje denoncojnë padrejtësinë, gënjeshtrën, hipokrizinë dhe mjerimin. Këtë vjershë e kam përfshirë në libër si kundër edhe poezitë e shkruara për Çe Guevarën nga poetë të tillë kollosë si: gjermani Hans Magnus Enzensberger, amerikani Allen Ginsberg etj. Janë shkruar për të, elegji dhe janë realizuar filma.

Sa kohë u është dashur për ta realizuar studimin rreth jetës së Guevarës?

-Rreth kësaj figure tepër të dashur për mua kam punuar me kënaqësi dhe koha më është dukur e shkurtër. Pasi grumbullova dhe sistemova materialin bazë, fillova nga puna. Pesë muaj ishin të mjaftueshme për ta realizuar duke punuar pasditeve, pse jo edhe natën vonë….

Mendoni se idetë e Çe Guevarës janë aktuale sot për shqiptarët?

-Miti i Guevarës është shumë i rrënjosur në shpirtin kolektiv të brezit të tij, por po kaq frymëzues ai mbetet edhe tek brezi i ri, tek ky brez i lodhur nga vuajtjet dhe i zhgënjyer nga hipokrizia. Miti i tij lindi edhe nga nevoja natyrale për t’u udhëhequr dhe për t’u ushqyer nga ide më të mira nga ç’janë aktualisht. Nisur nga njohja më e thellë e historisë kolektive dhe të asaj personale, brezat kanë nevojë të kenë rrëfyes një forcë frymëzuese në rrugën drejt ndryshimeve, që dëshirohen. Unë gjykoj se përderisa në këtë botë ka varfëri dhe padrejtësi shoqërore, idetë e Çe Guevarës do të jetë prezente. Ndryshe s’ka si shpjegohet që për gjenerata të tëra kjo figurë mbetet e dashur. Dhe mbetet e tillë sepse shohin tek Çe-ja njeriun idealist, që për të mirën e një populli, më saktë të të gjithë popujve, shkriu gjithçka që kishte më të shtrenjtë, pra, jetën.

Rinia, që po e sheh fare qartë se cili është rendi i ri botëror, se cilat janë të “mirat” e tij, që po jeton plagët më të tmerrshme të shoqërisë: krizën e gjatë ekonomike, krimin e organizuar, drogën, korrupsionin, trafikun klandestin, prostitucionin, papunësinë, mungesën e perspektivës, “thërrasin” Çe Guevarën. Prandaj rinia e mban e atë të stamposur në fanella e në krahët muskuloz. Prandaj edhe industria spekulon me portretin e tij emblematik. Imazhi i tij, pavdekësia edhe nga fotografia luftarake dhe shumë e bukur e Alberto Kordës, që dominon në kortezhe luftëtarësh, në manifestime politike, në parulla, në reklama, në distiktiva…, që dominon e stamposur në bluza sportive dhe në flamujt e luftës për liri e drejtësi shoqërore, në krahët muskuloz të Tajsonit, të Diego Maradonës, të futbollistit Veron apo në imazhin luftarak të videoklipeve të Madonës, e kanë bërë Çe Guevarën të mirënjohur në të gjithë botën. Djaloshi i bukur argjentinas, që luftoi kundër padrejtësive në Guatemalë, në Kubë, në Kongo, në Tanzani, në Bolivi etj, i dha shumë energji e dritë revolucionit, sidoqë ky i fundit ka çmimin e rëndë të vuajtjeve e të kurajës së jashtëzakonshme. Ernesto Guevara nuk mbeti figurë në ikonë, por ishte vetë ikona, tek e cila vijnë e do të shkojnë miliona njerëz për t’u çmallur, sepse ai dha gjithçka, për një qellim të shenjtë.

Z. Jovan ! Në librin tuaj kushtuar Ernesto Guevarës, midis të tjerave ju përmendni tre mbiemra, për të cilat mendoni se janë shqiptarë. Mund të na i sqaroni këtë fakt?

-Është e vërtetë kjo. Duke shfletuar librin Companjero të meksikanit J. Kastanjeda kushtuar Guevarës pashë që Ernesto Guevara i shkruan një letër nga Kongo Fidel Kastros ku ndër të tjera shkruhej  se prej rënies fatkeqe të Lubonjës, Barakës dhe Fizit duhet të arrijmë të shtojmë numrin e gueriljerëve… demoralizim total ka rënë mbi luftëtarët kongolezë…”. Të them të drejtën u ndjeva krenar për këto dy mbiemra (llagape) se m’u dukën shqiptar. Për këtë hapa numëratorin telefonik të Republikës dhe mbiemra të tillë figuronin shumë. Pastaj fillova të gjej numrin e telefonit të Fatos Lubonjës dhe i bie numrit të tij dhe e sqaroj. Ai m’u përgjigj se nuk kemi patur ndonjë të humbur apo të arratisur në atë kohë”. Ditën tjetër takoj të atin e tij, të paharruarin Todi Lubonja dhe prezantohem. Mbasi ia shpjegoj arsyen e takimit, ai më drejtohet me shumë përzemërsi, duke më uruar për librin dhe më thotë: ” I dashur Jovan, unë nuk kam patur njeri të humbur nga fisi im, por me këtë mbiemër ka shumë në Shqipëri. Por nuk ta fsheh krenarinë që do të ndjeja po të kisha patur një njeri nga fisi im në gueriljen e Çe Guevarës.” Megjithë atë unë jam duke e investiguar këtë fakt sipas mënyrës time.

(Përgatiti për botim: Kujtim BORIÇI)

(Vijon nesër)