Hamza Isa Isaraj“Luftuam një jetë të tërë, për ta bërë Shqipërinë”

948
Sigal

Hamza Isa Isaraj, “Nderi i Kombit”,  simbol i sakrificave për triumfin e ideve kombëtare në 73- vjetorin e vdekjes

“Luftuam një jetë të tërë, por bëmë pak për ta bërë Shqipërinë si e donte Kristoforidhi, Jani Vreto, Hoxha Tahsimi dhe Sami Bej Frashëri – Zvicër të dytë… Ishallah, këtë amanet e bëjnë djemtë dhe nipërit tanë”. Është ky një pohim shpirtëror, por edhe një amanet i madh i patriotit dhe atdhetarit Hamza Isa Isaraj. Në vargmalin madhështor të shqiptarisë, një vend të nderuar ka zënë edhe demokrati i mirënjohur vlonjat, Hamza Isa Isaraj. Duke shfletuar dokumente autentike, libra, kujtime, artikuj të kohës krijojmë të plotë portretin e paraardhësve tanë, të ndriçuar nga idealet e larta edhe në kushtet e rrethanat tejet të vështira historike të vendit e të popullit tonë. Si rilindës i vërtetë, i përkushtuar. Hamza Isaraj, i lindur në një familje të njohur të Vlorë, edhe pse i arsimuar në shkollat turke, u bë pishtar për shkollën e parë shqipe në lagjen “Muradije” të qytetit të Vlorës, dhe pastaj ën fshatrat e Labërisë. Raporti i nënkonsullit austriak, A. H. Vond, për çeljen e kësaj shkolle, na jep edhe fjalën e mbajtur nga Hamza Isaraj, që edhe sot na tingëllon si një himn i arsimdashjes dhe liridashjes: “Vëllezër shqiptarë! Të krishterë dhe muhamedanë, shikoni këtë shkollë! Kjo është ajo, që të parët tanë e dëshironin prej më shumë se  njëmijë vjetëve dhe për të cilën vuajtën. Po përse? Sepse tradhtarë të poshtër na lidhën me zinxhirët e pushtuesit. Qoftë nderja e Zotit, që tashti i shpartalloi tradhtarët dhe bashkëvepruesit e tyre, kështu që u rrëzuan si një dushk i kalbur. Sot pa dritën e diellit edhe shkolla jonë. Shkolla bën që të ngrihen nga varri të vdekurit, të shohin qorrat, ajo shëron të paralizuarit, bën të mençëm të paditurit, me anën e saj i vobekti bëhet i pasur. Ajo do të ndihmojë në krijimin e qyteteve të bukura dhe fshatrave të begata. Ajo është bartësja e dashurisë, unitetit, qetësisë, miqësisë dhe vëllazërisë. Ajo ndihmon të përzëmë mjerimin dhe gënjeshtrën dhe bën të pamundur barbarizmin. Lutuni Zotit nga thelbi i zëmrës që të na ruaj përgjithmonë shkollën tonë. Leni fëmijët, djemtë e vajzat tuaja që të freskojnë këtë shkollë të shenjtë, me anën e së cilës, ne dikur do t’i arrijmë një ditë të madhe, që t’i habisë të gjithë armiqtë tanë. Rroftë Liria! Rroftë gjuha popullore….!”.  Anëtarët e “Komitetit të Lidhjes Kombëtare, si Thanas Floqi, Hamza Isaraj, Ibrahim Abdullahu,     Spiro J. Koleka dhe Qazim Kokoshi shërbyen edhe si mësues të kësaj shkolle të parë, me Abetaren e  Sami Frashërit në duar, si fener ndriçues. As persekutimet, as burgosjet nuk e trembën kurrë Hamza Isaraj, këtë atdhetar vlonjat, në udhën e tij në ato vite, kur zjarri i diturisë me zjarrin e luftës çlirimtare ishin shkrirë në një të vetëm në mendjet e zemrat e shqiptarëve të ndriçuar. Shtëpia në lagjen “Karabush”, u bë strehë, bujtinë e shtab lufte për Shahi Kolonjën, Namik Delvinën, Dervish Himën, Mehmet Pashë Drrallën, Xhelal Koprenckën, Isa Buletinin, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Avni Rustemin e shumë e shumë atdhetarë e luftëtarë me emër e pa emër të shquar. Përkushtimi atdhetar e politik i Hamza Isaraj, këtij burri të fortë e të ndershëm, u shtri në ato vite. Një ndihmesë të shquar Hamzai dha si anëtar dhe drejtues i shoqatës atdhetare “Vlora”, e njohur që nga viti 1886, me President Nderi Ismail Qemalin dhe “Shoqëria e zezë për shpëtim”, e cila e vazhdoi veprimtarinë deri në prag të Pavarësisë. Në valën e kryengritjes, që shpërtheu në verën e vitit 1911, në krahinën e Labërisë, Hamza Isaraj, ishte nga organizatorët, veprimtarët e radhëve të para në Vlorë, Mallakastër, Dlevinë. Duke iu kundërvënë elementëve oportunistë e proturkë, Hamzai hodhi parullën verbale: “Vatani nuk fitohet me lutje dhe aman, por me kryengritje”. Si përkrahës i zjarrtë i qeverisë së Ismail Qemalit, Hamzai punoi pa u lodhur për organizimin e mbarëvajtjen e administratës në Prefekturën e Vlorës. Ai u caktua personalisht nga Ismail Qemali, për të ndjekur nga afër dhe për të bashkërenduar luftimet e vullnetarëve kundër shovinistëve grekë në janar të vitit 1913-të. Për punën e tij të dalluar, Hamzai u emërua si Kryekomisar i Qeverisë së Vlorës. Së bashku me Xhelal Koprenckën e Sali Muratin, Hamzai organizoi forcat qeveritare kundër rebelëve esadistë dhe u ndesh me ‘to në fshatrat e Myzeqesë. Me intuitën e tij të hollë prej atdhetari dhe demokrati, Hamzai bashkëpunoi me ushtarët holandezë të KNK-së, iu kundërvu dredhirave e pabesive të Esat Toptanit dhe mori pjesë në luftimet kundër rebelëve në Rashbull, Shijak dhe në Urën e Dajlanit në Durrës. Emrin e Hamza Isaraj, si një nga përfaqësuesit e parisë së Vlorës, e gjejmë në të gjitha dokumentet, memorandumet e letrat në periudhën e Konferencës së Paqes në Paris. Në takimin me J. Hevrin, të dërguarin e Presidentit të SHBA-së, Uillson, atdhetarët e njohur Osman Haxhiu, Ali Asllani, e Hamza Isaraj i kërkuan atij “bashkimin e Vlorës me vise të tjera shqiptare”. Menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, ku Hamzai mori pjesë, nisi organizimi për kryengritjen anti-italiane dhe u krijua në shtëpinë e Osman Haxhisë, organizata “Mbrojtja Kombëtare”. I përndjekur nga komanda italiane e Vlorës, Hamzai  u hodh në ilegalitet dhe shkoi të zhvillonte veprimtarinë për zbatimin e programit të “Mbrojtjes Kombëtare”, në krahinën e Mesaplikut për kryengritjen e armatosur. Pas mbledhjes historike të Barçallas, Hamzait iu caktua detyra të hidhej në Korfuz, si përfaqësues i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, për t’u lidhur me shtetet e Europës, të bënte me dije mbi luftën popullore të kryengritësve kundër pushtuesit”, siç shkruan një bashkëluftëtar i tij. Janë të dokumentuara letrat e shkrimet e Hamzait, dërguar gazetave të njohura të Europës, si “Epoka”, “La Patrie”, “Resto del Carlino”, “Avanti”, “Popolo di Italia”, “Kuvendi”, “Petit Marseillai”, etj, ku informonte për luftën e Vlorës, për mizoritë e ushtrisë italiane, për të drejtat e shqiptarëve. Falë njohjes së pesë gjuhëve të huaja, Hamzai luajti rol të dobishëm me letra dhe takime me personalitete politikë të kohës, diplomatë, gazetarë e arbëreshë të njohur atdhetarë. “Më cilësinë tonë si përfaqësues të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” kundër tiranisë italiane- shkruante ai frëngjisht në një gazetë më 8 korrik 1920,- keni mirësinë të botoni këtë letër. Popujt do të kenë mundësinë të kuptojnë gjendjen e sotme të Shqipërisë dhe luftën e shqiptarëve, të cilët kanë për qëllim të vetëm, lirimin e Atdheut të tyre të shumëvuajtur”. Edhe pas luftës së Vlorës, me detyrën e drejtorit të policisë të Qarkut të Vlorës, Hamzai nuk rreshti së punuari për vendosjen e rendit e të qetësisë, sidomos në zonën e Bregut të Detit, ku agjentët grekë propagandonin ide antishqiptare dhe synonin destabilizimin e shtetit shqiptar. Në vorbullën e zhvillimeve politike në vitet 1921-1924 Hamzai, duke qenë i brumosur me bindje përparimtare e demografike, mori krahun e atyre forcave politike që krijuan në Vlorë Federatën “Atdheu” dhe shoqërinë “Bashkimi”, Pas dështimit të Qeverisë së Fan Nolit më 1924, Hamzai u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe qëndroi kryesisht në Bari të Italisë deri në fund të vitit 1928. Edhe në emigracion Hamzai nuk e shkëputi lidhjet me miqtë, shokët e bashkëpunëtorët e tij, si Fan Noli, Osman Haxhiu, Tol Arapi, Shtjefën Gjeçovi, Jani Minga, Abrahim Shyti, Dom Marku, etj.. Hamza Isaraj ishte i njohur për cilësitë e tij etiko-morale nga ata me të cilët jetoi, punoi dhe luftoi. Por ky njeri me karakter të fortë ka qenë njëherësh sa bujar, aq edhe modest, cilësi, që mund ta vëresh edhe në shkrimet ku flet për veprimtarinë e luftën e tij, edhe nga vlerësimet e bashkëkohësve. Çdo punë, ose akt të kryer ai e konsideronte si pasojë e veprimit të përbashkët me kolegët ose shokët e idealit. Në një shkresë zyrtare, disa muaj para se ai të ndërronte jetë, shkruhej: “Zoti Hamza Isaraj  në Qarkun e Vlorës njihet si hero i gjallë, simbol i sakrificave për triumfin e ideve kombëtare, sot ndodhet në një gjendje ekonomike të vështirë. I shtyrë në pleqëri. Nuk mund të punojë për mbajtjen e familjes së tij, prej 12 frymësh…”. Një fund tipik ky për figurat e njohura, që nuk jetua e punuan vetëm për vete. Në ceremoninë e varrimit, në dhjetor të 1940-s,atdhetari i shquar Ibrahim Abdullahu e vlerësoi Hamza Isarajn si “një nga idealistët e rrallë të Vlorës:. Monografia e studiuesit Bardhosh Gaçe :Një jetë në shërbim të kombit”, për jetën dhe veprën e Hamza Isaraj është ndihmesa e parë serioze për dokumentimin e ndriçimin e kësaj figure historike, por aspekte të veçanta të veprimtarisë e shumëllojshme të Hamzait, kërkojnë hulumtime, analiza e interpretime të reja, për të krijuar një pamje sa më të plotë të luftës e punës së këtij atdhetari e demokrati konsekuent dhe vendin që ai zë në panteonin e kombit. Po a kemi, qoftë edhe në Vlorë, një pllakë përkujtimore, një rrugë, një emër sheshi, një shkollë, ose institucion publik, ( kur duhej të flisnim për obelisk e përmendore) me emrin Hamza Isaraj? Një jetë të tërë Hamzai bëri detyrën e vet, si shqiptar e atdhetar. Është detyra dhe detyrimi ynë moral ti nderojmë personalitetet e tilla, sepse, kështu, nderojmë në radhë të parë veten si shqiptar e qytetar europian.