Fadil Nasufi: Si e përjashtuan nga Partia babanë, se nuk përkrahu kolektivizimin. Rinia e tij si partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, arrestimi nga gjermanët dhe detyrat pas çlirimit

715
Sigal

Fadil Nasufi: Si e përjashtuan nga Partia babanë se nuk përkrahu kolektivizimin

  • – Quhesha i privilegjuar që po arsimohesha dhe që e ndjeja si përgjegjësi dhe motiv që të shlyeja “gabimin” e babait
  • – Babai e përjetoi me ngazëllim ndryshimin e sistemit dhe mbështeti PD-në në fillimet e saj, ndërkohë që unë u rreshtova aktivisht me PS-në
  • – Babai im në Brigadën e Parë Sulmuese ku ka kryer detyrën e korierit dhe të shërbimeve pranë Shtabit të Përgjithshëm
  • – Në shkurt të vitit 1944 Babai u arrestua nga forcat gjermane dhe balliste gjatë një misioni shërbimi si korier partizan dhe u burgos në Burgun e Beratit.

Asnjëherë nuk kam patur rastin të shkruaj apo të kem të sistemuar jetëshkrimin e Babait! Kur ishim fëmijë, kjo as që çohej nëpër mënd!

Në kohën që fillova shkollën e mesme e para gjë që shoqëronte dokumentet e pranimit ishte vlerësimi për gjëndjen shoqërore dhe moralo- politike të familjes.

Këtë vlerësim e bënte Kryetari i Këshillit Popullor dhe Organizata Bazë e Partisë së Punës. Për biografinë formuloheshin disa fraza steriotipe dhe të përgjithshme me përmbajtje pozitive , por gjithë pozitiviteti, damkosej me shënimin, që riciklohej në çdo fillim viti shkollo. Babai i tij është përjashtuar nga Partia se nuk përkrahu kolektivizimin. Një ankth dhe vuajtje shpirtërore që edhe pse mundohesha të mos e shfaqja, më tundonte dhe më torturonte vazhdimisht.

Këtë siklet e përjetonin edhe motrat dhe vëllezërit! Megjithatë ndaj familjes sonë ka patur dashamirësi dhe vlerësim dhe nuk mund ta rreshtojmë veten si të mënjanuar apo të diferencuar në raport me kohën! Rrethanat e krijuara ishin edhe kokëfortësi dhe mosbindje e Babait ndaj padrejtësive dhe vetë sistemit. Padyshim që quhesha i privilegjuar që po arsimohesha dhe që e ndjeja si përgjegjësi dhe motiv që të shlyeja “gabimin” e babait duke mësuar dhe arritur rezultate të shkëlqyera në mësime. Qysh në fëmijërinë e hershme m’u krijua përshtypja se biografia e njeriut është ajo që shkruante pushteti i asaj kohe, e cila përkufizohej në korniza statike, që pak a shumë ishte e njëjtë për të gjithë….Rrjedh nga një familje e varfër, ka ndihmuar Luftën Nacionalçlirimtare, ka qëndrim të mirë moralo-politik…etj.

Në fillimet e rinisë sime

Në fillimet e rinisë sime nuk kam patur kurajon dhe guximin për ta pyetur babain për të kaluarën e tij , për rrjedhën, përmbajtjen, kuptimin, përballjen, intimitetet dhe peripecitë e jetës. Kjo për arsye të natyrës së tij të vrazhdët, të rreptë, autoritar, hermetik dhe tepër modest.

I qëndronte strikt dhe kodeve të kohës…gojëkyçur siç parapëlqente sistemi dhe hierarkia në raportet me ne fëmijët, që nuk kishim punë me historinë e më të mëdhenjëve…

Për shkak të të qëndruarit individ nuk përfshihej në aktivitetet e kohës…Kur ne i kërkonim sipas detyrave, që na jepnin mësuesit që të na tregonte babai ndonjë episod të Luftës, ai qesëndiste dhe na thoshte…shkoni pyesni filanin ( që realisht nuk kishte qënë partizan, por që reklamohej si i tillë). Edhe pas viteve 1990, Babai nuk e zbërtheu gojën. Si të gjithë, edhe ne u përfshimë në ndryshimet që solli sistemi demokratik duke u përballur me sfidat e reja dhe duke rigjetur vehten në plotësimin e nevojave për vetëpunësim, për strehim dhe gjithçka tjetër të munguar. Babai e përjetoi me ngazëllim ndryshimin e sistemit dhe mbështeti PD-në në fillimet e saj, ndërkohë që unë u rreshtova aktivisht me PS-në dhe isha një ndër drejtuesit e parë të PS-së në Berat!

Ai asnjëherë nuk influencoi për të imponuar bindjet politike ndaj ne fëmijëve, dhe pozicionin e tij në PD- në kishte si duf dhe akumulim ndaj padrejtësive që kishte përjetuar gjatë regjimit dhe si solidaritet me shumë miq të tij që kishin patur ndëshkime nga komunizmi. Shtëpinë tonë po e frekuentonin miq, që nuk i kishim njohur më parë dhe që kishin qënë me biografi problematike para viteve 1990.

Shumica e tyre kishin bërë burg ose kishin qenë të internuar.

Burra fisnikë, të vuajtur, që e kishin provuar privimin e lirisë, që kishin sakrifikuar për çmimin e lirisë,-tashmë në sistemin demokratik shfaqeshin entuziastë, të përmalluar, të emocionuar, me një dozë të admirueshme vetëpërmbajtjeje dhe që e quanin veten fatlumë që ja arritën kësaj dite -si Ali Riza Orizaj, Fatmir Dollani,Ymer Dishnica, Koço Merxhani, Foto Qirko, Hamdi Sherifi, Ferrik Mucogllava (Sorraj),File Çifliku,etj.

Edhe pse janë disa episode takimesh apo dreka në familje me këta burra, ato kanë qenë një mundësi dhe një përvojë e madhe për mua për të kuptuar indoktrinimin me dogmat e sistemit dhe për t’u njohur me personazhe reale që ishin persekutuar ashpër nga diktatura komuniste.

Babai im Ramo Nasufi u lind më 17 shkurt 1918 në Brasnik , fshat në Krahinën e Sulovës që përfshihet në Njësinë Administrative Kushovë, Bashkia Gramsh.

Kaloi një fëmijëri tepër të vështirë, në kushtet e varfërisë dhe të prapambetjes që dominonte në fundin e Luftës së Parë Botërore, të epidemisë së vitit 1918 nga e cila i vdiq nëna dhe ngeli jetim! Jeta e njerëzve të para një shekulli që i takon brezit të babait tim ka qënë në kushte primitiviteti dhe e privuar nga të gjitha kërkesat minimale për ushqim, veshmbathje, arsimim, strehim, pastërti, shërbime minimale mjeksore etj.

Qysh në moshën 10 vjeç Babai u largua nga fshati dhe shkoi yzmeqar në Perisnakë tek familja e Xhevit Kajos ku u mor me blegtori.

Në periudhën e dimrit migronin bagëtitë nga Perisnaka në Perondi dhe im atë shërbeu edhe tek familja e Sherifajve ku kaloi një pjesë të gjatë të kohës.

Mësoi shkrim e këndim pothuajse në mënyrë autodidakte, kryesisht nga etja për dije, dhe kureshtja për të përfituar nga bisedat dhe miqtë që frekuentonin familjet ku shërbeu…

Kishte një intelegjiencë të lindur dhe zgjuarësi natyrale. Kujtesa e tij ishte fenomenale. Askush nga ne fëmijët e tij, edhe pse të arsimuar e të diplomuar nuk e konkuronim dot në fiksimin e ngjarjeve, në përshkrimin e përmbajtjes të librave që lexonte, në recitimin e vargjeve pa fund që nga Homeri e Sadiu e deri tek Rilindasit shqiptarë e Lame Kodra (Sejfulla Maleshova)…

Dhe për t’u rikthyer tek kronologjia e jetës.

Rinia e tij si partizan

Rinia e tij kulmon me rreshtimin si antifashist dhe partizan në formacionet e para të Luftës Nacionalclirimtare. U inkuadrua në njësitë ilegale të Luftës qysh nga viti 1942 dhe më pas në Batalionin Verçë-Sulovë dhe në Brigadën e Parë Sulmuese ku ka kryer detyrën e korierit dhe të shërbimeve pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ku krijoi njohje dhe miqësi me Dr Ymer Dishnicën. Në shkurt të vitit 1944 Babai u arrestua nga forcat gjermane dhe balliste gjatë një misioni shërbimi si korier partizan dhe u burgos në Burgun e Beratit…Identiteti i tij si emër ka pësuar ndryshime për të shmangur peripecitë e jetës…Në periudhën e Luftës emri figuron herë Ramo, herë Ramadan, herë Rrapo….I shpëtoi pushkatimit në Burgun e Beratit falë ndihmës së një Prifti që e ndau nga grupi i atyre që pushkatoheshin dhe e futi në grupin e të burgosurve që u transferuan në Burgun e Tiranës, nga i cili u lirua pas 9 muajësh-më 17 nëntor 1944 dhe iu ribashkua forcave partizane të Brigadës së Parë Sulmuese deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Aktiviteti i Luftës vazhdoi më pas në Kosovë dhe me forcat e ndjekjes deri në vitin 1946, periudhë në të cilën Babai u vendos me banim në Berat.. Familja banoi për 12 vjet në Mangalem tek shtëpia e Llambit dhe Pacikut (Gjogu)dhe aty qëndruan deri në vitin 1957.

Babai punoi në Polici ku pjesën më të madhe të detyrës e kreu si gardian burgu.

Padyshim që në mardheniet e punës në Polici Babai u njoh me shumë kolegë, bashkëluftëtarë dhe burra fisnikë që shërbenin me korrektesë dhe sipas ligjit. Por jo të pakët ishin ata oficerë dhe punonjës policie të indoktrinuar, sadistë, të pashpirt që tejkalonin masën dhe kompetencat dhe keqtrajtonin të burgosurit, me tortura dhe privime të të drejtave të tyre.Ka shumë episode të treguara nga ata që kanë vuajtur burgun dhe dënimin që brënda së njëjtës godine të privimit të lirisë bashkëjetonin polici -xhelati dhe polici -njeri , që i dhimbsej jeta e tjetrit…Quhej akt fisnik dhe bamirësi shëmbullore në qoftë se përkujdeseshe që të burgosurit të ajroseshin jashtë birucave, t’u zgidheshin prangat, t’ju jepje ushqim, një cigare, një lajm të mirë nga familja, një ndërmjetësim me familjarët apo avokatët etj…Këto veprime kanë qenë e përditëshmja e sjelljes së tim eti në raport me të burgosurit, të cilët “e kishin festë” kur ishte me shërbim Ramo Nasufi…Përtej modestisë e shoh me vënd të tregoj edhe një aventurë me rrezik jete që ka bërë babai: Është një histori që e tregojnë shumë ish të burgosur si Ali Riza Orizaj, Fatmir Dollani, dhe vetë personazhi Hamdi Sherifi…Hamdi Sherifi ishte burgosur si i pasur dhe i sekuestruar dhe priste të zhvillohej gjyqi i tij.Ai rrezikonte dënimin me vdekje. Nga njohja që kishte me Babain ( që kishte qenë yzmeqar në shtëpinë e tij)-Hamdiu i kërkoi që të shkonte në shtëpinë e tij në Perondi për të biseduar me prindërit dhe vëllezërit që të paguanin me flori Avokatin që t’i shpëtonte jeta Hamdiut! Ai i tregoi Babait edhe vendin ku kishte fshehur floririn për t’ia bërë të ditur familjarëve. Babai shkoi dhe bisedoi me familjarët e Hamdiut, por ata të frikësuar, të trishtuar dhe ndoshta edhe të pasigurtë nuk dhanë asnjë garanci për të zbatuar porosinë e djalit të burgosur…Të trishtuar ata i thanë Babait: ”Si të jetë shkruar puna e Hamdiut.”Nuk dimë ku kemi kokën dhe sesi do vejë halli ynë”! Duke parë tronditjen dhe rrezikun e dënimit kapital të Hamdiut -Ramo Nasufi i dha një shans në mirëbesim reciprok bese: Në një nga ditët e turnit të trete në konspiracion të plotë dhe me ndihmën e një kolegu tjetër besnik (Rakip Hysa) e liroi Hamdiun nga burgu në orën 22 të darkës kur mori shërbimin e turnit të natës për t’u rikthyer brënda 8 orëve në qeli!! Hamdiu shkoi në Perondi, kreu punë me florinjtë e fshehur për të paguar avokatin dhe në orën 05 të mëngjezit u rikthye në burg! Kjo është një e vërtetë që flet shumë për karakterin, trimërinë, kurajon dhe besimin me vënien në rrezik të jetës së tij!

Asnjëherë babai nuk fliste për histori të tilla!

Gojëkyçur si ai! Modest dhe i pa fjalë!

Hamdi Sherifi u dënua me 12 vjet burg .Ne e mësuam këtë histori në vitin 1993, kur i burgosuri i viteve 1950 u bë mysafir në shtëpinë tonë, në Vojnik! Për humanizmin e tij dhe trajtimin normal që u bënte të burgosurve gjatë shërbimit ,-Babai fitoi respektin dhe mirnjohjen e tyre, por edhe “prishi” humorin e drejtuesve të Policisë, të cilët e këshilluan, e survejuan, i dhanë transferim jashtë Beratit dhe deri sa e liruan nga Policia në Maj 1957.

Babai ishte komunist!

I ngarkuar nga Partia ai u dërgua në Duhanas për të nxitur ngritjen e kooperativës, detyrë të cilën nuk e realizoi pasi disa familje që kishin njohje dhe lidhje gjaku me babain e kundërshtuan… Ndërkohë, në Maj 1957 familjet e Thimit, Jorgjit, e Vasil Cipit në Vojnik i shitën tokat dhe erdhën në Berat. Një pjesë të këtyre pronave i bleu gjyshi dhe vëllai i babait, që banonin në Brasnik të Gramshit. Aktet noteriale të shitblerjes i bëri babai me nënshkrimet e tij. Në gusht të vitit 1957 edhe Vojniku u planifikua për t’u bërë kooperativë, dhe kontribuesi i parë duhet të ishte familja e gjyshit dhe padyshim shëmbulli i parë-babai komunist! Gjyshi me xhaxhain qëndroi në Brasnik se nuk rrezikoheshin nga kolektivizimi, dhe ja lanë barrën e pronave të blera tim eti… i cili duhet t’i dorëzonte falas pa i gëzuar as tre muaj!!

Në rrethana presioni për të dhënë shëmbullin si komunist për kolektivizimin dhe i vënë në shënjestër si i papërshtatshëm në polici.. babai e kundërshtoi kolektivizimin.Ai kërkoi një shtyrje afati deri në nëntor 1957 – kohë që mundësonte vjeljen e disa produkteve nga prodhimet e vjeshtës, por kushti ishte i prerë: O kooperativë… o përjashtim nga partia!

U përjashtua nga Partia dhe në gusht 1957 e liruan nga policia dhe u detyrua të largohet nga Berati për në Vojnik së bashku me familjen që në atë kohë kishin tre fëmijë dhe ime më ishte shtatzanë dhe në mars 1958 do të më lindëte mua! Ky ndryshim i papritur i rrjedhës së jetës ndikoi shumë si nga ana ekonomike, sociale dhe psikologjike. Filloi jeta në kushtet e fshatit ku babai nuk ja kishte haberin fare punëve të bujqësisë, dhe nuk kishte as mjetet e nevojshme për të përballuar punët dhe jetesën. Pothuajse gjithë punët i bënte me krah dhe rropatej gjithë ditën në ato toka jo shumë pjellore dhe prodhuese!

Është thinjur brënda një jave nga stresi dhe rrethanat që përmbysën fatin e tij dhe të gjithë familjes! Në Vojnik u integrua natyrshëm falë të qënurit i hapur, me eksperiencë nga jeta e qytetit, me njohje dhe miqësi të shumta dhe me zotësinë që mbante lidhje me miqtë që kishte në Berat. Në familjen tonë , edhe pse në nivele varfërie si në ato vite, përsëri nuk mungonte gjë, falë ndihmave që babai i siguronte nga miqtë e qytetit.

Të ardhur nga qyteti në fshat familja jonë e bënte diferencën me familjet e tjera të fshatit si në mënyrën e jetesës, të veshjes, të gatimit, të prezencës së disa paisjeve që përbënin kureshtje për të tjerët. Nëna punonte në avlëmend dhe kishte mësuar zanatin e endjes se qilimave, ndërkohë që gatuante shumë mirë dhe ishte guzhinierja më e mirë e fshatit. Ajo ka luajtur rol emancipues , dhe civilizues, sepse i mësoi bashkëfshataret e veta me artin e guzhinës, me rregullat e higjenës, me gjithçka që ishte novatore për atë periudhë. Edhe pse ishim individë pa u përfshirë në kooperativë, ishim të frekuentuar dhe të begenisur si familje nga gjithë bashkëfshatarët. Kjo falë edhe natyrës mikpritëse të prindërve. Padyshim qe e njejta miqësi, solidaritet dhe raport vëllazëror afrohej edhe nga bashkëfshatarët tanë me të cilët kishim hyrje-dalje reciproke dhe ndanim gjithçka kishim me njeri-tjetrin. Babai u fut në kooperativë në vitin 1968, pas 11 vitesh, dhe ne fëmijët e përjetuam si lumturi këtë ngjarje, pasi ndjenim inferioritetin e të qënurit jashtë frymës së kohës. E vërteta është se si kooperativist Babai nuk bëri punë të rënda, për shkak të moshës, të natyres së tij alegro, dhe të aftësisë për t’u përfshirë në jetën kulturore.

E dërguan në një kurs klarinete ( kishte vesh muzike dhe i binte fyellit shumë bukur) në Berat-një mundësi për të mësuar një instrument muzikor dhe një rikthim në shoqërinë e hershme të jetës në qytet.

Nuk ishte profesionist si klarinetist, por masivizimi i jetës kulturore i dha mundësinë që të bëhej një aktivist dhe të angazhohej në kalendarin e aktiviteteve folklorike dhe artistike. Kjo ishte një mundësi që edhe pse si familje nuk kishim një status ekonomik të kënaqshëm, përjetonim atmosferë festive, dhe ishim të rrethuar me miq e bashkëfshatarë që pothuajse çdo natë mblidheshin dhe këndonin ose zhvillonin mbrëmje argëtimi.

Darkave Babai ose do këndonte e luante në klarinetë, ose lexonte libra. Ai ishte një frekuentues i rregullt i librarisë në Roshnik dhe në Berat, dhe kryesisht blinte libra të letërsisë të autorëve të lashtësisë greke, të figurave patriotike të rilindasve dhe libra të zgjedhur nga Shpresa-librashitësja tek Libraria kryesore në Lagjen 22 Tetori!

Në vitin 1978 Babai doli në pension dhe paguhej mirë, pasi ju njohën vitet e punës në shtet dhe shpërblimi si pjesëmarrës në LANCL.

Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Babai dhomën kryesore të pritjes e bëri muze ku vendosi fotografi të zmadhuara të Abdyl$Naim&Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Ymer Prizerenit, Hoxha Tahsimit, Fan Nolit, Jani Vretos, Çajupit etj

Këto fotografi i përgatiti tek Xhoxhi Xhimitiku. Kushdo që vinte në shtëpi do e niste bisedën për personazhet në fotografi dhe komentet i bënte Babai me shumë pasion dhe i pasuronte me një mënyrë rrëfimtare tërheqëse!

Një cilësi e spikatur e Babait ishte humori, batutat, repertori i këngëve dhe përkujdesja për të shkuar për urime dhe ngushëllime tek të gjithë pa dallim!

Ne ruajmë shumë mbresa, kujtime dhe përjetime dhe ndihemi krenarë për gjithçka bënë prindërit për ne femijët dhe për rolin e kontributin modest në shoqëri !

Këtë status e shkruajta për të nxitur miqtë e mi, të afërmit dhe cilindo që ka patur njohje të pasurojnë me dëshminë e tyre copëza jete e momente pikante që vlejnë për memoristike!