Anastas Gurma: 75-vjetori i krijimit të Brigadës XIX S

2606
Sigal

Ditën e krijimit të saj kjo brigadë rreshtoi në gjirin e saj 800 partizanë, 65 prej tyre ishin femra

Në Theollogo 75 vjet me parë u krijua Brigada e 19-të Sulmuese

Anastas Gurma

Me 30 Gusht 1944, në Theollogo (Cerkovicë), Bashkia Finiq, të rrethit Sarandë, u formua Brigada e 19-të Sulmuese, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantit legjendar, Gjen, Kol. Enver Hoxha.

Brigada e 19-të Sulmuese, u krijua mbi bazën e Grupit IV partizan “Çamëria”, me partizanë dhe partizane të batalioneve “Thanas Ziko”, “Thoma Lula”, “P. Boçari”, “Lefter Talo”, dhe batalionit partizan “Mateoti”, batalion i krijuar më 15 maj 1944 me ushtarë italianë të shpërndarë, pas kapitullimit të Italisë fashiste. Brigada e 19-të Sulmuese, u krijua me luftëtarë të zonës, Konispol, Delvinë, Dropull, Pogon.

Zakonisht brigadat partizane të UNÇlSh, formoheshin nga partizanë, reparte e n/reparte të dërguara nga krahina të ndryshme të vendit. Ndërsa Brigada e 19-të u krijua mbi bazën e Grupit IV partizan duke u bërë vijuese e traditave me të mira e me të larta luftarake. U formua me luftëtarë të këtij formacioni partizan që ishin vendas. Ndonëse Brigada e 19-të ishte njësi e re, në ditën e krijimit të saj kuadrot e saj ishin me përvojë të përfituar në radhët e Gr. IV partizan, në luftë kundër fashisteve dhe tradhtarëve të vendit. Armatimi i brigadës ishte kryesisht trofe prodhim italian e gjerman , armatim të siguruar në luftë. Çdo batalion kishte 1-2 mitraloza të lehtë, 1-2 mitraloza të rendë. Ditën e krijimit të saj kjo brigadë rreshtoi në gjirin e saj 800 partizanë ku 65 prej tyre ishin femra.

Në ditën e formimit të saj, kuadrot drejtuese të brigadës ishin :

  • Andrea Nasi, komandant brigade
  • Vangjo Mitrojorgji e me pas Thoma Xhixho, Komisar brigade
  • Mehmet Dusha, Z/komandant
  • Lefter Kasneci , Z/komisar

Përbërja e brigadës ishte e veçantë në krahasim me formacionet e tjera partizane, ajo përbehej nga partizanë shqiptar, minoritarë dhe italianë, prandaj që në krijimin e saj ajo u quajt, brigada e vllazërimit, por sot mund ta quajmë pa rezerva brigadë shumëkombëshe e Luftës ANÇL. Por jo vetëm, ajo ishte dhe brigadë e miqësisë që u mbrujt e u forcua midis shqiptarëve e minoritarëve në zjarrin e Luftës me vështirësi të jashtëzakonshme që krijon lufta.

Miqësia që u gatua dhe u kalit në llogoret ë luftës për liri u çimentua me gjakun e partizaneve të Polo Bezhanit, Llambi Nika, Veliko Rexho e Lejla Malo, Selfo Abedini, Llambro Llambraqi, Petro Anagnosti, Urani Bari, Jani Papa, Theodhori Mastora, Lefter Talo, Qirjako Dhroso e shumë të tjerë që dhanë jetën në përpjekje me armiqtë dhe bëhen gjithsej 100 dëshmorë dhe 68 të plagosur. Prej këtyre 6 dëshmorë ishin partizanë italian. Brigada e 19-të Sulmuese, nuk u krijua rastësisht këtu në Theollogon minoritar. Nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇl, zona u studiua dhe u vlerësua si zonë mbështetëse e LANÇ dhe e sigurt. Në fshatin Leshnicë, një vit me parë,1943, ishte ngritur spitali partizan me 25 shtretër, ndërsa në Theollogo ishin përqendruar rezerva të shumta ushqime, veshmbathje e municione nga depot e ushtrisë italiane të kapitulluar në Shtator 1943.

Këto fakte dhe vet pozicioni strategjik i zonës flasin për mbështetjen e madhe që kishte Lëvizja NÇl nga populli i minoritetit. Kontribut të veçantë ka dhenë edhe populli i Konispolit, Delvinës, Dropullit etj. Brigada e 19-të S, pas krijimit të saj më 30 Gusht 1944, u hodh në veprime luftarake për çlirimin e qyteteve Sarandë, Delvinë dhe në bashkëveprim me forcat partizane të Brigadës së 14-të Sulmuese, mori pjesë edhe në çlirimin e qytetit të Gjirokastrës. Gjithashtu u angazhua edhe me asgjësimin e garnizoneve të pushtuesit në pjesën jugore të Shqipërisë, Sarandë, Delvinë, Konispol, Dropull deri në Përmet si dhe me asgjësimin e forcave reaksionare të ballit kombëtar që vepronin në këtë zonë.

Formimi i Brigadës së 19-të ishte një hap cilësor si në drejtim, organizim edhe në zhvillimin e veprimeve luftarake, u rrit manovrueshmëria dhe fuqia goditëse, u përmirësua dukshëm drejtimi e planëzimi i veprimeve luftarake. U rrit mendimi ushtarak i kuadrove duke i kaluar kufijtë e sferës taktike.

Kuadrot drejtuese të brigadës së 19-të S dolën nga rrahet e partizanëve, u ngritën në përgjegjësi komanduese në zjarrin e luftës. Shumica e këtyre kuadrove nuk kishin mbaruar as shkolla as akademi, artin e të drejtuarit e të luftuarit e mësuan në zjarrin e Luftës, në llogoret e hapura me lopatë e bajonetë. Lufta ishte shkolla e kualifikimit të tyre. Repartet dhe n/repartet e Brig.19-të, por edhe ato para formimit të saj (Gr.IV) duke zbatuar direktivat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL kanë bashkëvepruar suksesshëm me repartet partizane greke të Regjimentit të 15-të partizan të ELLASIT, në luftë kundër armikut të përbashkët, duke dhenë një kontribut të veçantë e të rëndësishëm për miqësinë e popullit shqiptar me atë grek.

Kudo ku veproi brigada e 19-të S spikaten aftësitë luftarake, guximi trimëria e partizaneve dhe në mënyrë të veçantë e kuadrove komandues.

Në historinë luftarake të brigjatës veçohen lufta për çlirimin e Konispolit, çlirimi i qyteteve Sarandë, Delvinë e Gjirokastër, Muzinë, Pecë, Zminec, Shtugarë, Dhrovjan, Libohovë, lufta në Qafen e Kiçokut. Në këto luftime ranë heroikisht në frontin e luftës nga kjo brigadë, 100 partizanë e partizane dhe u plagosen 68 të tjerë. Vetëm në luftën për çlirimin e qytetit të Delvinës, nga forcat e Brigadës së 19-të S, u vranë 21 partizanë dhe u plagosen 22 të tjerë. E paharruar do të mbetet rezistenca frontale 55 ditore për mbrojtjen e Konispolit nga forcat gjermane.

Veteranë, pasardhësit e familjeve të këtij formacioni luftarak, populli i zonës së minoritetit, Theollogo, Dropull, Konispol, Sarandë e Delvinë, janë krenarë për këtë veprimtari, kujtojnë dhe nderojnë me respekt rrugën luftarake dhe veprimtarinë e Brigadës së 19-të Sulmuese në Epopenë e Lavdishme të LANÇl.

Në këtë përvjetor të krijimit të Brig.19-të S në kujtojmë me respekt të gjithë pjesëtaret e saj që ranë heroikisht për çlirimin e Shqipërisë, kujtojmë të gjithë veteranët që luftuan me trimëri, përkulemi me respekt para të rënëve të kësaj Njësie partizane. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë veteranët e kësaj brigade, për veprën e tyre heroike. Për ne ata janë histori e gjallë e kësaj lufte, për këtë ata do të mbeten në histori dhe ne përkulemi me respekt dhe ju urojmë jetë të gjatë e të lumtur gjithë atyre që jetojnë midis nesh e gëzojnë në këtë 75-vjetor si : Xhevit Ibrahimi, Jani Vathi, Vangjel Saqellari, Harallamb Kiço, Jorgo Triha, Vangjel Caka, Vangjel Kalivjoti, Leonidha Çuçi, Vasil Kostandini, Jorgo Miçoni.

Në këtë përvjetor kujtojmë edhe një herë atë periudhë të zjarrtë të betejave të ashpra që zhvilloi populli ynë, përfshi edhe popullin e minoritetit grek kundra okupatoreve dhe tradhtareve vendas.

Me 30 Gusht mbushen plot 75 vjet nga dita e formimit të brigadës së 19-të S. Luftimet e zhvilluara nga kjo Brigadë, kontributi i saj në LANÇ dhe 100 dëshmorët e rënë në moshën me të bukur për çlirimin e Shqipërisë, do të mbeten gjithmonë një kurorë lavdie për të gjithë partizanet e Brigadës së 19-të S, por edhe për popullin e Sarandës, Delvinës, Konispolit, Vurgut, Dropullit e Pogonit.