“Mësuesi i Popullit” Lame Xhama

1382
Kozma GJINI

”… kam përmbi 500 faqe të daktilografuara për jetën e njerëzve, të nxënësve të mi, mësuesve, bashkëmoshatarëve, të gjithë shokëve me të cilët kam punuar e sakrifikuar tërë jetën, nga një shkollë në tjetrën,që nga koha e Luftës e deri në ditët tona…” 

Këto fjalë të nxjerra nga thellësia e shpirtit të “Mësuesit të Popullit” Lame Xhama, teksa godiste ngulshëm mbi tastierën e një “Oliveti” me gishtrinjtë e tij të hollë, për të hedhur kujtimet, në përcjellje viteve të fundit të jetës, i kam të freskëta edhe sot.Me një kujtesë fenomenale, i rrahur prej erërave të viteve, tregonte për kohën e Luftës, mësuesit, miqtë e shokët me të cilët ai ka ndarë gëzime dhe hidhërime…djem e vajza të Fterrës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Kuçit, Përmetit, Tiranës…kudo në Shqipëri, ku la gjurmë për përhapjen e dritës së diturisë. Fterriotin e vogël, të lindur më 1.3.1905, e la babai jetim që në moshën dhjetëvjeçare. Që i vogël do të përballej me vështirësitë e jetës për të mbajtur familjen. Një vit pas çeljes së shkollës së parë shqipe në Fterrë (1916), Lamia 11 vjecar e la shkollën dhe brodhi gjithandej për të nxjerrë “koromanen” në qytetin e Vlorës. Rrethanat e favorizuan që të bëhej pjesë e kontributit patriotik në çetën vullnetare për çlirimin e Vlorës. Për luftën e Vlorës ai kujton: 

“Natën vonë, para se të niste sulmi i përgjithshëm për çlirimin e Vlorës, komanda më ngarkoi detyrën: të mblidhja informata mbi lëvizjet e italianëve. Më caktuan mua, jo se isha i vogël e s’ngjallja dyshime, por edhe se e njihja Vlorën, sepse punoja çirak në një kafene.” Por guximtari i vogël ishte pikasur nga armiku, kapet dhe shoqërohet në polici. Bashkë me disa të tjerë internohet në ishullin e Sazanit. Në Sazan, u njoh me patriotin e mësuesin e shquar Jani Minga, me të cilin do të lidhte miqësi. Idetë patriotike të rrethit shoqëror patën një ndikim të dukshëm në formimin e tij. Në kafen e Osman Beqos, ai ra në kontakt me Avni Rustemin dhe Halim Xhelon, të cilët e ndihmuan jetimin për të ndjekur shkollën Normale të Elbasanit. Në Normale ndjeu ngrohtësinë e drejtorit z. Aleksandër Xhuvani dhe të pedagogëve: Simon Shuteriqi, Ahmet Gashi, Ismail Haxhihyseni, Andon Deda, Veniamin Dashi etj. Më 1928 mbaron me sukses shkollën së bashku me shokët Kol Koci, Nezamudin Remziu, Fejzo Mehmeti, Aleks Dani, Haki Tahiri, Kristo Vide, Harun Sefa, Thanas Boçova, Ahmet Imami, Spiro Shuteriqi Andrea Ndrecolli, Aqif Domini, Avdul Kajanaku, Hajdar Bicoku, Hilmi Dakli, Skënder Sejdini, Zija Loniku, Alush Leshanaku, Llazar Bibaja, Spiro Popa, Jan Celia, Spiro Gjerasi, Faik Haxhihyseni, Hadi Vrioni, Angjelin Leka, Adem Bedalli, Zyhdi Ballhysa etj, dhe pas dy muajsh martohet me Lutfijen, nga fisi i nderuar i Mitajve. Një muaj pas martesës, me urdhër të ministrit Xhaferr Ypi, më dt 30.8.928, emërohet mësues në Përmet me rrogë mujore 160 franga ari. Gjurmë të pashlyera ka lënë z. Lame në Sarandë si mësues dhe kujdestar në konviktin “Çamëria”. Pas rreth 9 vjet pune të suksesshme, kur vendi pushtohet nga Italia fashiste, dëbohet nga konvikti. Drejtori, Sadi Pejani, i bën një shkresë ministrisë që ai të rikthehej në punë, por kërkesa nuk u muarr parasysh. Në këto kushte, Lamia iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Lamia ka qenë një atdhetar i flaktë dhe me ndikim të fortë demokratik te nxënësit e tij, shumë prej të cilëve u radhitën në luftë për liri. Ai kujton se për luftën, në jug, kanë dhënë një ndihmesë të madhe të deleguarit që vinin nga krahina e Kurveleshi apo Qarku si: Jaho Gjoliku, Memo Meto, Mustafa Matohiti, Shahe e Mustafa Luçi, Selman Lame etj. Më pas, dëbohet edhe nga shkolla e Konispolit për veprimtari patriotike dhe pushohet nga puna. Në Fletoren Zyrtare të Mbretërisë Shqiptare nr 184 dt 26/11/1940 , me dekret 528, Lame Xhama gjendet në “Listën e të spastruarve” nga arsimi, me numrin 54. Nënshkruar nga Mëkambësi i Përgjithshëm i Madhnisë së Tij -VIKTOR EMANUELIT III- Për hir të Zotit e Vullnetit të Kombit- MBRET I ITALISË DHE I SHQIPNISË-PERANDOR I ETIOPISË. Firmosur nga: Francesco Jacomoni dv-E.Koliqi dv. L. Xhama ka qenë nga fillimi e deri në fund të luftës, anëtar i këshillit nacionalclirimtar. Vëshirësi të shumta e përndoqën mësuesin Lame Xhama në karrierën e tij shumëvjeçare. Kur ishte mësues në Konispol, ai do t’i shkruante inspektorit të arsimit të Gjirokastrës, Thoma Papapano: “…Unë nuk shikoj asnjë pengesë teknike për bashkimin e shkollës femërore me atë mashkullore”. Për këtë veprim gjeti edhe përkrahjen e n/prefektit z. Ahmet Demi dhe të dy shkollat u bashkuan. Vështirësi e pengesa gjeti ai edhe për çeljen e shkollës fillore të Sarandës, fill pas çlirimit. Me syrin e atyre viteve, Lamia gjykon se ka operuar në një “fushë të minuar” e plot rreziqe, pasi kërkesat e tij me shkrim drejtuar organeve të shtetit te ri ishin të avancuara, çka edhe mund ta ndëshkonin. Lame Xhama na shfaqet edhe si një arkivist i rrallë i pasqyrimit të dy epokave, materiale, të cilat publikohen në qendrat muzeale të trevës së jugut. Mësuesin Lame Xhama, do ta shikojmë më pas në Sarandë ku ka punuar me katër klasë dhe 130 nxënës, para e pasdite, duke harruar familjen e shtëpinë, për të vazhduar më pas me kurset kundër analfabetizmit dhe shkollën e mbrëmjes.Kur ishte drejtor në shkollën e Kuçit, ai i inkurajonte djemtë e Fterrës që të mos përkuleshin përpara vështirësive, paçka se do të bënin orë të tëra rrugë vajtje-ardhje për në shkollë. Detyra si mësues në“Shtëpinë e fëmijës” dhe drejtor shkolle në Sarandë, Delvinë, Kuç e Konispol dhe inspektor i arsimit për Qarkun e Gjirokastrës, përbëjnë një faqe të ndritur, ku dalin në pah aftësitë drejtuese të tij, për problemet e shumta të arsimit. Në të gjithë punën 40 vjeçare, z. Lame Xhama la gjurmë si një mësues e drejtues i përkorë, mjeshtër i profesionit, studiues e metodist, aktivist i palodhur e njeri i përkushtuar në detyrën fisnike të mësuesit. Personalitete të ndryshme, intelektualë, mësues, shkrimtarë si: Mësuesit e Popullit: Fejzi Mehmeti e Xhelal Berberi, akademiku Besim Elezi, Dilaver Shkurti, Lekë Xhama, Rexho Kurupi, Dashamir Toska, Vangjel Guxo, shkrimtarët Qamil Buxheli, Skënder Hasko, Guro Zeneli etj, me shkrimet në gazeta, intervista, në radiotelevizion, tregojnë për mësues Lamen sikur ta kishin babain e tyre:”…Ishte një mësues korrekt, vishej bukur, gjithmonë më kostum e gravatë, gjithmonë i pastër, me flokët e bardhë e të shkurtër, me këpucë të llustruara dhe gjithmonë me fjalën e ëmbël në gojë dhe buzën e qeshur”.TV Shqiptar ka kushtuar “Mësuesit të Popullit” Lame Xhama edhe një dokumentar televiziv. Lame Xhama mbeti kështu një nga ikonat e progresit të diturisë. Djemtë e tij, Bardhyli e Agroni, ndjehen krenar që babai i tyre është renditur ndër 100 mësuesit më të shquar të Shqipërisë, i përfshirë në 4 enciklopedi krahinore: të Delvinës, Sarandës, Konispolit e të Kurveleshit. Për pjesëmarrjen në luftë që nga fillimi e deri në mbarim të saj, z.Lame Xhama ka marrë: 

1.Medaljen e “Kujtimit” 
2. Medaljen e Trimërisë.
3. Medaljen e “Çlirimit”. 
4. Mban titullin e lartë: 
“Mësues i Popullit”.


Sigal