Prof.Luan Malltezi: Ngritja dhe rënia e Akademisë së Shkencave. Mozaikë me kujtime për Profesor Aleks Buda

901
Sigal

Ngritja dhe rënia e Akademisë  së Shkencave

Prof. Buda ishte një nga studiuesit e paktë që njihte mirë studimet albanologjike të kohës

Luan Malltezi

Kohë më parë, kryeministri Rama deklaroi me një mesazh të shkurtër në “Facebook” se nuk do ta financonte më Akademinë e Shkencave nëse ky institucion nuk “reformohej”, dhe se financimet për Akademinë do t’ua kalonte universiteteve për kërkime shkencore. Ky është qëndrimi i tij pas kritikave publike bërë më parë ndaj Akademisë së Shkencave nga prof. Artan Fuga. Akademia e Shkencave, sipas tij, është kthyer në një gërmadhë, që nuk u jep më asgjë Shqipërisë, shkencës, albanologjisë. Në atmosferën e rëndë të krijuar rreth Akademisë, nënkryetari i saj deklaroi se “për arsye personale” hiqte dorë të parevokueshme nga detyra e tij. Ngjarja që po ndodh me Akademinë e Shkencave më shtyn të jap kujtimet e mia si ish-punonjës në Institutin Histori-Gjuhësi për formimin e Akademisë dhe zgjedhjen në krye të saj të prof. Aleks Buda. Por jo vetëm kaq.

Akademia e Shkencave u krijua më 10 tetor 1972 me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Krijimi i saj erdhi pas punës së arritur për disa dekada me radhë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Shqipëri. Në vitin 1972, në Shqipëri vepronin 25 institucione kërkimore-shkencore. Akademia mendohej të ngrihej si institucion për zhvillimin e mëtejshëm të shkencave në përgjithësi dhe atyre albanologjike në veçanti. Njoftimi për ngritjen e Akademisë erdhi papritur në Institut. Ai ngjalli gëzim të natyrshëm dhe diskutime të shumta midis punonjësve shkencorë. Një nga çështjet që filluam të diskutonim ishte se kush mund të ishte kryetar i saj. Një pjesë ishin të mendimit se mund të ishte drejtori i Institutit Histori-Gjuhësi, prof. Androkli Kostallari. Të tjerë mendonin se mund të ishte prof. Aleks Buda. Atë ditë morëm vesh se profesorin e kishin thirrur për këtë problem në Komitetin Qendror. Pas paraqitjes në KQ, prof. Buda u nis në Austri. Sakaq lajmi mori dhenë se prof. Aleks Buda ishte caktuar Kryetar i Akademisë së Shkencave. Buda ishte atëherë shef i Sektorit të Historisë së Mesjetës, Anëtar i Këshillit të Lartë Shkencor në Institutin Histori-Gjuhësi; ai qëndronte pranë Kostallarit si konsulent për problemet historike që trajtonte Instituti.

Pas kthimit nga Austria, prof. Buda erdhi në sektor për të takuar kolegët. Sektori ndodhej në katin e tretë; bashkë me të erdhën edhe punonjës të tjerë të Institutit; të gjithë ndiheshin të gëzuar për formimin e Akademisë së Shkencave dhe zgjedhjen e prof. Budës kryetar të saj.

 

-Në Universitetin e Vjenës dhe Institutin Ballkanistik (1930-1935) në Austri ai kishte marrë mësime nga profesorë të njohur si Karl Patch, Reiniger dhe Norbert Jokl.

-Prof Buda kthye nga Austria me 10 mijë libra shkencorë të sistemuar në kuti të shumta

– Në Shqipëri, Buda punoi në  vitin 1940 profesor në Liceun e Korçës dhe më 1943 profesor në gjimnazin e Tiranës

Buda gëzonte autoritet të plotë në Institut; ai ishte një figurë e njohur për kapacitetin e tij shkencor si historian; profesori luante rol kryesor në përgatitjen për botim me nivel të lartë shkencor të revistës “Studime historike”; ai përfaqësonte Shqipërinë në institucionet shkencore me karakter ballkanik; ishte historiani që kishte lidhje dhe korrespondencë me personalitetet më të njohura të botës shkencore jashtë. Prof. Buda ishte një nga studiuesit e paktë që njihte mirë studimet albanologjike të kohës; në Universitetin e Vjenës dhe Institutin Ballkanistik (1930-1935) në Austri ai kishte marrë mësime nga profesorë të njohur si Karl Patch, Reiniger dhe Norbert Jokl.

Në fund të takimit në sektor, historiani Stavri Naçi, që i kishte siguruar profesorit veturën për t’u nisur në Austri, tha: “Po, po profesor, por unë i gjori me zor gjeta një veturë për të të çuar në Rinas kur u nisët në Austri, kurse dje, kur u kthyet në Rinas, kishin dalë me dhjetëra makina për t’ju pritur; njerëzit janë të zgjuar profesor, e morën vesh që u bëtë Kryetar i Akademisë dhe nxituan t’ju presin”. Fjalët e prof. Naçit shkaktuan të qeshura te studiuesit.

Buda u kthye në Shqipëri në shkurt të vitit 1939; kthimi i tij befason të gjithë shqiptarët ai u kthye nga Austria me 10 mijë libra shkencorë të sistemuar në kuti të shumta; shumë nga këto ishin libra të autorëve të vjetër evropianë, që flisnin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Buda i kishte kërkuar këto prej vitesh te bukinistët e shumtë të Vjenës; ai kishte kontrolluar këto bukinistë “një herë në dy javë” për vite e vite me radhë gjatë qëndrimit të tij në Vjenë. Në Shqipëri, Buda punoi më 1940 profesor në Liceun e Korçës dhe më 1943 profesor në gjimnazin e Tiranës. Më pas kaloi në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku u zgjodh nënkryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për zonën e Elbasanit. Pas çlirimit ai punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare themeluar më 1922. Me punën e tij ai i dha kësaj biblioteke karakterin e një institucioni të thellë shkencor. Në maj 1946 Buda kaloi si shef sektori në Institutin e Shkencave. “Përpara se të kaloja nga Biblioteka Kombëtare në Institutin e Shkencave, – shkruan Buda, – isha këshilluar edhe me Kostaq Cipon. Ai ishte i mendimit që t’i përgjigjesha pozitivisht emërimit në institut për të mbuluar një fushë ku kish nevojë shkenca jonë e re kombëtare”. Angazhimi i Budës si drejtues i sektorit të mesjetës ishte, siç shkruan ai, “detyra për të shkruar Historinë e Shqipërisë”. Lidhur me këtë problem, Buda deklaronte në fillim të vitit 1947 në Institut se: “Ne, ndoshta s’do t’ia arrijmë këtij qëllimi të fundit, por do të kemi kënaqësinë, se të paktën vumë bazat për hartimin e historisë sonë”. Nën drejtimin e prof. Budës sot shqiptarët kanë historinë e tyre kombëtare në katër vëllime. Buda bëri punë kolosale si drejtues i sektorit për skedimin e materialeve për periudhën e viteve 1878-1939. “Filluam skedimin e veprave të të gjithë albanologëve të huaj që përmendnin Shqipërinë, gjithashtu, edhe revistat e çdo botim tjetër brenda dhe jashtë vendit (sidomos enciklopeditë e huaja) që kishin material për Shqipërinë”; etj. Kjo punë u shtri me kohë edhe në mbledhjen e dokumenteve të kohës nga botime të akademive dhe instituteve të rëndësishme shkencore evropiane dhe botimin shqip të tyre në vëllime të veçanta.

Puna për drejtimin e Akademisë së Shkencave ishte një sfidë për prof. Budën. Për të realizuar këtë detyrë ai punonte pasditeve në Bibliotekën Kombëtare; këtu profesori qëndronte në radhën e fundit të tavolinave duke lexuar për orë të tëra artikuj të ndryshëm me karakter historik, gjuhësor, etnografik në revista e botime shkencore të huaja. Ai kthehej në këmbë në shtëpi vonë kur mbyllej Biblioteka Kombëtare. Siç morëm vesh, e thirrën lart ku e “këshilluan” se duhej të lëvizte me makinë, sepse ishte e pakuptueshme për dinjitetin dhe personalitetin e tij si Kryetar i Akademisë së Shkencave të ecte në këmbë?! Pas kësaj makina luksoze e profesorit qëndronte orë të tëra pranë lulishtes së Bibliotekës në pritje të tij.

Nën drejtimin e prof. Budës, Akademia e Shkencave arriti rezultate të rëndësishme në fushën e studimeve albanologjike. Buda udhëhoqi punën për botimin me sukses të Bibliografisë së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut; ai organizoi Konferencën Kombëtare me rastin e 500-Vjetorin të vdekjes së Skënderbeut si dhe Konferencën Kombëtare me rastin e 100-Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Akademia, nën drejtimin e prof. Budës, realizoi kërkime arkeologjike në mbarë vendin; ai organizoi konferenca dhe simpoziume shkencore të shumta në fushat historike, etnografike, arkeologjike; në këto veprimtari morën pjesë autoritete të larta shkencore nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës.

Si Kryetar i Akademisë së Shkencave

Si Kryetar i Akademisë së Shkencave, Buda ndiqte me vëmendje botimet, që studiuesit shqiptarë bënin në Kosovë, dhe Maqedoni. Ai gjente kohë të bënte takime pune me studiues nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Shkupit që vinin të ftuar nga Akademia e Shkencave për kërkime shkencore në Shqipëri.

Buda nuk ishte një historian i thjeshtë; ai kishte kryer studimet e larta në Austri për Filozofi dhe Letërsi. Kjo është arsyeja që shpjegon pse ai ishte në gjendje të realizonte referate shkencore në konferenca e simpoziume të mëdha me karakter kombëtar, organizuar në Tiranë, si “Etnografia shqiptare dhe disa probleme të saj” (Tiranë, 1976); “Lidhja e Prizrenit dhe rrënjët e saj historike” (Tiranë, 1978); “Etnogjeneza e popullit shqiptar në dritën e historisë” (Tiranë, 1982); “Eposi dhe historia jonë”(Tiranë, 1983); “Etnogjeneza e popullit shqiptar në dritën e historisë” (Tiranë, 1982) etj. Prof. Buda ishte ai që organizoi Kuvendin I të Studimeve Ilire” (Tiranë, 15-20 shtator, 1972); ai ishte edhe kryeredaktor i botimit të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Tiranë, 1985).

Në sektor nuk kisha pasur rast të dëgjoja Budën për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Dija se Buda njihte serbishten, dokumente të vjetra serbe siç ishin diplomat serbe; ai i kishte botuar të përkthyera shqip në vëllime më vete me karakter historik; Buda ishte edhe autor i hartimit të tekstit për periudhën e sundimit serb në Shqipëri në botimin akademik “Historia e Shqipërisë”. Por rasti e solli të dëgjoja prof. Budën kur erdhi në sektor me një punonjës shkencor që kishte përgatitur për botim “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në mesjetë në shek. XVI-XVII”, bazuar në të dhënat e regjistrave osmanë. Buda kishte vlerësuar këtë studimin në Këshillin Shkencor, por kishte kërkuar që autori të trajtonte në hyrje marrëdhëniet shqiptaro-serbe në shek. XIV për të treguar se shqiptarët ishin në trojet e tyre në Kosovë që para pushtimit osman. Atë ditë dëgjova prof. Budën më shumë se një orë të fliste për marrëdhëniet në fjalë; studiuesi në krah të tij përpiqej të mbante shënim fjalët e profesorit; ai e përfshiu si kapitull më vete në librin e tij komunikimin shkencor të Budës. Më vonë ai e botoi atë, por pa përmendur profesor Budën!?! Kjo ndodhte, në fakt, me të gjitha botimet që bëheshin në institut: prof. Buda bënte vërejtjet themelore për çdo punim në Këshillin Shkencor; studiuesit rregullonin vërejtjet e kërkuara dhe në botim falënderonin kolegët për ndihmën e dhënë për botimin e veprës. Për Budën ky nuk përbënte asnjë problem; për të kishte rëndësi vetëm botimi me sukses i punimeve shkencore.

Një takim të tillë prof. Buda bëri më 1991 me dy studiues të huaj. prof. A. Ducellier dhe prof. P. Schreiner, të ftuar në Shqipëri me rastin e 800-vjetorit të formimit të Shtetit të Arbërit. Profesori atëherë ishte i sëmurë dhe qëndronte në shtëpi. Drejtori i Institutit më caktoi mua t’i shoqëroja për në shtëpi të tij. Miqtë u pritën përzemërsisht nga prof. Buda. Pasi mbaruam vizitën dhe dolëm jashtë prof. Ducellier më tha i tronditur: “Luan, profesor Buda qenka i varfër!” Mbeta disi i habitur, sepse atëherë nuk konstatonim varfëri midis nesh. Vërejtja e studiuesit të shquar francez më ngacmon të them diçka me rëndësi për lexuesin; prof. Buda, si zyrtar i lartë kishte sigurisht një rrogë të mirë në raport me të tjerët, por ai kishte zonjën e tij të nderuar, Vasilikën, të papunë; ajo kishte kryer Liceun e Korçës, por nuk punoi shumë, sepse ishte e angazhuar me të shoqin, fëmijët dhe punët e shtëpisë. Buda shkruante shumë artikuj në shtypin e kohës, por asnjëherë nuk pranonte të merrte honorare për to; “t’i kthehen kopshteve dhe çerdheve”, ky është shënimi që vinte, ky studiues i shquar te faturat që vinin për këto artikuj; Buda nuk pranonte honorare të tilla, sepse ishte i ndjeshëm për gjendjen jo të mirë ekonomike të vendit, varfërinë që konstatohej nga të gjitha anët. Them kështu, sepse më bënte përshtypje fakti: që kur dilte nga biblioteka profesori ndalej në dalje të saj dhe shikonte me shumë vëmendje njerëz të varfër që qëndronin grumbull aty në dimër. Nuk mund të harroj në këtë rast edhe vërejtjet e tij në sektor për të shkruar letrat nga dy anë! Pse vallë ishte kjo ndjenjë kaq e forte kursimi te ky njeri gjigand?

 Më kujtohet këtu edhe një ngjarje interesante kur profesori po shkonte me pushime në Durrës.

Nuk më kujtohet pse isha atë ditë me të në makinë. Prof. qëndronte para me shoferin. Kur hymë në Ndroq makina ndali dhe profesori zbriti prej saj. Nuk kuptova asgjë pse zbriti; pas pak pashë në pasqyrën e makinës që po kthehej duke mbajtur me të dy duart një arkë të vogël druri me fruta të verës. U çudita kur pashë sepse në Ndoq bëja zbor prej 15 vjetësh, por nuk kisha parë ndonjëherë fruta në shitje. Dola menjëherë nga makina për t’ia marrë arkën, por profesori m’u përgjigj: “Jo more djalë, jo, – kjo sot është një mrekulli për mua”. Ndoshta gaboj, por atë çast isha i bindur se gëzimi i profesorit nuk vinte aq nga frutat, sesa për faktin se ai kishte parë fshatin ashtu siç dëshironte ai: një fshat me prodhime për të shitur.

Ajo që bënte përshtypje te ky personalitet i madh i kohës ishte thjeshtësia e tij e jashtëzakonshme. Ne, të rinjtë e sektorit, befasoheshim nga kontaktet me të në zyrën e tij në Akademi; sapo hyje, ashtu i ndrojtur, profesori ngrihej nga tavolina e punës dhe ulej me ty në tavolinën e madhe për të biseduar për probleme pune!! Përshtypje po ashtu bënte respekti që ai ndiente për miqtë e tij të vjetër. Përshtypje edhe sot më bën përshkimi i Budës për ish-drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Sotir Kolea, kur vajti për një konsultim; Buda e gjeti atë të vetmuar duke punuar… “O kujtim i shtrenjtë, – shkruan Buda! Një plak rri kërrusur mbi tryezë dhe mbulon me shkrimin e tij të imët kartën e zbetë… Era fryn nga të katër anët në dhomën e zhveshur e ftohtë. Plaku i ngarkuar shkruan dhe harron se i janë ënjtur këmbët nga palëvizja; harron se ndoshta nuk ka bukë për të ngrënë dhe zjarr për t’u ngrohur…”. Buda kishte nderim të veçantë për prof. Ҫabejn; ai mbante në tavolinën e punës fotografinë e tij. Po kështu në pushimet e tij verore në Pogradec Buda do të shkonte gjithmonë për një vizitë te miku i tij i rinisë poeti Lasgush Poradeci. Miq të mi në Pogradec më kanë thënë se nuk kuptonin dot si qëndronin me njëri-tjetrin; për orë të tëra me dritë shuar, këta miq të vjetër pa folur midis tyre; kujtonin vallë rininë dhe atdheun e tyre të dytë Austrinë, kryeqytetin e saj të mrekullueshëm Vjenën? Kush mund ta dijë vallë?

Jeta

Lindi në Elbasan më 7 shtator 1910.  Mësimet e para Aleks Buda i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vienës, në Institutin Ballkanistik (1930 – 1935) ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Patsch, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush PoradecinSkënder LuarasinEqrem ÇabejnKrist MalokinQemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie. Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës (që nga shtatori 1939), ndërsa më 1940 transferohet në Liceun e Korçës. Në fund të viti 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës pranë profesorit të njohur Karlo Taljavini për t’u kualifikuar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme ballkanike dhe të shqipes, por pas një viti kthehet në atdhe, për shkak të luftës. U lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit ANÇl të qarkut të Elbasanit.

Nesër do lexoni:

  • Dilte nga shtëpia më mëngjes dhe kthehej në mbrëmje
  • Buda kujton me respekt në kujtimet e veta miq si Sejfulla Malëshova, Naxhije Duma, Theofan Popa të goditur nga regjimi.
  • Di debatoi Buda më Kocci Xoxen për minierën e Mborjes

 

Buda jetoi një kohë të vështirë në Shqipëri; ai përjetoi me shumë kënaqësi çlirimin e vendit dhe punoi me kënaqësi për detyrat e vështira që mori përsipër. “Dilja nga shtëpia në mëngjes dhe vija pas mesnatës në shtëpi”,- shkruan në kujtimet e tij Buda kur punonte si Drejtori i Bibliotekës Kombëtare. Por duhet thënë se koha kur ai jetoi dhe punoi ishte e vështirë; ai punoi në një sistem që persekutoi shumë miq të tij të mirë; ai ishte socialdemokrat në bindjet e veta; donte vendin, popullin e tij dhe punoi me përkushtim për të. Buda kujton me respekt në kujtimet e veta si miq të tij figura si Sejfulla Malëshova, Naxhije Duma, Theofan Popa dhe shumë të tjerë të goditur fatalisht nga regjimi.

Goditje nga regjimi kishte pësuar edhe familja e së shoqes Stratobërdha, ish-pronarë të minierës së Mborjes, sekuestruar nga shteti. Buda shkoi për këtë problem te ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, që e njihte që nga koha e luftës. “Si ka mundësi vallë, – tha ai, – që të merret me një të rënë të lapsit një pronë e vënë me aq mund?” por ministri iu përgjigj: “Aleks, ku rron ti? Po ky është rezultati i fitores dhe fuqisë së proletariatit për të cilin luftuam!”

Në kujtimet e tij mësojmë se ai mori përsipër të shkruante “lart” letra në emër të njerëzve të gruas për problemet që kishin me regjimin, sepse letra të tilla duheshin shkruar me shumë kujdes; Buda flet me dhimbje për kunatin e tij të talentuar, Viktorin, që u dëbua nga Tirana mbas diskutimit të tij në Konferencën e Tiranës së vitit 1956.

Goditje regjimi kishte dhënë edhe brenda familjes së Budës. “Në fillimet e vitit 1948, – shkruan Buda, – morën në burg tim vëlla Stasin se ai së bashku me Mihalin, si trashëgimtarë të farmacisë së babait, s’kishin arritur të shlyenin tatimin e jashtëzakonshëm. U kërkonin një shumë jashtë fuqive për të ardhurat që kishin nxjerrë”. “Stasin, – shkruan më tej Buda, – e çuan në punë të detyruar për tharjen e kënetës së Maliqit” dhe pas një viti e ca e liruan. Megjithëse njihte mirë regjimin dhe ishte i kujdesshëm me të, prof. Buda nuk u tërhoq, por nderoi me kurajë të plotë miqtë e tij të goditur padrejtësisht nga regjimi. Kam parasysh këtu pjesëmarrjen e Budës në varrimin e gjuhëtarit të shquar prof. Selman Riza, të dëbuar nga Instituti Histori-Gjuhësi më 1967 në kohën e fletë-rrufeve, që pengonin “marshimin tonë përpara”, siç thuhej në atë kohë. Prof. Riza ra viktimë e kësaj kohe; ai u transferua në muzeun e Beratit ku kaloi jetën në vetmi të plotë. Prof. Buda e nderoi me kurajë të plotë mikun e tij në ceremoninë e varrimit. Pjesëmarrja e Budës në varrim dhe fjalët e tij në nderim të veprës së prof. Rizës bënë bujë në Institut. Por, jo, vetëm te ne. Me këtë qëndrim ai kishte tronditur edhe njerëzit e familjes, vëllezërit e tij. Them kështu, sepse në një vizitë që bëmë në shtëpinë e Budës, vëllai i tij i madh, Mihali, kujtoi këtë qëndrim të të vëllait që e kishte lënë atëherë pa gjumë: “Atëherë Aleks, thashë se na more në qafë të gjithëve me atë nderim ndaj Rizës, po shyqyr që kaloi pa dëm”. Kujtoj prof. Budën pas këtyre fjalëve; nuk tha asgjë, por pa shumë i menduar, të vëllanë. A ishte ai kundër regjimit? Absolutisht jo; ai ishte deputet në Kuvendin Popullor; qëndrim i tij në nderim të gjuhëtarit të shquar nuk bëhej si sfidë ndaj regjimit, por si nderim për punën kolosale të tij kushtuar popullit të vet; ai ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe kjo ishte detyra e tij.

Në kohën kur Shqipëria jetonte e mbyllur politikisht, prof. Buda shkëlqente në perëndim si studiues i talentuar duke ngritur lart historinë e vendit të tij. Ndonëse ai ishte në kontrast me regjimin nga natyra dhe karakteri, ai bëri shumë për të ndihmuar vendin, popullin dhe qeverinë e tij të paralizuar me koncepte e slogane absurde të majta. Rasti iu dha gjatë vizitës së Kancelarit të Landit të Bavarisë z. Shtrauss në Shqipëri më 1985. Buda u caktua si shoqërues i tij nga Enver Hoxha. Shtraussi u befasua nga personaliteti i jashtëzakonshëm i Budës sapo hyri në kufi; Buda me gjermanishten klasike të tij, dijen dhe kulturën e gjerë “detyroi” liderin e madh gjerman të reflektonte seriozisht për shqiptarët dhe historinë e tyre. Me rastin e largimit nga Shqipëria, qeveria shqiptare i shprehu dëshirën për t’i dhuruar mikut të nderuar gjerman diçka në kujtim të vizitës së tij historike. Mbahet mend përgjigjja e liderit të madh gjerman që i bën nder personalitetit të Budës: “Më jepni Budën po mundët zotërinj, sepse më duhet për partinë time”. Komenti është i panevojshëm: Buda kishte ditur të ngrinte para tij historinë dhe kulturën e vendit të vet të varfër, Shqipërisë.

Prof. Emil Lafe, që ka pasur rastin të ishte me prof. Budën në Vjenë më 1975-ën, u tregonte miqve të tij kur u kthye, se kishte mbetur i befasuar nga profesor Buda për mallin e tij për Vjenën, qytetin për të cilin ruante kujtime të paharruara të rinisë së tij. Buda i tregonte Lafes për mbrëmjet që kalonte në Vjenë me prof. Ҫabejn. “Ҫabeji, – i thoshte Buda, – nuk dinte të vallëzonte tjetër veç tangos, dhe kur fillonte muzika ai më pyeste ‘Aleks, tango është kjo?’, dhe kur unë i thosha ‘Po’. Ai ngrihej me vrull dhe ftonte zonjushën në vallëzim”.

Prof. Buda, zotërinj, ishte vërtet shqiptar, por nuk gabojmë po të themi se ishte edhe një austriak në të njëjtën kohë, një austriak i papërsëritshëm nga dija, kultura dhe formimi i tij. Ky burrë i madh me kolegët e tij të shquar ngritën dhe drejtuan me sukses Akademinë e Shkencave në Shqipëri. Akademia sot, sigurisht nuk është më Akademia e kohës së tyre. Akademia ra dora-dorës pas vdekjes së Budës. Të gjithë ata që erdhën në krye të Akademisë pas tij, ishin intelektualë dhe specialistë të mirë në fushën e tyre, por jo njohës të shkencave albanologjike siç kërkon detyra e Kryetarit të Akademisë së Shkencave. Akademia ra pas viteve ‘90 edhe nga politika, nga ndërhyrja absurde e saj për të kapur Akademinë me njerëz të zakonshëm; këta shkëputën prej Akademisë në mënyrë absurde dhe pa asnjë kuptim Institutet e Shkencave Albanologjike, (Institutin e Historisë, Institutin Gjuhësi-Letërsi, Institutin Arkeologjik dhe Institutin e Kulturës Popullore), duke formuar me këto “Qendrën e Studimeve Albanologjike”, sot “Akademia e Studimeve Albanologjike”.

Ndarja e Akademisë së Shkencave nga këto institute nuk justifikon qenien e saj; ajo ka nevojë të rinovohet, siç kërkon me të drejtë prof. Fuga dhe studiues të tjerë. Rinovimi, sipas mendimit tim, mund të bëhet me një komision ad hoc të ngritur nga qeveria. Komisioni duhet t’i kthehet përvojës së Akademisë se Shkencave të kohës së prof. Budës, të ribashkojë Akademinë e Shkencave me institutet që aktualisht janë në “Qendrën e Studimeve Albanologjike”. Ky, sipas meje, është hapi i parë për të zgjidhur “krizën” në të cilën ndodhet Akademia e Shkencave. Le ta kthejmë pra Akademinë e Shkencave në Qendër të Studimeve Albanologjike në Shqipëri. Shqipëria ka nevojë të ketë Akademinë e saj; ajo ka nevojë për fonde nga qeveria për të bërë kërkime shkencore në fushën e historisë, të gjuhës, të kulturës dhe të identitetit të vet kombëtar. Vendin e Akademisë së Shkencave si Qendër të Studimeve Albanologjike nuk mund ta zënë universitetet e vendit, siç mendon kryeministri.

“Për çdo njeri që merret me shkencë, – shkruan prof. Buda, – termi ‘Akademi’ ka një domethënie të madhe. Për ne Akademia ka qenë ëndërr. Ajo materializonte dëshirën e rilindësve tanë për më tepër dituri, të Sami Frashërit me programin e tij për institucionet studimore të Shqipërisë në të ardhmen”

ALEKS BUDA

Menjëherë pas Çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare ku kishte vetëm 15000 vëllime. Atij i jepen në dorëzim librat e Mit hat Frasherit. Bibloteka do të pasurohej, por kryesisht prej konfiskimit të biblotekave private të personaliteteve të kohës, ndaj në 1947 fondi i numëronte 100.000 vëllime (1945-1946). Ne 1946 u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku punoi si përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë. Aty ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Së bashku me kolegët e sektorit të tij, bënë të mundur publikimin e studimeve e arritjeve në fushën e arkeologjisë e të etnografisë, që u ekspozuan në Muzeun arkeologjik-etnografik të përuruar më 1947. Fitoi përvojë si pedagog i historisë që në fillimet e Institutit pedagogjik dyvjeçar (1946); më 1955 u bë një nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Viti 1972 qe një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për A. Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda zgjidhet kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë. Ai do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës. Viti 1972 qe një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për A. Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda zgjidhet kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, deri më 7 korrik 1993.