Dilaver Goxhaj: Lufta e Vlorës përmes poezisë popullore 

458
Sigal

Vjershëria popullore shqiptare, thotë Ismail Kadare, u rrit gjer në përmasat e një universi, me një zotësi të saj vetjake të habitshme, që ka qenë njëkohësisht epos dhe kronikë e përditshme, shtyp dhe universitet, kalendar dhe pedagogji. Edhe në rastin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 i gjejmë të gjitha këtë aftësi të saj në përsosmëri. Arti poetik popullor edhe për këtë faqe të historisë sonë është renditur si plotësues apo korrigjues i saj, krahas artit të kultivuar dhe historisë së shkruar.

Lufta e Vlorës filloi më 5 Qershor 1920 dhe më 3 Shtator 1920 u festua me madhështi fitorja, kur forcat kryengritëse hynë në Vlorë.

Dimë që Luftrat Ballkanike 1912-1913 i thelluan shumë kontraditat midis shteteve të Ballkanit ashtu edhe midis Fuqive të Mëdha. E gjithë Shqipëria në këtë periudhë vuante ngaqë mungonte bashkimi: Shkodra qe më vehte; në Durrës sundonte Esat Toptani si vegël e bindur e shovinistëve të huaj; Vlora u pushtua nga Italia; viset e Shqipërisë Veriore u pushtuan nga Serbia; Greqia mbante pushtuar viset e Shqipërisë së Jugut.

Duke shfrytëzuar këto rrethana, më 26 prill 1915 hartohet në fshehtësi Traktati Famëkeq i Londrës, një nga aktet ndërkombëtare më të errëta, që mund të përmenden, sipas të cilit Shqipëria ndahej midis Italisë, Serbisë dhe Greqisë.

Italia “mike”/ bëri dhelpërinë:/ “Të mos ipet Vlora/ me Sazan nisinë,/ tjetrën le ta marrë/ Serbi me Greqinë”.

Italia, duke qenë se fuqitë e Antantës i pranuan kërkesat e saj për pushtime sipas atij Traktati, shpejtoi dhe në maj 1915 zbarkoi në Sazan e Vlorë, duke pas edhe pëlqimin e Anglisë dhe të Francës.

“Ky Adriatiku ndjerë,

pse s’bën valë këtë herë?

Valë, dallgë dhe fortune,

sepse Vlorën na e zunë.

Topat në Sazan i prunë,

kundrejt Kaninës i vunë”.

Mirëpo, në 1915 Austro-Hungaria e rimori veten dhe në fund të po atij viti ushtritë gjermane, austriake e bullgare pushtuan Shqipërinë e Veriut dhe arritën deri në Vjosë, duke e thyer Frontin Serb.

 

O moj Shqipëri e bardhë,

gjith’ bota ta kanë sevdanë!

 

Në fund të 1916-s Italia pushtoi edhe Himarën; forcat franceze vinë në Korçë dhe më 16 dhjetor 1916 shpallën Republikën e Korçës; më 23 janar 1917 u shpall autonomia e Shqipërisë nga austriakët në Shkodër; më 3 qershor 1917 shpallet nga italianët në Gjirokastër “Shqipëria e pavarur”. Më 9 dhjetor 1919 me anë të memorandumit, fuqitë e mëdha i japin Italisë si pjesë të vetën Vlorën bashkë me krahinat e saj, duke marrë më herët edhe pëlqimin e Qeverisë së Durrësit me në krye Esat Pashën, sipas traktatit të 20 gushtit 1919. Të gjitha këto e trimëruan Italinë dhe, në prag të 28 Nëntorit 1919, komanda italiane urdhëron që të mos festohej më Dita e Flamurit Shqiptar se, sipas saj, Vlora nuk i përkiste më Shqipërisë. Ky urdhër shpërtheu demonstratën e popullit të Vlorës me në krye Jani Mingën:

 

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora!

Buçet kënga për liri,

Ja do mbetet Vlora jona,

ja do bëhet gur e hi!

 

Si rrjedhojë, në dhjetor 1919 krijohet Komiteti i Fshehtë, që më vonë u quajt Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, me qendër në Tiranë dhe, në prill 1920 ky Komitet vjen në Vlorë, ku u organizua një mbledhje me përfaqësuesit e borgjezisë së qytetit e të fshatrave dhe u zgjodh Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare prej 32 veta, si dhe Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i përbërë prej 12 vetash.

Më 14 janar 1920 Anglia, Franca dhe Italia bien në ujdi për t’idhënë Serbisë luginën e Drinit, Shkodrën e Shëngjinin; Greqisë Korçën e Gjirokastrën, duke vënë kështu në jetë Traktatin e fshehtë të Londrës.

 

Italia me Greqinë,

si rruspia me rruspinë!1

Në një marrëveshje vinë,

të fshehtë e bënë tertipnë,

që të ndajnë Shqipërinë!

“Këtë unë e këtë tinë”!

 

Në këto kushte, më 21 janar 1920 mblidhet Kongresi i Lushnjës.

 

I pari Kongres që u bë,

në qytet të Lushnjësë.

Andej dolli qeveria.

-Çfarë vendime muarnë,

për qeverinë e Durrsitë?

-Të luftohet tradhëtia,

poshtë, poshtë Italija!

 

Kongresi e quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit dhe emëroi delegacionin e saj për në Konferencën e Paqes në Paris, e cila qe hapur më 18 janar 1919, ku kishte shkuar edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit bashkë me Esat Toptanin në pritje të kthimit të tij në Shqipëri me ndihmën e Beogradit për të marrë pushtetin duke rrëzuar qeverinë e dalë nga Kongresi Lushnjës, se vetëm me ndihmën e Esatit Beogradi mund të merrte territore shqiptare. Për këtë qëllim Beogradi ishte kundër depërtimit të Italisë në Ballkan.

Më 11 shkurt 1920 qeveria kombëtare u vendos në Tiranë.

Në mars 1920 bashkohet me qeverinë e Tiranës Shkodra; në prill Girokastra; në fund të majit 1920 u bashkua edhe Korça. Ndërkohë Italia mbante të pushtuar Vlorën, Tepelenën dhe Sarandën. Forcat serbe e malazeze pushtuan Dibrën dhe Malësinë e Veriut. Greqia mbante të pushtuar 26 fshatra shqiptare sipas marrëveshjes së Kapshticës.

Gjëndja keqësohet edhe më shumë pasi, Esat Pasha që nga Parisi, në bashkëpunim me shovinistët serbo-malazezë e grekë, vë në lëvizje njerëzit e tij, duke krijuar banda të armatosura në Dibër, Tiranë e deri në Rrogozhinë për rrëzimin e qeverisë së Tiranës.

Shqipëria ishte në prag të luftës civile. Atëhere ministri pa portofol, patrioti revolucionar Bajram Curri, kryen edhe një herë detyrën e lartë ndaj atdheut, kryeson forcat qeveritare, shpartallon kryengritësit esadistë dhe i siguron qeverisë qetësinë për të vazhduar veprën e bashkimit.

Shokë, rroftë Bajram Curi,

që për Shqipërinë nguli.

Ahmet Zog, o faqe zi,

vdiq Esati, u ngjalle ti.

Qeveria e Tiranë e kryesuar nga Sulejman Delvina ngulte këmbë që çlirimi i pjesëve të pushtuara të arrihej në rrugë diplomatike, ngaqë kishte anëtarë të qeverisë që besonin se Shqipëria nuk do të ishte në gjendje që t’i bënte ballë një lufte me Italinë, prandaj dhe nuk u solidarizua haptazi, me qëllim që të kish mundësi të shfrytëzohej rruga diplomatike.

Kryeministri Sulejman Delvina, fshehurazi nga Ahmet Zogu (Ministër i Brendshëm) merret vesh me përfaqësuesit e Vlorës lidhur me përgatitjet e luftës, duke i mbajtur këto lidhje të fshehta gjatë gjithë Lufës së Vlorës.

Fshatarësia e Vlorës dhe vegjëlia e qytetit nuk e duronte dot Vlorën të pushtuar.

Borgjezia e vendit si dhe disa bejlerë u solidarizuan me luftën e Vlorës, kurse klasa e çifligarëve u bashkua me Italinë.

 

Bejlerët nga Risilia:

thonë: rroftë Italia!

Të na rrojë edhe ca kohë,

se na hanë oriz fëmija.

Kaninjotë jazëk u qoftë,

Mahmut Efendiu ç’thotë?

Me bujqit po bën dava,

“Populli të drejtë s’ka!

Për ne Italia rroftë,

me makarona na mba!

 

Më 18 maj 1920 ushtria italiane shpall shtetrrethimin.

Më 20 maj 1920 u organizua Mbledhja e Barçellasë, ku u vendos që të lihen mënjanë grindjet e mëparshme e të pajtohen gjaqet si dhe të njoftohej popullsia se, në rast se Italia nuk do të pranonte të largohet tërësisht nga Vlora, do t’i shpallej luftë.

 

Kush është burrë shesh për shesh,

kush të vritet le të vdes,

kush të rroj’, me nder të jesë,

vatanin do ta qerdhesë.

 

Njëkohësisht u dërguan delegatë në Berat, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Durrës e gjetkë ku u krijuan komisione të posaçme, që do të kujdeseshin për ndihmën kur të shpërthente lufta. Në Barçella u bisedua çështja e organizimit të formacioneve luftarake, çështja e armatosjes, si dhe u caktuan anëtarët e Komitetit që do të përgatisnin planin e kryengritjes.

Më 24 maj 1920 u përzunë italianët nga Kurveleshi.

Më 29 maj 1920 u mblodhën në mal të Beunit, afër Smokthinës, për të marrë pjesë në mbledhjen pranë Komitetit mijëra luftëtarët vullnetarë nga zonat e pushtuara ku  ishin formuar çetat vullnetare: vlonjatë, tepelenas, kurveleshas, Lumi i Vlorës, mallakastriotë dhe himariotë:

 

“Po pleqtë e Bregut ç’thonë?”

“Është e mira që të shkojmë,

vëllezërit t’i ndihmojmë,

ta dëgjojmë shoqi-shoqnë”.

 

Vendimi më me rëndësi i kësaj mbledhjeje ishte: shpallja e luftës kundër pushtuesve italianë:

“Në Beun seç u mblodhë:

dymbëdhjetë komisionë.

Edhe mbledhjen e filluan,

muarnë letrën dhe po shkruajnë.

E shkruajnë për Piaçentinë,

të lërë Vlorën të lirë”.

 

Njëkohësisht u bë i njohur Shtabi i planizimit dhe drejtimit të Luftës, (Alem Mehmeti nga Tragjasi, Hamit Selmani nga Dukati, Murat Miftari nga Tërbaçi, Halim Xhelua, Beqir Veliu dhe Osman Haxhiu):

Barçellaja bëjnë terpinë,

’i shënuan parësinë:

Alem aganë e Hamitnë,

Murat Miftar e Halimnë,

Beqir e Osman Haxhinë!

 

Çetat u ndanë në katër pjesë: çetat që do sulmonin garnizonin Italian të Kotës; ato në Drashovicë; ato në Gjorm dhe çetat që do të sulmonin në Llogara, si dhe u caktuan komandantët e njësive të çetave dhe më së fundi u bë betimi.

Ti Selam do shkosh në Vlorë!

Komanndant mbi tre taborë!

Salami ia hipi kalit,

në tel i foli gjeneralit:

“Dil steresë e jo limanit,

të shohësh djemtë e vatanit!”

 

Më 3 qershor 1920, e premte, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dërgon komandantit të forcave italianë në Shqipëri Setimio Piaçentinit një letër:

Njëzetën proto qershorë,

një letër seç e dërgojnë,

nga Beuni për në Vlorë.

Ajo letër ishte Ultimatum para se të fillonte lufta, e shkruar në gjuhën fërngjisht:

Ultimatum i dërguan,

nga Beuni Piaçentinit,

Me kondita për një javë:

Vlora të jetë e liruar.

 

Ultimatumi u dërgua me Mehmet Selimin nga Mallkeqi dhe Manxhar Selfo nga Shkoza.

Te porta në konsullatë,

Mehmet trimi dha një kartë.

 

Ultimatumi hidhte poshtë Traktatin e Londrës. Ndër të tjera në ultimatum thuhej: “Nuk jemi aq të marrë të mos kuptojmë që, nuk mundet një grusht shqiptarësh t’i shpallin luftë një fuqie të madhe si Italia, porfuqia italiane, sado e madhe që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë shqiptarët të vdesin për lirinë e nderin e atdheut të tyre”.

Me anë të ultimatumit Komiteti kërkonte përgjigje deri në ora 19.00 të datës 4 qershor 1920.

Komandanti i forcave pushtuese italiane në Shqipëri, me shtabin e tij prej 12 gjeneralësh, nuk i dha rëndësi dhe as që begenisi t’i përgjigjej ultimatumit.

 

Ditën e shtunë më darkë,

sa mbaroi ultimatum.

Në një orë e më çdo anë,

përnjëherë filloi sulmi.

 

Forcat italiane përbëheshin prej dy divizione këmbësorie: divizioni 13-të, nën komandën e gjeneralit Raimondo, dhe divizioni i 36- nën komandën e gjeneralit Pulieze. Përveç këtyre dy divizioneve kishte disa brigada autonome, reparte të logjistikës, reparte bersaliere malore, disa reparte autonome artilerie, xhenjoje, karabinierësh, autoblinda, tanke, një skuadrile aeroplanësh dhe një skuadrile të forcave detare. Forca të tjera të mjaftueshme kishin zënë pozita gjatë rrugës Vlorë-Gjirokastër e Vlorë-Himarë, si dhe në Tepelenë, në Dukaj, në Kotë, në Gjorm, në Himarë, në Llogara, në Babicë,në Drashovicë, në Mavrovë, në Selenicë, në Sevaster etj.

Vullnetarët shqiptarë ishin armatosur dikush me armë, dikush pa armë, dikush me fishekë, dikush pa fishekë, zhveshur e zbathur, pa xhenjo, pa artileri, pa spitale, pa kuadro ushtarake për luftë, etj. Logjistikë ishte fshatarësia e tyre. Në Vlorë ndodhej një milici prej 1000 milicë shqiptarë të rekrutuar prej bejlerëve të Vlorës e të Risilisë, të cilëve u bëri thirrje Komiteti që t’i bashkoheshin kryengritjes, dhe ata iu bashkuan asaj.

Atë raport forcash muza popullore e kashprehur më mirë se çdo historian ushtarak:

 

Andej bomba e ballona,

mitralozë edhe vaporë!

Këtej një flamur valon.

Udhëtonte për në Vlorë.

 

Andej dinamit e topa,

një mijë gjyle në një orë!

Këtej një shpatë copa–copa:

dhe një kobure në dorë.

 

Plani ishte që fillimisht të goditeshin njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të ndërpriteshin menjëherë linjat telefonike mes garnizoneve dhe mes atyre dhe komandës në Vlorë.

Urdhëri për sulm u dha në 5 qershor 1920, ku menjëherë u prenë linjat e komunikimit të italianëve.

 

Nëndëqint’ e njëzet viti,

m’u më pesë qershor,

rrethi Vlorës krye ngriti,

të drejtat e tij kërkon.

 

Në mesnatë, me të gdhirë 6 qershori 1920, kryengritja filloi në çdo kënd të viseve të pushtuara, duke u goditur menjëherë Kota, Tepelena, Gorishti, Dukati, Drashovica, Mazhari, Gjormi, Matohasanaj dhe Llogaraja.

Drashovica u muar pas dy orë luftime të ashpra, si dhe u çliruan Vajza, Mavrova, Dukati, Mazhari, Matohasanajt, u morën dhe postkomanda të tjera armike.

Shumë e ashpër u bë lufta për çlirimin e Kotës dhe Gjormit duke gdhirë 6 qershori 1920.

 

Telatë po venë e vine!

Lidhet Kota me Kaninë.

Flet Goti me Piaçentinë:

-Qysh do bëjmë ne nashtinë,

se shqiptarët errinë,

Gjorm zunë e poshtë po vine.

Janë përmbi katër mijë,

si breshër me kërcëllimë!

 

Në Kotë nën komandën e Gjeneralit Enriko Gotti, italianët kishin një regjiment këmbësorie, bateri malore me artileri, mitraloza të rëndë, transhe të rrethuara me tela me gjëmba. Ja si e pasqyron muza popullore.

 

O djema, ç’qënkej kjo Kota!

Më e bukur nga Evropa!

Bytim mitralozë e topa.

U ndez vedi, gjëmon toka.

 

Pas 6 orë luftimesh u muar dhe garnizoni i Kotës. Në sulmin mbi Kotë morrën pjesë çetat e:  Salarisë, Smokthinës, Koculit, Vajzës, Gorishtit, Gusmarit, Plloçës, Shkozës, Mesaplikut, Mavrovës, Velçës, Kaninës dhe qytetarë të Vlorës.