Autori i librit “Sikur të isha djalë…
Shkrimtari N.Jorgaqi thotë në një artikull të vitit 66 se: ..Flitet se në mars të vitit 1929, autoritetet jugosllave e dorëzuan Haki Stërmillin tek regjimi i Zogut, duke e trajtuar si kriminel ordiner. Ky akt shkaktoi indinjatë në qarqet demokratike të Evropës. Figura të njohura si Dimitrov, Henri Barbys, Albert Ajnshtajn e shumë të tjerë ngritën zërin kundër këtij akti arbitrar, duke kërkuar lirimin e tij. Falë kësaj fushate ndërkombëtare, gjyqi politik e dënoi me vetëm pesë vjet burg…Këtë fakt e pranonë edhe shkrimtari Hysen Kobellari në vitin 2021 në një shkrim për figuën e Haki Strëmillit.Në revistën Pashtriku shkruhet Haki Stërmilli, i harruari i madh dhe gjëndet biseda e Gazetares Flora Nikolla në bisedën me studiuesin letrar Xhezair Abazi.Nuk po citojmë më shumë,por më i hershmi mbetet shkrimi i N.Jorgaqit që i përket vitit 66.Le të ecim rradhë pas rradhe për të gjetur faktin.

1.Në vitin 1966, shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi, në faqet e gazetës “Drita”, solli për lexuesit një dëshmi të rrallë për jetën e Haki Stërmillit, duke ndriçuar figurën e tij përmes dokumenteve dhe autobiografisë së vetë autorit. Ai shkruante: “Kohët e fundit na kanë rënë në dorë disa dokumente të rëndësishme, ndër to edhe autobiografia e Haki Stërmillit, që hedhin dritë mbi jetën e tij. Me këtë rast, në përkujtim të 14-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit, duam t’u kujtojmë lexuesve disa fakte që plotësojnë njohuritë tona për këtë autor të nderuar të letërsisë shqipe.”
2.Haki Stërmilli lindi më 7 maj 1895, në një familje të varfër qytetare në Dibër. Në autobiografinë e tij ai shkruan me një ndjenjë të thellë njerëzore: “Im atë nuk trashëgoi gjë nga prindërit. Imë ëmë kishte trashëguar një copë toke, por ajo u shit më vonë për nevojat e familjes… Familja jonë jetonte në lagjen më të varfër të Dibrës, ku njerëzit e siguronin bukën me punë krahu.” Kështu, në varfëri dhe thjeshtësi, u formua shpirti i një njeriu që do të bëhej një nga zërat më të ndershëm e më rebelë të letërsisë sonë. Në mjedisin fetar të Dibrës, ai u edukua fillimisht me frymë besimi, por jeta dhe padrejtësitë që përjetoi e shndërruan në një mendje të lirë, të çliruar nga dogmat. Pas masakrave të ushtruara nga shovinistët serbë mbi popullsinë e krahinës, në shpirtin e tij ndodhi një tronditje e thellë. Ai shkruante: “Atëherë ndjeva në vetvete një revolucion shpirtëror dhe u binda se nuk kishte drejtësi hyjnore. Që prej asaj kohe u bëra ateist.” Mësimet i nisi në vendlindje, i vijoi në Selanik dhe i përfundoi në gjimnazin e Manastirit. Qeveria e Ismail Qemalit i dha bursë për të ndjekur studimet e larta jashtë vendit, por vdekja e të vëllait gjatë Luftës Ballkanike e detyroi të qëndronte pranë familjes. Një zakon i ashpër i kohës e detyroi të martohej me të renë e të vëllait, ndonëse e kundërshtoi për vite me radhë. Ishte vetëm njëzet vjeç. Kjo plagë e hidhur do të gjejë shprehje të thellë në romanin e tij të famshëm “Sikur të isha djalë”, ku drama e Dijes është në të vërtetë drama e vetë autorit revoltë ndaj prangave të fanatizmit dhe shtypjes së gruas shqiptare.
3.Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare dhe përfshirja në jetën politike. Sipas Nasho Jorgaqit, Haki Stërmilli e nisi veprimtarinë e tij politike që në rini. Që më 1907 ai mësoi të shkruante shqip dhe u bë përhapës i ideve të Rilindjes Kombëtare. Pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1913, ai u vu menjëherë në shërbim të shtetit të ri shqiptar, duke mbajtur poste të ndryshme administrative, gjithnjë i frymëzuar nga idealet e lirisë dhe përparimit. Ai e pranoi me sinqeritet ndikimin e Avni Rustemit, duke shkruar: “Agjitacioni i Avni Rustemit më hapi sytë dhe bëri efekt në mua.” Pas vrasjes së Avni Rustemit, në Kongresin e Shoqërisë “Bashkimi” (gusht 1924), Haki Stërmilli u zgjodh sekretar i përgjithshëm, duke u shndërruar në një ndër figurat më aktive të rrymës demokratike e përparimtare të kohës.
4.Vitet e mërgimit dhe idealet përparimtare (1924-1929). Periudha e mërgimit ishte ndër më të vrullshmet në jetën e tij. Ai endet nëpër qytete të ndryshme të Evropës, duke mbajtur gjallë frymën antifashiste dhe duke u angazhuar në shtypin antizogist. Bashkëpunon me gazetat “Liria Kombëtare” dhe “Federasjoni Ballkanik”, e cila botohej në Vjenë nën drejtimin e Dimitrovit.Për një kohë jeton në Bashkimin Sovjetik, më pas në Austri e Itali, derisa dëbohet dhe përfundon në Jugosllavi, ku arrestohet e internohet në Mitrovicë. Në shënimet e tij, me ndershmëri të sinqertë, rrëfen: “Megjithëse nuk isha komunist dhe nuk njihja mirë marksizëm-leninizmin, u përpoqa të formoj me njerëz përparimtarë qeliza komuniste në Dibër, Strugë e Manastir.”

5.Burgimi dhe qëndresa.Në mars të vitit 1929, autoritetet jugosllave e dorëzuan Haki Stërmillin tek regjimi i Zogut, duke e trajtuar si kriminel ordiner. Ky akt shkaktoi indinjatë në qarqet demokratike të Evropës. Figura të njohura si Dimitrov, Henri Barbys, Albert Ajnshtajn e shumë të tjerë ngritën zërin kundër këtij akti arbitrar, duke kërkuar lirimin e tij. Falë kësaj fushate ndërkombëtare, gjyqi politik e dënoi me vetëm pesë vjet burg.Por burgimi nuk e theu shpirtin e tij; përkundrazi, e forcoi. Në këtë kohë, kryesues të Kongresit Botëror të Paqes (Mynih, 1929) si H.Barbys, Ajnshtajn, S.Katajama dhe tre personalitete botërore, denoncojnë me një peticion “rrëmbimin, torturat çnjerëzore dhe burgosjen e emigrantit politik, shkrimtarit Haki Stërmilli” . Gjithçka do të dëshmohet më vonë në librin ditar “Burgu”. Ai doli prej andej më i pjekur dhe më i bindur në idealet demokratike.Pas Konferencës së Pezës, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Haki Stërmilli u radhit në Frontin Nacional-Çlirimtar, ndër intelektualët e parë që përqafoi vijën e Partisë Komuniste për luftën kundër pushtuesve.Ai drejtoi Këshillin Nacional-Çlirimtar të intelektualëve në Tiranë, më pas kaloi në ilegalitet, duke vepruar në çetat e Dibrës dhe Sllovës. Në ato vite, shkrimtari partizan vuri në shërbim të luftës gjithë forcat e tij mendore e morale, duke besuar se fjala dhe arma duhej të qëllonin në të njëjtin drejtim.
- Trashëgimia letrare dhe kujtimi i pavdekshëm.Në artikullin kushtuar 14-vjetorit të vdekjes së tij, Nasho Jorgaqi përmbyllte me këto fjalë: “Haki Stërmilli u nda nga jeta në një moshë kur mund t’i jepte ende shumë letërsisë sonë.”
I gjithë korpusi i veprave të Stërmillit është :
“Dibranja e mjerueme” (dramë) ,1923;
“Dashni e besniki” (Dramë), 1923;
“Agimi i lumnueshëm” (Dramë), 1924;
“Irena e bukur” (Dramë)”, 1929;
“Tania” (Dramë), 1930;
“Kosovarja” (tragjedi), 1931;
“Suta” (dorëshkrim),;
“Trashgimtarët tanë”, 1950;
“Luftëtarët tanë” (dorëshkrim), 1952;
“Sikur të isha djalë” (roman) 1936;
“Burgu” (letraro-dokumentar), 1936;
“Shtigjet e lirisë” (ditar), botuar 1966;
“Kalorësi i Skënderbeut”, botuar 1968;
“Afsh dhe hov zemrash” (dorëshkrim)
dhe studimin:
Dibra në prag të historisë, dorëshkrim, 1940.

7.Hysen Kobellari shkruan:Nëpunës i lartë në Qeverinë e krijuar pas Kongresit të Lushnjës.
Në vitin 1920, mbas Kongresit të Lushnjës vendi kishte nevojë për njerëz të përgatitur, me kulturë e besnikë të çështjes kombëtare; i tillë ishte Haki Stërmilli. U emërua Sekretar i Parë i Ministrisë së Punëve të Brendëshme, në qeverinë e sapokrijuar, ndërsa më vonë u bë Shef i Zyrës Sekrete po i asaj Ministrie, ku shërbeu deri në vitin 1924. Mbreti i ardhshëm i vendit, Ahmet Zogolli, Ministër i Brendshëm në Tiranë e ka çmuar shumë Haki Stërmillin për vetitë e tij të rralla si intelektual, nëpunës serioz dhe besnik, si dhe për frymën e tij atdhetare e humane. Kur shërbeu në Mat, shkrimtari i ardhshëm, u kujdes veçanërisht për sigurinë e familjes së madhe Zogolli, punoi me motrat e tij për arsimimin e tyre dhe për pajisjen me një kulturë të gjerë bashkëkohore. Aktivizimi i Hakiut me Shoqatën “Bashkimi”, ku më vonë u bë Sekretar i Përgjithshëm i saj, shoqatë e cila përhapte pikëpamje antiregjim, e detyroi Ministrin e Brendshëm të vitit 1924, Shefqet Vërlacin, t’a degradonte Hakiun duke e transferuar në Zyrën e Shtypit të Ministrisë. Ai dha dorëheqjen dhe zuri të shiste cigare. Mori pjesë në Kryengritjen e Qershorit, revoltë e shkaktuar nga vrasja e A.Rustemit; duke e rrëmbyer gjendja kaotike dhe atmosfera e paqartë, shkoi në Vlorë dhe pastaj u kthye sërish në Tiranë me armë në dorë. Ministri i Brendshëm i Qeverisë së F.Nolit, Rexhep Shala, i ofroi një post N/Prefekti ku të dëshironte, madje propozoi ngritjen e një nëpunësie speciale për të, por H.Stërmilli nuk pranoi, me arsyetimin se asisoj do të rëndohej populli me taksa. Bëri një banak dhe përsëri nisi të shiste cigare … Kur u bë Kongresi i Bashkimit nën kryesinë e Ll.Fundos përsëri u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.

8.Vepra e tij e pasur dhe dorëshkrimet e shumta ditari i luftës “Shtigjet e lirisë”, si dhe dy romane të mbetura të pabotuara, një për kohën e Skënderbeut dhe tjetri kushtuar rinisë antifashiste shqiptare përbëjnë një trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe. Në to gjallojnë idealet, dhimbjet dhe ëndrrat e një brezi që besoi në fuqinë e fjalës dhe në drejtësinë e njeriut.Figura e Haki Stërmillit mbetet një nga më të ndriturat e prozës sonë realiste. Ai është shembulli i shkrimtarit që vuajtjen e ktheu në forcë dhe dhimbjen në art.Në jetën dhe krijimtarinë e tij, fjala nuk është vetëm mjet artistik, por edhe akt qëndrese, protestë dhe dashurie për atdheun.Nëpërmjet tij, letërsia shqipe fitoi një zë të sinqertë, të guximshëm dhe njerëzor një zë që vazhdon të kumbojë edhe për liri, dinjitet dhe dritë shpirtërore.


















