Ergys Alushi: Historia e fotografisë dhe pikturës Vlonjate

1396
Sigal

Ashtu si Shkodra ka pasur familjen Marubi edhe Vlora ka pasur “Marubët” e saj.
Kush janë fotografët e vjetër të Vlorës dhe të rinjtë që vazhdojnë traditën

Historia e fotografisë vlonjate

– Një fotografi e shkrepur në Vlorë merr të tjera vlera, është plot ngjyra. Jo rastësisht edhe kinemaja e parë në Shqipëri, është hapur në Vlorë. Por, edhe ajo që është quajtur “shkolla vlonjate e pikturës”

– Një nga fotografitë e para i përket vitit 1909. Ajo është pozuar në Vlorë, 110 vjet më parë, dhe është stampuar në Sofje të Bullgarisë nga shtypshkronja shqipe “Kristo Luarasi”

– 93-vjeçari Skënder Beqiri, një nga fotografët e vjetër në Vlorë, rrëfen jetën e tij prej fotografi e jo vetëm

– “Unë fotografoja të gjithë të huajt që vinin në Vlorë. Në mes tyre kishte më shumë spiunazh sesa komunistë të vërtetë të vendeve lindore apo shteteve të tjera nga vinin”

– Si ia morën letrën nga çanta turistes së huaj

– Porosia e Enver Hoxhës për ngritjen e Ansamblit çam dhe përse u dha porosia

– Reagimi grek “Ç’është kjo Çamëri, ç’është ky Ansambël çam, kush i bën këto punë, janë provokime shqiptare”

Nga Ergys Alushi

“Historia e një qyteti nuk janë dy ose tre data. Historia e një qyteti është çdo ditë, çdo orë e minutë që ai jeton, janë njerëzit e tij, sepse pa njerëz, nuk ka as qytet, as histori”
Me këto fjalë përfundon një shkrim i Gëzim Ziles “Në gjurmët e fotografisë vlonjate”, botuar 25 vjet më parë. Është një nga shkrimet e pakta, i bërë për historinë e fotografisë vlonjate
E kush më mirë se fotografët mund ta fiksojnë historinë e një qyteti, historinë e njerëzve të tij. E vërteta është se Vlora ka një traditë të hershme në profesionin e fotografisë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe me qytetin që zbriste nga kodrat e malet e freskohej në brigjet e detit. Natyra ia kishte falur të gjitha bukuritë, ndaj dhe nuk është rastësi që vlonjatët janë nga pak fotograf, piktor e adhurues e me pretendime për të bukurën. Një fotografi e shkrepur në Vlorë merr të tjera vlera, është plot ngjyra. Jo rastësisht edhe kinemaja e parë në Shqipëri, është hapur në Vlorë. Por, edhe ajo që është quajtur “shkolla vlonjate e pikturës”.

Në Vlorë hapet kinemaja e parë në Shqipëri

Të flasësh për historinë e kinemasë në Shqipëri, do të ishte e pamundur dhe absurd të mos përmendje faktin se kinema e parë në Shqipëri është hapur në Vlorë dhe se njeriu që ka meritë për këtë është Kojdhel Zilja. Ai është një nga pionierët e parë të përhapjes së kinemasë në Shqipëri.
Më 1914, kur italianët e pushtuan Vlorën, ata ngritën dhe një barakë prej dërrasash ku jepeshin filma të ndryshëm për ushtarët që qëndronin në qytet. Pas largimit të italianëve nga Vlora, Kojdhel Zilja nisi ta punonte vetë kinemanë, të cilës I vendosi emrin “Përparimi”, duke pretenduar që me vendosjen në punë të saj të kontribuonte për sjelljen e përparimit në vend. Ai do të sillte në Vlorë dhe një Italian që do të punonte për rreth 3 muaj si kinooperator, por që nuk vazhdoi gjatë se u sëmur nga malaria dhe nuk u kthye më në Vlorë. Kinemaja qëndroi e hapur deri në vitin 1923. Pas mbylljes së kinemasë së Vlorës për mungesë fondesh, Kojdhelin e thirrën në Tiranë, në vitin 1925, ku hapi kinemanë e parë publike me emrin “Nacional”

Fillimet e pikturës në Vlorë

I pari piktor i Vlorës do të ishte Vasil Talo. Para tij, piktura në Vlorë njihej nga punimet e David Selenicasit apo në kisha, ku janë të famshëm Kodikët e Vlorës. Vetëm kaq. Shumë pak njerëz e njihnin pikturën në Vlorë, ndoshta ata që kishin mundur të hynin e të dilnin në shtëpinë e Syrja Bej Vlorës e të Eqerem Bej Vlorës, muret e së cilës ishin mbuluar me piktura të shumta. Vasil Talo ishte I pari që solli në Vlorë pikturën në popull. Pikturën që pikturohej në mes të njerëzve të qytetit dhe shikohej lehtësisht prej tyre. Nuk ka ende një datë të saktë apo një periudhë të saktë të fillimeve të Vasil Talos në qytetin e Vlorës. Ajo që dihet me siguri është se ai ishte frymëzuesi e mësuesi I brezit të talentuar të pikturës vlonjate e asaj shqiptare që u quajtën përfaqësuesit e shkollës vlonjate të pikturës. Veprat e tij më të mira në pikturë cilësohen “Kavalona” dhe “Peshkatari I vogël”, fati I të cilave nuk dihet se ku kanë përfunduar. Ndër pikturat e tjera përmenden “Peshkarexha”, “Fshat bregdetar”, “Ullinjtë”, “Anijet” e të tjera piktura.
Ata do të jenë Petrit Ceno, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Rakip Shabani, Agron Dine, Hilmi Bani, Sabaudin Xhaferri, Lefter Shtëmbari, Agim Sulaj e shumë të tjerë.

Fillimet e fotografisë në Vlorë

Fillimet e fotografisë në Vlorë janë bashkë me fillimin e shekullit 20-të. Dëshmi nga ato vite tregojnë se edhe gjatë Shpalljes së Pavarësisë e funskionimit të qeverisë së Vlorës, janë shkrepur fotografi, por askush nuk e di se ku përfunduan apo ku ndodhen. Edhe për ato pak fotografi të asaj periudhe historike, askush nuk kujtohet për të treguar se kush ka qenë fotografi. Padyshim që duhet të ketë qenë vlonjat apo të paktën me banim e profesion në qytet. Ashtu si Shkodra ka pasur familjen Marubi edhe Vlora ka pasur Marubët e saj. Ata janë të harruar. Askush nuk flet, tregon e i vlerëson për kontributin e dhënë.

Fotografi e vitit 1909 shkrepur në Vlorë

Një nga fotografitë e para përket vitit 1909. Ajo është pozuar në Vlorë, 110 vjet më parë, dhe është stampuar në Sofje të Bullgarisë nga shtypshkronja shqipe “Kristo Luarasi”. Në foto janë 20 pjesëtarët e orkestrës së parë shqipe të qytetit të Vlorës, krijuar po në vitin 1909. Në fotografi shkruhet ‘ORKESTËR ÇQIP NË VLORË MË 1909”.
Në arkivin e shtetit apo dhe në arkivat e studiuesve të historisë dhe ato personale të familjeve të vjetra të Vlorës ekzistojnë një numër I konsiderueshëm fotografish të vjetra të shkrepura në Vlorë, para vitet 1909 dhe pas këtij viti. Ndërsa shkrime mbi foto e vendet ku ato janë shkrepur evidentojnë faktin që janë në Vlorë, ajo që nuk dihet janë autorët e tyre, nëse kanë qenë vlonjatë apo kanë qenë kalimtar në qytet.

Thoma Ninija

Konsiderohet si një nga fotografët e parë në qytetin e Vlorës. Rrjedh nga një familje zejtare, me banim në lagjen e vjetër “Varrosh”. Në vitin 1915 njihet me Gegë Marubin, prej të cilit mëson zanatin e fotografit dhe së bashku hapin një dyqan fotografie në qendër të qytetit të Vlorës, dyqan i cili funksionoi deri në vitin 1960. Ai ka meritën e fiksimit në fotografi të varrimit të Ismail Bej Vlorës në Kaninë, varrimin e Avni Rustemit, pamje të qytetit të Vlorë në vite të ndryshme, portrete patriotësh dhe çetash luftëtarësh. Nga burime të kohës mësohet se Zogu gjatë mbretërimit të tij e zgjodhi si specialist fotografie gjatë një vizite të tij disa ditore në jug të vendit.
Ai ka vdekur më 16 qershor të vitit 1973, ndërkohë që zanatin e fotografit e trashëgoi te djali i tij Stiljano Ninija dhe ky te djali i tij Dhimitri.

Skënder Beqiri

I ka kaluar të 90-tat. Me krenari e thotë që është një nga nxënësit e Thoma Ninisë, nga i cili ka mësuar zanatin dhe teknikat e fotografisë.
Në moshën 15 vjeç ka ardhur nga Çamëria, ndërkohë që 85 vite të tjera të jetës është rritur, edukuar në Vlorë e për këtë ndihet vlonjat.
“Unë kam punuar shumë për Vlorën dhe e gjithë Vlora e di këtë. Unë ia kam borxh Vlorës kujdesin dhe respektin që ka treguar ndaj meje. Unë jam 93 vjeç dhe në prag të mbylljes së jetës sime dua t’i lë Vlorës një ekspozitë me foto të rralla, që fillojnë nga koha para, gjatë dhe pas Ismail Bej Vlorës, koha e Fan Nolit, vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ndërtimi i Vlorës pas përfundimit të Luftës e deri në vitet e demokracisë. “Kam qenë prezent kur erdhi Enver Hoxha në 60-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, te Monumenti i Pavarësisë. Isha i vetmi fotograf që do të bëja foto me autorizim nga Sekretari i Parë. Autorizimin në fakt e jepte kryetari i komitetit, por sekretari për të qenë i sigurt që unë të mos mungoja në ceremoni, por edhe dhe në darkën zyrtare, plotësonte një autorizim nga ana e tij. Enver hoxha e kapi nga krahu vajzën e Isa Buletinit, që ishte e persekutuar e punonte në komunale dhe i tha “Ja ku e kemi Isën”.
Bashkëshortja e Skënder Beqirit, edhe ajo çame, që ka pesë vjet që ka ndërruar jetë, ishte nga familja e madhe e patriote çame, Dine. Babai i saj për këtë shkak ishte i burgosur politik dhe i dënuar me 15 vjet burg. Ajo ishte dhe kushërirë e afërt me Teme Sejkon, por Skënderi nuk donte që ajo të bëhej me kushërinjtë. Ai ishte fotografi i preferuar i pushtetit të kohës në Vlorë, pasi thirrej për të fotografuar edhe në takimet më të ngushta të drejtuesve të partisë e pushtetit. Por, edhe pse bashkëshortja e tij ishte me “cen” në biografi, Skënderi nuk u mënjanua nga puna që bënte, edhe pse nuk ishte komunist.

Fotografia, pasioni që në Çamëri

Skënderi thotë se fotografinë e ka pasur pasion që në Çamëri. Kishte një aparat fotografik italian, pa objektiv, me një xham të vogël. Vinin mësuese nga Korfuzi për në fshatin e tij, në Volë dhe ai i fotografonte. Me atë aparat Skënderi kujton edhe sot, pas më shumë se 70 vitesh, se fotografoi dhe çamët në Qafën e Botës, kur vinin me plaçka ngarkuar për në Shqipëri. Kur erdhi në Vlorë fotografonte çamët ku jetonin, në kasolle apo godina të vjetra. Ishte viti 1944. Edhe vlonjatët ishin të varfër e të shkatërruar nga Lufta.
“Në vitin 1945, bashkë me çamë e vlonjatë punonin në kodrat përreth Vlorës për të mbledhur ullinj e në vend të lekëve, se nuk kishte, na jepnin vetëm bukë për të ngrënë. Me shumë djem të tjerë vlonjatë na mori në patronazh Leka Shkurti, i cili kishte qenë aktiv në njësitet guerile të Vlorës. U krijua Komiteti i Rinisë. Në vitet 1945-1946 shkonim në fshatrat e Vlorës si brigadë kulturore. Një grup nga ne shkoi edhe në Veri, me qëllimin që kishte partia që të futeshim dhe në veri, pasi atje ishte situatë e vështirë pas Luftës. Shkonim nëpër shtëpi, takonim të rinj e u flisnim për partinë, për rininë, aksionet e shumë gjëra të tjera, ashtu si kishim udhëzimet…

Përse e përzgjodhi babai që të angazhohej me brigadat e rinisë

Skënderi kishte dhe vëllezër të tjerë. Kujton se, babai i mblodhi një ditë dhe u tha se njëri prej djemve të tij duhet të angazhohej me aksionet e rinisë. Babai i Skënderit ishte plagosur dy herë në luftimet që janë bërë në Janinë dhe e kishin shpëtuar labët, që e kishin gjetur dy herë të plagosur e nuk e lanë të vdiste. Për këtë, ai ndihej në detyrim me ta.
“Ai djali që përzgjodhi babai, isha unë. Me brigadat e rinisë shkova deri në Jugosllavi. Në 1948, kur u prishën marrëdhëniet me jugosllavët, njerëzit e UDB-së, na thoshin që të mos ktheheshin më në Shqipëri, se Titoja është kokë e madhe. Asnjë nga ne nuk qëndroi, u kthyem në Shqipëri. Deri në vitin 1951 vazhdova pa u shkëputur asnjë ditë me brigadat e rinisë. Në shtëpi vija shumë rrallë.

Si filloi punë fotograf në Vlorë

“Kur u krijua sektori i fotografëve, mua më caktuan përgjegjës të fotografëve. Punova 12 vjet fotograf në Sheshin e Flamurit. Kam punuar me fotografin më të vjetër të Vlorës, që quhej Thoma Ninija. Ishte një burrë i rrallë, i papërtuar dhe që zanatin ua mësonte të gjithëve. Nuk është mirë që e kanë harruar për kontributin e madh që ka dhënë në Vlorë. Vlora dhe vlonjatët e vjetër janë fiksuar për vite të tëra në aparatin e tij. Kaq detyrim duhet ta kenë vlonjatët për këtë figurë të madhe, ta kujtojnë e ta nderojnë. Unë e mësova shumë shpejt dhe mirë zanatin. Për këtë më autorizonin që të fotografoja mbledhjet e byrosë e plenumit të partisë së rrethit, delegacione të huaja, vizitën e Hrushovit në Vlorë e të udhëheqësve të partisë kur vinin në qytet. Me aparat në dorë kam që nga viti 1946 e deri më sot, që sa herë dalë në qytet aparatin e mbaj me vete dhe kur shoh diçka që më tërheq e fotografoj. Nga fotografët e vjetër ka qenë edhe Janaq Derrolli.”
Skënderi përmend disa nga emrat e fotografëve të vjetër në Vlorë, si Stiljano (Noja) Ninija, Janaq e Vasil Derrolli, Veniamin Rrapi, Spiro Strati, Niko Papajorgji, Thoma Kotro, Hajri e Osman Hajrullau, Vasil Kareco. Ky i fundit ishte grek dhe u riatdhesua në Greqi pas Luftës së Dytë Botërore. Fotografët ishin në mbikëqyrje për shkak të punës që bënin. Kur shkonin nëpër fshatra pajiseshin edhe me lejen e policisë.
Skënder Beqiri doli në pension në vitin 1990 si përgjegjës i ekspozitës “Vlora sot”duke e kryer këtë detyrë për 20 vjet.

Nga përgjegjës i fotografëve si përgjegjës i grupit të shoqërimit të delegacioneve të huaja.

Pas shumë viteve si përgjegjës I sektorit të fotografive në Sheshin e Flamurit, e caktojnë me detyrën e përgjegjësit të shoqërimit të delegacioneve të huaja që vinin në Vlorë. Në hotelin, që në Vlorë njihej me emrin “Turizmi” u hap një sektor fotografie dhe fotot që ai bënte shkonin jashtë shtetit për të hapur ekspozita me bukuritë e Shqipërisë.
“Unë fotografoja të gjithë të huajt që vinin në Vlorë. Në mes tyre kishte më shumë spiunazh sesa komunistë të vërtet të vendeve lindore apo shtete të tjera nga vinin. Një ditë më thirri në një takim Petrit Hakani, shefi i degës në Vlorë. Të kam thirrur, më tha, që as të të bëj bashkëpunëtor të sigurimit e as të të bëj komunist. Si qytetar i këtij vendi, do punosh në këtë vend. Ke detyra të tjera, por çfarë pune do të bësh me njerëzit e mi në atë sektor, nuk do t’i tregosh asnjë njeriu. Po doli një fjalë nga goja jote, ke 25 vjet burg pa pyetur si e qysh. Po qe më e madhe fjala që do dalë nga goja jote, ke pushkatim, prandaj vëri gishtin kokës! Pranova, nuk kisha rrugë tjetër. Paguhesha për atë punë. Kisha punën e përgjegjësit të grupit të shoqëruesve, por do të mbështetja dhe punën e sigurimit tonë që vepronte për të zbuluar agjenturat nga jashtë shtetit. Sot, duket si përrallë, por në ato vite vinin shumë agjentë të maskuar në Vlorë e në Shqipëri. Grekë e jugosllavë, ishin më të shumtit. Vinin 22 turistë, sepse aq vend kishim në atë që njihej si “Turizmi në Skelë”. Atje qëndronte gjithmonë një punonjës i sigurimit që shikonte lëvizjet e njerëzve, me kë takoheshin e se çfarë mund të bisedonin. Sigurimi në ato vite dinte gjithçka dhe ishte shumë i fortë. Përpara se të vinin në Vlorë grupi i turistëve të huaj, vinin kartelat e atyre që ishin agjentë të huaj dhe vinin si turistë në vendin tonë. Ata mbaheshin në mbikëqyrje, se ku shkonin, kë mund ta takonin dhe fotografoheshin.”

Si ia morën letrën nga çanta turistes së huaj

Skënderi kujton shumë episode nga veprimtaria e Sigurimit të Shtetit për të mbajtur nën kontroll të huajt që vinin në Vlorë, por edhe për të zbuluar qëllimin e ardhjes së tyre në qytet.
“Po tregoj një rast. Ishte një grua e huaj e ardhur si turiste. Kishte një çantë të vogël që nuk e lëshonte nga dora kudo ku shkonte, edhe kur ulej për të ngrënë apo dhe kur shkonte në tualet Informacioni që kishte ardhur për të ishte se brenda çantës ishte një letër që ajo do ta dorëzonte diku. Çanta duhej marrë me çdo kusht, që të merrej letra brenda saj. Drejtori i turizmit i asaj kohe e gjeti një mënyrë. I thirri kamerierit, një djali nga Himara dhe i thotë “kur t’i çosh pjatën me supë asaj gruas që mban çantën në dorë, nxehe mirë supën dhe derdhja si pa dashje në dorë që ajo të lëshojë çantën. Ti merre çantën dhe shko në kuzhinë si për ta pastruar dhe merri letrën. Në kuzhinë, letra u fotografua nga të dy anët dhe u vendos përsëri brenda në çantë. Në momentin që gruaja kërkoi çantën, kamerieri ishte pranë saj me çantën e pastruar dhe ia dha menjëherë. Ajo nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur dhe vazhdoi të hante e qetë.”

Vijon

Nesër do të lexoni

-Urdhri për ngritjen e Ansamblit çam në Vlorë

-Porosia e Enver Hoxhës për ngritjen e Ansamblit

-Fotografët e sotmë të Vlorës