Historia dhe Konferenca e Pezës

2737
Sigal

Prof. Luftulla Peza

Konferenca e Pezës dhe e vërteta historike

Më 16 shtator u mblodhën në Pezë mijëra veteranë dhe bij veteranësh, trashëgimtarët të dëshmorëve të Atdheut, shumë dashamirët të Pezës si dhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, për të përkujtuar Konferencën e Pezës, të mbledhur më 16 shtator 1942 në Pezë. Konferenca e Pezës, përbën një ndodhi
historike mjaft të madhe në historinë e popullit shqiptar, pasi në te u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha forcave politike të vendit dhe përpunuan platformën e përbashkët të luftës kundra pushtuesit fashist për çlirimin e vendit. Në mitingun e organizuar me këtë rast përshëndetën të pranishmit kryeadministratori i Pezës J. Kola, kryetari i Bashkisë E. Velia, zëvendës kryeministri N. Peleshi dhe sekretari i komitetit të veteranëve të LANÇ. Të gjithë vlerësuan rëndësinë e Konferencës së Pezës, e cila për nga qëllimet dhe vlerat e saj krahasohet me Kuvendin e Lezhës të mbledhur nga Skënderbeu në Lezhë në vitit 1444, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1879), të cilat janë organizuar për mobilizimin e popullit shqiptar në luftë kundra pushtimit osman. Fatkeqësisht në përkujtimin e Konferencës së Pezës mungonin përfaqësuesit e partive të kualicionit të djathtë. Ata luftojnë çdo ditë për të marrë pushtetin, por nuk ju intereson bashkimi i forcave politike shqiptare, ashtu siç u bë në Pezë në vitin 1942 Më bëri shumë përshtypje se në mitingun e sivjetmë të Pezës, përfaqësuesi i veteranëve shqiptar hodhi disa ide të vjetra të përpunuara gjatë regjimit socialist, që kanë qenë në modë para vitit 1990. Kjo më shtyri të shkruaj këto rreshta, për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

Organizimi i Konferencës
së Pezës nga propaganda komuniste ka qenë në modë të paraqitej se u bë nga Partia Komuniste Shqiptare, gjë që nuk qëndron. Komunistët shqiptar nën shembullin e bollshevikëve të Lenin-Stalinit, e kanë dashur gjithmonë pushtetin për vete dhe të mos e ndanin me forcat e tjera politike, siç mendojnë demokratët. Organizimi i Konferencës së Pezës ka qenë një mendim mjaft i pjekur i të gjitha forcave politike në vend gjatë vitit 1942, por kryesisht është nismë e të gjithë patriotëve shqiptar pa parti. Ata organizuan lëvizjen dhe bashkëbisedimin ndërmjet tyre dhe me forcat politike të vendit. Ata donin shporrjen e pushtuesit dhe vendosjen e një regjimi demokratik në Shqipëri. Në konferencë përveç nacionalistëve pa parti erdhën edhe= përfaqësuesit e Partisë Komuniste Shqiptare, të sapo formuar, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Në Pezë në atë kohë, i ftuar nga komunistët shqiptarë, kishte ardhur edhe i dërguari i P. K. Jugosllave M. Popoviçi, por me këmbënguljen e M. Pezës dhe të nacionalistëve të tjerë, ai
nuk u lejua të marrë pjesë në konferencë, megjithëse dirigjonte shtabin komunist nga jashtë.

Vendi i mbajtjes së konferencës
Vendi ku do të mblidhej Konferenca e Pezës është ndërruar disa herë. Udhëheqësit komunistët fillimisht
donin ta bënin konferencën në zonat jugore të vendit, sepse atje ata kishin krijuar bazat e tyre në atë kohë dhe ndjeheshim më të sigurt si Vlora apo Gjirokastra. Por nacionalistët shqiptarë nuk kishin besim tek komunistët, ata e njihnin mirë tiparin e tradhtisë të udhëheqësve komunistët, sepse njihnin shembujt nga Bashkimi Sovjetik. Nga kjo ata nuk pranuar të futeshin në zonat e influencës komuniste. Myslim Peza atdhetar i madh dhe komandanti i Çetës së Pezës, pasi mori mbështetjen e kushërinjve të tij më të afërt në Pezë, ofrojë shtëpinë e tij për punimet e konferencës, me gjithë kundërshtimet e të vëllait. Nacionalistët shqiptar ndjen ngrohtësi dhe shpresë, sepse familja Peza ishte e njohur për besnikëri, bujari dhe përkrahjen, që u kishte dhënë forcave demokratike në vitin 1924 gjatë kohës së revolucionit demokratik dhe kur ai u mposht nga forcat e Zogut. Peza gjithashtu në këtë kohë ishte vendi më i sigurt dhe i përshtatshëm për mbledhjen e konferencës. Aty funksiononte Çeta e parë Atdhetare e vendit, që do të
ruante punimet e qeta të konferencës. Jehona e luftës së 16 marsit të vitit 1941 e Çetës së Pezës kundra fashistëve italianë, ku forcat fashiste lanë 84 oficerë dhe ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur, ishte shumë e gjallë. Prandaj me pëlqimin e të gjitha palëve u zgjodh Peza. Peza pat edhe rëndësinë e
madhe strategjike, sepse ishte afër kryeqytetit dhe organizimi i konferencës aty do të bënte bujë të madhe. Nga ana tjetër rëndësi të madhe pat edhe gatishmëri e familjeve pezake të strehonin dhe të mbanin me ushqimet e nevojshme gjithë ato njerëz që erdhën në Pezë, si delegatë, por shumica si shoqërues. Përveç familjes së Babë Myslimit në këtë drejtim ndihmë të madhe ka dhënë familja e dëshmorit Hasan Peza, si dhe familjet e Abdurraman Pezës dhe Bexhet Hoxhollit, ku është strehuar Enver Hoxha gjatë ditëve të konferencës.

Fati i pjesëmarrësve të Konferencës

Fati i pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës është çështje me shumë rëndësi, që është lënë e errët nga
propaganda komuniste, por edhe sot për këtë çështje ka heshtje të plotë. Krerët komunistët ashtu si dhe ata fashistët nuk kanë besë dhe fati i pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës e tregon këtë më së miri. Kur komunistët shqiptar forcuan pozitat e tyre dhe morën frenat e LANÇ, ata i harruan premtimet dhe vendimet e Konferencë së Pezës dhe ndaj pjesëmarrësve në konferencë u sollën si barbare dhe mjaft harbutë. Qysh gjatë luftës për çlirimin e Tiranës një kompani partizane mori si detyrë të asgjësonte sa më shumë njerëz me bindje demokrate, ndër ta edhe disa pjesëmarrës të Konferencë së Pezës si Ismail Petrelën dhe Azis Çamin. Vejmë në dukje se në këtë kohë i biri i Ismail Petrelës, Xhevdet Petrela, ishte komisar batalioni në Çetën e Pezës, me gjithë këtë ai nuk u kursye dhe u vra pabesisht bashkë me 33 intelektualë të tjerë të Tiranës. Fat të Zi pat edhe Abaz Kupi, udhëheqësi i organizatës së Legalitetit. i cili sapo mbaroi lufta u shpall armik dhe u vunë pas forca të mëdha për ta arrestuar si armik i popullit. Falë miqësisë familjare, që kishte me Myslim Pezën, që e ndihmoi të arratisej në Itali, ai mundi të mbijetojë. Mustafa Gjinishi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe ish-komisar i Çetës së Pezës, u vra në pabesi në rrethinat e Peshkopisë në gusht 1944 nga Dali Ndreu komandant dhe Hysni Kapo komisar i Divizionit të parë dhe Liri Gega, përfaqësuese e Komitetit Qendror të PKSh. Nëpër burgje përfunduan edhe Ndoc Çoba, që vdiq në hetuesi, Koço Tashko, Ramazan Jerani, Halim Bregeja, Fetah Butka etj.

Fati i mikpritësve të konferencës

Sapo u mor vesh organizmi i Konferencës së Pezës, fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre
vërshuan në Pezë si të tërbuar. Vodhën ç’mundën nga dy shtëpitë ku u mbajt konferenca dhe ku u strehuan pjesëmarrësit: shtëpinë e vëllezërve Myslim dhe Shyqyri Peza dhe shtëpinë e vëllezërve Hasan dhe Abduraman Peza, ngjitur me të. Pasuria e tyre, zbukurime prej ari dhe argjendi, enë dhe armë të ndryshme me vlera muzeale, para dhe sende të tjera shtëpiake dhe të gjitha bagëtitë u vodhën. Më pas shtëpitë dogjën. Familjet tona ishin larguar, sepse ndryshe do të pushkatoheshim të gjithë. Reprezaljet të egra ndaj pezakëve u shtrinë edhe më gjerë. Në Pezë të Vogël pak ditë pas konferencës u dogj i gjithë fshati dhe u pushkatuan disa dhjetëra njerëz të pafajshëm. E njëjta tragjedi u përsërit në fshatin Grecë, duke djegur dhe vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, të gjithë përkrahës të Çetës së Pezës dhe LANÇ. Edhe
mikpritësit e njohur të delegatëve dhe shoqëruesve të tyre në Konferencë së Pezës, që i mbajtën me harxhimet e duhura, nga pushteti komunist shqiptar u trajtuan si armiq. Në vitin 1946 u bë reforma agrare dhe nga kjo reformë u shtetëzuan të gjitha tokat e dëshmorit Hasan Peza, duke e lënë gruan e tij ish-partizane me djalin e vogël me gisht në gojë. Disa muaj pas lufte Ismete Peza, gruaja e dëshmorit Hasan Peza, ish-partizane nga fillimi i Luftës deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, u end nëpër zyrat e qeverisë së re për pensionin si grua dëshmori, por përveç premtimeve dhe rrenave asgjë nuk mori. Me shtetëzimin e tokës nga reforma agrare, kjo familje dëshmori u kthye në familje proletare pa asnjë pasuri dhe i biri i dëshmorit, Luftullai, nga skamja përfundoi në Strehën Vorfnore. Të njëjtin fat patën edhe mijëra familje shqiptare pronare tokash, fabrikash, shtëpish etj., të cilat mbetën pa toka dhe prona të tjera, megjithëse kishin dhënë kontribut të shquar me forma të ndryshme LANÇ. Me rrëzimin e sistemit komunist në vitin 1990 të gjithë menduam se më në fund erdhi demokracia dhe problemi i pronave do të gjente zgjidhjen demokratike. Por më kot, sepse pseudo-demokratët që morën pushtetin, sajuan Agjencinë e Kthimit të Pronave, e cila bëri “pronarë” pushtetarët e rinj dhe miqtë e tyre me pronat e pronarëve shqiptarë. Unë i biri i dëshmorit Hasan Peza, megjithëse kam afërsisht 20 vjet, që kam depozituar dosjen me dokumentet
përkatëse në këtë agjenci, asnjë pronë nuk më është kthyer, me gjithë premtimet e shumta. Vitet e fundit Bashkia e Tiranës, në kundërshtim me ligjet në fuqi, mundohet të bëhet pronare e trojeve rreth shtëpive, ku u organizua Konferenca e Pezës. Ajo nuk përfill pronarët e këtyre trojeve: familjen e dëshmorit Hasan
Peza, familjen e partizanin Abdurraman Peza, luftëtarë të Çetës së Pezës që në vitin 1939, familjet e Ahmet Pezës dhe Behexhet Hoxhollit, me gjithë kontributin e shquar që dhanë për konferencën e Pezës dhe LANÇ. Bashkia e Tiranës e ka shpallur “park të bashkisë” sheshin në qendër të Pezës, njësoj si
në kohën e komunizmit, megjithëse nuk është pronare në asnjë metër katror aty, në një kohë, që pronarët presin që këto troje t’u kthehen nga Agjencia e Kthimit të pronave. Këto familje luftuan dhe derdhën gjakun për të çliruar vendin nga pushtuesit fashistë dhe për të jetuar të lumtur në vendin e tyre aty në Pezë. Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj Erion Veliaj i bëjmë thirrje të mos shkelë mbi gjakun dhe mundin e këtyre familjeve pezake dhe të ndërpresë diskriminimin ndaj këtyre familjeve mjaft të nderuara.