Momentet më të rëndësishme të shkollës “Skënderbej”: Hapja nga Enveri dhe mbyllja nga Malaj

1101
Përgatiti: Engjëll Musai Drejtor i gazetës “Telegraf”

Tri momentet më të rëndësishme në historinë e shkollës “Skënderbej”
Doli nga shtypi volumi i tretë i librit “Skënderbegasit ndër vite….”. Promovimi në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsit. 73-vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”
Në historikun zyrtar të funksionimit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe në kujtesën e bashkëkohësve, drejtuesve të saj gjatë kësaj periudhe, vërehen dhe disa momente kritike që lidhen me fatin e saj. Referuar sa më sipër, ndër momentet delikate të ekzistencës së kësaj shkolle (1945-1992), janë:
Momenti i parë, hapja e shkollës
Kjo shkollë, u krijua me vendim të posaçëm të qeverisë së kohës, menjëherë pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, përkatësisht më 25 mars të vitit 1945. Motivet e hapjes të kësaj shkolle, jepen shkurtimisht dhe në urdhrin përkatës. Është periudha kur pas çlirimit, krijimi i ushtrisë së re të vendit, me bazë njësitë dhe repartet partizane, kërkonte dhe kuadro të shkolluar. Gjatë Luftës, shumica e komandantëve të nënreparteve e reparteve, u bënë të tillë në beteja e sipër, pa shkolla përkatëse profesionale. Vetëm me disa përjashtime, të disa ish-oficerë që lanë studimet jashtë vendit në mes apo të tjerë që braktisën regjimin e kaluar e që nuk i kishin lyer duart me gjak, duke iu bashkuar lëvizjes për çlirim. Por nevojat, tashmë, ishin për kuadro të reja. Për këtë arsye, u mendua nga qeveria e re, që të hapej shkolla e kadetëve, ku siç dihet, kadetin e parë, ishin djemtë e rinj partizanë që erdhën në bankat e dijes të kësaj shkollë, bashkë me armën që kishin luftuar kundër pushtuesve.

Urdhri për hapjen e shkollës së kadetëve (që mori emrin Shkolla “Skënderbej”), mbanë datën 8 dhjetor 1944, konceptuar nën okelion “Udhëzim drejtuar Shtabit të Korparmatës I për t’i hequr nga ushtria partizanët në moshë të vogël dhe për t’i dërguar në shkollë dhe është firmosur nga Gjeneral-kolonel Enver Hoxha. Ndër të tjera, në këtë urdhër thuhet: 

Në rreshtat e ushtrisë sonë ndodhen mjaft partizanë me moshë prej 12 deri në 15 vjeç, të cilët kanë luftuar së bashku me shokët e tyre të madhej. Meqenëse për së shpejti çelen shkollat dhe duke marrë parasysh se ajo kategori ka nevojë më shumë se kushdo për arsim, kjo komandë ka vendosur që t’i heqë nga ushtria dhe të interesohet t’i vendosë nëpër shkolla të ndryshme sipas gjendjes arsimore të secilit. Prandaj do të na paraqitni urgjentisht listat e partizaneve dhe partizanëve që përfshijnë kategorinë e mësipërme duke shënuar në të: emrin e mbiemrin, moshën, vendin e lindjes e të banimit, repartin ku bën pjesë, vjetërsinë si partizan, shkollën që ka bërë, ku, çfarë shkolle, sa klasa, kur është larguar nga shkolla dhe për ç’arsye. Për ata që s’kanë bërë shkollë do të shënohet, nëse kanë marrë pjesë në kurse analfabetizmi dhe në ç’gradë janë (kulturë) ose, nëse janë krejt analfabetë. Listat e përpiluara me kujdes do të na paraqiten sa më parë, sipas reparteve që i dërgojnë, pa pritur që të vijnë të gjithë për t’i dërguar…”

Mbi bazën e këtij urdhri, u operua në të gjitha njësitë e vendit. Me ardhjen e kontigjenteve të para, kur numri i kaloi të 200 partizanët e rinj, më 28 mars 1945, shkolla e kadetëve (që më vonë mori emrin shkolla “Skënderbej”), çeli dyert e saj.
Momenti i dytë. Këshilli i Mbrojtjes, Korrik 1967: Të mbyllet shkolla “Skënderbej”!
Pas 22 vjetësh të funksionimit të saj, nga udhëheqja më e lartë e kohës, merr në analizë ristrukturimin e bazës për furnizimin e ushtrisë me kuadro oficerë, e në këtë kuadër, dhe mbylljen e shkollës “Skënderbej” dhe tërheqjen e kontigjenteve për në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, me përzgjedhje nga shkollat e mesme të vendit. Kjo analizë bëhet në Këshillin e Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë më 27.05.1967. Për këtë ishin përgatitur nga sektorët përkatës, përfshi dhe drejtuesit e shkollës, relacionet përkatëse shoqëruar dhe me vendim, që në fakt, ishin dhe me kundërshti. Ja dhe vendimi përkatës, sipas dokumentit origjinal që gjendet në dosjen sekrete të Arkivit Qendror të Shtetit dhe Arkivin Qendror të Ushtrisë. Ja teksti i këtij vendimi: “VENDIM Nr. 5, datë 27.05.1967/’ MBI

KOMPLETIMIN E USHTRISË ME KUADRO DHE PERSPEKTIVËN E SHKOLLËS ‘SKËNDERBEJ’/ Këshilli i Mbrojtjes, pasi mori në shqyrtim kompletimin e ushtrisë me kuadër dhe perspektivën e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”,/

V E N D O S I 
Në Shkollën Ushtarake ‘Skënderbej’, duke filluar qysh këtë vit, të mos vinë nxënës të klasës së parë, por kontigjenti ekzistues të mbarojë këtë shkollë dhe në fund të vitit 1970 të mbyllet fare. Kompletimi i ushtrisë me kursantë për oficerë, që deri tani bëhej nga Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, të bëhet çdo vit me të rinj që kanë marrë maturën në shkollat e mesme të vendit, në bazë të nomenklaturave përkatëse. Ky problem të merret në dorë nga Komitetet e Partisë në rrethe e në ushtri, nga Komiteti Qendror i BRPSH, nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe nga Komitetet Ekzekutive të rretheve. Në ato zona ku nuk ka shkolla të arsimit të mesëm, të merren nga pushteti nxënës konviktorë pranë gjimnazeve, nga ata që mbarojnë arsimin tetëvjeçar, dhe në mbarim të arsimit të mesëm të dërgohen në shkollat ushtarake për oficerë.

Shkollën e plotësimit për përgatitjen e oficerëve në rezervë që duhej të hapej sipas vendimit të Qeverisë nr. 297, datë 4.8.1964, të mos hapet. Për përgatitjen e oficerëve në rezervë nga ata që mbarojnë shkollat e larta, të formohen shkollat ushtarake me bazë korpusi e njësie, sipas specialitetit. Koha e vazhdimit të mësimeve të jetë gjashtë muaj, nga e cila, katër muaj të bëhen në shkollë dhe dy muaj praktikë në repart me detyrë komandant toge. Si koha e qëndrimit në shkollë ashtu edhe ajo në repart të shfrytëzohen drejtë, me qëllim që kursantët të fitojnë kalitjen e nevojshme dhe të krijojnë koncepte të drejta për natyrën e detyrave ushtarake. Mësimet me studentët që mbarojnë këtë vit të fillojnë më 1 shtator, kurse në të ardhmen jo më vonë se dy muaj nga data e mbarimit të shkollave të larta./ Ky vendim hynë në fuqi menjëherë./PËR KËSHILLIN E MBROJTJES TË RPSH/ SEKRATARI I PARË I KOMITETI QENDROR TË PPSH/ ENVER HOXHA”.

Kjo mbledhje, sipas proces-verbalit përkatës që gjendet në arkiva, u shoqërua nga debate të shumta. Nga njëra anë ishin aparaçtikët e anëtarët e Komitetit Qendror që kërkonin mbylljen e shkollës (ku krahas të tjerave evidentohet dhe kosto ekonomike) dhe nga ana tjetër, drejtuesit e kësaj të fundit dhe ndonjë mbështetës tjetër i pranishëm. Dy nga argumentuesit e vazhdimit të ekzistencës së kësaj shkolle, ishin Luto Haxhiu, komandant i shkollës edhe drejtori i shkollës “Skënderbej”, Fahri Demiraj.

Argumentet e tyre bënë që projekt-vendimi për mbylljen e shkollës të mos miratohej.
Luto Haxhi, ndër të tjera argumentoi: “Shkolla ‘Skënderbej’ nuk duhet të mbyllet, pasi ka krijuar një traditë, është shkollë elitare me kontigjent të zgjedhur, nxënësit përfitojnë një edukatë ushtarake që është efektive e me rezultat kur merret në këtë moshë që është lehtësi për mësimet e kualifikimet në shkollat e larta ushtarake…”.

Fair Demiraj, argumentoi ndër të tjera: “Pa një edukatë të mirëfilltë shkollore të përbashkët, pa nevojën e formimit psikologjik në grup (jetesë, shkollim), pa është vështirë të arrihen rezultatet që duhen në një moshë më të madhe se shkolla e mesme. Ndaj, vazhdimi i aktivitetit në këtë shkollë, përgatit resurse më të mira për shkollat e tjera ushtarake dhe ushtrinë…” 
Momenti i tretë. Viti 1992, mbyllja e shkollës “Skënderbej”
Mbyllja e shkollës “Skënderbej” në vitin 1992, u parapri nga një sulm pa precedent dhe të pamoralshëm nga drejtuesit e shtetit të kohës, që jo vetëm hodhën ‘baltë’ mbi historinë dhe traditën e kësaj shkolle elitare, suke e cilësuar “shkollë jeniçerësh”, por në kuadër të të ashtuquajturës reformë, larguan nga puna e hodhën në rrugë një armatë ushtarakësh model, besnikë ndaj atdheut e flamurit, duke afruar dhe në këtë sektor të rëndësishëm, militantë e njerëz pa kualifikimin e duhur ushtarak. Ja dhe urdhëri përkatës për mbyllja e shkollës “Skënderbej”, (dokument sekret) që gjendet në dosjen nr. 1, viti 1992, Titulli i dosjes “Urdhër i komandës së repartit Nr. 222, mbi mbylljen e aktivitetit të kësaj njësie”, Afat i ruajtjes së përhershme të dosjes, sasia e fletëve 2, Filluar më 25.8.1992, mbaruar më 25.8.1992: URDHËR PËR MBYLLJEN E AKTIVITETIT TË SHKOLLËS “SKËNDERBEJ”/. Për të gjetur zbatim të plotë sipas afateve, Vendimi Nr. 3, datë 14.8.1992 i Këshillit të Mbrojtjes dhe Urdhri Nr. 159 datë 17.8.1992 të Ministrit të Mbrojtjes “Për mbylljen e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’,/ URDHËROJ: 

1-Brenda datës 18.8.1992, të merren në ruajtje ambientet e shkollës nga truproja e Reparti Ushtarak Nr 2350 në Tiranë.

2-Sektori i prapavijës dhe dega mësimore e shkollës të verifikojnë gjendjen fizike të ambienteve, kabineteve, laboratorëve dhe bazës tjetër materiale teknike dhe të dërgoj në Ministri, në Drejtorinë e Logjistikës, evidencën e materialeve.

3-Shefi i personelit, i financave dhe dega mësimore të përgatisin dokumentacionin shkollor(dëftesat, etj,) dhe trajtimin financiar për skënderbegasit dhe brenda datës 10 shtator t’i dërgojnë ato pranë degëve ushtarake të rretheve.

4-Shefi i personelit dhe financës, brenda datës 19.8.1992 të dërgojnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtorinë e Personelit dhe Organizimit, listën e kuadrove ushtarakë sipas specialiteteve dhe deri në datën 15.9.1992, të përgatitet dokumentacioni për daljen në asistencë të personelit mësimdhënës dhe punonjësve civilë të shkollës.

5-Ky urdhër të punohet me të gjithë efektivin e shkollës brenda datës 17.8.1992

6-Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ngarkohet shefi i degës mësimore dhe shefat e shërbimeve sipas përkatësisë./KOMANDANTI/ Kolonel Petrit Malaj (Firma, vula)”.
Enver Hoxha për hapjen e shkollës ‘Skënderbej”: Në rreshtat e ushtrisë sonë ndodhen mjaft partizanë me moshë prej 12 deri në 15 vjeç, të cilët kanë luftuar së bashkime shokët e tyre të madhej. Prandaj do të na paraqitni urgjentisht listat e partizaneve dhe partizanëve që përfshijnë kategorinë e mësipërme duke shënuar në të: Emrin e mbiemrin, moshën, vendin e lindjes e të banimit, repartin ku bën pjesë, vjetërsinë si partizan,shkollën që ka bërë, ku, çfarë shkolle, sa klasa, kur është larguar nga shkolla dhe për ç’arsye.
“Argumenti që bindi Enverin e Mehmetin të tërheqin urdhrin për mbylljen e shkollës ‘Skënderbej’: Shkolla ‘Skënderbej’ nuk duhet të mbyllet, pasi ka krijuar një traditë, është shkollë elitare me kontigjent të zgjedhur, nxënësit përfitojnë një edukatë ushtarake që është efektive e me rezultat kur merret në këtë moshë që është lehtësi për mësimet e kualifikimet në shkollat e larta ushtarake…Pa një edukatë të mirëfilltë shkollore të përbashkët, pa nevojën e formimit psikologjik në grup,jetesë e shkollim, është vështirë të arrihen rezultatet që duhen në një moshë më të madhe se shkolla e mesme. Ndaj, vazhdimi i aktivitetit në këtë shkollë, përgatit resurse më të mira për shkollat e tjera ushtarake dhe ushtrinë!”
Nesër do të lexoni:
-Historiku i plotë zyrtar i shkollës “Skënderbej”. Kush ishin femrat e para që nisën shkollën për oficere më 25 mars 1945.
-Ceremonia e hapjes së shkollës. Paraqitja e forcës nga komandanti i parë, Thoma Frashëri para 
Spiro Moisiut dhe prerja e shiritit nga ky i fundit.
-Parada e parë ushtarake e pasluftës më 10 korrik 1945, vlerësimi i kuadratit të skënderbegasve nga Enver Hoxha.
-Kush ishin Petrit Murzaku, Petrit Caslli etj, sportistët elitarë shqiptar dhe kontributi i tyre si pedagogë në shkollën “Skënderbej”
SHËNIM: Nisur nga telefonatat e shumta dhe pyetjet në rrjetet sociale, nga vendi e jashtë tij, lidhur me promovimin e librit “Skënderbegasit” ndër vite, njoftojmë skënderbegasit dhe të interesuarit e tjerë se një aktivitet që bëhet më 28 mars në Muzeun Historik Kombëtar, nuk ka asnjë lidhje me promovimin e librit që bëhet në kuadër të aktiviteteve zyrtare të “Vitit të Skëderveut-2018” dhe 28 marsit, 73-vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe mediatikisht.
Sigal