Konferenca e Pezës është amanet, të bashkohemi për kombin!

1302
Sigal

DËSHMIA/ Si u krijua Çeta e parë patriotike antifashiste në Pezë më 5 Qershor 1940.

 

Nipi i Duçes lë kockat në luftë me pezakët

Sherbet Karuli

 

(vijon nga numri i kaluar)

Objektivi i fashistëve në drejtimin e Gjeneral Xaninit, ishte të zhduknin bazat e luftës që strehonin partizanet dhe Çetën e Pezës që komandoheshin nga Myslym Peza. Objektiv tjetër ishte rajoni i Pezës së Madhe, Pajonë, Grec, Gror, me qëllim që të ndalej çdo depërtim i partizaneve në Tiranë, të cilët të mund të orvateshin që të krijohej çrregullime me qëllim të tërhiqnin vëmendjen e forcave të operacionit, duke e penguar atë. Filluan bombardimet në fshatrat e gjithë Pezës me artileri e avionë. Nga kjo situatë u krijua një gjendje tepër kritike për çetën dhe vullnetarët e fshatrave. Dalja e çetës jashtë rrethimit u bë natën nëpër pyjet dhe depërtime në formacionet luftarake fashiste duke i shkaktuar atij dëme të mëdha, si pasojë çeta doli nga rrethimi e pa dëmtuar. Por fashistët nuk mund të rrinin indiferentë, por përkundrazi, kryen masakrën e dytë akoma më çnjerëzore në Pajonë, duke masakruar dhe pushkatuar 22 burra të Pajonës, Grecës dhe Grorit

Masakrimi

Këshilltarin Muharrem Hakrama e torturuan me thika e bajoneta duke i futur kripë në plagë. Fashistët thanë: Thuaj rroftë Duçja dhe Italia dhe të shkosh në shtëpi. Por Rrema thirri me të madhe: poshtë fashizmi, rroftë Shqipëria e lirë demokratike, partizanët dhe Babë Myslimi. Kur i shkoi për ngushëllim Babë Myslimi, nëna e Rremës, Fatimja i tha: Dua një ndihmë nga Ju, të gjeni trupin e Rremës se kur i varrosin fashistët i varrosin 6 veta në një gropë. Kjo dëshirë e nënë Fatimes u plotësua. Kur u hap gropa u dallua i pari trupi i Rremës! Nëna duke e përqafuar për të fundit herë i tha: hallall gjirin! Në xhepin e xhaketës i gjeti kutinë me duhan dhe ia afroi Babë Myslimit dhe shokëve të tij: Kajo Karafili, Fadil Çelmeta, Muharrem Çelmeta etj., të cilëve ju dridheshin duart dhe rridhnin lotët nga sytë. Nënë Fatimja i qortoi shokët: Burrat nuk qajnë, unë kisha vetëm këtë djalë, por tani ju kam juve dhe shumë shokë partizanë në gjithë Shqipërinë që dinë t’ia marrin hakun Rremës dhe do ta çlirojnë vendin. Shaban Shabhasën e kishin rreshtuar të lidhur me hekura për pushkatim, babai i tij Mustafai i tha djalit: Mbaje kokën lart se neve e japim jetën për çlirimin e Shqipërisë. Fashistët u egërsuan nga kjo porosi, duke u hakmarrë edhe ndaj babait që e pushkatuan së bashku me djalin. Riza Ymerin e lidhën dhe e vendosën në shtëpinë e Kasem Hakramës, ishte natë pranë tij ishte një roje fashiste, atë e zuri gjumi Rizai me kujdes i vuri mbi kokë një mbulesë dhe u hodh nga kati i dytë (dritarja) duke u larguar me shpejtësi, por e plagosën rojet, e kapën dhe e pushkatuan bashkë me shokët e tij. Mahmut Ymerin e pyetën: a keni armë? “Po, – tha – e kam në çatinë e shtëpisë!” E shoqëruan deri tek shtëpia. Mahmuti hipi në çati e ndërsa shoqëruesit po merreshin me grabitjen e pajës, rrobave të grave, ai u hodh nga streha e shtëpisë në tokë, duke u larguar me vrap, kur milicët u kujtuan e thërrasin që të dorëzonte armën, ai ishte larguar në drejtim të paditur, për pasojë varri i tij mbeti i hapur!? Fashistët dogjën fshatrat Pajonë, Grecë dhe Grorë, grabitën gjënë e gjallë dhe bereqetin.

Veprimet luftarake

Me qëllim që të organizoheshin veprime luftarake të shpejta dhe duke marrë mbi vete detyra me përgjegjësi të plotë, mbi bazën e 6 çetave partizane ishin krijuar në krahinën e Pezës nga viti 1940-1942, për këtë qëllim në lagjen Bec të Pezës u mblodhën njësitet dhe përfaqësuesit e çetave që do të krijonin batalionin e parë partizan në shkallë vendi më 15.03.1943. Çetat ekzistuese kishin komandantët dhe komisarët e tyre që vepronin në zonat e tyre të caktuara më parë duke filluar nga Peza, Petrela, Kavaja, Shijaku, Rrogozhina, Peqini, Darsia, Fier-Shegan të Lushnjës. Me këtë rast u organizua një ceremoni e thjeshtë në emër të Frontit Demokratik NAÇl foli Babë Myslimi, i cili tha: Eshtë nder i madh që na besohet neve krijimi i batalionit të parë partizan që ka vepruar dhe do të veprojë me vendosmëri në afërsi të kryeqytetit të Shqipërisë Tiranë… si deri më tani edhe në të ardhmen partizanët do të shtojnë aksionet kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët ka vrarë, djegur dhe shkatërruar ekonominë tonë. Fjalët e Babë Myslimit të thjeshta, por me përmbajtje të madhe patriotike që dilnin nga goja e këtij burri të madh kreshnik, atdhetar i nderuar dhe i dëgjuar në shkallë vendi dhe më gjerë, u ngjall simpati, respekt, dashuri dhe mirënjohje për të.

Drejtuesit e batalionit të parë partizan me Komandant të batalionit Myslym Peza, komisar Mustafa Gjinishi

 

Pas fjalimit Babë Myslymi komunikoi krijimin e batalionit më 15.03.1943. Komandant i batalionit Myslym Peza, komisar Mustafa Gjinishi, zv/komisar Pandi Nasho, zv/komandant Nazmi Kaba, përgjegjës rinie Xhaferr Vokshi, ndihmës mjek Thoma Grami. Në të njëjtën kohë Babë Myslymi vuri edhe detyrat luftarake që i dilnin batalionit në këtë situatë. Brenda një kohe të shkurtër nga Marsi deri në Qershor ‘43 kreu 20 aksione luftarake të rëndësishme duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha armikut të njerëz dhe në armatime. U vu detyrë që çetat të bashkëpunojnë me njësitet guerile të qyteteve, ku në bashkëpunim ata kishin bërë shumë atentate duke vrarë spiunë të fashizmit si: Ramazan Bali, Dik Dukën, Beqir Kazazin etj. Okupatori dhe qeveria kuislinge deri në këtë kohë kishin zhvilluar tre operacione të përgjithshme, përveç shumë veprimeve të tjera luftarake më të vogla. E megjithatë nuk e kishin shuar lëvizjen NAÇL. Ajo u zgjerua pa pushim. U shkri në një të vetme me popullin e organizuar në çeta partizane dhe çeta territoriale e vullnetare. Ambasadori nazist gjerman në Romë i dërgon një raport ministrit të punëve të jashtme në Berlin një telegram nr.1184, datë 13.03.1943 në të cilin informonte se: anglo-amerikanët kanë në plan të bëjnë disa zbarkime të mundshme në zonën e Pezës dhe në zonën e Mallakastrës. Mbi bazën e këtyre të dhënave informative fashistët italianë u shqetësuan së tepërmi dhe u përgatitën për të sulmuar partizanët dhe popullin e Pezës, duke dërguar 14.000 forca fashiste të pajisura me artileri, tanke dhe skuadrilje avionësh luftarakë. Në këtë operacion fashistët bënin pjesë në forcat kryesore të divizionit Brenero, regjimenti i kavalerisë Firence, 6 batalione këmishëzinjsh dhe një grup karabinierësh. Operacionin e drejtonte komandanti i korparmatës 4 gjeneral Spatako, komandant i divizionit Brenero, Gjeneral Prinçivale dhe komandant i kavalerisë kolonel Ludoviko De Bartolameo.

Sulmi fashist

Operacioni filloi nga data 13-18 Qershor 1943, 6 ditë luftë. Ato sulmuan nga Peqini, Rrogozhina, Kavaja, Arbana, Baldushku, Ndroqi dhe Peza e Vogël. Objektivi i këtij operacioni në stil të gjerë ishte: rrethimi dhe asgjësimi i forcave partizane në zonën e Pezës. Njëkohësisht të goditej fort popullsia që përbënte mbështetjen e partizanëve me anën e arrestimeve ose të pushkatimeve të strehuesve të tyre të digjnin fshatrat, të gjithë gjënë e gjallë dhe bereqetin. Detyra e forcave partizane ishte përcaktuar nga komandanti i batalionit Myslym Peza, të mos lejohej armiku të shkelte Pezën pa luftë, të dëmtohej dhe të çoroditej me goditjet e befasishme duke përfshirë në këtë detyrë edhe çetat territoriale e vullnetare, me anën e manovrimit të luftimit në krah dhe në shpinë të armikut, të mbrohej populli dhe të mos lejohej që të masakrohej.

Operacioni

Pezakët vrasin një kolonel italian

Operacioni fashist filloi me egërsi dhe në shumë drejtime që në orët e para të mëngjesit të dt,13.06.1943. shkrepjet e para filluan në drejtim të Dorëzit dhe të qafës së Belbëve. Luftimet u arritën deri në trup më trup, përveç forcave të batalionit partizan që ishte brenda rrethimit. Dëme të konsiderueshme i shkaktoi armikut prapashpine në fshatin Vrap dhe çeta e Darsisë me komisar Sali Verdhën e komandant Nevruz Gjegjovën në bashkëpunim me çetën territoriale vullnetare dhe fshatarë të armatosur të fshatit Vrap. Luftimet përsëri arritën deri në trup më trup deri në të gjithë territorin e Pezës, ku zhvilloheshin këto luftime. Duke parë situatën shumë të rëndë, forcat partizane, çetat territoriale e vullnetare edhe populli i armatosur i Pezës që po luftonin me heroizëm nën udhëheqjen e Myslim Pezës direkt kundër 14.000 fashistëve italianë në rrethim, sipas udhëzimeve që kishin ju erdhën në ndihmë menjëherë çetat territoriale e vullnetare përreth Pezës: Zbarqe, Varosh, Kolje, Kryezi, Liz-Patros, Kërçukje, Pezë e Vogël, Pezë Helmës, Cikallesh, Leshtenjë-Çollak, Gërmaj, Harizaj, Mlik, Rustenjë, Mushnikë, Zanbishë, Okshtun, Thartor, Hemenraj, Hasdushkje, Damarkje, Garuje etj., të udhëhequra nga këshillat nacionalçlirimtare të këtyre fshatrave. Këto fshatra të armatosur e goditën gjithashtu, ashpër në shpinë fashistët italianë në vargun e kodrave: Qafa e Bazharit (Çelmetaj), Pajonë, Gjuz-Sulkonaj, shtëpitë e Qazim Llonit, Qafa e Kallmit, Garujë etj. Përveç ndihmës luftarake që dhanë këto fshatra, në të njëjtën kohë, u erdhën në ndihmë edhe familjeve, grave, fëmijëve, pleqve dhe plakave që përbëheshin prej 700 vetash, të cilët i evakuuan nga Peza e djegur e grabitur, e masakruar krejtësisht nëpër familjet e fshatarëve të tyre. Këto fshatra ishin prej kohësh baza të rëndësishme të formacioneve partizane të Pezës, si të tillë u gjendën edhe në këtë situatë tragjike ashtu siç thotë populli “Miku i mirë në ditë të vështirë”. Një ndihmë të madhe dhanë në këto luftime edhe në ato të mëvonshme skuadrat e mitralozave të rëndë 8 m/m Breda, të vendosur në kodrën e Zgurjeve me komandant Dyr Pezën dhe anëtarë të skuadrës Elez Zgura, Myrt Karaj, Muharrem Kodra, Mahmut Çullhai dhe Telha Zgura ish-pjesëtar i çetës patriotike antifashiste si dhe mitralozi i rëndë 8 m/m i vendosur në kodrën e Gjumsit të fshatit Mlik me komandant patriotin Qerim Gjumsi dhe anëtarë të skuadrës vëllezërit dhe të rejat e kësaj familje si dhe kryetari i këshillit të fshatit Hasan Çeka dhe Nuredin Meta, po kështu luftoi me mitralozin e tij të rëndë shënjuesi i shkëlqyer Baftjar Saku (Pasmaçiu), në kodrën e Dorëzit dhe qafën e Belbëve, i cili mbas çlirimit në luftë kundër bandave kriminale, Hasan Çeka, Nuredin Meta ranë dëshmorë të atdheut më 18.07.1946, ndërsa Baftjar Pasmaçiu me detyrën e komandantit të ndjekjes së kriminelëve në rrethin e Lushnjë bie dëshmorë në vitin 1946. Është vështirë të përmendësh emra pse ato ishin shumë partizanë të përkushtuar në luftimet me snajperë të shkëlqyer në luftë të ashpër kundër pushtueseve. Kishte të drejtë komandanti i çetës së parë të batalionit të parë “Peza” Nuz Hakrama, të cilit i thoshte Babë Myslimi se, “ju e vratë kolonelin Ludoviko De Bartolomeo, ju e rrëzuat avionin zbulues nazist gjerman në Ballashej të Pezës”. Nuzi i përgjigjet: ato i vranë plumbat e armëve të partizanëve të Pezës.

Masakrat

Si u rrafshuan 900 shtëpi dhe u vranë 24 gra

Fashistët bombarduan me artileri dhe me avionë gjithë territorin e Pezës në këtë operacion. Armiku në fushën e betejës la 300 të vrarë (mes tyre edhe kolonelin Ludoviko De Bartolomeo, nipi i Musolinit) dhe 500 të plagosur, mushka dhe kuaj të vrarë që ishin të ngarkuar me artileri të rëndë. Këto dëme armiku i pati në gjithë territorin e Pezës. Gjatë gjithë fazës së operacionit kundër forcave fashiste nga data 13-18-06.1943 përveç 200 partizanëve të batalionit, u ndeshën dhe luftuan me trimëri edhe 300 forca nga çeta territoriale dhe të gjithë fshatarët e armatosur me një raport forcash 1:28 në favor të armikut. Nga batalioni ranë në krye të detyrës Loni Grazhdani, trim i mrekullueshëm i Devollit si dhe u torturuan dhe u pushkatuan 25 shokë dhe shoqe, pleq e plaka të rinj dhe të reja anëtarë të çetave territoriale e vullnetare, heroizmi i të cilëve mbeti frymëzim dhe urrejtje për armikun, prej tyre ishin 12 gra dhe vajza. Armiku me humbje e mëdha që pati me njerëz dhe pajisje ushtarake përveç torturave dhe masakrimeve, ai u lëshua me egërsinë e bishës në të gjithë territorin e Pezës së Madhe, Pezë Helmës, Vrapit, Damianit, duke torturuar dhe vrarë 327 veta prej tyre 24 ishin gra dhe vajza me në krye Nënën, “Heroinë të Popullit”  Mine Peza, 18 fshatra u shkatërruan, në bazë të dokumenteve arkivore historike të komunës së Pezës, u dogjën 900 shtëpi, u grabitën 13.500 bagëti të imta, 3500 lopë dhe qe pune, 1000 kafshë ngarkese, 20.000 shpendë shtëpiakë, 1000 zgjoj blete, disa ton drithëra, bulmetra, vaj ulliri, stoli, dhe bizhuteri grash dhe vajzash pa llogari, u dogjën të gjitha të lashtat që ishin gati për t’u korrur etj.. E gjithë kjo hata, gjaku rrëke njerëzish, djegie dhe grabitje ku para fëmijëve e nënave pezake, të cilat nuk u përkulën për asnjë çast duke e përballuar me heroizëm këto masakra e barbarizma.

Sakrifica

Nëna që kërkoi të therte fëmijën

Është e pamundur të përshkruhen aktet e heroizmit masiv të pezakëve, por po përmendim vetëm tre raste: Nënë Zemane Idriz Fjolla kishte vajzën 3-4 muajshe në gji, Hurma Muharrem Fjolla, e cila qante ngaqë e ëma kishte disa ditë në pyll pa ngrënë, nga kjo i mungonte qumështi i gjirit. Zemanja u jep një sinjal partizanëve, të cilët erdhën pranë saj duke ju thënë atyre; “merreni dhe thereni vajzën, kjo po qan dhe nga kjo do t’ju zbulojnë fashistët. Un jam nëna e vajzës e nuk e ther dot se e kam fëmijë”. Shokët Shyqyri Peza, Kajo Karafili, Fadil Çelmeta dhe Haxhire Peza, ju përgjigjën: “Sa të jemi neve gjallë vajzës nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë. Po të vritemi neve edhe Hurma do të japë jetën bashkë me ne”. Një nënë tjetër Fatime Kodra (Barahysa) mbasi partizanët hëngrën darkën, u larguan nga kjo familje, por nëna e partizanit që mbante në krah mitralozin e lehtë 6.5 m/m (Vasil Pjetrit) i jep një pagure me vaj ulliri, Vasili i thotë nënës që ç’është, kjo neve hëngrëm bukë, nëna i thotë Vasilit se: edhe mitralozi që keni ju në krah do të hajë (të vajiset) që të vrasë fashistët sa më shumë. Ndërsa nëna 60- vjeçare Hamide Ibrahim Muka nga Ballashej i Pezës e pyet kapiteni fashist Likë Abazi, se ku ndodhet Myslim Peza me partizanët, ku strehohen ato. Ajo i përgjigjet se shkoni dhe pyesni 89 fashistët që lanë kockat në Pezë dhe në Ramush me 16.03.1941 dhe 22.06.1941, kapiteni e kërcënon duke i thënë se do t’ju djegim shtëpinë. Nëna qëndron në të sajën kapiteni i pushkaton djalin Ramazan Mukën, i vënë flakën edhe shtëpisë, duke e hedhur nënë Hamidenë në këtë zjarr!? Nëna para vdekjes thirri me të madhe: Poshtë fashizmi! Rroftë Shqipëria e lirë demokratike dhe Myslym Peza me partizanët! Kapiteni fashist me gjithë milicët e tij prej 45 vetësh u kapën rob. Nga kuadrot partizanë Nuz Hakrama, Xhevdet Petrela, Shaban Rexha, Maliq Muça, Emin Çelmeta, Sadik Barahysa, Ziso Dako dhe Bejto Bultica. Për krimet që kishin bërë kapiteni fashist Likë Abazi vetë i pestë, nga gjyqi partizan iu dha dënimin kapital më 24.09.1943 në Arbanë, ndërsa 40 të tjerët u lanë të lirë, të cilëve ju foli Babë Myslymi duke ju thënë: tani shkoni pranë familjeve tuaja dhe mos u merrni me gënjeshtrat që ju bëjnë eprorët tuaj, ata falënderuan Babë Myslymin për këtë akt human dhe logjik të tij.

EPILOGU

Duke përkujtuar 70 -vjetorin e krijimit të Çetës së parë patriotike antifashiste të Pezës, lë të kujtojmë edhe amanetin e 327 dëshmorëve të çetave, batalioneve, grupit partizan të Pezës dhe të brigadës XXII partizane, prej të cilëve janë gra dhe vajza me në krye nënën “Heroinën e Popullit” Mine Peza, amanetin e Babë Myslymit, të cilët na bëjnë thirrje që të mos kursejmë asgjë për këtë popull, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, për përparimin dhe lulëzimin e Shqipërisë.