Veteranët: Qeveritarët të njohin e vlerësojnë luftën, ajo është e shenjtë, na solli lirinë!

816
Sigal

Deklaratë e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ: Masat e qeverisë për 29 Nëntorin, gjysmake e të parealizuar. Enveri qe komandant i lavdishëm, kolaboracionistët i damkosi historia

 PërKomitetin Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, vendimi i qeverisë për festimin e 29 Nëntorit dhe shpërndarja e fondeve për këtë qëllim, nuk janë të plota e të studiuara, ndërkohë që, kjo datë e rëndësishme po afron, nënvlerësimi qeveritar po vazhdon. Ky qëndrim bëhet i ditur në një deklaratë të publikuar nga organizmi qendror që drejton këtë organizatë. Njëkohësisht, po në këtë deklaratë denoncohen përpjekjet e segmenteve të caktuara të politikës dhe faktorë të tjerë që përpiqen të hedhin baltë mbi luftën dhe komandantin e saj Enver Hoxha. “Lufta Nacionalçlirimtare ishte dhe mbetet një luftë e lavdishme që e renditi Shqipërinë në krahun e fitimtarëve. Kuislingët që bashkëpunuan me fashizmin, i damkosi historia,- thuhet mes të tjerave në këtë deklaratë.

DEKLARATA

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, i mbledhur më datën 19 shtator 2014, mori në shqyrtim detyrat e përcaktuara në programin e hartuar në kuadrin e  70 -vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë  e bashkëpunëtorët e tyre më 29 Nëntor 1944. Gjatë kësaj analize, u konstatua me kënaqësi se, Organizata e Veteranëve të LANÇ, në shkallë vendi, nga qendra në bazë, edhe pse me mjaft vështirësi e mungesa fondesh, është mobilizuar totalisht për realizimin me sukses të detyrave të planifikuara, duke punuar me përkushtim e ndjenjë të lartë përgjegjësie, në bashkëpunim të ngushtë me organet  e pushtetit vendor të çdo niveli. Me solemnitet e pjesëmarrje të gjerë të veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve e qytetarëve të ndryshëm, janë përkujtuar të gjitha datat dhe ngjarjet kryesore të LANÇ-it. Në këto evenimente të rëndësishme, kanë marrë pjesë e kanë përshëndetur drejtues kryesorë të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, duke shpalosur në ‘to mesazhe të rëndësishme atdhetare. Në të gjitha aktivitetet e zhvilluara është nënvizuar me forcë kërkesa për mbrojtjen me konsekuencë të idealeve e të vlerave të LANÇ, propagandimin sa më të gjerë të tyre ndër breza, sidomos tek ato mosha e shtresa që nuk e kanë jetuar atë, si një detyrë e rëndësishme atdhetare, jo vetëm e Organizatës së Veteranëve, por e mbarë  shoqërisë përparimtare shqiptare, kundër pinjollëve ballisto-zogistë dhe disa pseudo-historianëve në shërbim të tyre, të cilët janë përpjekur ta mohojnë e denigrojnë LANÇ, por që kanë dështuar e do të dështojnë ashtu si  dje në luftë. E gjithë kjo , sepse LANÇ ishte luftë e drejtë çlirimtare gjithëpërfshirëse që i solli Shqipërisë jo vetëm lirinë, por edhe pavarësinë e mohuar e të munguar, atë pavarësi që gëzojmë sot.

Pikërisht se LANÇ ishte një luftë çlirimtare që filloi më 7 prill 1939 dhe u kurorëzua më 29 Nëntor 1944 dhe s’ishte kjo luftë civile siç përpiqen ta paraqesin ballisto-zogistët, për të mbuluar tradhtinë e tyre.  Pse ishte një luftë antifashiste dhe çlirimtare  ajo u njoh dhe u mbështet nga Koalicioni i Madh Antifashist Botëror “Anglo- Sovjeto- Amerikan”, duke e radhitur vendin tonë përkrah fitimtarëve në Luftën e Dytë Botërore.

Jubileu i 70 -vjetorit të çlirimit të atdheut  do të festohet me madhështi. Për këtë  është angazhuar Organizata e Veteranëve dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve dhe gjithë pasardhësit e tyre.

Por, është e nevojshme, që një angazhim i tillë duhet të përfshijë tërë shoqërinë përparimtare shqiptare, shoqatat atdhetare kulturore, rininë e vendit tonë, e në mënyrë të veçantë qeverinë dhe dikasteret e saj. E nënvizojmë këtë, sepse konstatojmë me keqardhje që ndonëse koha po kalon dhe mbeten vetëm dy muaj nga ky jubile, akoma nuk ka një angazhim serioz  e masa konkrete. Edhe ato pak fonde që çeli qeveria ditët e fundit, akoma nuk u janë lëvruar rretheve. Rrjedhimisht, vërehen mungesa në zhvillimin e aktiviteteve, në rregullimin e varrezave të dëshmorëve, lapidarëve, memorialëve, pllakave përkujtimore, muzeumeve, etj., të cilat janë dëmtuar rëndë gjatë tranzicionit nga faktorët atmosferikë dhe nga forcat e errëta antishqiptare.

Për këto arsye, programi që u hartua e u miratua në mbledhjen e parë të komisionit qeveritar për 70- vjetorin, nuk po gjen zbatim të plotë. Një shqetësim të veçantë përjetojmë kohët e fundit, për disa teza të hedhura në tregun mediatik dhe për shkakun se ato  janë artikuluar jo nga ekstremistë të djathtë, por për fat të keq ato i dëgjojmë edhe nga ndonjë pushtetar i sotëm, sikurse janë tezat: “Ta njohim Luftën ANÇ si nuk e kemi njohur”, apo që në veprimtaritë e ndryshme “Të anashkalohet figura e Enver Hoxhës” dhe se, “veteranët janë nostalgjikë që shikojnë ëndrra për Enverin”.

Sikurse shihet, këto teza bien ndesh me LANÇ, me të vërtetat dhe historinë e saj. Prandaj ato, nga kushdo që të vinë, janë absolutisht të papranueshme për Organizatën e Veteranëve, të Invalidëve dhe atë të Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ. Kjo sepse, në thelb ato mohojnë dhe denigrojnë LANÇ dhe u shërbejnë vetëm atyre forcave që kërkojnë ta shtrembërojnë e falsifikojnë atë.

LANÇ ka qenë dhe mbetet një faqe e ndritur në historinë e popullit shqiptar. Ajo është shkruar me gjakun e 28 mijë dëshmorëve dhe e njohur nga mbarë populli shqiptar dhe të shmangësh figurën e Enver Hoxhës, si Komandant të Përgjithshëm i kësaj epopeje të lavdishme dhe t’i ngresh monument atij që e tradhtoi luftën kundër pushtuesve, siç u bë për A. Zogun në Tiranë dhe Mat, do të thotë të mohosh vetë LANÇ-in, sepse nuk ka ushtri dhe luftë pa Shtab dhe Komandant. Ne, veteranët, nuk jemi nostalgjikë, por ish- luftëtarë të asaj epopeje të lavdishme, në të cilën luftuam me guxim e trimëri, me në krye komandantin tonë ndaj, të cilit nuk njohim asnjë gabim gjatë LANÇ dhe shprehim respektin e mirënjohjen tonë të thellë për udhëheqjen me largpamësi në ato beteja fitimtare gjer në çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe përtej kufijve për çlirimin e vëllezërve tanë kosovarë e popujve të tjerë të Jugosllavisë.

Ne veteranët e LANÇ-it, i bëjmë thirrje çdo pushtetari që ta njohin më mirë historinë e veçanërisht atë të LANÇ-it. Të tregohet konsekuent për ta mbrojtur atë, sepse është nder për ta, ashtu sikurse është detyrë e nder që t’i qëndrojnë më afër Organizatës së Veteranëve, Invalidëve dhe asaj të Dëshmorëve, sesa atyre që kanë luftuar e punuar kundër popullit shqiptar.

Komiteti Kombëtar i Veteranëve, duke e parë  me shqetësim gjendjen e parashtruar më lart,  por  edhe i përgjegjshëm për misionin e tij të lartë atdhetar në mbrojtje të LANÇ dhe figurave kryesore të saj, u bën thirrje të gjithë komiteteve të veteranëve në rretheve, Shoqatës së Invalidëve të LANÇ dhe asaj të Dëshmorëve, që përballë vështirësive të krijuara, të luftojnë me të gjitha forcat e tyre që evenimentet që lidhen me jubileun e lavdishëm, t’i kryejnë me sukses.  Për këtë, ashtu si gjer me sot, të bashkëpunohet  me organet e pushtetit vendor dhe të shfrytëzohet çdo burim a mundësi tjetër që ndihmon në këtë drejtim, sikurse kanë vepruar e po veprojnë disa rrethe si: Fieri, Berati,Gjirokastra, Tirana, Skrapari, Korça, Vlora, Saranda, Përmeti, Shkodra, Mati etj., të cilët në bashkëpunim të ngushtë me drejtues të bashkive, qarqeve, prefekturave e komunave, duke iu bërë thirrje biznesmenëve patriotë e pasardhës veterani, kanë siguruar fonde , me të cilat janë restauruar varrezat e dëshmorëve, memorialet, lapidarët dhe simbolet e tjera të LANÇ.

Në të njëjtën kohë, Komitetit Kombëtar i Veteranëve të LANÇ, i kërkon qeverisë dhe dikastereve të ngarkuara nga  Komisioni Qeveritar  për 70- vjetorin e Çlirimit, që detyrat e përcaktuara në programin e hartuar, të zbatohen me seriozitetin e nevojshëm. T’u lëvrojnë sa më shpejt  fondet e nevojshme rretheve. Të vlerësohen e zbatohen ato kërkesa që lidhen me Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it dhe me vetë veteranët, për t’i vënë ata në vendin e nderit, ashtu siç iu takon në këtë jubile.

Krahas kësaj, dikasteret përkatëse, Ministria e Arsimit, ajo e Kulturës, etj., institucionet e ndryshme shkencore e historike, mediat  e shkruara dhe ato televizive, me veprimtaritë e tyre,  duhet të plotësojnë me korrektësi detyrat e programuara si dhe për t’i bërë jehonë të gjerë këtij jubileu të lavdishëm, duke u shkundur nga kjo heshtje e apati e deritanishme.

Në mënyrë të veçantë, tërheqim vëmendjen e drejtuesve të TV publik Shqiptar, i cili në vazhdimësi, edhe pse ka marrë pjesë në evenimente të rëndësishme që lidhen me LANÇ-in, çuditërisht, në kronikat që shfaq paraqet vetëm pushtetarët. Ndërsa veprimtaritë e drejtuesve të Komitetit Kombëtar të Veteranëve, që kryhen në të njëjtën kohë, nuk  pasqyrohen fare. Kështu ndodhi më 13 shtator të këtij viti, në manifestimet e 70- vjetorit të çlirimit të qytetit të Beratit, si dhe në 16 shtator, në 72 vjetorin e Konferencës historike të Pezës. Madje, 70- vjetori i krijimit të Br. 22 Sulmuese partizane aty në Pezë, nuk u pasqyrua fare. Kjo tregon, se ky institucion vepron në kundërshtim me funksionet ligjore të tij, duke mbajtur qëndrime të padrejta ndaj Organizatës së Veteranëve të LANÇ, e cila është protagonist dhe përfaqësuese kryesore në këto evenimente. Për sa sipër, kërkojmë nga Komisioni i Medias së Kuvendit të Shqipërisë, që të ndërhyjë pranë këtij institucioni, për ta korrigjuar këtë qëndrim të gabuar antiligjor. E theksojmë këtë sepse, me gjithë kërkesat tona të përsëritura, ata vazhdojnë në këtë rrugë.

Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ, shpreh bindjen e plotë se ashtu si deri tani Komitetet e Veteranëve në rrethe, në bashkëpunim të plotë me organet e pushtetit vendor do të marrin të gjitha masat e nevojshme që veprimtaritë që lidhen me këtë jubilar dhe dita e çlirimit, 29 Nëntori do të festohen me dinjitet e krenari  nga i gjithë populli shqiptar.

Komiteti  Kombëtar i  Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të popullit shqiptar

 Viktimat ishin 9 burrë e 3 gra. Në hakmarrje, minoritarët bashkë me shqiptarët, ngjeshën armët në dorë deri në çlirimin e vendit më 29 Nëntor 1944

 ***

 70 vjet nga masakra gjermano-balliste

e Livadhjasë, ku u vranë 12 luftëtarë

  

Myslim BISHAJ*

  Kanë kaluar plot 70 vet nga masakra e ndodhur në Livadhja, kryeqendra e fshatrave minoritarë të Sarandës, përkatësisht 24 Shtator 1944 – 24 Shtator 2014. Komuniteti minoritar, ashtu siç ka qenë në vëllazërim me popullin shqiptar, historikisht në bashkëjetesën brenda shtetit shqiptar, kujtojnë dhe këtë jubile së bashku masakrën e Livadhjasë nga forcat gjermano-balliste. Kujton me dhimbje dhe përkulje krenare bijtë dhe bijat e flijuara si produkt i kësaj masakre çnjerëzore.

MASAKRA

Masakra lindi si pretekst i hakmarrjes ndaj vrasjes së një majori të ushtrisë gjermane nga forcat partizane të cilat goditën forcat gjermane që hynë nga kufiri i shtetit grek dhe që lëviznin në brendësi të shtetit shqiptar në rrugën Qafë-Botë-Livadhja-Delvinë-Gjirokastër. Por masakra barbare nuk përligjte vrasjen e majorit. Ajo u gjet si shkak hakmarrjeje, e cila u mori jetën 12 personave, 9 burra dhe tri gra, krejtësisht të pafajshëm. Por shkaku ka dhe pasoja. Dihet rezistenca 55 -ditore, nga më të mëdhatë gjatë Luftës së Dytë Botërore të rezistencës antifashiste në Bogaz të Sarandës nga ku brigadat partizane, ajo e 8-ta dhe e 19-ta më 28 Gusht, pas një goditjeje luftarake, sollën çlirimin e qytetit të Konispolit. Së dyti si shkak quhet edhe se popullsia e minoritetit ishte e lidhur ngushtë me LANÇ-in. Këtë gjë e dinë më mirë ballistët e Konispolit dhe Delvinës. Dëshmitarët okular sjellin dëshmitë se si banorët e Livadhjasë nuk u sollën asnjë dëm material e njerëzor pushtuesve nazistë, përkundrazi, ishte një popull paqësor e i paarmatosur. Pra kemi një hakmarrje politike të pushtuesve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre që i shoqëronin. Pra masakra ndodhi dhe pa gjyq u pushkatuan 12 banorë të pafajshëm. Dhe më e dhimbshme akoma, është se jeta e tyre u mor nga gryka e automatikëve në ambientet e kishës, aty ku përshpirtjet shekullore vunë kujën njerëzore.

VIKTIMAT E MASAKRËS DHE REAGIMI

Ja vlen që në vend të homazhit dhe nderimit, t’u përmendim emrat viktimave të masakrës. Ata janë:1-Hajdho Xhaferri -24 vjeçe, 2-Çate Koleci-54 vjeçe, 3-Frosina Koleci-66 vjeçe, 4-Harallamb Koleci -49 vjeç, 5-Kolë Gjika 27 vjeç, 6-Theodhori mako-47 vjeç, 7-Vangjel Xhaferri-27 vjeç, 8-Kolë Koleci-44 vjeç, 9-Jorgo Koleci-44 vjeç, 10-Ali Kushi-44 vjeç dhe një ushtar italian. Por masakra çnjerëzore nuk uli moralin, nuk shkaktoi lëkundje apo tërheqje nga mbështetja e kësaj popullsie tek LANÇ-i në luftën për liri dhe pavarësi. Përkundrazi, u shtua urrejtja ndaj pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke dhënë mbështetje pa pushim deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë deri në 29 Nëntor 1944, duke regjistruar kështu faktin se populli i minoritetit grek në Sarandë ka qenë dhe mbetet aleat besnik i progresit përkrah popullit shqiptar. Duam t’i themi brezit të ri ta ngulisë në memorien e tij se minoriteti në Sarandë ka qenë përkrah popullit shqiptar në çdo luftë ndaj pushtuesve si italian, gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe ushtrive zerviste. Së bashku, kanë qëndruar e luftuar në një llogore. Kjo tokë është vaditur me gjakun e Qirjako Dhrosos dhe Qemal Kuçukut, Kosta Çavos e Razo Zenelit, Urani Barit e Lejla Malos, Miho Gjinit e Thoama Razos, ky gjak është derdhur në një llogore e në të njëjtën tokë për të njëjtën liri që gëzojmë, për drejtësi shoqërore, për të mirën e popullit dhe atdheut dhe ky gjak i minoritarëve dhe shqiptarëve në LANÇ, çelikosi më shumë miqësinë dhe bashkëjetesën midis popullit shqiptar dhe atij minoritar në Sarandë dhe Shqipëri.

VLERËSIMI

Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut me Vendimin numër 13, datë 2-9-2003, të gjithë viktimave të masakrës së Livadhjasë u ka dhënë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Në kujtim të tyre, por edhe si përmendore e kujtesës historike, në Livadhja është ngritur dhe një Lapidar, ku organizata e veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve të Sarandës, intelektualë dhe pjesëtar të komunitetit minoritar, kanë bërë homazhe në nderim të kujtimit të tyre

*Bir dëshmori, ish- ushtarak