Gëzim Llojdia: I ati patriot në Kongresin e Lushnjës i biri avokat burgoset, dërgohet punëtor

E shoqja e avokatit ishte mbesa e Selam Musa Salarisë.

1.Patrioti Dhimitër Qypi, me një kontribut të rëndësishëm në kulmin e përndritjes sonë kombëtare, si dhe me veprimtarinë e tij të mëvonshme, ka mbetur i ngecur nën “rrotat e mullirit të kohës”. Vetëm pak shkrime dhe përmendje sporadike në libra për aktivitetin e tij patriotik dëshmojnë për një thatësirë të theksuar rreth kësaj figure historike. Ka një prurje të madhe studimesh për figurat e Rilindjes, madje edhe për ato vlonjate që dhanë kontribute të çmuara për pavarësinë tonë kombëtare. Ndërsa pritej që, pas çlirimit të Shqipërisë, ai të merrte vlerësimet e merituara, harresa nga historianët u bë edhe më e thellë, duke e mbuluar figurën e tij me një errësirë edhe më të rëndë.
2.Shtëpia-Muze e Kongresit të Lushnjës, kryesisht përmes historianit Niko Ferro, na ka mundësuar sigurimin e një fotografie të këtij patrioti, e cila aktualisht gjendet në muzeun e Kongresit të Lushnjës. Historiani në fjalë jep këtë shpjegim për fotografinë, e cila i përket viteve ’20. Ajo paraqet interes të veçantë, pasi është e vetmja fotografi që pasqyron figurën e këtij patrioti. Të afërmit e tij nuk disponojnë asnjë foto, madje as në arkivat e qytetit historik nuk gjendet ndonjë e tillë. Gjetja e kësaj fotografie për ndërtimin e portretit të patriotit Dhimitër Qypi ka rëndësi të veçantë, edhe për faktin se ky muze është angazhuar në ruajtjen dhe dokumentimin e figurave që dhanë kontribut në Kongresin e Lushnjës. Duke qenë se kemi prekur 106-vjetorin e kësaj ngjarjeje, momenti për të zbardhur figurat e këtij përvjetori mbetet një pikënisje e rëndësishme për evenimentin kryesor.

NOA

3.Skeda genealogjike fillon me atësinë e Dhimitrit.Ai quhej Themistokli. Për të ëmën nuk disponojmë të dhëna, kryesisht sa i përket emrit. Kurse  bashkëshortja e tij quhej Melpomeni. Prejardhja e familjes ishte nga Berati.Dhe vendlindja e Dhimitrit ishte Vlora.Viti duhet të  jetë rreth viteve 1886. Dhe sipas të dhënave, familja Qypi kishte ardhur në Vlorë, rreth dy shekuj më parë.

4.Koleat përbëheshin nga tre vëllezër. I pari quhej Spiro, i cili kishte një djalë, Harilla Kolean, oficer me gradë në Luftën e Vlorës. Ai ka shërbyer si drejtor burgu në vitin 1943. Një veçanti e rëndësishme e figurës së Harillës është fakti se njësitet guerile kishin respekt të veçantë për të. Ai i njoftonte duke u dhënë të dhëna konspirative të rëndësishme për Luftën Nacionalçlirimtare. Sipas burimeve dhe të dhënave të disponueshme, Harilla besohet se ka shërbyer edhe si kuestor në Kosovë. Markua renditet si i dyti ndër vëllezërit, por jo më pak patriot. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në luftërat shqiptare për liri dhe pavarësi, veçanërisht gjatë kryengritjeve të vitit 1911, kur pritej shpërthimi i ngjarjes madhore për kombin shqiptar, Pavarësia. Ai ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e njohur të Sinjës. Markua ka pasur dy vajza. Njëra u martua me Jakov Milen, ndërsa tjetra me një avokat nga Bregu, i njohur për mbrojtjen e jezuitëve.

5.Xhafer Belegu, në mesin e viteve 1934, gjatë muajve të verës (qershor), u ka përcjellë shqiptarëve dokumente me të dhëna të rëndësishme nga historia e Lidhjes së Prizrenit. Dritën e botimit ia dha shtëpia botuese “Kristo Luarasi”, në veprën “Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj 1878–1881”. Nga veprimet e marsit 1878, në faqen 148, shkruhet: “Lidhja në Jug… Lidhja Shqiptare, duke i parë këto veprime të Greqisë dhe duke marrë njoftime për kërkesat e saj në Kongres, vendosi të zhvillojë një aktivitet të madh në Jug. Ajo organizoi këshillat krahinore dhe përgatiti një fuqi mbrojtëse kundër Greqisë. Mbledhja e parë, sipas dëshirës së Abdyl Bej Frashërit, i cili ishte faktori kryesor në Jug, u mbajt në teqenë e Frashërit, nën kryesinë e Baba Alushit, i cili vuri në dispozicion të Lidhjes një shumë të madhe të hollash. Në këtë mbledhje të parë të Jugut u diskutua organizimi i këshillave krahinore dhe masat që do të merreshin kundër Greqisë.” Ndër burrat më me rëndësi të Lidhjes në Jug përmenden: Abdyl Bej Frashëri, Mehmet Ali Bej Vrioni, Sulejman Ali Kuci, Myslim Vasjari, Mustafa Pashë Vlora, Myslim Gjoleka, Sheh Mahmuti nga Kolonja e Kurveleshi, Xhafer Bej Vlora, Thanas Ekonomidhi nga Sopiku, disa bejlerë nga Libohova, Vasil Hido, Petro Meksi nga Tepelena, Mihal Haritua nga Përmeti, Vasil Linavori dhe Eustrat Tasho. Duka nga Berati, si dhe Dhimitër Kolea. Lidhja në Jug u mbajt më 11 janar 1878. Dhimitër Qypi Kolea ka shërbyer si nënprefekt në Himarë dhe në Lushnjë. Dhe ka qenë delegat i Vlorës dhe një nga  financuesit e Kongresit të Lushnjës. Më poshtë paraqiten disa të dhëna të marra nga rilindasi Ibrahim Abdullai, në veprën Kujtime të shkurtra nga Lëvizja Kombëtare në Vlorë” (1947), botuar në librin “Rilindasi Ibrahim Avdullai” të autorit B. Gaçe. Sipas Abdullait, pas manifestimit të Ditës së Flamurit, disa përfaqësues të Vlorës u thirrën në Lushnjë, ku patriotë të njohur organizuan Kongresin e Lushnjës. Organizatorë të këtij kongresi kombëtar, siç u raportua, ishin Dhimitër Qypi, Halim Xhelo, Jani Minga dhe Myqerem Hamzai. Kthimi i tyre nga Lushnja u dha shpresë të madhe atdhetarëve vlonjatë, të cilët e shihnin Kongresin si rrugën kryesore për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Më 26 dhjetor 1919, në shtëpinë e Osman Haxhiut, pas kthimit të përfaqësuesve të Vlorës nga Lushnja, u zgjodh një Nënkomitet me detyrën përzgjedhjen e delegatëve vlonjatë për Kongresin e Lushnjës. Anëtarë të këtij Nënkomiteti u zgjodhën: Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Aristidh Ruci, Dhimitër Qypi, Beqir Sulo, Ymer Radhima, Myqerem Hamzai, Hamza Isai, Eshref Dano dhe Ibrahim Abdullai. Gjithashtu, si anëtarë të komisionit për organizimin e Kongresit të Lushnjës u caktuan edhe Halim Xhelo dhe Dhimitër Qypi. Vlora zgjodhi për në Kongres katër delegatë dhe pesë përfaqësues, të cilët ishin:

Dhimitër Qypi,

Qazim Kokoshi,

Myqerem Hamzai,

Ymer Radhima,

Osman Haxhiu,

Ibrahim Abdullai,

Jani Minga,

Hamza Isai

dhe Halim Xhelo.

Këta përfaqësues u shoqëruan edhe nga pesë shoqërues të armatosur. Pas ditës së parë të punimeve, sipas autorit B.Gaçe, krahinat e Mesaplikut dhe Kurveleshit dërguan edhe gjashtë përfaqësues të tjerë në mbështetje të Kongresit. Ndërkohë, në Senat u zgjodhën përfaqësues nga Vlora: Qazim Koculi, Spiro J. Koleka, Sadulla Tepelena dhe Myqerem Hamzai.

6.Pra, përfaqësuesit nga Vlora dhe krahinat përreth ishin gjithsej 15 (9 + 6). Kjo u bë me qëllim një shpërndarjeje më të drejtë dhe përfaqësimi sa më të gjerë të të gjitha krahinave. Lista e parë përfaqësonte kryesisht delegatët e qytetit të Vlorës, ndërsa krahinat e Mesaplikut dhe Kurveleshit, në ditën e dytë të punimeve, dërguan edhe gjashtë përfaqësues të tyre, duke plotësuar kështu përfaqësimin krahinor.
7.Më 5 maj 1930 u shua jeta e Dh.Qypit e këtij rilindësi dhe patrioti të shquar. Për këtë ekziston një dokument origjinal i gjendjes civile, i cili e vërteton zyrtarisht këtë fakt.Në procesverbalin e ofiqarit të gjendjes civile, Telo Noçka, ndër të tjera thuhet: “Sot, më 3 nëntor 1930, ora 16:00, mua, Telo Noçkës, sekretar i gjendjes civile, i deleguar nga zëvendëskryetari i bashkisë me delegim të datës 30 nëntor 1930 për të përmbushur detyrat e ofiqarit të gjendjes civile, më mbërriti kopja e vendimit të Gjykatës së Vlorës nr. 442, datë 3 korrik 1930. Pas verifikimit dhe regjistrimit në vëllimin përkatës, transkriptoj si më poshtë: ‘Gjykata vendosi: Dhimitër Qypi, ish-nënprefekt i Lushnjës, ka vdekur më 5 maj 1930.

8.I biri i Dhimitrit, Platoni Kolea, i martuar në vitin 1940 në shtetin italian, u kthye pas Luftës së Dytë Botërore në atdhe. Familja Kolea ishte e njohur për gjendjen e mirë ekonomike dhe për traditën e arsimimit, ndaj edhe fëmijët e saj synuan të ndiqnin rrugën e dijes, ashtu si pararendësit e tyre. Megjithatë, rreth vitit 1946, kthimi në Shqipëri u shoqërua me një zhgënjim të thellë. Vitet e para pasluftës karakterizoheshin nga mungesa e energjisë elektrike, varfëria dhe ashpërsimi i regjimit, i cili po orientonte vendin drejt Lindjes, duke ndërprerë çdo lidhje me Perëndimin. Platoni, i arsimuar dhe me formim perëndimor, fillimisht punoi në gazetën “Federata Sportive”, më pas si gjyqtar në gjykatat e Durrësit dhe Lezhës, si dhe  avokat në Tepelenë dhe Ballsh. Por, me forcimin e diktaturës dhe ndërtimin e burgjeve për persekutimin e kundërshtarëve realë apo të supozuar të regjimit, edhe ai do të bëhej viktimë e represionit politik.

Platoni Kolea, i biri i patriotit Dhimitër Qypi Kolea, u arrestua dhe u burgos. Sipas dëshmisë së Marked Koleas, në momentin e arrestimit ai ishte vetëm shtatë vjeç, ndërsa vëllai i tij më i vogël ishte një vjeç. Arrestimi mendohet të ketë ndodhur rreth vitit 1957, kur Platoni u dërgua në burgun famëkeq të Tepelenës. Nëna e tyre, Liri Kolea, ishte mbesa e Selam Musait, heroit të Luftës së Vlorës. Avokati i njohur u dënua me katër vjet burg, megjithëse ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Metua, vajza e Selam Musa Salarisë, një nga figurat e shquara të vitit 1920, mbajti në shtëpinë e saj Lirin, bashkëshorten e Platonit, duke u përballur me dhimbjen dhe padrejtësinë që regjimi i shkaktoi familjes. Ironia historike është e qartë. Platoni, i biri i Dhimitër Qypit një nga financuesit e Kongresit të Lushnjës kalbi vitet në burgjet e regjimit, ndërsa familjarët e tij përjetonin pasojat e persekutimit. Pas përfitimit nga një amnisti, Platoni u kthye në qytetin e lindjes, por i privuar nga profesioni i tij si avokat i diplomuar në Padovë. Ai u detyrua të fillonte një jetë të re pune, këtë herë si punëtor në sektorin e gjeologjisë, duke endur nëpër zona kërkimi, larg profesionit dhe dinjitetit që i takonte.

11.Patrioti Dhimitër Qypi, një nga ata burra që ndezën flakën e lirisë mbeti i harruar nën rrotat e ashpra të kohës. Veprat e tij, të ndritura nga guximi dhe përkushtimi, sot jetojnë vetëm në rreshta të rrallë librash, si hije që dridhen në murin e historisë,.Dhe duke lënë pas një boshllëk të dhimbshëm dhe një heshtje të pamerituar. Figura e tij, e shenjtë në përpjekjet për liri dhe drejtësi, u lanë pas dore ndërkohë që shumë të tjerë, edhe nga Vlorë e më gjerë, gjetën vendin e tyre në faqet e historisë. Harresa që e rrethoi pas Çlirimit nuk ishte thjesht një zhgënjim  ishte një padrejtësi. Dhe  që rëndoi mbi emrin e tij, duke shndërruar një jetë të ndritur në heshtje të përjetshme. Një dritë e vogël, por me rëndësi të jashtëzakonshme, na vjen nga Shtëpia Muze e Kongresit të Lushnjës. Historiani Niko Ferro ruajti dhe dokumentoi një fotografi të vetme të këtij patrioti, e cila i përket viteve ’20. Është fotografia e vetme që na mundëson të shohim fytyrën e atij që sakrifikoi për kombin. As familjarët, as arkivat e qytetit historik, nuk mundën të ruanin tjetër dëshmi vizuale. Kjo fotografi nuk është thjesht një imazh muzeal  është një thirrje ndaj kujtesës, një akt drejtësie ndaj një burri që historia e braktisi. Ajo na kujton se harrimi është armik i kombit dhe se çdo heshtje mbi veprën e një patrioti është një plagë në trupin e historisë.