DOSSIER/ KUR SHKELEJ TOKA, AJRI E DETI I SHQIPËRISË

705
Nga Ergys Alushi

Provokimet greke deri në incidentin e Kanalit të Korfuzit
Një ndër ngjarjet e vitit 1946, ishte dhe pretendimi britanik se më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët e tyre ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Në vargun e më shumë se 160 provokacioneve të bëra nga grekët në kufirin tonë të jugut, figurojnë 19 provokacione të bëra nga anijet greke që kanë shkelur në ujërat territorial shqiptare. 1 maj 1946 – në bregun e Butrintit, një motoskaf grek u orvat të zbarkojë në tokën shqiptare një të panjohur. Pasi u diktua nga trupat shqiptare, motoskafi u largua. 3 mars 1947 – në ora 14, persona të pa identifikuar nga kufiri grek, tek piramida nr.56, sektori i Konispolit, kanë qëlluar disa herë me armë një patrullë shqiptare, e cila kryente detyrat e veta. Ai që njihet në historinë e Shqipërisë si “Provokacioni i 2 gushtit 1949” nisi në fshatin Vidohovë, ku që në bombardimet e luftimet e para mbetën të vrarë 8 ushtarakë shqiptarë. Më datën 4 janar 1951 në orën 6 të mëngjesit një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, fluturoi mbi Kepin e Stillos dhe prej këtej u largua për në Itali. Më 23 dhjetor 1957, një aeroplan gjuajtës reaktiv i flotës ajrore ushtarake të SHBA, Tip T-33, i pilotuar nga majori i forcave ajrore amerikane Houard Xh. Këren, shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë. Më 31 dhjetor 1957 një aeroplan britanik Nr. 10.408 i tipit Skaimaster u detyrua të ulet në një aeroport shqiptar mbasi shkeli hapësirën ajrore të Republikës Popullore të Shqipërisë për afro 30 minuta.
Gjatë vitit 1946, në zonën detare pranë Kanalit të Korfuzit, ndodhën tri ngjarje, të cilat krijuan probleme serioze në marrëdhëniet shqiptaro-britanike, duke krijuar tensione të cilat për pak sa nuk precipituan në një konflikt të armatosur. Një ndër ngjarjet e vitit 1946, ishte dhe pretendimi britanik se më 22 tetor 1946, në afërsi të Kepit të Varesë, dy destrojerët e tyre ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët britanikë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarët britanikë. Në notën e protestës të datës 9 dhjetor të vitit 1946 që qeveria britanike i dërgoi qeverisë shqiptare deklarohej se Qeveria shqiptare i ka vënë vetë minat me urdhër ose duke qenë në dijeni të vendosjes së minave nga ndokush tjetër.

Në përgjigje të notës britanike, qeveria shqiptare do të deklaronte ndër të tjera se “një akt çnjerëzor i tillë nuk mund të bëhej veçse nga ata që dëshirojnë të turbullojnë marrëdhëniet midis popujve dhe që nuk dëshirojnë aspak vendosjen e marrëdhënieve të mira e miqësore midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Kjo hipotezë e Qeverisë shqiptare – vazhdon nota shqiptare – mund të mbështetet mbi fakte që anije greke dhe anije të vendeve të tjera kanë mundur shpeshherë të qarkullojnë pa autorizim në ujërat territoriale shqiptare dhe kanë hyrë brenda në portet jugore të Shqipërisë. Kjo hipotezë e qeverisë shqiptare është e mbështetur në fakte të pakundërshtueshme që i janë bërë opinionit publik shqiptar dhe botëror kurdoherë që ato kanë ndodhur.

Në vargun e më shumë se 160 provokacioneve të bëra nga grekët në kufirin tonë të jugut, figurojnë 19 provokacione të bëra nga anijet greke që kanë shkelur në ujërat territoriale shqiptare. 

Të tilla shkelje kanë ndodhur gjatë gjithë vitit 1946, duke filluar që nga muaji janar i këtij viti. 
31 janar 1946 – një motoskaf grek është parë në ujërat shqiptare, që kishte brenda ushtarë grekë. 
2 mars 1946 – dy luftanije greke, njëra prej të cilave kishte numrin K.30. u futën në ujërat tokësore të Sarandës.
3 prill 1946 – një anije greke duke lundruar në ujërat tokësore të Sarandës dhe pastaj u largua për në drejtim të Korfuzit. 
30 prill 1946 – një torpilonjës lundroi për disa kohë në ujërat shqiptare afër Sarandës dhe pastaj u drejtua për në Korfuz. 

1 maj 1946 – në bregun e Butrintit, një motoskaf grekë u orvat të zbarkojë në tokën shqiptare një të panjohur. Pasi u diktua nga trupat shqiptare, motoskafi u largua. 
11 korrik 1946 – një barkë greke iu afrua tokës shqiptare në bregun e Butrintit duke zbritur dy njerëz Pas arrestimit nga trupat shqiptare, dy njerëzit treguan se kishin ardhur në Shqipëri për të kryer atentate me qëllim destabilizimin dhe për të grumbulluar informata për situatën ekonomike e politike në vend. Nisur nga të gjitha këto provokacione e shkelje të ujërave territorial të Shqipërisë, pala shqiptare ishte e mendimit se kishin qenë grekët ata që kishin vendosur minat në kanalin e Korfuzit, nga shpërthimi i të cilave pësuan dëme në mjete e njerëz britanikët.

Provokacione greke në kufi
Bashkë me shkeljen e vazhdueshme të ujërave detar, ushtarët grekë shkelin dhe tokën shqiptare. 
3 mars 1947 – në ora 14, persona të pa identifikuar nga kufiri grek, tek piramida nr.56, sektori i Konispolit, kanë qëlluar disa herë me armë një patrullë shqiptare, e cila kryente detyrat e veta brenda tokës shqiptare. Patrulla shqiptare nuk i është përgjigjur zjarrit. 10 mars 1947 – në ora 15.30, tek piramida nr.36-37 në sektorin e Dropullit të Sipërm, kanë dalë në vijën e kufirit një ushtar grek dhe një civil. Të dy këta kanë drejtuar fjalë fyese kundër patrullës shqiptare, e cila nuk i është përgjigjur dhe nuk hapi zjarr ndaj tyre. 19 mars 1947 – në ora 12 të mesditës, një ushtar grek i postës Shën Marinës ka qëlluar me armë gruan e quajtur Eftalia Papa nga fshati Koshovicë e Dropullit të Sipërm, e cila ishte duke punuar kopshtin e saj që ndodhet në drejtim të piramidës nr.41 brenda kufirit shqiptar. Më vonë ushtari grek i është afruar duke dalë në një kodër aty afër, por e përmendura është trembur dhe është larguar menjëherë. Provokacione të tilla për kohën kanë qenë të shumta dhe nga më të ndryshme për nga mënyra e realizimit të tyre. 

Provokacioni i 2 gushtit 1949
Ndodhi përgjatë kufirit shqiptaro-grek nga Korça deri në në verilindje, deri në jug në afërsi të Konispolit. Në provokacionin, siç u cilësua nga autoritetet shqiptare të kohës kur ndodhi, por që kishte edhe elementët e një sulmi ushtarak të përmasave më të mëdha se një provokacion sporadik, Greqia angazhoi forca të shumta ushtarake dhe mjete të rënda luftarake. Sulmi ka qenë i papritur dhe i pabarabartë për nga numri i forcave ushtarake dhe mjeteve luftarake. Ai që njihet në historinë e Shqipërisë si “Provokacioni i 2 gushtit 1949” nisi në fshatin Vidohovë, ku që në bombardimet e luftimet e para mbetën të vrarë 8 ushtarakë shqiptarë. Luftimet përgjatë kufirit kanë vazhduar gjatë gjithë muajit gusht, duke shkaktuar një numër të madh të vrarësh e të plagosurish nga të dy ushtritë.

Aeroplanë italianë shkelin hapësirën ajrore të Shqipërisë
Janar 1951
Notë verbale
Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë i dorëzoi këtë notë verbale Legatës së Italisë në Tiranë:
1 – Më datën 4 janar 1951në orën 6 të mëngjesit një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, fluturoi mbi Kepin e Stillos dhe prej këtej u largua për në Itali.
2 – Më datën 14 janar 1951në orën 5 të mëngjesit një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, fluturoi mbi katundin Grazhdan, mbi qytetin e Delvinës, Sarandës dhe Himarës dhe prej këndej u largua për në Itali.
3 – Më datën 19 janar 1951 në orën 12 një aeroplan Italian i ardhur nga Italia fluturoi mbi malet e Kurveleshit, mbi fshatin Dukat dhe prej këtu mori drejtimin për në Itali duke kaluar nga kuadrati 66-62.
4 – Më datën 19 janar 1951 në ora 12 një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, u fut në hapësirën ajrore shqiptare në rrethin e Vlorës e pastaj mori drejtimin e malit të Golemit dhe të Gjirokastrës dhe prej këtu u largua për në Itali.
5 – Më datën 25 janar 1951 një aeroplan i ardhur nga Italia, fluturoi në afërsi të qytetit të Gjirokastrës, mbi qytetin e Delvinës, pastaj u drejtua nga qyteti i Vlorës dhe u largua për në Itali. Aeroplani gjatë kalimit të tij ka hedhur material subversive propagandistike të “Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë’.
6 – Më datën 27 janar 1951 në ora 3 të mëngjesit një aeroplan Italian erdhi nga Italia u fut në hapësirën ajrore shqiptare në kuadratin 91-41, fluturoi mbi Himarë, Dhërmi, Vuno, Llogara e pastaj mori drejtimin për në Fier, Divjakë, u kthye në grykën e Vjosës dhe prej këtu u largua për në Itali.
7 – Më datën 27 janar 1951 në orën 2.30 të mëngjesit një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, fluturoi mbi Mokrat, Divjakë, Fier dhe pastaj u drejtua për në Vlorë nga ku mori drejtimin për në Itali.
8 – Më datën 27 janar 1951 në ora 2 të mëngjesit një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, u fut në hapësirën ajrore shqiptare në drejtim të Grykës së Bunës, përshkoi buzën e detit, doli në Peshkopi, Nikaj, Tolaj, Kepi i Radonit, u fut më det, doli përsëri te Bishti i Pallës mbi lumin Erzen, u kthye në Currila, kaloi në Kavajë, Lushnjë, Fier, u kthye përsëri në grykën e lumit Seman, fluturoi në Karavasta, Divjakë, Durrës, prej ku, mbasi hodhi një dritë të kuqe u largua për në Itali. Në këto qarkullime që bëri ky aeroplan ka hedhur material subversiv propagandistik.
9 – Më datën 28 janar 1951 në orën 4.17 të mëngjesit një aeroplan Italian i ardhur nga Italia, fluturoi mbi Rushkull pastaj u largua për në Shijak, Kavajë dhe prej këtu u largua për në Itali.

Megjithëse Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë ka protestuar dhe më përpara pranë Legatës së Italisë në Tiranë për një seri shkeljesh brutale të kufijve të Republikës Popullore të Shqipërisë nga ana e aeroplanëve italianë dhe ka kërkuar që t’u jepet fund akteve të tilla kriminale, Qeveria italiane ka vazhduar në rrugën e këtyre akteve të poshtra që shprehin qëndrimin armiqësor kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.

Njëkohësisht Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë i kujton Qeverisë italiane përgjegjësinë e rëndë që i bie asaj duke u angazhuar në këtë rrugë të vazhdueshme armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe që synon në prishjen e paqes në Ballkan dhe në zbatimin e planeve imperialiste për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore.

Gusht – shtator 1951
1 – Më datën 6 gusht 1951 në orën 21.35 një aeroplan Italian i ardhur nga Italia kaloi mbi postën e Kepit të Gjuhëzës dhe prej këtu u largua nga drejtimi i ardhur.
2 – Më datën 13 gusht në orën 14.30 një aeroplan Italian hyri në tokën shqiptare në drejtim të postës së Shënëndreut, përshkoj malin e Rindit, Bregun e Pjergut, në kodrat e Himarës dhe prej këtu u largua për në Itali.
3 – Më datën 12 gusht 1951 në ora 23 një aeroplan hyri në hapësirën ajrore shqiptare, kaloi mbi fshatin Pojan Roskovec dhe u kthye mbi fshatin Mbrostar nga ku mori drejtimin për në Itali.
4 – Më datën 22 gusht 1951 në ora 24 një aeroplan Italian erdhi në drejtim të fshatit Vranisht, kaloi mbi malin e Çikës, mbi majën e Kuçit dhe mori drejtimin për në Itali.
5 – Më datën 26 gusht 1951 në ora 24 një aeroplan Italian hyri në tokën shqiptare në sektorin e Dhërmiut, kaloi në thellësi në drejtim të Kuçit dhe prej këtu u kthye në drejtimin e ardhur.
6 – Më datën 6 shtator 1951 në ora 16 një aeroplan Italian I ardhur nga Italia hyn në grykën e Sazanit kaloi mbi Karaburun, mbi Bristan dhe u fut në drejtim të Bregut të Pirgut duke u larguar pastaj për në Itali.
Aeroplani gjuajtës reaktiv i Flotës amerikane shkel hapësirën ajrore të Shqipërisë
23 dhjetor 1957
Më 23 dhjetor 1957, një aeroplan gjuajtës reaktiv i flotës ajrore ushtarake të SHBA, Tip T-33, i pilotuar nga majori i forcave ajrore amerikane Houard Xh.Këren, shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë, duke hyrë në thellësi të territorit shqiptar. Aeroplanët e forcave ajrore të Shqipërisë e detyruan atë të ulet në një aeroport shqiptar. Ngjarja shkaktoi probleme në marrëdhëniet midis dy shteteve, ku amerikanët nëpërmjet ndërmjetësve kërkuan shpjegime për fatin e avionit dhe pilotit. Më datën 9 janar të vitit 1958 më anën e Legatës së Shqipërisë në Paris, Qeveria shqiptare protestoi pranë qeverisë së SHBA nëpërmjet ambasadës së saj në Paris, kundër shkeljes së hapur të kufirit shtetëror. Ky nuk ishte rasti i parë që avionët ushtarakë amerikanë shkelin hapësirën ajrore të Shqipërisë. Edhe më parë kishin ndodhur shkelje të tilla. Në protestën e dërguar për dijeni qeverisë së SHBA-së kërkohej ndalimi i veprimeve të tilla, të cilat ndikonin në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë e paqes në rajon. Pikërisht, për t’i shërbyer paqes, Qeveria e Shqipërisë vendosi të lejojë largimin nga toka shqiptare të majorit të forcave ajrore amerikane dhe të aeroplanit, kësaj radhe pa marrëe ndonjë masë. Në deklaratën bërë autoriteteve shqiptare, majori amerikan deklaroi se është fajtor dhe se mban përgjegjësi për shkeljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë. 

Avioni britanik shkel hapësirën ajrore të Shqipërisë
31 dhjetor 1957
Më 31 dhjetor 1957 një aeroplan britanik Nr. 10.408 i tipit Skaimaster u detyrua të ulet në një aeroport shqiptar, mbasi shkeli hapësirën ajrore të Republikës Popullore të Shqipërisë për afro 30 minuta. Autoritet shqiptare filluan menjëherë hetimet për të sqaruar çështjen dhe u morën masat e menjëhershme për të mbajtur të izoluar ekuipazhin e aeroplanit. Në kohën që ndodhi ngjarja, disa agjenci të huaja lajmesh i kushtuan rëndësi uljes së detyruar të avionit britanik në aeroportin shqiptar. Radio e gazeta të huaja folën e shkruan në atë kohë se avioni ishte rrëzuar, ekuipazhi ishte zhdukur apo ishte kapur dhe po trajtohej keq nga autoritetet komuniste. Lajme të tilla krijuan një situatë të tensionuar midis shtetit komunist dhe qeverisë britanike, por edhe shteteve të tjera perëndimore, të cilat kërkuan sqarime zyrtare në lidhje me fatin e avionit e të ekuipazhit britanik. Në të tilla kushte më 3 janar koorrenspodenti i Agjensisë Telegrafike Shqiptare zhvilloi një bisedim me kapitenin e aeroplanit Marian Kozubski, i cili i dha atij një intervistë. Gazeta “Bashkimi” e datës 5 janar 1958 publikon pjesë nga kjo intervistë 

“Pyetjes se si ndodhi që aeroplani britanik shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë, ai u përgjigj:
“Më 31 dhjetor 1957, aty nga ora 8.40. GMT (ora 10.40 sipas orës lokale ne shkelëm territorin shqiptar në zonën e Semanit. Për këtë shkelje unë e konsideroj veten përgjegjës ndaj qeverisë shqiptare. Kjo gjë ndodhi, ose për shkak të kohës së keqe me re, ose për shkak të mosfunksionimit të mirë të radiokompasit të aeroplanit.” 

Pyetjes se si e konsideron ai një veprim të tillë nga ana e respektimit të ligjeve ndërkombëtare të lundrimit ajror, ai u përgjigj: “Nga pikëpamja e ligjeve ndërkombëtare të lundrimit ajror, dhunimi i hapësirës ajrore të një shteti tjetër, kur bëhet me qëllim është një ofendim që i bëhet atij vendi. Në rastin tonë, shtoi ai, kjo qe vetëm një gabim ose neglizhencë për të cilën mbajmë përgjegjësi të plotë për shkak se ne shkelëm hapësirën ajrore të Shqipërisë.”

Pyetjes se si është trajtuar ekuipazhi britanik nga qeveria shqiptare, ai u përgjigj: “Pas uljes ne na u bë një trajtim shumë i mirë nga të gjithë autoritetet shqiptare dhe populli shqiptar. Ata bënë ç’është e mundur për të na mbajtur në kondita të mira dhe të këndshme….Ne do të flasim në Britani për këtë gjë dhe shpresojmë sinqerisht t’ua shpërblejmë…”

Më 4 janar autoritetet shqiptare lejuan largimin e aeroplanit dhe po atë ditë në orën 12.20 ai u largua nga toka shqiptare për të vazhduar udhëtimin e tij në destinacionin për ku ishte nisur. 

Rrethohet nga tre MIG-19 avioni jugosllav
21 korrik 1967
Një avion jugosllav shkel hapësirën ajrore të Shqipërisë. Avioni ishte i tipit F-84 dhe ishte i pajisur me raketa e bomba. Ai do të hynte nga zona e Dibrës e do të fluturonte deri mbi Tiranë, duke shkaktuar panik e gatishmëri të nivelit të lartë të ushtrisë shqiptare e në veçanti të forcave ajrore. Shkak i panikut ishte fakti se avioni nuk u diktua nga radarët, pasi fluturonte shumë ulët dhe u pa vetëm në afërsi të Rinasit. Sapo u pikas tre avionë MIG – 19 u ngritën nga baza ajrore e Rinasit dhe u vendosën në ndjekje të avionit jugosllav, i cili shumë shpejt u gjend i rrethuar nga avionët shqiptarë. I gjendur në të tilla rethana, avioni jugosllav u detyrua të ulet në aeroiportin e Rinasit. Në hetimet e kryera me këtë rast, u mësua se avioni ishte nisur për në Maqedoni për të marrë pjesë në një stërvitje, por kishte humbur rrugën. Pas përfundimit të hetimeve dhe deklarimeve të pilotit jugosllav, piloti dhe avioni iu kthyen Jugosllavisë.