Misteret e Bilal Xhaferit

1709
Sigal

Pse heshti Enver Hoxha pas arratisjes së shkrimtarit, e vërteta për djegien e dhomës së Bilalit nga Sigurimi i Shtetit, letra drejtuar Ramiz Alisë dhe torturimi i Teme Sejkos

Letra drejtuar Ramiz Alisë: Bilal Xhaferri në NBSH Sukth, për tre muaj ka punuar 7 ditë në qershor, 14 ditë në korrik dhe 8 ditë në gusht të vitit 1967.

Sefer Pasha

Pse heshti Enver Hoxha pas arratisjes së Bilal Xhaferit?

Pakuptueshmëria e këtij libri

 

Pakuptueshmëria e këtij libri fillon me titullin “Kadareja i denancuar”. Pse ky titull që grah udhë të gabuara? Në librin voluminoz vetëm 15 fletë i kushtohen thagmës së betejës mes Bilalit e Kadaresë. Përveç Bilal Xhaferit që “dasmën” e shigjetoi dhe e denancoi edhe me letrën që i dërgoi Enver Hoxhës, lexuesi në libër nuk gjen “denancues” të tjerë, që ta kenë mavijosur duelin në mbledhjen e Lidhjes. Vini re! Vetë Enver Hoxha që kishte djeni për “proçkën” e Sigurimit i përgjigjet letrës së shkrimtarit Bilal Xhaferi vetëm me një fjali: – “As që ja vlen t’i përgjigjesh!” (faqja 115). Mbi bazën e asaj letre Enver Hoxha si egërshan i epërm ose do të kishte skërmitur dhembët, ose do të kishte folur mbase me gjuhë perëndish në ndonjë plenum (ka falur shumë artist me cene në biografi), se i gjuante këta personazh, por për letrën e shkrimtarit shumë të dhimbshme, e cila është një poemë, ai heshti. Jeta e Bilal Xhaferit është një odise e pabesueshme edhe në Amerikë. Por do të flasim një herë tjetër, se në këtë shkrim për shumë arsye jemi selektivë.

Në këto materiale të arshivuara që i botoi studiuesi Kaloçi ka plot pasaktësira. “Ustallarët” e kohës e quajnë të paimagjinueshme që Bilal Xhaferi, i cili për nga natyra nuk qe gricës dhe kishte drojën e thëllëzës, të shkonte jo në Sarandë, jo e jo, por as në Qafën e Gjashtës. E bënin copëra. Ai kishte “damkën” me vete.

Teme Sejko

 

Bilal Xhaferi kishte dëgjuar se në kodrat e Sukthit sigurimi kishte torturuar dhe mbytur me thonj një tjetër çam siç qe Teme Sejkua. Bilali që e jetonte traumën e izolimit i rrethuar nga të panjohurat në një shumësi realitetesh, nuk mund ta shfytyronte veten, se sigurimsat nuk ishin bulmeza. Shkrimtari mezi çapitej e bredhëriste nëpër balturinat e Shijakut e jo të shkonte në piramidë. Njerëz të pushtetit vendor kanë shkruar letra e kanë “kokrratur”sesi ishte e mundur që “armiku i popullit” Bilal Xhaferi të hajë e të pijë me oficerë të Sigurimit dhe të Kufirit. Këtë e ka “zbuluar” në librin “Kadareja i denancuar” vetë autori i librit Dashnor Kaloçi, i cili në faqen 105 citon ato që i kanë shkruar Ramiz Alisë titullarët e komitetit të partsë së Durrësit.

Në informacion thuhet: “Për shëmbull në NBSH Sukth, për tre muaj Bilal Xhaferi ka punuar 7 ditë në qershor, 14 ditë në korrik dhe 8 ditë në gusht të vitit 1967. Pastaj është larguar fare nga puna dhe pa lejë. Del pyetja se me çfarë ka jetuar”?. Dhe më tutje shkruhet, “Lëvizjet e tij në disa vende afër reparteve ushtarake dhe kufitare janë tepër të dyshimta, veç takimeve me elementë të dyshimtë dhe antiparti. Disa miq në Tiranë e kanë mbajtur me para”. Sot çuditem sesi nuk i është vënë “gërshëra e hardhisë”këtij informacioni të saktë. Rita Marko megjithë aparat u “enjtën” nga letrat e popullit ndaj e përcollën informacionin dhe ato katër fjali, na vijnë në ndihmë për të kuptuar se kush e shpalli “kolonel” Bilal Xhaferin dhe ai të delte në piramidën 53 pa të keq. Atëherë, kë të besojmë ato që thoshte nëpër “shkresurina” Sekretari i Parë i Tiranës Manush Myftiu, apo “gjurmën” faktike të “kapove” që e morën për “veshi” Bilal Xhaferin dhe i dhanë dorën disa metra brenda tokës greke, natyrisht me të “TRETIN”. Bilal Xhaferi qe njeri i trembur. Me ato që thuhen në librin e Kaloçit, Bilal Xhaferit, do t’i kishin vënë “byzylykët” e hekurave brenda në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve në sy të Fadil Paçramit (Thuhet se Paçrami kishte djeni për episodin mizor të “dasmës”). Punëtori operativ i burgut të Burrelit P. Nuredni, demokrat qysh në socializëm, kishte dëgjuar nga goja e Paçramit të burgosur se “dasma” qe një “pusi”. Pas shumë vjetësh, kur Fadil Paçrami kishte dalë nga burgu në një intervistë, më 15 tetor 2003, paçka se në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve i tha Bilalit “nepërkë” e të tjera, i bën pas të vjelave apologjinë, dhe e thotë fare shkoqur se ato që ndodhën me “dasmën” u gatuan në “Zyrën e legjendave, atje në Ministrinë e Brendshme”. (Po dal pakëz nga ledhi i arës së Bilal Xhaferit.) Sigurimsat prej akteve të guximëshme prisnin fruta, që edhe vet si kronikanë mbeteshin pa mend. Mjeshtrat e sigurimit të cilët e urrenin pazotshmërinë me marifet u futën në sarajet e kryeministrit të hyjnëzuar Mehmet Shehut kur ai ndiqej dhe në tualet. “Kodoshët” montuan përgjues dhe kamera të fshehta. Kërkohej të shpirtëzohej me çdo çmim e të pikasej radio dhënëse e marrëse. Por kur bënë kontrollin nuk gjetën ndonjë gjë për hajër. Gjithsesi në një nga pamjet e kamerave u shfaq ish-kryeministri me një person të panjohur në dhomën e tij të punës. U hetua pafundësisht, por kurrë nuk u mor vesh se kush qe ky hajn i paparë në Tiranë).Çufe Mullai qe “ylli” i Drejtorisë së Zbulimit, por sigurimsat e ndiqnin dhe në oborrin e mbretit Zog me dyshimin se mos Çufja luante rol të dyfishtë. Duket e pabesusheme, por është e vërtetë. Mote të shkuara Komiteti i Partisë në Gjirokastër e propozoi Çufe Mullain për ta bërë “Hero të Popullit”, mirëpo “lart” në Presidium emrit të Çufos për hero iu vu kryqi. Ishin të tmerrshëm djajtë e sigurimit prandaj të gjithë ministrat e brendshëm u pushkatuan. Po atëherë çfarë janë arkivuar? Bujashkat!?. Bilal Xhaferi nuk qe disident. U ngrit si sfinks nga hiçi dhe u përkrah pareshtmërisht me epërinë më të madhe nga të gjithë shkrimtarët. Është marri të thuash se këtë apo atë poezi të Bilal Xhaferit e nxorëm nga dosja e Sigurimit siç lexova një ese në një libër tjetër. Ku është kjo dosje? Ku? Për zyrtarët e ShIK-ut dosja e Bilal Xhaferit përbën “SEKRET SHTETËROR”. Kjo është përgjigja. Por nëse janë asgjesuar 10 mijë dosje siç përflitet ajo e Bilal Xhaferit është “gjallë”. S’ka burrë nëne që ta prekë me dorë atë dosje. Dhe po t’i hiqet peta këtij “lakrori”do qeshim me të madhe e do të themi se e gjithë ajo “dasëm” na paskej qenë një “mufkë”. E them mirfilli e me plot gojën, se përjashtimisht me ato që janë qepur në librin “Kadareja i denancuar” nëpër “shpella” ka “djaj”. Po ku? Pikëpyetjet në kapërxyellin e kohërave, ku ka vepruar fëlligësht dhe “ura e zjarrit”, është e zorshme që të gjenden hënëzime e le pastaj motive me diell. Po nuk është ky synimi i këtij shkrimi. Megjithatë assesi të arkivuarat në fshehtësi në të gjitha kahjet lipsen të dalin në dritë. Por të mos merremi me alkiminë e fjalëve e t’i shpërdorojmë ato që janë kapicë në arkiva e që e them sinqerisht nuk thonë gjë. Fiksoj një pikë.

Ku janë dosjet e Sigurimit të Shtetit?

Kjo është kryekreja e fjalës “denancim”. Aty do të gjenden denancuesit e rrejshëm e ata që herë në erë e herë në terr kanë lehur këlyshërisht. Si një re mugllore dyftyrakët u ngritën parrëfyeshmërisht në kor edhe për “Dimrin e vetmisë së madhe” të Kadaresë. Në lagjen e dikurëshme “10 korriku” ka qenë një vilë ku Sigurimi i Shtetit mbante një të huaj misterioz. Për t’i shërbyer “të huajit”punonin dy gra shërbyese shurdhëmemece. “Të huajt” i kishin bërë përshtypje shërbetoret shurdhmemece, që nuk i kishte ndeshur në asnjë vend të botës, ku ai shkonte me detyra. Njeriu i Kim Fibit ua kishte thënë këtë vëzhgim sigurimsave me të cilët bashkëvepronte. Dokumentet e Sigurimit janë në arshivin e SHIK – ut. Po a mund të merret si “dokument” e aq më pak si denancim letra e dhëndërrit të Kadri Hazbiut, Medin Çollaku, që ceket në librin “Kadareja i denancuar”. Letra e Medin Çollakut është shkruar nga humnera e Mirditës, ku atë e kishin sikterrisur dhe ai e kishte humbur pusullën. Kurse, vjehrrit, Kadri Hazbiut ia kishin shkulur dhëmbët e dhëmballët në burgun e Tiranës, që ai të mos kafshonte gjuhën e të bënte vetëvrasje. Si mund ta besoj lexuesi se Medin Çollaku paska thënë kështu e ashtu për reshjet e helmit për Kadarenë? Në përgjigje të letrës “babloku” Enver Hoxha bën këtë shënim: – “Ku ishte deri dje ky shok……., por po kujtohet të na i thotë tani këto gjëra”.Shkrimtari Bilal Xhaferi ishte i sigurtë në hapat që po hidhte se i kishte krahët e ngrohtë. Ai para se të ikë me një qetësi të akullt i hapet të motrës, Antikës, dhe i thotë asaj që të merrte të katër vajzat dhe burrin e të arratiseshin. Hajde jepi dum këtij detaji. Bilal Xhaferi ishte vetë i tretë dhe gjashtë persona ishte familja e së motrës e që bëheshin kështu nëntë vetë. Si do të futej vajza motake në telat me korent të klonit?! Përveç kësaj çfarë do t’i thoshte Antika, Selfo Hoxhës, i cili ia kishte lënë motërzezën në mes të katër udhëve. Nuk është e vërtetë që Bilal Xhaferi e la letrën në vijën e kufirit, e cila në atë terren nuk do të gjendej kurrë. Në faqen 121 autori citon “zbulimin”. Letra “është gjetur nga fshatarët e zonës kufitare që shkonin në ndihmë të postës kufitare për të punuar klonin dhe u është dorëzuar organeve kompetente”. Jo zoti Kaloçi! Nuk është kështu e vërteta. Sa për dijeni brezi i butë i klonit punohej një herë në gjashtë muaj nga fshatarë të kualifikuar. Për shkak të paprekshmërisë së kufirit në pllajat e Perdhikalit, Vulistrës, Janjarit e të lumit Pavlla kishte qindra kafshë të egra e letra do të kollofitej. Dhe një shtojcë e vogël, të cilën ma ka thënë qindra herë Meto Kondi. Në kundërshtim me rregulloren e kufirit komisari S. X., të nesërmen e datës 30 gusht pa zbardhur drita, pikërsht aty ku kaloi klonin Bilal Xhaferi, pa e pyetur komandantin, merr dy kufitarë dhe e punon atë që quhej brezi i butë në të dy anët e klonit. I fshiu të gjitha gjurmët që e vërtetonin arratisjen. Për një ngjarje si ajo e Bilal Xhaferit do të kishte një dokument me fjalë e me rrokje, të shkuar për fije të gjalmit së paku me 30 faqe mbi parimet bazike të kufirit, të përshkruheshin llojet e gjurmëve, statike, dinamike, madhësia, do merreshin kallëpet me allçi, nga vinin ata që u arratisën, në ç’piramidë e kaluan kufirin, lloj i këpucëve, pesha, gjatësia, numri i këmbës, ritmi i hapit, ankthi traumatik, largësia, nga kishte frytur era, vesa e rënë, gjurmët e kafshëve të egra dhe mjeshtëria e përdorur. Shteti qe i fortë. Dokumentohej dhe arshivoheshin edhe qimet e lepurit në telat e klonit. Por për “skuadrën” e Bilal Xhaferit nuk u mbajt asnjë shënim. Meto Kondi me shtabin mori zhgënjim e kundërpërfytyrim për atë që ndodhi. Nuk u përpilua asnjë dokument protoorigjinal, i cili së paku duhet të ishte në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.Dhe disa ditë më vonë komisariS. X. në vend që të arrestohej e ngrenë në përgjegjësi dhe e çojnë në Ministri. Gjithashtu jam i detyruar ta sqaroj autorin e librit, se kloni në Përroin e Gjergjicës, ku kaloi Bilal Xhaferi në postën kufitare të Vulistrës, ishte larg nga vija e kufirit. Që nga Përroi i Gjergjicës për të dalë në piramidën 53 duhej natën afërsisht dhe një orë udhë nëpër mal. Pikë së pari, Bilal Xhaferi s’do të guxonte të udhëtonte me “takëme” nëpër zgërqe siç qe letra qysh nga Livadhjaja. Letra po të kapej patregueshmërisht do ta fuste shtatë pashë nën tokë. Si mund të mbahej në xhep një letër aq kompromentuese e të kaloje në ato jaze me tela e plumba? Janë pikërisht hamendësimet e zotit Kaloçi, prandaj nuk merret vesh se ku është studjuesi i arkivave e ka analisti. Kuptohet që autori i librit “Kdareja i denoncuar” nuk ka si ta dijë se ku bie kloni, ku piramida e ku qeni i kufirit. Ato që janë në arkiva janë “thërrime”. Sigurimi funksiononte misteriozisht. Që nga punëtori operativ që e kurthëroi Bilal Xhaferin e deri tek oficeri S. X., i cili e nxori grupin në piramidën 53 i dinin detyrat. Si sigurimisat dhe ata të kufirit mplekseshin përtej dukjes në ag dhe muzg. Ata ishin personazhe të një romani, shpesh me kahje të kundërta, brenda oazit nuk kishin njohje, vepronin në fshehtësi qelizë më qelizë për të njëjtin qëllim për të përtejmen pa udhë të kollajta. Pa qenë skajshmërisht në asht të shpirtit intrigant si Jagoja të shpërfaqnin dhe nuk të paranonin në vath. Qenë të pafe e nuk kishin atdhe. Papërcaktueshmëria dhe e paimagjnueshmja në kombinacione ishte pjesë e universit të tyre. Dhe pas suksesit nuk festonin. Meto Kondi më thoshte shpesh se atë e “turpëroi” Sigurimi i Shtetit e jo Bilal Xhaferi. Të nësërmen e datës 30 gusht 1969 ai merr me vete gjurmëtarin popullor nga fshati Leshnicë. Gjurmëtari fotografoi “vazhdën” e lëvizjes, fijet e këputura të barit, vezë harabeli të thyera, njëri ka ecur çaprazçe se ka qenë pakëz i dehur, (ikën nga festa me mish e raki), burimin ku ishin ulur në gjunjë dhe kishin pirë ujë, dy herë ishin futur në udhë qorre, një cigare të markës DS, si dhe një zog të plagosur gjatë trembjes. Gjurmëtari e kontrollonte “vazhdën” e udhës në të dy anët. Por letër nuk gjeti. Nuk ishin gjashtë gjurmë, por tetë. Ishte dhe gjurma e komisarit S. X., i cili qe kthyer jo nga Përroi i Gjergjicës, por nga bregu i Lumit Pavlla. Pas 15 ditësh tek piramida 53 forcat kufitare greke e nxorën Bilal Xhaferin me kokë të qethur. Grekërit këtë e bënin me të gjithë ata që arratiseshin. Iu bënin qindra pyetje. Meto Kondi megjithëse me dylbi me zor e njohu Bilal Xhaferin e bërë kockë e lëkurë në kampin e Athinës (vinin lajmet). Të gjitha këto detaje Meto Kondi ua kishte dhënë me shkrim sigurimsave dhe Drejtorisë së Kufirit në Tiranë. Ku janë?Letrën e diktuar dhe të shkruar detaj më detaj sigurisht nga Bilal Xhaferi e arshivuan po sigurimsat në degën e punëve të brendshme të Sarandës, më 3 shtator 1969. Arratisja ia bëri “mu”, por “mu” ja bëri më shumë fakti që asnjë oficer kufiri nuk u dënua. Për atë ngjarje domosdo do të kishte kuadro të kufirit të burgosur e të lipsur në internim. I kunati i Bilal Xhaferit, Selfo Hoxha kur kthehet në Sarandë nga Çikagua pas 22 vjetësh në një intervistë i ngucur gagarit e nxjerr nga “bardhaku” një thënie të çuditëshme për të anatemuarin Bilal Xhaferin. Selfua si në makth për qerthullin e arratisjes thotë: – “Bilalin e burgosën në Janinë. Sigurimi kishte ndërhyrë deri këtu”. Megjithëse Selfo Hoxha është jashtë “komplotit”, midis Bilalit dhe Sigurimit, ai çoç ka nuhatur paçka se sigurimi s’kishte asnjë tagër e as interesa lëndore ta burgoste Bilal Xhaferin në Janinë. Ka dava Janina, paska thënë palumturisht Bilal Xhaferi kur grupi është ndarë në Janinë për t’u bashkuar në Çikago. Për dobi të ilustrimit gjithashtu nuk qëndron as dëshmia tjetër e Selfo Hoxhës, se në vitin 1983, Bilal Xhaferit, i dogji Sigurimi dhomën e punës. Sigurimi në vitin 1983 kishte filluar të vithisej. Merrte lajme të tmerrëshme. Mehmet Shehu kishte vrarë veten, kurse Enver Hoxha ishte në buzë të varrit. Ndihej paniku. Qysh në nëntëdhjetën qindra sigurimsa ikën nga sytë këmbët nëpër botë e gjetën “strofkulla” tek “vartësit” e tyre. U alkolizuan dhe pati vetëvrasje. Ata që janë gjallë kur i pyes për ngjarje si ajo e Bilal Xhaferit më thonë: – “Ik! – Këput qafën!” Bilal Xhaferi dhe në Amerikë pati peripeci që mbetën enigmë e nuk u sqaruan kurrë. S’u mësua e vërteta, se përse e plagosën botuesin e “Krahut të Shqiponjës” me thikë. Rasti është hipotetik. Pse u “çmend” Bilal Xhaferi në Amerikë?Për vjershën e titulluar: – “Poetit Ismail Kadare”, botuar në “Krahun e Shqiponjës”, Bilal Xhaferi thotë: “Kjo poezi është shkruar natën e arrestimit tim pas kritikës që i bëra romanit “Dasma”. Mirpo Bilal Xhaferi nuk është arrestuar ndonjëherë. Krimologët e Sigurimit thonë se me atë që ndodhi pas dramës së “dasmës” Bilal Xhaferi në zgripin ekzistencial të fatit ose do të kishte vrarë veten, ose për gjithë natën me det a me mal do të qe larguar nga Shqipëria. Si mund të rrinte brenda në zgafella? Por shkrimtari flinte mbi dafina. Dhe e kreu “porosinë” 16 muaj më vonë. Diskutimi i “dasmës” u bë në prill të vitit 1968 kurse arratisja në 30 gusht të vitit 1969. Një nga biografët e Bilal Xhaferit, Aida Tuci, është më intuitive, e paanshme, “shqelmon” faktet që nuk e bindin, e ndjen dramën dhe muzën e shkrimtarit, s’i ndahet misterit, e çmitizon kur e gjykon, se shkrimtari nuk ka të drejtë, dhe përmes hijes e dritës synon të rrokë të vërtetën. Libri “Rreth dosjes Bilal Xhaferi” është i menduar.