Flet Skënder Seferaj: Ditën e dasmës më dhanë vetëm 3 ditë leje për martesë. Bunkierët dhe lufta në Ukrainë

588
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish mësuesi dhe ish oficeri Skënder Seferaj

  •  -Ditën e dasmës me shumë vështirësi më dhanë tre ditë leje për martesë, u largova nga dasma bashkë me dasmorët.
  • – Bunkerët ishin të domosdoshëm në monizëm, por ndoshta jo në ato përmasa.
  • – Pse u ndërtua fronti Mozhino tepër i fortifikuar 400 km midis Gjermanisë dhe Francës?
  • -Ne kishim ushtri të fortë. Kur ne bënim bunkerë, të tjerët  bënin aeroplanë, tanke, bomba atomike
  • – Lufta në Ukrainë tregoi se bota nuk është asnjëherë në qetësi.
  • – Sot është e patolerueshme që mësuesi jep kurse private për atë lëndë që paguhet nga shteti.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Rasti i Skënderit është unik. Ai mbaroi shkollën për mësues, por më vonë studio për oficer. Pra ai ka ushtruar dy profesione të vështira, por edhe të bukur. Fëmijërinë e kaloi në Neshtë të fshatit Gjorm, e cila si territor është një orë larg nga fshati. Të parët e familjes kanë pasur në këtë vend tokën e punueshme dhe kullotat për bagëtitë. Fillimisht Neshta ka shërbyer si vend dytësor për shtegëtimin e bagëtive, ku me kalimin e viteve shumë gjormiotë ndërtuan konare, ndërsa shtëpitë dykatëshe i kishin në fshat. Pra fëmijërinë e kaloi në këtë vend të ashpër me pyje e me gërxhe, duke shkuar pas vëllait të madh me bagëti.

Në këtë bisedë ai bën dallimet mes këtyre dy profesioneve, por edhe tregon vështirësitë e të qënit officer.

Ju mbaruat shkollën për mësues, por më vonë kaluat oficer në kufi. Pse ky kalim? A ishte më mirë oficer apo mësues?

Kur mbarova shkollën e mesme për mësues i ciklit të ulët bashkë me dy shokët e mi Gilon dhe Sazanin u caktuam në fshatin tonë të lindjes në Gjorm të Vlorës. Shkolla e mesme Pandeli Sotiri në Gjirokastër si shkollë me traditë na përgatiti si kuadro të aftë për mësimdhënien kështu që nuk e kisha të vështirë nga ana teorikë, por si mësues fillestar vështirësia qëndronte në anën praktike të mësimdhënies. Në atë periudhë shkolla tetëvjeçare e fshatit Gjorm ishte e kompletuar me kuadro të përgatitur. Nga shkolla e Gjormit në atë periudhë vareshin edhe shkolla e Lepenicës dhe e Velçës. Pra ne formonim një kolektiv të madh pedagogjik. Drejtoria e shkollës kishte planin e saj të kontrollit të çdo mësuesi, dhe 1 herë në muaj bëhesh analiza e punës, ku përmendeshin anët e mira dhe kritikoheshin të metat e çdo mësuesi. Për mangësitë dhe të metat drejtoria e shkollës merrte masat e nevojshme nga ana metodike, praktike, me punë të diferencuar etj. Po ashtu mësuesi kontrollohesh për mësimdhënien, për rezultatet në punë në mënyrë të vazhdueshme edhe nga inspektorët e arsimit, nga shefi i seksionit të arsimit dhe nga ministria e arsimit. Me fjalë të tjera mësuesi ishte në kontroll të vazhdueshëm dhe kjo e vinte në lëvizje të punonte sa më shumë, për eleminimin e të metave.

Kjo ishte edhe arsyeja që kuadrot, që u përgatitën në atë sistem ishin të aftë nga ana profesionale e tepër kërkues, gjë që është në kontrast të thellë me kuadrot e sotëm. Profesioni i mësuesit është i mirë, por edhe i vështirë, sepse ka të bëjë me fëmijë me temperamente të ndryshme, ndaj mësuesi duhet të jetë edhe psikolog, të depërtojë në botën e brëndëshme të nxënësit, për të punuar edhe në mënyrë individuale me të. Mësuesi njohuritë për çdo lëndë mësimore duhet t’i japë në klasë, brënda proçesit mësimor, se për këtë paguhet. Sot është e patolerueshme që mësuesi jep kurse private për atë lëndë që paguhet nga shteti. Të kalojmë tek profesioni i oficerit. Profesioni i oficerit është tepër i vështirë, por asnjëherë i vlerësuar. Ne si ish oficerë në atë peirudhë në mënyrë konfidenciale përdornim shprehjen: “Ikë se m’u bëre si çizmet në gusht”! Oficeri sa vinte në shtëpi ruhesh se mos vinte korrieri, sepse në atë periudhë jo çdo oficer kishte telefon në shtëpi. Puna e oficerit është e vështirë, sepse ka të bëjë me personalitete të konsoliduara dhe secili bën të pamundurën për t’u ballafaquar me kërkesat e rregulloreve. Oficeri ishte pa konpetenca pas periudhës së heqjes së gradave. Si në shumë sektorë të ekonomisë edhe në ushtri u eksperimentuan shumë proçese, por të gjitha këto rëndonin mbi shpatullat e oficerit. U abuzua me vijën e masave në ushtri, me kryerjen e ushtrisë brenda rrethit. Megjithë këto vështirësi stërvitja bëhesh me parametra normale, duke arritur elementet e gatishmërisë me anë të stërvitjeve e të qitjeve luftarake. Mua si oficer më ra fati që gjatë gjithë karrierës sime të jem në reparte afër qytetit të Fierit, por shumë shokë të mi kanë shërbyer për vite të tëra në terrene të vështira. Shumë individë shpesh më kanë bërë pyetjen se pse shkova oficer. Kjo ka arsyet e veta. Unë mbarova shkollën pedagogjike për ciklin e ulët dhe paga ishte e vogël në relacion me punën. Pas përfundimit të ushtrisë nuk e dija se në cilin rreth do të më caktonin. Mësuesi ishte i detyruar t’i zgjidhte vetë problemet e transportit. Këshilli i fshatit të caktonte një dhomë si mos më keq, ku atje do gatuaje e atje do flije. Çdo individ në atë periudhë mundohesh të largohesh nga fshati. Këto ishin arsyet, që vendosa të shkoj për oficer.

Ku u caktuat kur mbaruat shkollën?

Shkollën e mbarova në dhjetor 1971 me specialitet artileri bregdetare. Në muajin prill 1972 u zgjodha sekretar i komitetit të rinisë në rregjimentin bregdetar, detyrë të cilën e ushtrova për shtatë vjet. Në repartin ku shkova gatishmëria luftarake ishte në parametra normale. Çdo bateri bregdetare ruante me fanatizëm çdo element të gatishmërisë me teknikën që dispononte. Në rast leje të zakonshme për kuadrin apo ushtarin ishte planifikuar zëvëndësimi i tyre. Në qytetin e Fierit me rrethina kishte katër bateri të artilerisë bregdetare. Seicila nga këto një herë në katër ditë ishte bateri e gatëshme, që nënkupton; kuadrot qëndronin në repart, ushtarët ishin të pajisur me pajisjet personale dhe armatimin e lehtë. Predhat luftarake ishin pranë topave. Qëllimi ishte që bateria e gatëshme të plotësonte elementet e zgjarrit sa të kompletoheshin edhe Bateritë e tjera. Gjatë këtij 24 orëshi kur bateria ishte e gatshme komanda e baterisë me plan të detajuar jepte disa herë sinjalin e kushtrimit, për të parë si i plotësonte efektivi elementet e gatishmërisë luftarake. Armatimi në repartin ku shkova ishte i prodhimit rus dhe kinez. Armatimi i prodhimit rus ishin topa 130 mm dhe 100 mm me tërheqje mekanike. Armatimi kinez kishte topa 85 mm, që përdoreshin edhe për artilerinë tokësore.

Sa stërvitje keni organizuar? Cila qe stërvitja më e vështirë? Kush nga udhëheqësit ka ardhur në këto stërvitje? Ç’farë ka thënë?

 

Gjatë periudhës si oficer kariere kemi zhvilluar disa stërvitje me trupa. Stërvitja me trupa nënkupton kompletimin e repartit me ushtarë aktivë dhe reservistë sipas organikës luftarake. Këto ishin stërvitjet më të vështira dhe organizoheshin në bregdet në bashkëveprim me bataljonet artmitralere. Stërvitja më e vështirë ka qënë për mua ajo e vitit 1974. Atë vit unë kisha planifikuar martesën me një shtator, po ashtu komanda e repartit më kishte planifikuar për të më dhënë lejën e zakonshme. Situata ndryshoi, sepse doli në skenë “grupi armiqësor” i Beqir Ballukut. Kjo u quajt tradhëti kombëtare dhe për t’ju kundërpërgjigjur u zhvillua stërvitja me trupa. Komanda e regjimentit me dijeninë e komandës së korpusit me shumë vështirësi më dhanë tre ditë leje për martesë. Dasmën e bërë në fshatin tim sipas traditës zakonore duke filluar të shtunën në darkë e deri ditën e hënë në mëngjes. Po sipas traditës kënga ishte hapur një javë para. Ditën e hënë në mëngjes bashkë me dasmorët u largova edhe unë, se në orën 14:00 duhet të paraqitesha në vendkomandën e regjimentit. Gjatë periudhës së stërvitjes që zgjati disa ditë në vedkomandën e regjimentit erdhi shefi i shtabit të përgjithshëm Petrit Dume, bëri një takim të shkurtër me efektivin dhe u largua. E kuptuam që ishte shumë i shqetësuar, por ende nuk e dinim arsyen.

A ka pasur reagime nga udhëheqësit? A ka pasur raste që janë dënuar oficera dhe pse?

Reagime nga udhëheqësit ka pasur kur doli “Grupi armiqësor” i Beqir Ballukut, por duke mos qënë kopetent për problemet ushtarake reagimet kanë qënë të përgjithshme, duke ju përshtatur me vijën, që ndiqte atëherë K. Q. P. P. SH. Gjatë karrierës sime si oficer në repartet ku kam punuar nuk kemi pasur oficerë të dënuar.

Ku ishit kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës? Si vepruat?

Në momentin kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës isha në shtëpi. Më lajmëruan dhe shkova në repart. Nënreparti ku shërbeja unë ishte me ushtar efektiv më afër qytetit të Fierit, ndaj të nesërmen dhe disa ditë me radhë na urdhëruan, që kuadro dhe ushtarë të shkonim në qytet për të ruajtur normalitetin. Ishte rrëzuar edhe busti i Enver Hoxhës në Fier. U rivendos dhe atë ditë pati trazira, parrulla e kundërparrulla, po prania e ushtrisë dhe policisë nuk lejoi që të kishte përleshje midis popullsisë civile. Porosia ime si komisar reparti ishte e prerë: “Të mos acarrohemi me popullin”.

A ishte e modernizuar ushtria jonë dhe a përballonte agresione? Mendimi juaj për bunkerët, a duheshin bërë?

Pyetja që bëni ju është tepër delikate e komplekse. Gjatë këtyre dy dekatave të fundit kemi dëgjuar mendime nga analistë, që hiqen kopetentë, por që nuk kanë fare haber në fushën e mbrojtjes. Duke qënë të tillë japin mendime naïve, qesharake e tepër të dënueshme për problemet ushtarake. Në rast të një agresioni të mundshëm ka dy palë. Pala që mësyn dhe pala që mbrohet. Pala që mbrohet në bazë të një strategjie të caktuar ka marrë masat paraprake, për të përballuar agresionin. Ne kishim apo kemi avantazhin se jemi në mbrojtje, kishim bërë fortifikimet e nevojshme dhe kishim nën armë 150 mijë ushtarë aktivë plus rezervistët. Natyrisht armiku i shpallur ishte superior në teknikë në armatime, por dhe ai nuk e kishte të lehtë. Thonë se NATO-ja nuk kishte plan për të sulmuar. Ku i besohet? Planet janë tepër sekrete dhe kurrë nuk dekospirohen. Në momentet e para ne mund të rezistonim, por kjo do të bënte bujë në arenën ndërkombëtare. Opinioni ndërkombëtar do të ishte me ne.

Për të dhënë përgjigje për bunkerët për lexuesin sidomos për brezin e ri po bëj këto pyetje.

  • Pse u ndërtuan kështjellat ilire?
  • Pse u ndërtuan kështjellat mesjetare, si të Shkodrës, Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës etj.
  • Pse u ndërtua muri i madh kinez më se 6 mijë km.
  • Pse u ndërtua fronti Mozhino tepër i fortifikuar 400 km midis Gjermanisë dhe Francës?
  • Pse në ditët aktuale do të rrethohet me tela me gjëmba kufiri midis Ukrainës dhe Rusisë afërsisht dy mijë km?

Pra bunkerët ishin të domosdoshëm, por jo në ato përmasa. Ekonomia e vendit u dëmtua rëndë. Pra duhesh një plan tepër i studjuar dhe me sa më pak harxhime.

Çfarë tregon lufta në Ukrainë?

Lufta në Ukrainë tregon se bota nuk është asnjëherë në qetësi, se aleancat ushtarake janë të përkohëshme, se shtetet e mëdha realizojnë ambicjet territoriale në dëm të popujve të vegjël, se superfuqitë ushtarake i shmangen ballafaqimit me njëra-tjetrën.

Sot në Ballkanin e trazuar ka probleme të pazgjidhura territoriale. Serbia është superfuqi në Ballkan me 37 mijë trupa aktiv. Edhe Greqia e rrënuar nga borxhet kolosale ka në organikë 150 mijë forca, flotë detare të fuqishme dhe armë moderne ushtarake. Ky është realiteti sot.

Në ngjarjet e viteve 1990-91 a patët ndonjë incident?

 

Gjatë viteve 1990-91 ne u grumbulluam në repart. Ra tempi i stërvitjes. U masivizua partia, pra u bë si organizatë masash. E kuptuam se punët nuk shkonin mirë, por ende nuk dinim përfundimin. Incidente në repartin tonë nuk ka pasur.

Kur dhe pse u larguat nga ushtria?

 

Më 03.09.1992 na thirrën në divizion dhe na komunikuan urdhërin e ish ministrit të mbrojtjes Safet Zhulali, se në ushtri shkrihet sektori i edukimit dhe në po këtë datë më komunikuan një detyrë të re me ulje në pagë dhe larg familjes.

Në shënimet e ditarit personal shënoj:

“Pak nga pak po ngushtohet laku. Po më detyrojnë të bëj kërkesën për t’u liruar nga ushtria”.

05.09.1992 shënoj:

Sot i detyruar nga rrethanat, i vetëdijshëm për ç’ka do të ndodhë me “dëshirë të madhe” po bëj këtë kërkesë:

I nënshkruari Skënder Seferaj, i datëlindjes 1947, titulluar oficer më 1972 kërkoj të lirohem para kohe nga urshtria, për “arsye shëndetësore”.

Menjëherë më erdhi urdhëri i lirimit.